Lufta kundër pabarazisë

Lufta kundër pabarazisë


Andi Kananaj

Në vitet ’90, Enver Hoxha u denoncua si jo mjaftueshëm i majtë. Në një model origjinal, komunistit të parë, njeriut më të rendësishëm të partisë komuniste, iu sulmua ish-jeta private. U hapën dyert e lagjes “Bllok” dhe në modelin më të mirë kinez të demaskimit social u denoncuan të mirat materiale të njeriut që tentoi të bindte për ndarje sa më të drejtë të sendeve që posedojmë përgjatë harkut të jetës. Askush nuk ia falte dot Hoxhes faktin që brenda shtëpisë kishte kamera filmike, pishinë personale, banesë të rrethuar me ushtarë, rrush e kumblla më shumë se të tjerët. Vetë shoqja Nexhmije Hoxha u dënua publikisht për shpërdorimin e bërë pa teklif të parave publike, duke pirë kafe me shoqet orë e pa orë. Mënyra e të sjellurit e qytetarëvë të asaj kohe, tregoi për tendencën në masë të gjërë për të besuar tek një shoqëri relativisht e barabartë. Dështimi pas plot 50 vjetëve tentativë, për të realizuar një shoqëri egalitare bëri që të reagohej me revolucion pikërisht si pasojë e humbjes së besimit tek struktura që duhet të kish siguruar paksimin e varfërisë pa lejuar pasurimin e një pakice. Reaksioni i natyrshëm i popullsise për të patur një sistem më të drejtë, u përkufizua si kërkesë për një rend demokratik si nga pikëpamja politike ashtu dhe nga ajo ekonomike. Shembuj pozitiv ishin regjimet perëndimore që ishin më të zhvilluara ekonomikisht.

Në kushtet e një shoqërie ku ndjesia e barazisë ishte e zhvilluar vetiu, pak prej natyrës fodulle e luftarake të shqiptarëve, e pak prej varfërisë shekullore që nuk lë vend për pabarazi të theksuar, tendenca ishte që dhe sistemi demokratik të ndërtoj mbi këtë fill logjike. Që në fillim u profetizua klasa e mesme e cila pa shumë sakrifica do të bënte jetë të njëjtë me klasat e larta, ato më të pasurat. Asgjë për shqetesuar nëse në vend do të instalohej drejtësia sociale. Të gjithë të barabartë para ligjit. Sipas asaj që mendonte Kelzen, ligji i ftohtë, të cilit i bindeshin të gjithë pa investiguar kush mbi pasuritë e ngrira nëpër llogaritë bankare, para se të jepte vendimin.
Në fakt në planin propagandistik, ndarja klasore nuk ka të bëjë me shifra dhe si e tillë nuk ka pse të krijojë shqetësim publik dhe politik. Një administrator firme, sipas kësaj tezë nuk do të gjejë dot dhe po të dëshirojë një bar apo restorant në Tiranë ku mos ketë vërdallë dhe nënpunësit e tij. Nuk do të gjejë kurrë nje biletë avioni, ku mos të ketë njerëz nga shtresat e tjera të shoqërisë më pak të paguara nga ekonomia e lirë (sigurisht e klasifikuar e tillë për konvencion).
Të thuash që diferencimi ekonomik nuk bën diferencim social, në fakt nuk ka të bëjë më legjendat se një ish - kryeministër flinte në Dubai për 20 mijë euro natën, apo se disa bosë naftë duan të blejnë klube futbolli meqë nuk u mjafton një biletë normale në tribunën A.
Duke dashur të argumentohet mbi faktin që diferencat ekonomike nuk bëjnë diferencim social, provohet vetëm e kundërta. Pa tentuar të bëni një studim të thelluar kujtoni sesa nga shokët e klasës tuaj me mesatare të lartë vazhduan shkollën deri në fund. Sa nga ata kishin familjet me vështirësi ekonomike. Bëni përsëri një sforcim të vogël dhe shikoni sa nga ata janë në poste të rëndësishmë të vendit. Shanset që një njëri nga një familje në vështirësi të dalë mbi ujë janë shumë të vogla. Nuk futen në këtë llogari trafikantët dhe përfituesit e krimit të organizuar. Pa dashur që t’i neglizhojmë si njerëz suksesi por se qëllimi është të kuptojmë sa ka mobilitet social në vendin tonë.

Sa kohë do t’i duhej një të riu që paguhet të themi 70 mijë lekë në muaj, të paguajë një shtëpi në Tiranë. Një shtëpi 90 m katror me 900 euro metri kushton 81 mijë euro. Duke futur dhe përqindjet e bankës që variojnë 8-15% sigurisht e ndarë në 20 vjet. 95 mijë euro të ndara në mënyrë të rregullt për çdo muaj janë rreth 400 euro në muaj. Pa llogaritur inflacionin dhe rritjet e frikshme të euros i bie mbi 52 mije lekë. Mundësia që për një profesionit të paguar jo keq, të mendojë dhe për asete të tjera në shtëpi është e pamundur. Një tjeter kredi ndoshta që të zhytet përfundimisht në botën e atyre që nuk e hapin kurre celularin nga frika se po telefonohen nga banka? Po shkollimi i fëmijëve, mundësisht në institucionet më të mira? Mund të akuzohet si tangërlliks një prind që tenton ti japë një mundësi më tepër femijës së tij?.

Sistemi mjeksor dita ditës, megjithëse në letra është gratis, paguhet aq shtrenjtë sa është e pamundur të përballohet nga qytetari i zakonshëm. Popullsia jonë po kthehet në një koleksioniste sëmundjesh që tenton të shërohet me të lëpirat e saj. Një popullsi e sëmurë sigurisht që ka mundësi më të vogla për të konkuruar me të njëjtin rritëm me popullsititë që janë mirë e bukur, si kokrra e mollës. Është qesharake sesi ne bashkë më sëmundjet tona duam dhe të integrohemi në Europë.

Duke parë rrotull do të kuptojmë se një grusht i vogël njërëzish kanë krijuar një botë totalisht paralele. Kanë shkollat e tyre, dyqanet ku blejnë. Kanë lagjet e tyre, si Kodra e Diellit psh. tek e cila nuk mund të futesh njëlloj si të “Blloku” i famshëm dikur. Fëmijët e tyre përfitojnë gjithmonë bursa shtetërore si për çudi. Mos po mendonim në fillim të viteve ‘90 të ndërtonim një sistem ku ne do të ishim gjithmonë e më të varfër? Duke parë se me kalimin e kohës mundësia për ndryshim statusi është bërë e pamundur, a ka kuptim të vazhdojmë të besojmë akoma tek shanset e barabarta që jep demokracia?

Paradoksalisht mbas 19 vitesh “demokraci” kërkesa për barazi sociale, ndesh në kundërshtimin e shtresave më të varfëra të popullsise. Shtresat e pasura përveçse vënë mure për t’u bërë të padukshëm bashkë me luksin e tyre, kanë krijuar dhe ankthin e komunizmit, me të vetmin qëllim atë të humbjes së mesazhit të barazise sociale absolutisht të domosdoshëm në fakt për ruajtjen e demokracise si rend.

Partitë në shqipëri dukshëm janë djathtas, për faktin se forcën e gjejnë pikërisht tek një grusht njerëzish që kanë në dorë pjesën më të madhe të vlerave monetare të këtij vendi. Kjo formë korruptimit të politikës ka bërë që sistemi të jetë vetëm virtualisht demokratik, kurse praktikisht është i gjithi në shitje.

Në situatën e sotme ku pushteti dukshëm është korruptuar nga ndërtuesit e pallateve, besimi i qytetarit tek politika do të vazhdojë të zbehet gjithmonë e më tepër. Gjatë këtyre 18 vjeteve kemi seleksionuar cinizëm në rritje dhe humbje të besimit se qoftë dhe një “qeveritar po punon më për ne”.

14 Komente

Demokracia, si  rendi me i mire i mundshem ,nuk ka nje pike te fiksuar ne zhvillimin e saj ku liria dhe barazia te baraspeshohen dhe as per ti bre optimale te dyja njekohesisht.Pabarazia materiale do te mbetet per shkak te shperndarjes se pabarabarte te aftesive natyrore te njerzve. Ato kthehen ne polarizim te rrezikshem dhe minues te shoqerise kur politikat  bazohen ne klientelizem dhe korrupsioni moral dhe material i mbyll shanset e mobilitetit social.

Shkrim me teper deskriptiv, pa analize te thelle dhe i cfokusuar nga argumenti baze": demokracia_liria_pabarazia

Andi me pelqeu shkrimi.

Nese me lejohet nje sugjerim, do te thoja qe argumenti pse kerkesa per barazi sociale nuk perqafohet nga shtresat e varfera (pasi me te kuptojne varferim edhe me te madh) ka edhe pak me teper nevoje per shtjellim. E ne fakt nuk eshte e lehte vecanerisht nese punohet me konceptin e mobilitetit social mbi te cilin me sa di une nuk ka studime per Shqiperine.

O Andi, ta dish qe une i kam shume qejf shkrimet e tua. Dhe me fal qe kete s'ta kam lexuar akoma, por ne lidhje me temen, ka nje poezi te bukur nje liber i Jeruzalemit, po s'pertoi ajo ta sjelle, me punetoret dhe studentet ne Wall Street (shiko tek rajoni New York se s'po me kujtohet titulli apo autori).

Duke parë rrotull do të kuptojmë se një grusht i vogël njërëzish kanë krijuar një botë totalisht paralele. Kanë shkollat e tyre, dyqanet ku blejnë. Kanë lagjet e tyre, si Kodra e Diellit psh. tek e cila nuk mund të futesh njëlloj si të “Blloku” i famshëm dikur. Fëmijët e tyre përfitojnë gjithmonë bursa shtetërore si për çudi.

Nje qafir kapitalist kolonial, indian me origjine, por qe ka bere paret e dynjos me Citigroup, ka shpik nje term per kete lloj 'ekonomie': PLUTONOMI. Micheal Moore e ka zene gafil ne dokumentarin e tij: Capitalism: A love story

PLUTONOMI: Dmth nje ekonomi ku nje perqindje e vogel e popullates kontrollon pothuaj te gjitha 'commanding heights' te ekonomise. Psh ne ShBA, 1% e popullit kontrollon 25% te te gjithe ekonomise. Per shkencat ekonomike ky shperpjestim eshte katastrofik per SISTEMIN ekonomik, pasi eshte faktor destabilizues. Ne momentin qe ky 1% nuk shpenzon me, rendon me shume se gjithe guret e tjere te piramides, dhe gjithe piramida bie. Hyman Minsky e ka llogarit nje moment te tille te cilin desh e perjetuam vjet ne gjithe boten e 'nderlidhur' (minus Absurdistan mqs vendi konsiderohet ekstra-planetar nga edhe vete kryeministri absurd i tij)

Thjeshte nje shkrim propogande marre nga Marksi.

Qe te pretendosh se eshte shkrim propagande duhet te pakten te tregosh se ku eshte genjeshtra ne shkrim. Perndryshe mos hidhni shashka.

 

Demokracia s'eshte automatikisht baraz me barazine. Eshte teorikisht nje sistem ku mundesite e individeve ne shoqeri duhet te jene te barabarta. Dhe duhet te jete edhe nje sistem ku cdo individi i sigurohet minimumi i standartit jetik...

Ndoshta ne Shqiperi eshte e lehte te enderrosh edhe kur je i ri (30 vjeç te themi) blerjen e nje shtepie prej 90 m2, ndersa, sic shumica prej jush e dine fare mire, ne Perendim s'ndodh keshtu. Pergjithesisht rrohet me qera, ne pritje qe prinderit te te lene shtepine, te cilen edhe keta vete e kane trasheguar nga prinderit. Flasim gjithnje per shtresen mesatare.

"Zengjinet e vjeter" (per te mos folur pastaj per te rinjte) jane gjithnje shume te rinj ne Shqiperi. Ne rastin me te mire u vjen era e ciflikeve feudale te gjysherve e stergjysherve, ne rastin me te keq jane bij te ish-nomenklatures... Pastaj vijne zengjinet me te rinj: shumica te neveritshem e te pandershem, pothuaj te gjithe groteske... E kush don te jete i barabarte me keta?

PS: Shqiptaret s'e urryen E. H. ngaqe ky s'ishte mjaftueshem i varfer, por ngaqe ata vete ishin te varfer ne kufijte e urise se zeze.

Dhe boll me Marx-in se me duket s'e ka lexuar njeri...

Per mendim tim ky Andi ngateron barazine sociale me barazine ekonomike. Demokracia dhe kapitalizmi i sotem nuk sjellin ne asnje menyre barazine ekonomike. Nga e gjeti Andi kete teori?  Vetem Neo Marksistet e tipit Michael Moore mund te diskutojne teorira te tilla.

Kapitalizmi dhe demokracia e sotme perendimore afron vetem barazi sociale te tjerat i vendos konkurenca, zotesia, puna dhe talenti. Ja qe kjo nuk eshte e drejte, bile eshte jo humane te shikosh Bill Gejtet me miljona dhe Bill Macmorant te mos kene shtepi per femijet e tyre . Por mund te me thote njeri nje sistem tjeter me  te mire se ky kapitazmi i sotem kaq  barbar, i pameshirshme, kaq i pa pabarabarte ekonomiksh, por kaq shume demokratik ?

Dhe ne shqiperi nuk eshte porblemi se ka pabarazi ekonomke. Problemi ne shqiperi qendron se ka pabarazi sociale. Psh. nje njeri qe ka tesren e te perndjekurit politik ne shqiperi ka me shume te drejta se nje qe nuk ka kete teser, ose ka qene komunist ne kohen e Enverit. Nje i shkolluar ne kohen e Enverit ka me pak te drejta se nje i shkolluar tek plepat ne kohen e Sales. Nje me teser PDje ( kur PD eshte ne fuqi) apo me teser PSje ( kur PS eshte ne fuqi) ka me shume te drejta se nje pa teser fare.

Dhe padrejtesia sociale, sjell mosfunksionimin e shtetit dhe pasurimin e te te paaftit, te pa shkolluarit, te pa talentuarit dhe te dembelit. Krejt e kunderta nga ajo e nje shoqeria demokratike kapitaliste perendimore.

Shqiperia nuk ka nje shoqeri demokratike perendimore. Shqiperia eshte nje shoqeri jo demokratike e ngritur ne klanet krahinore dhe familjare dhe keshtu qe nuk mund te flitet per barazi sociale apo per pabarazi te merituar ekonomike.

Te ankohesh sic ankohet Andi tek ky shkrim per mua  eshte njesoj si te jesh i zhytur ne  batak dhe te ankohesh se te mungon xhelatina per floket.

Eh, ju nuk keni c'ti beni samarit e i bini gomarit. Xhelatine eshte kjo Toko:

"Sistemi mjeksor dita ditës, megjithëse në letra është gratis, paguhet aq shtrenjtë sa është e pamundur të përballohet nga qytetari i zakonshëm. Popullsia jonë po kthehet në një koleksioniste sëmundjesh që tenton të shërohet me të lëpirat e saj. Një popullsi e sëmurë sigurisht që ka mundësi më të vogla për të konkuruar me të njëjtin rritëm me popullsititë që janë mirë e bukur, si kokrra e mollës. Është qesharake sesi ne bashkë më sëmundjet tona duam dhe të integrohemi në Europë."

apo po tall bythen me ne qe s'dime te lexojme?

Jo Lulian nuk eshte xhelatine. Xhelatine eshte ankesa e Andit se kane disa  kane miljona e blejne klube futbolli e ca nuk kane te hane. Ajo qe ti ankohesh eshte pikerisht bataku ku jemi zhytur. Lexo komentin jo vetem fundin e tij

....barazise sociale absolutisht të domosdoshëm në fakt për ruajtjen e demokracise si rend.....

Interesante kjo puna e barazise sociale Andi. Do ta kujtoj sa here nuk arrij ta kuptoj ekzistencen e vazhduar te partive komuniste ne vendet e BE smiley

S'e kisha lexuar artikllin, po i kisha hedhur nje sy komenteve. Hajt po e lexoj dhe artikllin thashe.

Fjalia e pare

Në vitet ’90, Enver Hoxha u denoncua si jo mjaftueshëm i majtë.

me beri te nderroj mendje, po te pakten me dha nje buzeqeshje. smiley

Mbase po e paragjykoj mendova, nisur vetem nga fjalia e pare dhe nga fryma revolucionare marksiste-leniniste e artikujve politike te ketyre grupit RK (Rilindja Komuniste). Keshtu qe vazhdova te lexoj. Fjalia e dyte

Në një model origjinal, komunistit të parë, njeriut më të rendësishëm të partisë komuniste, iu sulmua ish-jeta private.

me beri ti qendroj paragjykimit dhe mos vazhdoj leximin. Po jam i sigurt qe ka qene interesant artiklli, nisur nga komentet. smiley

Paradoksalisht mbas 19 vitesh “demokraci” kërkesa për barazi sociale, ndesh në kundërshtimin e shtresave më të varfëra të popullsise.

shprehje interesante qe ia vlen te pakten te ndalosh pak. Thjesht nga nje pikepamje (neo)liberale: a mendon se mundesia qe ne nje te ardhme te behen edhe ata te pasur eshte e mjaftueshme per te kundershtuar "barazine sociale (ekonomike)"?

Shkrimi ishte i shprerqendruar, pa ndonje vlere mendoj.

Stili i shkrimit me pelqen, por mund te evitosh disa shprehje, si psh:

në modelin më të mirë kinez

cfare modeli kinez? pse vetem kinez? a eshte e pranuar nga gjithe bota kjo gje apo jemi me te sojshem ne?

pak prej natyrës fodulle e luftarake të shqiptarëve,

eshte gjuhe shume shume e refugjateve te viteve '90. Nuk e justifikon dot ti kete lloj te foluri.

apo fjali te pasqaruara te tipit:

Sipas asaj që mendonte Kelzen, ligji i ftohtë, të cilit i bindeshin të gjithë pa investiguar kush mbi pasuritë e ngrira nëpër llogaritë bankare, para se të jepte vendimin.

(injorantet si puna ime nuk kane pse ta dine kush eshte Kelzen dhe pse eshte i rendesishem ne kete shkrim.

 Mos u grindni djema, se pavarsisht nga ndonje gje e vockel qe nuk qendronte ne artikull, artikulli ne teresi qendronte, dhe eshte per te ardh keq qe shoqeria shqiptare po vazhdon te polarizohet e ndoshta me keq se ne kohen e socializmit. 

Thelbi i artikullit mendoj se permblidhej shum bukur ne kete shprehje te autorit; 

 

"....Shtresat e pasura përveçse vënë mure për t’u bërë të padukshëm bashkë me luksin e tyre, kanë krijuar dhe ankthin e komunizmit, me të vetmin qëllim atë të humbjes së mesazhit të barazise sociale absolutisht të domosdoshëm në fakt për ruajtjen e demokracise si rend..." 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).