Lufta kundër Liberalizmit në Pikëpamjet Totalitare të Shtetit (pjesa I)

Lufta kundër Liberalizmit në Pikëpamjet Totalitare të Shtetit

Herbert Marcuse

Vendosja e shtetit total-autoritar u shoqërua nga shpallja e një weltanschauung politik të ri: “realizmi heroiko-kombëtar1” u shndërrua në teori të qeverisjes.

      Gjaku ngre krye kundër kuptueshmërisë formale, raca kundër ndjekjes së arsyeshme të objektivave, nderi kundër përfitimit, lidhjet kundër kapriçios të quajtur “liri”, totaliteti organik kundër shpërhapjes individuale, vlerat rrinë kundër sigurisë borgjeze, politika kundër prioritetit të ekonomisë, shteti kundër shoqërisë, kombi kundër individit dhe kundër masës2.

Ky botëvështrim3 i ri është zanafilla e të gjitha rrymave që e kanë përmbytur teorinë politike e sociale “liberaliste që prej Luftës I Botërore. Beteja fillimisht nisi larg arenës politike, si një kundërshti filozofike ndaj racionalizmit, individualizmit dhe materializmit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Gjatë intensifikimit të konfliktit ekonomik e social të pas luftës lindi një front i bashkuar që nuk vonoi të shfaqte funksionin e tij politik e social; krahasuar me këtë front, lufta kundër liberalizmit (siç do dëshmojmë më poshtë) bëhet thjesht periferike. Por le të analizojmë shkurt burimet më të rëndësishme të teorisë aktuale -

Heroizimi i Njeriut

Shumë kohë para Luftës I Botërore u vu re që përurimi i një tipi të ri njerëzor u bë qasje mbizotëruese që gjeti përkrahës thuajse në të gjitha degët e shkencave sociale e njerëzore, që nga ekonomia e deri tek filozofia. U sulmua racionalizimi hipertrofik dhe teknifikimi i jetës, u sulmuan “borgjezët” e shekullit të nëntëmbëdhjetë me mikro-gëzimet e mikro-objektivat e tyre, u sulmua shpirti i dyqanxhiut dhe i tregtarit dhe “anemia” shkatërruese për ekzistencën. Këtij paraardhësi mjeran i kundërvunë një imazh të ri njerëzor, formuar me tipare nga epoka vikinge, nga misticizmi gjerman, nga rilindja dhe nga militarizmi prusian: njeriun heroik, në besë me forcat e gjakut dhe të dheut – njeriun që shëtit në qiell e ferr, njeriun që pa arsyetuar se pse shkon në aksion për të luftuar e për të vdekur, njeriun që e sakrifikon vetveten pa ndonjë qëllim, i përulur ndaj forcave të errëta që e mbajnë gjallë. Ky imazh zhvillohet në vizionin e liderit karizmatik4, i cili nuk duhet ta justifikojë udhëheqjen në bazë të qëllimit dhe i mjafton veç pamja si “provë” për t’u pranuar si dhuratë hyjnore e pamerituar. Me shumë modifikime, por gjithnjë në ballë të luftës kundër ekzistencës borgjeze dhe intelektualiste ky arketip njerëzor mund të gjendet në idetë e pasuesve të Stefan George, tek Moller van den Bruck, Sombart, Scheler, Hielscher, Jünger, e të tjerë. Justifikimin filozofik ata e kanë gjetur tek e ashtuquajtura –

Filozofi e Jetës

“Jeta” si e tillë është një e dhënë parësore, që nuk mund të tejshkohet prej mendjes dhe nuk i qëndron ndonjë baze, justifikimi apo vlerësimi të arsyeshëm. Jeta e kuptuar në këtë mënyrë bëhet një rezervuar i pashtershëm për çdo fuqi të paarsyeshme. Mes kësaj mund të shpiket një “nëntokë mendore” që është po aq “e ligë sa [ç’është] kozmikja…, por më shumë shërben si mitër dhe strehim për të gjitha forcat prodhuese e krijuese, gjithë forcat që edhe pse pa formë përbëjnë përmbajtjen e çdo forme, e çdo lëvizjeje domethënëse” 5. Kur kjo jetë “përtej së keqes e së mirës” nis të shihet si forca që në fakt “krijon historinë”, krijohet një pikëpamje antimaterialiste dhe antiracionale mbi historinë dhe shterpësia sociologjike e saj demonstrohet në ekzistencializmin politik dhe në teorinë e shtetit total.

Kjo filozofi e jetës ka të përbashkët me Lebensphilosophie-n e Dilthey-t vetëm emrin, dhe nga Nietzche ka marrë vetëm pathosin dhe ca grimca tek-tuk. Funksioni social i saj ka dalë në pah më qartë në veprat e Spengler-it6 ku shndërrohet në substrukturën e një teorie ekonomike imperialiste.

Tendenca e përbashkët e këtyre dy rrymave, pra “çlirimi” i jetës prej nxitjes nga një arsye detyruese “universale”, që qëndron sipër interesave të veçantë mbizotërues, (mandatit për të krijuar një shoqëri njerëzore racionale, që rrjedh prej kësaj arsyeje) dhe mveshja me ekzistencë e forcave “të padhunueshme” të paradhëna çon drejt një –

Natyralizmi Iracionalist

Interpretimi i proçeseve historike e sociale si proçese nayrore-organike i tejkalon forcat lëvizëse të vërteta (ekonomike e sociale) të historisë  dhe përfundon në sferën e natyrës së përjetshme dhe të pandryshueshme. Natyra interpretohet si një dimension mitik prejardhjeje (i karakterizuar aq bukur në frazën “gjak e dhe”), që gjendet tek gjithçka si përmasë parahistorike. Historia njerëzore fillimin e vërtetë e ka vetëm kur kjo përmasë kapërcehet nëpërmjet transformimit. Në weltanschauung-un e ri funksioni i natyrës mitike, parahistorike, është të shërbejë si kundërshtar real për praktikën racionale, të pavarur e të përgjegjshme. Si diçka që justifikohet thjesht nëpërmjet ekzistencës, kjo natyrë qëndron kundër gjithçkaje që ka nevojë për justifikim racional; si diçka që duhet absolutisht të pranohet ajo qëndron kundër gjithçkaje që ka nevojë të përqaset në mënyrë kritike së pari; si diçka që është e errët në thelb ajo qëndron kundër gjithçkaje që e merr thelbin nga qartësia e dritës; si diçka që është e pashkatërrueshme ajo qëndron kundër gjithçkaje që i nënshtrohet ndryshimit historik. Natyralizami bazohet në një ekuacion që barazon botëvështrimin e ri: natyra, si origjinale, në të njëjtën kohë është natyrale, gjenuine, e shëndetshme, e vlefshme dhe e shenjtë. Ajo çka gjendet poshtë arsyes e ngre veten nëpërmjet funksionit “përtej së keqes dhe të mirës” në diçka që e tejkalon arsyen.

Por ndërtesës ende i mungon guri i themelit. Himni i sistemit natyral-organik kontraston shumë dukshëm me sistemin faktik ekzistues. Ka një kontradiktë ulëritëse mes marrëdhënieve të prodhimit në një anë dhe nivelit të arritur të forcave prodhuese që mundësojnë plotësimin e nevojave në anën tjetër. Natyra përballet me një ekonomi dhe shoqëri që është “e panatyrshme”, një sistem që përparon nëpërmjet dhunës të një aparati gjigand që përfaqëson të tërën kundër individit, meqenëse e ndrydh tërësisht atë, një “totalitet” që ekziston vetëm nëpërmjet dominimit total të gjithçkaje. Transfigurimi teorik i këtij totaliteti rezulton në –

Universalizëm 

Nuk do të  diskutojmë këtu elementët e pranishëm në universalizëm që kanë prurë kontribute të mirëfillta në  njohurinë filozofike e shkencore (p.sh. Teoria Gestalt). Në kontekstin e pranishëm e rëndësishme është që në fushën e teorisë sociale universalizmi shumë shpejt mori funksionin e një doktrine të justifikimit politik. Përballë individëve totaliteti social si një realitet primar vetë-vërtetues, nëpërmjet karakterit krejt total që e veçon, shndërrohet në një vlerë primare vetëvërtetuese: totaliteti është, si i tillë, e vërteta dhe e mirëfillta. Universalizmi nuk do t’ia dijë a i duhet çdo totaliteti të provojë vetveten përpara gjykatës së individëve, që të dëshmojë se potencialet e nevojat e tyre përmbushen në të. Kur totaliteti nuk përbën më përfundimin por aksiomën atëherë shtegu i kriticizmit social teorik e praktik që duhet të shpjerë tek ky totalitet është bllokuar. Totaliteti mistifikohet programatikisht. “S’mund të kapet më me dorë, a të shihet me sy për së jashtmi. Duhet vetëkontroll dhe thellësi shpirtërore që të kapet prej syve të brendshëm”. 7 Në teorinë politike ky totalitet përfaqësohet nga kombi (Volk) si një bashkësi dhe si një totalitet “natyralorganik” që ka prioritet ndaj çdo ndarjeje sociale në klasa, grupe interesi, etj. Sipas kësaj teze universalizmi bashkangjitet me natyralizmin. 

...

Vijon

Përktheu: Arbër Zaimi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).