Living on the other side

Ky tren nuk niset për atje ku thotë,
Konduktorja, pasagjerët mezi mbajnë ironinë,
Majonezë nga McDonald si corpus delicti
Është gati t’u thahet nëpër cepa buzësh
Duart lyrën e ushqimit të çastit
E fshijnë pantallonash me djallëzi Ponc Pilati.
Zbuloj një komplot të heshtur taksishë
Ambulancat therëse janë açik bashkfajtore
Shpejtojnë të largohen me ngut hipokrat,
Flakërimë, flagrancë si metatezë e zezë.
Në mollza dritaresh rrjedh poshtë retinol
Dhe rimel parvazesh që kullon nga vazot,
Vazo që s’duken dhe me shumë gjasë mungojnë,
Por që duhen si shpjegim për këtë zhulpluhur mbi mure,
Për djersën urbane në sqetulla billdingjesh,
Ca lule imagjinare duhen për shpjegim
Të pisllëkut që me betonin është përzierë fasadash!

Po, jetoj në pjesën e gabuar të qytetit,
Pëllumbat nuk më duan dhe parqet nuk më njohin,
Atuobusët s’më presin dhe muret djegin
Me diellin e përthithur prej njëqind e ca vjetësh,
Telat rënduar nga lajme pa vlerë
Si lëvere të vjetra tharë që parvjet.
Ciklopike rrugët drejtimin e vetëm
Drejtojnë kundër meje si ushtën kalorësi.
Alarm portokall, bëhet gati për kuq
Semaforëve që lëkunden si pendule paniku,
Pasqyra shpirtkëqia shpejtojnë para moshës
Të m’i deformojnë pa mëshirë relievet,
Pasqyrat shpirtkëqia të k’tij qyteti xhams
Intervistuar pambarim nga mijëra sy shtrigash.

Lypësit s’më përfillin, më shohin vrazhdë
Me mllef të thinjur që s’e zbardhi mosha,
Me thinja mllefi që s’e zbut lëmosha,
Dinë diçka që unë s’di,
Në ç’afishe e panë dhe sidomos në ç’gjuhë?

Kthehem hipnotik në Stokholmin tim,
Tek zona e gabuar,
Sepse ësht’ imja,
Pasi u enda pjesës tjetër të qytetit,
Pjesës së duhur
Sepse s’ësht’ imja,
Ku pasqyrat t’i ruajnë trajtat dhe lypësit diskutojnë Makarenkon,
Ku Che Guevara bëhet gati të mbytet
Në ujdhesa vaginash të ardhme
Lidhur me rrypat e tangave si Ulisi,
Rregullat nëpër këmbë si shkarpa të thata
Me krismën zgjuan gargojlat granitike,
Tek thyheshin nga pesha e gabimit tim obez.
Mushkritë me mall frymënxjerrin sharje, ankesa,
Elementi im plot metateza të zeza
Me flakërima zmalti si urgjenca.

4 Komente

bukur Emo, shume bukur, me pelqen shume pasuria e vargut tend .

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).