Letër prej Familjarëve të Viktimave

SHOQATA E FAMILJAREVE TE VIKTIMAVE TE GERDECIT

Drejtuar Presidentit të Republikës

Drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe gjykatave të të gjitha shkallëve që janë duke shqyrtuar çështje të lidhura me Tragjedinë e Gërdecit.

Drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë të Drejtësisë

Drejtuar Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale

Drejtuar mediave, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë me ne besimin në triumfin e drejtësisë ndaj krimit tragjik të 15 marsit në Gërdec

Të nderuar bashkëqytetarë!

Dje mësuam me keqardhje lajmin e hidhur për humbjen e jetës të Kujtim Osmanit njërit prej familjarëve të viktimave të Tragjedisë së Gërdecit.

Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre.

Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43 vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t’ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike.

Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe njëra prej nënave të viktimave, pas muajsh depresioni e vuajtjesh shëndetësore e psikologjike. Dje, u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin.

I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë të na mbështesin në rrugën tonë për t’i shpëtuar humnerës drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage të cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët rrezikon të kthehet në kancer social.

Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe proçedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon.

Të bindur që drejtësia nuk do të vonojë, të bindur që nuk do të mbetemi vetëm, dhe duke ngushëlluar për herë të dytë familjen Osmani.

Me respekt e me dhimbje!

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).