Letër një mikut “Revolucionar”

Letër një mikut “Revolucionar”


Arbër Zaimi

Shumë sinqerisht, kam arsye pa ta shkruaj këtë letër. Sa herë të shoh dalloj diçka tejet bezdisëse tek ty, një sjellje jashtë mase acaruese. Nuk e ke mirë kështu, po bëhesh e zeza e vetes dhe e atyre që të durojnë. Unë nuk kam ndërmend të të duroj. Prandaj po ta shkruaj letrën, me shpresën që të më kuptosh dhe të ndryshosh sa më shpejt dhe sa më rrënjësisht që të jetë e mundur.

Që në fillim dua të ta shpjegoj, mos mendo se unë të urrej etj. etj. Jo, në fakt unë jam gati të të bëhem vëlla, me kusht që ti të ndryshosh urgjentisht.

Je një hap larg marrëzisë me këtë idenë tënde të “revolucionit”, për të mos thënë që tashmë je kredhur në çmenduri kokë e këmbë, me gjithë muzikën që dëgjon, librat e poezitë që lexon, muhabetet që bën. Je shpërfytyruar, më vishesh me ca bluza me shkrime qesharake, le që je bërë barrë për familjen, shoqërinë e për të tërë. Nejse, këto janë punë për ty, po ajo që më gërric nervat është megallomania jote arrogante, prepotenca me të cilën ti flet për të vërtetën, për të drejtën, për të mirën, për masat, për “ju”. A thua se nuk e di edhe ti vetë që nuk ka asnjë të vërtetë, nuk ka të drejtë, nuk ekziston e mira, masat nuk janë asgjë tjetër veçse një sërë tufash që në fund fare janë thjesht individë të grumbulluar rreth barinjsh. Këso tufash kanë krijuar dhe ata që më përmend ti, ata që lexon ti. S’po zgjatem, unë e di që ke ngecur në këtë pozitë e s’po del dot, i njoh njerëzit si ty dhe ua qaj hallin. Por nuk është e vështirë të rikthehesh në shoqëri, të integrohesh sërish në realitet, ta ndalosh delirin e të zbresësh në tokë. Ca këshilla shumë të thjeshta që po të jap unë mjaftojnë që të bëhesh njeri po i ndoqe.

Në radhë të parë duhet të qethësh ato flokët që m’i harlis si njeri xhungle, të heqësh mjekrën e t’i rruash ato favoritet e tua prusiane. Është kusht kryesor pamja e jashtme, duhet të dukesh i pastër dhe pastërtia nuk qëndron vetëm tek sapuni e tek uji. Duhet të të zbardhë faqja, se ke marrë një çehre si e të burgosurit. Fillimi i mirë gjysma e punës dhe në përgjithësi fillimi i mirë ka të bëjë me pamjen. Pamja, imazhi yt tregon se kush je, flet për ty më shumë se gjithçka tjetër. Pamja ndan të zgjuarin nga idioti, të pasurin nga i varfri, të suksesshmin nga i dështuari, qytetarin nga fshatari, intelektualin nga punëtori.

Urgjentisht të fillosh të eleminosh nga garderoba të gjitha bluzat me yje, me che-guevara, apo me batuta të paarrira antikapitaliste. Paradite do të veshësh smart-casual, ndërsa pasdite mund të veshësh ndonjë palë xhinse borgjeze dhe ndonjë polo apo t-shirt. Nëse e ke fiksim që të japësh ndonjë mesazh me bluzen tënde (gjë që në vetvete është budallallëk, se tregon që nuk të mjaftojnë fjalët për të përcjellë mendimet), atëherë vish ndonjë bluzë me coca-cola, me ndonjë skuadër futbolli, apo me emrin e ndonjë stilisti të famshëm në të. Në darkë mos të të shoh më me këto bluzat e tua military-fake, të dala boje me fytyrë bobmarley në të. Vish këmishë e pantallona të hekurosura, hidh pak parfum dhe kaq mjafton tani për tani. Kur të kesh vënë ndonjë lek, bli ndonjë aksesor, ndonjë palë gjyslyke të shtrenjta, ndonjë orë marke, ndonjë shall apo ndonjë rrip. Pamja është tepër e rëndësishme, dhe me këtë pamje që ke, nuk të shoh dot me sy as unë, as të tjerët. Mësohu të dukesh si qytetar!

Në radhë të dytë, duhet të fillosh të mendosh për ndonjë punë serioze. Nuk është punë të shkruash, apo të kritikosh, kjo quhet thjesht “çarje trapi”. Filozofinë lërua atyre që kanë nge, nuk je ti për filozofi. Nuk ka ngelur filozofia të bëhet në Shqipëri, kështu që lëri broçkullat. Mos më ngatërro me koncepte e me idera abstrakte, ky është realiteti, mësohu me të. Ky realitet nuk ka nevojë as të konceptohet, as të përshkruhet, as të kritikohet. Ky realitet në fakt nuk ka nevojë për ta menduar gjatë, duhet të jesh impulsiv, duhet të kesh reflekse, duhet ta zgjasësh dorën që të kapësh zogun se nuk të vjen më rasti. As të zgjuarin nuk ke pse e bën, as të diturin. Ku i ke sot shokët e tu të gjimnazit? Ata që nuk kishin lexuar asgjë kur ti zbardhje netë mbi libra? Njëri më mirë se tjetri janë, si zotnij, kanë marrë diploma e tituj prestigjiozë, punojnë në vende të nderuara, drejtojnë, janë bërë kuadro. Ndërsa ti vazhdon me këtë ëndrrën tënde të “dijes”. Dija nuk ekziston. Shihe pra realitetin. Ata as sot nuk lexojnë, po u peshon fjala. Ti plas sytë, e je hardallosur në këtë farë feje. Për mua më mirë fillo rralloje, nuk kanë qenë të pakta rastet kur njerëzit janë çmendur nga të lexuarit. Pastaj, kush ia ka parë hajrin librave...?

Kështu pra, përgatit një CV, zgjate sa më shumë me këto kualifikimet e tipit “I specializuar për Zgjidhje Konfliktesh”, apo “Trajner për zhvillimin e strategjive të marketingut e të komunikimit”, “I aftë për të punuar nën presion”, “I shkëlqyer për të organizuar punën në skuadër” etj. Fut sa më shumë nga këto kualifikimet që s’duan të thonë asgjë, se në fund fare gjithsesi nuk do të duhen. Shpërndaje CV-në tek të gjithë miqtë, e fillo të hash ca dreka e darka. Takoji njerëzit që deri dje i ke përbuzur si injorantë e si të poshtër, të jesh i sigurt që do të ta japin dorën me kënaqësi.

Njeriu është në natyrë i poshtër, ai vdes për të përjetuar momentin e revanshit, dhe ata do të vijnë me kënaqësi e do të të ofrojnë ndonjë vend pune thjesht për të të parë nën vete pasi u ke bërë moral në distancë për kaq e kaq kohë. Hiç hiç, do u mësosh si ta thonë atë që duan të thonë, që të duken disi më trendy. Dhe mos të ta dëgjoj më idiotësinë që përsërit lart e poshtë, që medemek nuk e duroke hierarkinë. Hierarkia është realitet. Dhe realitetit duhet t’i përulesh. Siç i jam përulur unë dhe çdo njeri me dy pare tru në faqe të dheut.

Dhe vlerësoje paranë, nëpërmjet saj do të jesh në gjendje të përjetosh çastet më të lumtura, me të do të kënaqësh prindërit, fisin e miqtë, me para do t’i gëzohesh jetës, ato do të ta shtrojnë udhën për tek familja jote e re, mes tyre do njihesh me gruan tënde të ardhme, e po nëpërmjet tyre do qerasësh dashnoret që do të kesh. E po të punosh fort fare, do të arrish t’i japësh një jetë më të bukur fëmijëve të tu, pikërisht nëpërmjet parave që do t’u lësh. Më beso, ata nuk do të duan asgjë tjetër nga ty.

Së treti, kam vënë re që je pak depresiv. Është tepër e rëndësishme që të jesh i lumtur, e nëse s’ia del dot, të paktën të ngjash i gëzuar. Nëse “të kuptosh mekanizmat shoqërorë”, nëse “të kërkosh të vërtetat e të drejtat universale” qenka punë kaq stresuese, atëherë menjëherë duhet të heqësh dorë nga to. Në ditët e sotme nuk ka hapësirë për njerëz të shqetësuar. As unë, asnjeri, as prindërit e tu nuk kanë nge dhe nerva të dëgjojnë prej teje vetëm halle e shqetësime. Fillo të shkosh nëpër baret e modës, catch up me ish-miqtë e tu dhe rifillo frekuentimin e festave private. Gëzimi qëndron tek përjashtimi, fillo të kërkosh dhe të duash gjithçka që është ekskluzive. Shko fundjavave në Dhërmi, planifiko udhëtime pune e turizmi nëpër botë, ku sido që të jetë puna nuk duhet të harrosh të relaksohesh nëpër kurva e nëpër kazino. Bli dhurata, dhe gëzohu kur të dhurojnë gjëra. Dhe mbi të gjitha, përpiqu të harrosh sa më shpejt atë që të ndodh, ky është çelësi i gëzimit të vazhdueshëm. Ja, shih foshnjet, ata gëzohen kur u dhuron qoftë dhe ndonjë top idiot. Se e shohin për herë të parë. Ose shih katundarët, që gëzohen kur shohin ndonjë pub me drita gjysëm të mbyllura, se iu kujton klishetë e fëmijërisë së tyre për ambientet gjysëm përjashtuese të kryeqyteteve. Kështu duhet të jesh. I emocionuar në mënyrë të vazhdueshme.

Hiq dorë nga cinizmi, apo nga batutat. Është e vërtetë që shumë njerëz t’i vlerësojnë thagmat cinike që nxjerr nga goja, por mos harro që ata kanë arsyet e tyre. Ose nuk i kuptojnë hiç, ose i kuptojnë po nuk duan të të nxisin, e prandaj të përkëdhelin sedrën...

Ndrysho stilin e jetesës, të shkrova dhe më lart, lexo gjithnjë e më pak, mendo gjithnjë e më pak, dhe hiq dorë nga konsumi i çdo lloj arti që të ngjall meditim. Mos harro që në origjinën e vet arti i këndonte emocioneve të thjeshta njerëzore, frikës, dashurisë, ngjarjeve jetësore. Këtë lloj arti fillo të ndjekësh. Telenovela, këngë dashurie, libra plot me ankth blu në të ëmbël. Nëse të vjen të qash mos dëgjo marshin funebër të Chopin, dëgjo James Blunt dhe shkrihu në vaj. Se si ky i fundit ka shumë, e do të gjesh larmi, ndërsa si Chopini nuk vijnë shpesh, e për pasojë nuk ka për t’u masivizuar kurrë ajo lloj kulture (ty duhet të të pëlqejnë ato çka i pëlqejnë shumicës, në rast se dëshiron të kesh miq, e të kesh për çka të flasësh me ta). Mos mendo se dukesh i sofistikuar me këto zakone që ke pasur deri tani... Përkundrazi, një donkishot dordolec ngjan. Ja shihe vetë veten e më jep të drejtë. Mos fol për skrupuj, mos iu shmang thashethemeve, puno pak, bëj si i lodhur, dhe gjithandej ankohu për punën tënde që qenka kaq e vështirë... Kuptoje që mjafton të bësh shumë pak që të jesh i rëndësishëm. Dhe mos e harro masën. Kurrë nuk duhet të bëhesh më i rëndësishëm se ç’duhet. Mos e thuaj atë që mendon e mos e mendo atë që je duke thënë. Lexo sa më pak. Shkruaj sa më shumë. Ditare. Prozë. Poezi dashurie. Enciklopedi... Por vetëm në kohën e lirë që do të të mbetet prej punës dhe qejfit. Kështu dua të të shoh. Ke për t’i gëzuar të gjithë...

26 Komente

Jemi në pritje të përgjigjes...

ditto.

(a do te jete si pergjigjja e jezusit?)

Shkrimi shume i mire Arber, por s'me duket se ekziston vertete "marresi i letres" ne shqiperi, ta kam fjalen si grup... Maksimumi besoj se mund te gjenden disa gjysem-revolucionare qe revolucionin e kane gjendje mendore dhe sugjerimet 2 dhe 3 i kane integruar tashme ne te perditshmen e tyre....

Heteroglossia, une do te isha ca me i terhequr.

Kjo leter mund te lexohet ne dy menyra, e qe per dreq, jane kryekeput te kunderta. 

1. autori i drejtohet nje dikujt real ose imagjinar, por qe shihet si jashte vetvetes.

2. autori i drejtohet vetes.

Ne rastin e pare, kuptimi i letres ka ca gjera qe nuk ngjisin mire. Sepse ritmi nderron shpesh kah, duke kercyer nga ironia ne qenesi, dhe anasjelltas. Dhe kjo ben qe ne shkrim dalin ca ide te cilat jane, ne mos te demshme, te pakten te paqendrueshme.

Ne rastin e dyte, atehere po! Letra del plot kuptim, me nje ironi per t'u pershendetur, dhe mund te cilesohet "en block" si nje arritje. Sepse aty ngerthehen shume gjera : zhgenjime, shpresa, zemerime, shperthime.

_______

Mirepo, ironia ka dhe anen tjeter te medaljes : ajo luan mbi nje fill ne ajer. Rreziku eshte i pranishem ne çdo çast. Mund te biesh, por edhe te mos biesh. Zotesia e ironise eshte qe te pickosh "aq sa duhet", ne menyre qe pickimi te mos kthehet ne nje "shkulje mishi" ne trupin tend. Sepse ironia mund te jete dhe vrastare : kujtoni Sokratin e shkrete, qe u detyrua te dorezohet para malit te keqkuptimeve te veta. Jo çdo auditor eshte i pergatitur te kuptoje ironine. Duhet bere shume kujdes sepse kjo mund t'ju kushtoje dhe jeten, dhe ketu pastaj hyjme ne lemin e cinizmit. Cinizmi s'pyet as per jeten e tjetrit, as per te veten. Cinizmi eshte vertete si nje ndeshje ne arene me nje luan. E sigurte, luani do ta shqyeje cinikun. Kurse ironia eshte disi me e bute, ajo eshte nje ndeshje ne arene por kesaj rradhe me nje... dem. Demin, edhe mund ta mposhtim. Nganjehere, kur ironiku eshte nje toreador i keq, demi mund ta shpoje diku ne brinje, ndoshta dhe fatalisht.

_______

Shkurt, leximi mbetet vertete diçka subjektive, per aq sa ne kerkojme nje synim te autorit. Nese ky synim nuk na intereson dhe nuk duam te dime kujt i drejtohet, atehere leximi kthehet ne, nese mund te themi, objektivizem subjektiv (subjektiv sepse fundja eshte opinion lexuesi ajo qe shprehet, dhe objektiv sepse ai gjykon vetem shkrimin por jo çka dashur te thote autori).

E keshtu, vijme tek fjala e fundit : sot lexova nje leter anonime. 

 Shkrimi shume i mire Arber, por s'me duket se ekziston vertete "marresi i letres" ne shqiperi, ta kam fjalen si grup... 

eshte sarkastik ky shkrimi. nuk kerkon te beje me te edukim te ndonjerit ai buçkoja qe e ka shkruar, vetem se (kerkon) ironizon shoqerine qe e rrethon. 

beju thot "idiot" se ke me shume sukses ne jete.

vetem se rreh ulet (megjithese kur sheh pergjigjet tuja, i justifikohet ne njefare mase shenjestra). perveç nje fare forme, shkrimi nuk ka thellesi as origjinalitet. . etj etj.

Une nuk lexova fare leter anonime. Une lexova nje leter vetvetes, ose "keshilla te nje miku qe te do te miren", qe nje idealist nuk do ne asnje menyre t'i pranoje.

Kur të kesh vënë ndonjë lek, bli ndonjë aksesor, ndonjë palë gjyslyke të shtrenjta, ndonjë orë marke, ndonjë shall apo ndonjë rrip.

Une do te shtoja, ver dhe nje vath ne vesh, a ndonje pirsing ne ndonje vend te dukshem se behesh me trendy, sepse keto konstatova ate diten e 1 Majit, kur shkova ne proteste. Duhet te kesh qene dhe ti, Arber aty. Dhe qesha me vete, qesha hidhur dhe ika nga turpi, sepse nuk e ndjeja veten rehat.

Kjo leter me teper se  sarkazem, me duket dhimbje e kamufluar per ate qe do te pasoje... Edhe ti ( tek e fundit si te gjithe ne, e hidhur kjo, e di), nje dite do te detyrohesh te biesh ne KOMPROMIS, perndryshe... nuk e di, nuk shoh alternative tjeter, mbase t'i biesh murit me koke. smiley

"vetem se rreh ulet (megjithese kur sheh pergjigjet tuja, i justifikohet ne njefare mase shenjestra)"  -- mbeta pa fjale!!!!

@ Hurbinek: mendoj qe autori i shkruan asaj pjese te vetes qe 'wanna be revolucionar' si dhe miqve te vet qe mendojne se jane revolucionare... dhe nuk po merrem fare me analizen e thelle, por thjeshte shpreh opionionin time se ku shkrim do kishte tjeter kuptim per mua nese do besoja vertete se ne shqiperi ekziston nje grup (qofte edhe me mendime te pa-elaboruara) revolucionar... (e si gjithmone, analizat e tua arrijne te tejkalojne edhe vete shkrimet, welcome backsmiley

behuni nje cike me aktiv mo njerez (o shpirti i nates edhe pse emrin e blogut e keni saktivista...mund edhe te shpresojme per nje ndryshim pa S) .... se ngelet duke shkrujt te gjithe.... dhe keto shkrimet duket sikur me shume i beni qe ti lexoni bashkarisht edhe te kenaqeni tu meditu.... se i kupton ai qe i adresohen a si kupton...kjo ska ndonje rendesi te madhe

Une e di ne fakt qe edhe ju ndonje aktivitet te vogel kulturor coku dhe e keni bere ..... edhe ju pergezoj per kete...por i mbyllni shume shpejt.... duhet me pas i cik durim them une....

se pa i cik durim dhe dashuri nuk  behen keto pune.

 

Arber, kush ta ka derguar kete leter? smiley

Ishte pyetje qe s'kerkonte pergjigje, retorike medemek. 

Ky eshte nje shkrim i persosur.

Soli, zhvesh dembelizmin nga kamuflimi.

Si te thuash i ka çjerr masken dembelave.

5 me dopio wiski.

 shko hap nje fjalor per te pare fjalen I PERSOSUR, ça do me thone, se ndryshe dembeli pare je ti smiley

 

ps: ky eshte shkrim moralist, si te gjitha shkrimet e bera prej shqiptareve tek ky blog. autori i tij kujton se eshte ne anen qe duhet dhe merr qendrim ndaj atyre/atij qe ndodhet ne anen e gabuar. qe ketu fillon ultesia. 

nje shkrim i mire nuk i ben moral askujt. autori ngrihet (ne fakt nuk ka sesi po nuk ishte i vendosur "prej zotit" larte, ketu qendron bile problemi : pse jo te gjithe nuk mund te bejne shkrime te mira) mbi ngjarjen, temen, personazhin ose problemin per te cilin shkruan. pra nuk mban qendrim. ai veçse tregon. 

kur e shohim boten nga siper, gjithçka na duket rrafsh, njesoj. ndersa kur e shohim boten nga poshte, disa gjera duken te larta e disa te uleta. pra veshtire qe te mos mbajme gjykim moral, e te vleresojme sipas rastit, ose pozicionit ku ndodhemi, te lartat ose ultat, duke i matur keto me metrin tone qe nuk ka si te jete i persosur. pasi relativizojme. 

Bukurosh,

sipas fjalorit shqip shqip 6000 lek ne '88, besoj se fjalori me i kushtueshem ne historin e fjaloreve ( rroga e 1 muaj e gjysem), per çdo send , objekt, mund te perdoret fjala persosur.

Edhe shkrimi eshte nje send, objekt, veper, ku mund te cilesohet e persosur, qe do thote se nuk ke çfare te shtosh, eshte sosur, eshte i plote.

po ashtu mund te thuhet per nje veper arti, e perosusr per syrin e vezhguesit.

 ne fakt ti ke te drejte, nuk ka me relative si fjale ose koncept sesa ta vleresosh diçka s' "i persosur". 

çdo njeri mund ta thote per çdo gje. pasi lidhet kryesisht nga nevojat, shijet e tij. njerit i duket psh shalqiu si fruti me i persosur, tjetrit pjeshka ndersa nje te treti molla.

per rrjedhoje mendoj se dhe nje dembel mund te jete i persosur. mund pra te themi dembel i persosur. duke pare entuziazmin tend, besoj se ti gjithashtu e kishe fjalen per dembela te ketij llojit. dembela te perkryer pra.

pra formojme ekuacionin : ky eshte shkrim i persosur ngaqe i çjerr masken nje dembeli te persosur. mirepo mua me duket e pamundur ti çjerresh masken diçkaje te persosur. psh ta rrezosh nje avion te persosur, ta vrasesh nje polic te persosur, t'ja kalosh nje vrapisti te persosur, te çngjyrosesh nje boje te persosur, te sharrosh nje çelik te persosur, etj.

e kuptoj qe tani ti mund te me thuash, qe dembeli yne, nuk ishte dhe aq i persosur, sa po e bej une. por ne kete rast a meriton qe edhe shkrimi, ose çjerrja e maskes se tij, te jete i persosur ? a lidhen midis tyre keto fenomene ?

çfare eshte me e kollajte, te demoskosh nje dukuri evidente, qe te gjithe e shquajne lehte, apo diçka qe nuk duket, qe e ndjejme por nuk arrijme ta kuptojme mire se ç'eshte. 

per vete me duket se ana e dyte. por dhe autorit jam i mendimit qe do ti dukej po keshtu. prandaj dhe autoret shpesh turbullojne bile edhe kur nuk ka gjo me turbullu se çdo gje duket, eshte e qarte. duke e komplikuar operacionin ata i japin ketij njekohesisht vlere. pra duke ç'kamufluar problemin te cilin shtrojne ata kamuflojne shkrimin e tyre. ka bile qe kete e bejne ne menyre te persosur. 

por kjo persosje duke qene relative, siç e thame, nuk e ngren vepren e tyre, nuk i jep vlere asaj. 

 

Hajdar!

Varet se si e more kete persosmerin e artikullit.

Nje gote qe nuk ka bira, eshte e persosur per te pire uje. S'ke çfare te heqesh apo ti shtosh.

Edhe artikulli, opinioni im, eshte i persosur ne çerrjen e maskes dembelave.

Mos u rrej pas shprehjeve se persosmeria nuk ka fund.

Jane gjera qe kane fund, jane qe nuk kane fund. Persosmeria e nje femre ka fund, e nje mashkulli jo.

komente te tjera qe me kane ardhur per shkrimin (se dua ti kem te gjitha bashke)

1. me pelqen..

2. SE c'njoh une nje person te tille?!
Bukur shkrimi, t'lumte pena smiley

3. edhe mua me pelqen, nese do ta kishe shkruar me heret nje shoku im i gjimnazit nuk do e kish shkuar dem gjthe ate talent

4. ahahaahahah po na plasi k*ri neve,te gjithe ata qe na njohin e dine qe ne bejme dhe auto ironi smiley)))

5. me vjen te qaj bre zajm,kemi mbetur shume pak po qe nuk kemi per ta leshuar veten

 

E ça me thene mer Arber.
Ti te pakten, besoj, e ke kete te mire qe e di vete ku gabon.

 

Gjeja qe s'me pelqen, ne kete shkrim e ne pergjithsi ne ate levizje qe ne shqip mund ta quajme new-age-revolucionar-qujeni-si-dreqin-te-doni eshte nje fare vetemburrje, vetengritje, vete diçka. Do per mungese te nje spektatori, do per arsye te tjera me diktatoriale, sikur jane te detyruar te bejne vete zot vete shkop, si T.Channel kur lavderon T.Channelin vje fjala. Psh ne kete shkrim, Zaimi qe i thote Zaimit boll bere zhurme, nderkohe qe duhet verifikuar nese e ka bere kete zhurme apo jo.

Urgjentisht të fillosh të eleminosh nga garderoba të gjitha bluzat me che-guevara

E jep borxh ai miku yt kete t-shirtin? smiley

1) Ketu!

2) Ste pyeta..

1) Ketu!

2) Spo bej apel pra..

Shkrimi me kujtoi nje skene filmi te viteve 60 (nga ata filmat qe aktoreve i njeh fytyrat por jo emrat) qe spo ja mbaj mend emrin..

Gjer te polua lexova gjithsesi..

 

smiley you ll'see. lifestyle is magical.

gjithsesi, ky artikull eshte qellimisht cit me gabime logjike. ndoshta do qe loje e bukur evidentimi i kontradiktave, inkonsistences, apo deshtimeve te logjikes qe vijne njera pas tjetres...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).