Letër e Hapur e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

Kjo letër i është dërguar institucioneve dhe gjithë redaksive të mediave nga Familjarët e Viktimave të Gërdecit sot, pas maskeradës së fundit që u zhvillua në Gjykatën e Lartë (sh.red.)



I Nderuar President i Republikës

I Nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese

I Nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë

Të Nderuar

Me këtë letër të hapur ne familjarët e viktimave të Gërdecit, përfaqësuar nga Kryetari i Shoqatës tonë, Feruzan Durdaj, po ju drejtohemi juve në respekt të plotë për istitucionet që ju drejtoni, për t’ju vënë në dijeni mbi pamundësitë që po hasim në kërkim të drejtësisë. Duke besuar tek ligji si formati i vetëm për të arritur tek e vërteta, ne familjaret e viktimave të shpërthimit makabër të 15 marsit 2008 në mënyrë të menjëhershme, vetëm 20 ditë pas shpërthimit filluam betejën tonë në rrugë ligjore duke respektuar plotësisht institucionet demokratike dhe rendin konstitucional në të cilin jetojmë.

Përpjekjeve tona që tashmë zgjasin prej 15 muajsh, drejtësia shqiptare nuk u është përgjigjur me seriozitetin e duhur. Ky konstatim i dhimbshëm për ne që kemi humbur fëmijë e prindër, bashkëshortë, vëllezër apo motra në këtë tragjedi, merr shkas dhe nga gjykimi i ditës së sotme (06.07.09) ku avokatët përfaqësues të zotit Mediu nuk u paraqitën dhe shtynë proçesin me justifikimin qesharak, se nuk mund të ishin prezent pasi kishin mbetur në Kukës si pasojë e punimeve në tunelin e Thirrës. Justifikimi u paraqit në orën 10.00 ndërkohë që informacioni publik i MTPP lajmëronte që tuneli do të mbyllej në orën 11.00. Duke parë këtë farsë dhe frymën tejet negative për ne e për gjendjen që po përjetojmë, po bëjmë një përmbledhje të gjithë shqetësimeve të hasura gjatë gjykimit, në të gjithë itinerarin e vet institucional.

- Seanca e sotme (06.07.2009) e shtyrë për datën 14 Shtator nuk duket si rastësi që koinçidon me marrjen e mandatit nga i pandehuri Fatmir Mediu. Është e qartë që rimarrja e mandatit nga Z.Mediu do ta kthente në utopi tentativën për të kërkuar të vërtetën te kjo çështje.

- Gjykata e lartë dhe në të kaluarën, pa marrë parasysh prezencën dhe legjitimimin e dhënë nga prokuroria për familjarët e viktimave përfaqësuar nga avokatët e tyre, bëri veçimin pa bërë më parë verifikimin si palë në prcoces. Vendim ky që bie ndesh me nenin 348, pika 1, të kodit të proçedurës penale. Kjo ishte e papritur për ne, duke qenë se besonim që drejtësia po punonte per të na kthyer dinjitetin dhe për të qetësuar disi dhimbjen e shkaktuar padrejtësisht në 15 Mars 2008.

- Gjykata e Lartë duke u shpallur jo kompetente për gjykimin e të pandehurve të tjerë (ushtarakëve) kryen një veprim antikushtetues, pasi në këtë rast Gjykata e Lartë nuk zbatoi dispozitën e kodit të proçedurës penale, (neni 80/2) e në të njëjtën kohë pretendoi zbatimin direkt të kushtetutës. Ky është veprim konfliktual, dhe nëse Gjykata e Lartë çmon (siç tregon vendimi i marrë prej saj),se kjo dispozitë e kodit të proçedures penale është anti-kushtetuese, atëherë duhet të pezullojë gjykimin e çështjes dhe ta dergojë në Gjykatë Kushtetuese për zgjidhje. Mënyra me të cilën ka vepruar deri më sot Gjykata e Lartë përmban dy shkelje të Kushtetutës, së pari kur Gjykata ka refuzuar të zbatojë një dispozite ligjore (duke kundërshtuar nenin 145 pika 1 te kushtetutes) dhe së dyti kur Gjykata e Lartë ka marre kompetenca të gjykatës kushtetuese, duke konstatuar se dispozitat e kodit te proçedurës penale bien ndesh me kushtetutën (këtë nuk e bën dot Gjykata e Lartë). Vetë Gjykata e Lartë në raste preçedente ka krijuar konfuzion në praktikën e saj, pasi me vendimin penal nr.5 i dates 10.04.09, të kolegjit penal (juridiksion fillestar) pranoi të gjykonte si gjykatë kompetente edhe ministrin Basha edhe drejtorin e rrugeve Toma (pa veçuar të dytin për arsye jo kompetence).

- Drejtuesi i çështjes, Besnik Imeraj, ka konflikt interesi, duke qenë se e bija ka punuar si avokate e firmës ALBA-DEMIL.

Me anë të kësaj letre i kërkojmë Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si institucione përgjegjëse dhe të rëndësishme për balancimin dhe kontrollin e nevojshëm ndërinstitucional në një demokraci funksionale, që me veprimet e tyre të shpejta të parandalojnë anomalitë që mund të vijnë nga vendimet e mesipërme. Ne kërkojmë pezullimin e vendimeve të marra nga Gjykata e Lartë dhe kjo duhet bërë në mënyrë energjike dhe të shpejtë, në mënyrë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të mos jetë jashtë afateve dhe te drejtave (e të mos shkojë kësisoj në favor të të pandehurit) pasi rrjedhoja do të qe vijimi i trajtimit të çështjes në këtë format, siç është bërë deri tani. Pavarësisht nga dhimbja e thellë që ne, familjarët e viktimave te Gërdecit, na u shkaktua në mënyrë krejt të padrejtë nga politika tek e cila kemi besuar, dhe të cilën e kemi sanksionuar me votë, dhe gjithashtu pavarësisht dhimbjes që na u shtua gjatë kësaj kohe po nga këta fajtorë, që i shpalosën emrat e familjarëve tanë nëpër tribuna politike, ne gjithmonë kemi menduar se vetëm respektimi i institucioneve shtetërore do të na krijonte mundësinë që fajtorët e tragjedisë të dënoheshin. Gjatë këtyre 15 muajve ne kemi luftuar që drejtësia të vihet në vend, dhe kemi hasur vështirësi pikërisht nga ato institucione tek të cilat ne kemi deleguar besimin tonë. Për arsyet që kemi radhitur më sipër ne po e humbim gradualisht këtë besim, dhe për këtë arsye zgjedhim t’ju drejtohemi juve,si drejtuesit më të lartë shtetërorë, me shpresën që do të ndikoni që gjyqi më i rëndësishëm i Shqipërisë postkomuniste të kthehet në një gur themeli mbi të cilin të ndërtohet demokracia, e jo një karakatinë që do të justifikonte vetëgjyqësitë dhe mungesën e besimit të qytetarëve shqiptarë.

Me respekt

Familjarët e viktimave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).