Le vent nous portera

Le vent nous portera
Andi Kananaj

Drejtimi politik për në Europën e Bashkuar do bëjë që të kemi liri lëvizje! Nga jugu në veri, pleq dhe të rinj, me arsim dhe pa arsim, të ndershëm(aq sa janë) apo të pandershëm, Sali Berisha dhe Mero Baze, Lul Basha dhe Kuksiani Bedri, Edi Rama apo Tironsi nga Bathorja; të gjithë sa jemi kaluar mbi këtë barkë që shpesh e quajmë atdhe.
 Kaq e thjeshtë të jetë?
Duket e vështirë, që të jetë vetëm ky stresi i gjithë negociatave që po zgjasin që nga dhjetori i vitit 90.  Në këtë marrëdhënie gati 20 vjeçare ne kërkojmë liberalizimin e lëvizjes; pas 2000 vjetësh izolimi jo vetëm fizik , por edhe mendor. Po ne cfarë i afrojmë europianëve në këmbim të daljes tonë në këtë sorrollatje kolektive, totalisht të domosdoshme për psiken e kujdo në këtë vend?

Si fillim i kemi afruar “varrosjen” e të gjithë problemeve që kemi në të përditshmen tonë të varfër. Jemi kthyer në tapetin mbi “zhulin”e krijuar nga principata e Arbërit e këtej. Sot e kësaj dite ne nuk e pranojmë se ka krim të organizuar; bëjmë sikur indinjohemi për pak kohë kur plasin bombat në fshatin Gërdec; sa kalojnë dy ditë, faji i kalon automatikisht politikës abstrakte. Ne nuk jemi aq të varfër sa duket, megjithëse ca nga ne shqipot jetojnë dhe me më pak se 1 euro në ditë. Kalo në shqipëri dhe do ta shohesh me sytë e tu, se çfarë as ne vetë s’e dimë. Ne nuk kalojmë muaj me radhë pa ujë e drita; është mashtrim që ne vetë i bëjmë vetes. Ne nuk jemi talebanë , kemi dhe ushtri në Avganistanin e largët; bujar jemi sa të duash se do të ndërtojmë shkolla atje kur dhe vetë nuk e dimë më se për çfarë duhen. Jemi të këqinj ca herë… ankohemi se ka krizë, gjë që nuk është absolutisht e vertete; jo për të gjithë të paktën. Kush njeh politikanë ka në xhep tendera shtetëror, njëlloj si më parë. Të pangopurit dhe ziliqarët ankohen. Universitetet private për te çuar para dhe pas në kohë “sistemin e Bolonjës”po rregjistrojnë në kurse juridiku dhe njerëz që kanë jetuar në shekullin e XVII; kjo dhe për të rekuperuar kohën kur në Shqiptarët ishim analfabetë. Kemi pudër për të mbuluar çdo sy të nxirë femre, nga rrahjet barbare të burrave. Kemi burra që çojnë gjyshet në burg për kanabisin e mbjellë në vend të trëndafilave. Jemi për marshallah. Jemi rimeli i europës. Kemi fantazi mjaftueshëm për të lyer çdo segment të shtetit me korrupsion. Kemi tavën e dheut dhe virgjërinë për të promovuar në perëndim; e kemi kaq seriozisht sa 30 mijë prostututat të ekportuara jashtë si të ishin mish viçi, i kemi harruar që janë vajzat tona. Kur kthehen i detyrojmë të qepen tek mami-të plaka të spitaleve të periferisë; spitalet e periferisë që funksionojnë vetëm si varre-piramidë gangsterësh....
Pastaj ashtu gjysëm të vdekur do tu transmetojmë europianëve vetitë e besës dhe trimërinë, paçka se ka noterë dhe poliçë, po ne do të bëjmë tonën si gjithmonë. I tregojmë se nuk duhet të besojnë asnjëherë tek zgjedhjet e lira, se nuk kanë ndodhur kurrë. I bëjmë të kuptojnë si funksionon shteti mbi baza kërcënimesh. Lum ata që ishin kaq naivë sa të ndërtonin gjykatat dhe parlamente. Dhe ne i kemi, po vetëm për ti treguar si prehistori e kushtueshme.

...

Detyrat e shtëpisë siç kanë filluar të na i quajnë kushtet që na vënë çdo ditë europianët po kanë sensin e detyrimeve që i jepen barbarëve,  sesa kushtet që i vihen për realizim partnerëve inter parus. Sikur mos ta dinim dhe më parë që na shohin si kafshë të dala nga inkubatori-atdhe. E dimë por prapë prekemi kur na e vënë në dukje. Kemi besimin e patundur që fajin për këtë e kane mediat e huaja dhe pa emër. Ndërkohë çdo ditë konsumojmë informacione nga mediat tona me emër, se Msa po ecën me hapin e duhur(pak ngadalë por i sigurtë).

Po europianët çfarë mund të përfitojnë nga ne? 

Mjafton fakti që nuk do të kalojmë më detin me gomone? Mjafton fakti që nuk do të kalojmë tonelata me lendë narkotike në portet e tyre? Mjafton fakti që ne do të regjistrohemi për të na kontrolluar sa jemi, e pastaj për të marrë masat? Mjafton fakti që jemi të lirë si krah pune? Do duhemi më dhe në të ardhmën pavarësisht se nuk dimë as të ndezim Pc, e jo më të përdorim teknologjinë për industri?
Ne ekportojmë prej vitesh vetem vaj ulliri dhe mjalt bletësh, sigurisht pa marrë në konsideratë  kinezët me gomone, kanabisin po me gomone natën që mos paguajmë  doganë. Nuk besoj se dhe në kombinimin e ri të shteteve ne do ja hedhim duke prodhuar vaj ulliri të shkelur me këmbë në jugun e shqipërisë? Çizmet prej ushtaraku janë vjetëruar ca, dhe bletët nuk bëjnë me mjaltin e dikushëm. Pse na vallë na duan me çdo kusht; mos janë çmendur dhe kjo europë do kthehet në vitet e frikshme e të errëta të mesjetës(se ndoshta për atë zonë ne jemi ekspertë)?

Teza më e mirë që qarkullon në publik (sa për t’i ngritur vetes moralin) është ajo që ne kemi kërcënuar dhe bashkimin europian. Ata janë lodhur duke tentuar të na pengojnë dhe tani janë të dorëzuar. Po na lënë në dyert e europës për të bërë të njëjtën figurë që bëmë në fillimin e viteve 90. Kjo është teza fatlume ku ne mbijetojmë duke pasuruar Cv me vite burgu. Po fundja ku është ndryshimi?

...

Drejtimi politik për në Europën e Bashkuar do bëjë që të kemi liri lëvizje! Nga jugu në veri, pleq dhe të rinj, me arsim dhe pa arsim, të  ndershëm(aq sa janë) apo të pandershëm, Sali Berisha dhe Mero Baze, Lul Basha dhe Kuksiani Bedri, Edi Rama apo Tironsi nga Bathorja; të gjithë sa jemi kaluar mbi këtë barkë që shpesh e quajmë atdhe.
Era do të na shpjerë…

Botuar tek GAZETA nr.6 (2 nentor)

2 Komente

Po europianët çfarë mund të përfitojnë nga ne?

Mos ndoshta po harron qe, kandidati per kandidat per qytetar Evropian, Kuksiani Bedri eshte nen moshen 30 vjec? Eshte jenicher i mire, packa se he-per-he, sillet si 'deli'.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).