Lajmet skiÇ - 30 Tetor 2009

TIRANE - Gjatë një takimi të mbajtur në auditorët e Universitetit Afrikan të Tiranës pasditen e së mërkurës, Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri informoi të pranishmit se kishte nisur negociatat me Çadin për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të ish presidentit Alfred Moisiu. I pranishëm në takim, ish-presidenti Moisiu kundërshtoi ministrin duke thënë se është gjallë e shëndoshë e mirë. Por z. Xhaferri i rrëzoi pretendimet e Mosiut duke e siguruar auditorin se ish Presidenti ka vdekur në mërgim në Çadin e largët, në vitin 2021. Në përfundim të takimit Ministri Xhaferri i njohu të pranishmit me shpikjen e tij të fundit; "është një mjet në formë rrethi, një tip disku, të cilin e kam pagëzuar "Rrotullamja" dhe do të revolucionarizojë transportin," - tregoi Ministri Xhaferri.

TIRANE - Qeveria Shqiptare ka deklaruar se do të shkurtojë vendet e punës në administratën shtetërore me 120%. Është hera e parë që një administratë deklaron se do të shkurtojë më shumë nënpunës sesa ka. Vendimi i qeverisë u përshëndet nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Jemi qeveri në dietë, jo shaka", - deklaroi për mediat Ministri Bode. "Ky vendim i vështirë është në interes të vendit. Llogaritëm se do t'i kursenim buxhetit 1.2 meleonë euro nëse shkurtonim 20% të administratës. Që atje u bë e qartë se nëse shkurtonim 40% do të kursenim 2.4 meleonë euro, nëse shkurtojmë 100% të administatës kursejmë 6 meleonë. Por pastaj menduam, 'Po ce ta lëmë me kaqë?', eleminojmë edhe 20% më tepër dhe kursejmë plot 7 meleonë euro!"

PARIS— Shtëpia e modës Chanel shpalli të enjten se ka krijuar një fragrancë të re të frymëzuar nga Shqipëria. Parfumi është konceptuar të përballojë pluhurin, tymin dhe lagështinë e djersës njerëzore ne furgonët e linjës Tiranë - Tepelenë. "E kemi quajtur Chanel Numër 3, pasi i kushtohet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të boptës së tretë." - na shpejgon Presidenti i Chanel Mauris Shiket. "Parfumistët tanë ishin dy prej 2 miljonë e gjysmë turistëve që vizituan vendin tuaj këtë vit. Ata pushuan pranë kanaleve të ujrave të zeza në bregdetin shqiptar, dhe u kthyen në Paris me dëshirën për të dhënë diçka për vendin tuaj. Dhe menduam për L'Albanie, këtë parfum. Voila: Chanel No. 3"

TIRANE - Burime të brendshme të qeverisë tregojnë se që pas emërimit të tij si Ministër i Shtetit, Genc Pollo mendon vetëm për faktin se është i teti në rradhë për tu bërë Kryeministër i vendit në rast urgjence. "Nuk është gjë e lehtë të jesh i teti në rradhë," - thotë z. Genc Pollo. "Ta zëmë se Kryeministi Berisha, Zv Kryeministri Meta, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Energjitikës, Ministri i Punës dhe Ministri i Mjedisit nuk janë më në gjendje të kryejnë funksionet e tyre, atëherë me rregull i përket Ministrit të Shtetit, pra mua, të bëhem Kryeministër." - shpjegon Pollo. Miq të z. Pollo na tregojnëse ai zotohet vazhdimisht se do të jetë një kryeministër modest dhe se nuk do ta keqpërdorë pushtetin që i është besuar. "Jam gati për të drejtuar vendin. Mos e dhëntë Zoti të ndodhë ndonjë fatkeqsi. Por gjithësesi, unë jam gati!" - shprehet ai.

TIRANE - Mbrëmë në orët e vona, në një nga rrugicat e errëta të ish-kinostudios, këngëtarja e njohur Çiljeta Xhilaga ka rënë viktimë e një banditi ndërsa pregatitej për festën e Hallouinit. "Kisha ardhur në kinostudio për të gjetur një kostum të përshtatshëm për Hallouin," - tregoi Xhilaga. Sipas të dhënave, banditi i maskuar si Landi i West Side Family e ka detyruar Çiljetën t'i japë dy kungujt e saj të Hallouinit. "Ishte shumë i frikshëm, ishte maskuar tamam si Landi! Ne fillim kujtova se ish vertet ai por pastaj më nxorri një alamet tytë... pistolete. Që-kshuuuu, u detyrova t'ia jap kungujt e mi. Goxha kunguj." Këngëtarja Çiljeta Xhilaga dukej e traumatizuar nga ngjarja, por siguroi gazetarët se ende beson se "Shqipëria po ndryshon" dhe se edhe këtë vit ajo do të trembë shqiptarët me një kostum të ri surprizë.

3 Komente

Keto qenkan lajme!

P.S. Kujdes vetem per Chanel No. 3. Ka ekzistuar nje i tille te pakten qe nga viti 1930. Por pak dihet per te sot.

Chanel ka (ose ka pasur) fragrances me keto numra: 1, 2, 3, 5, 19, 22 dhe 31.

Sigurisht qe besoj se eshte nje typo (smiley ) por ky duhet te jete Chanel No. 33, qe mezi po pritet nga bota perendimore...

ky duhet te jete Chanel No. 33, qe mezi po pritet nga bota perendimore...

Chanel No. 33, a.k.a. Chanel PLP (Pertej Lindjes & Perendimit)

hahahhahahahaahaha smiley 

"Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri informoi të pranishmit se kishte nisur negociatat me Çadin për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të ish presidentit Alfred Moisiu. I pranishëm në takim, ish-presidenti Moisiu kundërshtoi ministrin duke thënë se është gjallë e shëndoshë e mirë. Por z. Xhaferri i rrëzoi pretendimet e Mosiut duke e siguruar auditorin se ish Presidenti ka vdekur në mërgim në Çadin e largët, në vitin 2021".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).