Lajmet skiÇ - 21 Tetor 2009

Tiranë - Ministri i transporteve Sokol Olldashi prezantoi dje projektin e kësaj ministrie për të ndërtuar korsi të veçanta për shoferët e dehur përgjatë të gjitha rrugëve të vendit. "Këto korsi janë mbajtja e premtimit që u bëmë të gjithë shoferëve pijanecë e kamikazë në vend" - u shpreh ministri. "Tashmë të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk duan të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, që nuk njohin sinjalet rrugore, apo që janë të dehur në timon, nuk do të jenë më të detyruar të durojnë qytetarët që ngasin me kujdes." Plani për korsitë kamikaze do të kushtojë rreth 273 miljonë euro dhe parashikohet të përfundojë brenda vitit 2011. Shiritin e përurimit të këtij projekti e preu Zv ministri Edmond Haxhinasto me makinën zyrtare, të cilën e ngau pa duar.

Romë - Publicisti i njohur Fatos Lubonja u nderua dje në Romë me çmimin "TeleSokrati" i cili i jepet personit që shfaqet më gjatë dhe më shpesh në ekranet televizivë. Me mbi 63,000 orë kohë televizive dhe mbi 3000 analiza dhe replika Lubonja mundi për sezonin 2008 - 2009 udhëheqësin venezuelan Ugo Çavez që grumbulloi 49,153 orë kohë televizive. "Jam i lumtur ta pranoj këtë çmim, por ndërkohë jam i trishtuar për gjendjen mizerrabël të medias shqiptare" - u shpreh Lubonja. "Në mediat Shqiptare shfaqen vetëm pak njerëz që i bëjnë lavazh truri dhe manpulim publikut për interesave të atyre që e kontrollojnë sistemin mediatik. Personalisht kam shumë më tepër për të thënë, por më censurojnë." Ndërkohë mësohet se politologu Artur Zheji e ka quajtur këtë çmim një farsë mediatike.

Pezë - Një grup deputetësh të Partisë Socialiste kanë shpallur të martën angazhimin e tyre në "Lëvizjen për mendimin njësoj". Lëvizja, e iniciuar nga deputetët Tahiri dhe Shalsi ka për qëllim mohimin e përgjegjësive brenda Partisë Socialiste për "s'fitoren" e 28 qershorit. Pasi njoftoi se ka ndërruar emrin nga Eduard në thjeshtë Edi, deputeti Shalsi, u shpreh se ” jemi këtu në bazë të socialistëve sepse besojmë se Partia Socialiste duhet të qëndrojë larg strategjisë së parlamentarizmit dhe do të punojmë për minimizimin e përgjegjësive brenda të majtës mbi arsyet pse i s'fituam zgjedhjet. Lëvizja për mendimin njësoj e deklaron, qartë dhe prerë; është i sharë rëndë kush nuk e mendon si ne" - përfundoi fjalën e tij Edi Shalsi.

Tiranë - Në një konferencë për shtyp pasditen e djeshme, budallai i lagjes Ali Demi në kryeqytet, 29 vjeçari Ledion Llapa (asnjë lidhje me Ver Llapën) njoftoi se rreth orës 1:43 të mëngjesit do të postojë një koment idiot në blogun Peshkupaujë.com. "Pasi e mendova gjatë, vendosa që gjatë natës të hap forumin dhe pasi të zgjedh një temë do shtyp butonin përgjigju dhe do shkruaj një koment, duke u kujdesur të përdor sa më pak mendim, të përdor vetëm gërma të mëdha dhe asnjë shenjë piksësimi." - tha Llapa. "Edhe pse nuk e di ende çfarë komenti do të jetë, mund ta them me bindje se do të jetë një çmenduri. Ju garantoj një kombinim të injorancës me agresivitet dhe budallallëk." I pyetur për detaje të mëtejshme idioti Ledion Llapa, që shkruan me pseudonimin "Mendimtari", tha se gjasat janë që komentin ta postojë aksidentalisht dy herë.

Washington - Në seancën e parë dëgjimore mbi taktikat abuzive në burgun Guantanamo, komisioni hetimor arriti në përfundimin se i burgosuri Omar Kadër nuk është në gjendje të pranueshme për të dëshmuar mbi torturat psikologjike që ka vuajtur. "Për shkak të gjendjes së brishtë mendore që ky i dyshuar vuan si pasojë e viteve të kaluara nën tortura psikologjike dhe kushte cfilitëse, Zoti Kadëri nuk është i besueshëm si dëshmitar," - u shpreh kryetari i komisionit Xhorxh Çejni. "E vërteta është se një njeriu që i ka vuajtur në kurriz torturat e mbytjes me ujë, pagjumësinë, dhimbjen dhe stresin e shkaktuar nga zhurma nuk mund t'i zihet besë." Zoti Çejni shtoi se për rrjedhojë dëshmia e mëparshme, ku Omar Kadër pranon aktivitetin e tij terrorist, do të mbetet në fuqi.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).