Lajmet skiÇ - 11 Nentor 2009

VLORË - Sipas paparacëve të klubit të mëngjesit mësohet se kant-autori Alban Skënderaj mbetet edhe sot e kësaj dite i shqetësuar nga "Diçka qe e ngacmon, Diçka qe e pushton, Diçka qe nuk arrin, Diçka që vjen nga ti..." I pyetur nëse ka ndonjë ide për atë që e mundon vetë Skënderaj u përgjigjj për mikrofonin tonë duke thënë, "tiii e diii se çfare më mungon mua, je ajo qe vjen një here në jetë, sa dua të dua... por ti e diii se un' nuk them aq lehte të dua..." Kur e pyetëm Albanin nëse mund ta ndihmonim disi ai u përgjigj "Jo" dhe vazhdoi duke thënë, "Më mirë të isha unë një shkëmb dhe dallget te rrihnin ne koken qe s'me dhemb..."

TIRANË - Nga e hëna e 9 nëntorit debatet e furishme në programin "Opinion me Blendi Fevziun" në tv Klan po shoqërohen nga ritme të nxehta latine. "Salsa, Merenge, Bachata... ritmos Latinos", thotë për Mikrofonin tonë Blendi Fevziu teksa e ndeshim duke praktikuar hapat e një kërcimi Kubanez. Grupi muzikor Los Putos Locos u vendos mbrëmë në qendër të studios së Opinion, i barazlarguar nga palët në debat. Ritmet latine shoqëruan emisionin përgjatë gjithë transmetimit dhe në një moment kritik debati Sonila Meço rrëmbeu deputetin Mark Marku në një tango, moment që u shëoqërua nga një vërrshim sms-sh në studio. "Këtë sezon do ta mbajmë me ritme latine, ça, ça, ça!!" - na thotë Fevziu, - "Në pranverë do sjellim dema dhe matadorë."

SHKODËR - Në një konferencë shtypi me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, mbajtur paraditën e djeshme në ambientet e Kafes së Madhe, pensionisti Nikolin Prenga zbuloi për mediat planin e tij për të parë një mori me telenovela në muajt në vazhdim. "Do shof telenovela pa nalun fare," - pohon Prenga, ish marangoz i nderuar në qytetin e Shkodrës. "100 vitrinat, Kërkohen Meshkuj i ndjek por do e ndjeki patjetër edhe at' Parajs' Tropikale". Zoti Prenga shtoi se nga telenovelat e reja preferon Rebelet dhe Analia dhe se ndihet shumë i zhgënjyer nga "Stuhi dashurie" që sipas Prengës ka të njëjtin stil, zhvillim dhe tipe personazhesh si 'Magji Dashurie". "Ia ka kopju krejt mar, edhe teshat ia ka kopjue."

SHKODËR - Marangozi Albert Njashatani nga Shkodra ka zbuluar të martën veglën e tretë të këtij zanati: darën. Deri të hënën në darkë marangozët e gjithë botës njihnin vetëm dy vegla zyrtare në profesionin e tyre, sharrën dhe çekiçin. Prej vitesh marangozët dyshonin se ekzistojnë vegla të tjera por deri më tani asnjë nga këto teori nuk ishte provuar. Njashtani na tregon se e përdori darën për të nxjerrë një gozhdë të shtrembërt. "Aty për aty më shkoi mendja që Dara mund të konsiderohet zyrtarisht një vegël", shpjegon Alberti. "Sepse vegël quhet çdo instrument që shërben për të ndihmuar në kryerjen e një pune. Psh në rast se unë përdor limën për ta ngrënë pak kët' drunin, edhe lima do të quhej një...Eeeeeeeej!!!!"
Më falni dëgjues por sapo njoftohemi se marangozët në të gjithë botën po festojnë zbulimin e veglës së katërt: Lima.

DURRËS - Pas ngritjes së problemit të zhurmave në kryeqytet nga gazeta "Shekulli", së fundi për ndotjen akustike në Tiranë, ka nisur të ankohet edhe qyteti i Durrësit i cili në një notë proteste i kërkon Tiranës që të mos bëjë kaq shumë zhurmë natën se na çmëndet - jeni të droguar!. "Neve vdiqëm prej juve mi monaaa gjithë natën me zhurmat e Tironës, mbet Durrsi pa gjumë kot nasi koti, qi ta merrni vesh. S'kom nigju qytet qi gërrhet si juve." - na thotë Zëdhënësja e Bashkisë së Durrësit Currile Torra. Nga ana e saj Tirana është përgjigjur se janë të ardhurit nga rrethet e tjera ata që shkaktojnë zhurmën por gjithashtu theksoi se Durrësi është qytet prapanik që fle pa mbaru "Fiksi".

POGRADEC - Absolutisht të gjithë banorët e Pogradecit u gjendën të vrarë sot në mëngjes, pas një beteje me armë zjarri që zgjati gjatë gjithë natës. Grupet mjekoligjore nga rrethi i Korçës konfirmuan ngjarjen. "Krimi nuk ka qënë asnjëherë kaq i lartë në Pogradec." u shpreh nga selia rozë Taulant Balla, ndërkohë që Ministri i shteti Genc Pollo e akuzoi partinë Socialiste se po thyen kodin e "lacit". Burime të ministrisë konfirmuan se edhe zëvendësimi i popullit armëdashës Pogradecare me një popullsi më të butë dhe më paqedashëse, ka qënë brenda planeve të ministrisë. "është koha për një Pogradec të ri, të ndryshëm. Ky është ndryshimi" thekson burimi. Në lidhje me vrasjet Policia e shtetit njofton se ka shumë prova por asnjë të arrestuar. Këta vranë njëri tjetrin, e nuk dihet kush qëlloi i pari.


 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).