Ky revolucion mundësohet nga Coca-Cola, në bashkëpunim me Ministrinë e Shanseve të Barabarta !?

Në një shkrim të shkruar disa ditë më parë Andi Kananaj trajtonte me një tis ironie dhe keqardhjeje sipërfaqësinë, sipërfaqësorizmin e ditëve përkujtuese apo të personave të kthyer në simbol. Thjeshtëzimi i personave dhe datave të kthyera në simbol kulturor masiv është një proçes i pashmangshëm në kushtet e teknologjisë së rrjetit dhe aksesi masiv mbi informacionin luan një rol nxitës në këtë proçes, duke bërë që shpesh historitë e vërteta, mesazhet fillestare, ngjarjet historike të kthehen në legjenda urbane prej të cilave të gjithë dinë nga një variant të ndryshëm tejet semplicist e të polarizuar sipas normave morale të momentit. Meqë me rastin e shkrimit të tij për Shën Valentinin, nëpërmjet paraleles abstrakte të hequr mes personave si prifti Valentin dhe filozofi i guerriljes Ernesto Guevara, Kananaj shpjegon më së miri bastardimin dhe shplarjen që i ka ndodhur këtyre njerëzve që janë barazuar me simbole vizuale e që pa dashjen e tyre janë kthyer në simbole të kulturës së sotme, unë nuk po bëj të njëjtin shpjegim për 8 marsin, ditën e revoltave të grave që është kthyer gradualisht nga një ditë proteste në një ditë festash, fjalimesh, premtimesh politike dhe shprehjesh të një feminizmi elitar, pothuajse snob në qenësinë e vet.

Nuk po tregoj edhe një herë historinë e 8 marsit, ditës që u kthye në simbol të luftës për të drejtat e grave, ditës së protestave të kryera nga disa qytetare të dorës së dytë që nuk mund të vazhdonin të ishin të kënaqura me atë çka kishin. As nuk po flas për ndjesinë e neverisë që të shkaktojnë daljet e grupeve të tetave nga liqeni, tallavaja që del nga lokalet e mbushura me gra që festojnë edhe një datë më shumë. Nuk po flas as për hipokrizinë e politikanëve që me këtë rast ftojnë gratë që mbështesin partitë respektive nëpër dreka mondane në restorante të rezervuara, ku edhe një herë flitet për atë kuotën e 30% të përfaqësimit në politikë. As për gratë politikane, gratë biznesmene, gratë intelektuale që kanë akses nëpër media dhe herë me ulërima e herë me cinizëm marrin mbi shpatullat e tyre burrnore (madje më keq se burrnore) barrën e rëndë të feminizmit, një barrë që kërkon një lloj sofistikimi të bartësit. Që ato nuk e kanë.

Unë do flas pikërisht për gratë që e bartin këtë barrë, gratë që e kanë sofistikimin që i mungon elitave, gratë të cilat e kalojnë tetë marsin në një mënyrë tjetër. Mendimi im shkon përshembull tek ato qindra vajza të trafikuara, të cilat padyshim që në këtë tetë mars mbrëmjen e kalojnë po aty, ndanë trotuarit. Nuk mund të mos mendoj për nënat e këtyre vajzave, që këtë tetë mars e kalojnë si çdo ditë të vitit, me një brengë të pashprehshme në zemër, sepse tabu.

Mendoj për mijëra gratë shqiptare që jetojnë jashtë 5% “elitar”, ato gra që i nënshtrohen përditë kokëulur skllavërisë së kuzhinës. Nuk është burri që i skllavëron shpeshherë, është shoqëria, është sistemi që nuk e kryen detyrën e tij si garant i barazisë. Gra të cilat nuk kanë patur mundësinë të shkojnë në shkollë, gra të cilat nuk e kanë mundësinë e punësimit. Mendoj për qindra gratë shqiptare që vuajnë nga skllavërimi i padronit, për ato që nxjerrin sytë në punishtet e këpucëve ku për 16 orë në ditë qepin këpucët firmato që veshin zonjat e zonjushat feministe të qendrës së Tiranës, dhe dashnorët/et e tyre. Mendoj për gratë që helmohen në industritë kimike, mendoj për kinezet e mjera që janë sjellë në shqipëri për të punuar si kafshë pune nëpër shtypshkronja, mendoj për qindra mijëra gra që e ngrysin jetën duke mjelë lopët e duke punuar tokën e pamjaftueshme të sigurta që dhe vajzat e tyre do të kenë po këtë të ardhme.

Mendoj për gratë dhe vajzat e ngujuara, ato që nuk e shohin diellin. Ato që vuajnë mungesën e shtetit ligjor në mënyrën më ekstreme, ato që të vetmin kontakt me botën e kanë nëpërmjet televizioneve... ç’kontakt pervers.

Mendoj për qindra mësueset e moshuara, ato që ngrysin jetën e tyre me gëzimin e një jetë të shpenzuar në shërbim të shoqërisë, në edukimin e milionave, por me hidhërimin e mosmirënjohjes. Mendoj për ato mësuese për të cilat kujtohemi vetëm një herë në vit, në shtatë mars, kur i merr kryetari i ndonjë partie dhe i nxjerr në ndonjë takim masiv ku nëse nuk merr pjesë rrezikon pushimin nga puna. Mendoj për ato mësuese që ditë pas dite përballen me varfërinë e nxënësve e me fatkeqësitë që shkarkohen të gjitha në mënyrë ekstreme tek fëmijët...

Mendoj për ato bashkëshorte që në fund të pesëmbëdhjetëditëshit duhet të vuajnë stresin e mbijetesës nëpërmjet borxhit, e duhet të burgosin në vetvete lotët për t’i dhënë zemër burrave shpirtbrishtë që edhe pse punojnë sa s’munden poshtërohen në ekzistencën e tyre fiktive si kryefamiljarë. Dhe poshtërimi vjen nga jashtë familjes, vjen nga bamirësi punëdhënës, ai që “i mban me bukë”...

Mendoj për ato nëna që humbën fëmijët në Gërdec, mendoj për ato bashkëshorte që humbën burrat, për ato vajza që humbën baballarët, mendoj për ato gra të punësuara paligjshmërisht në atë punishte të vdekjes. E mendoj shumë gjatë, mund të vazhdoj me listën edhe dhjetë herë më tepër...

Këto gra nuk e festojnë 8 marsin. Këto janë kaq larg charade-s së festës urbane, janë kaq larg feminizmit kozmopolitan. Nuk ka rëndësi për to kuota e grave, jo pse janë kundër pjesëmarrjes së gruas në qeverisje, por sepse janë krejt ndryshe nga ato që do të qeverisin, janë të një lloji tjetër. Madje këto gratë që përmenda unë janë të përjashtuara nga çdo lloj përfaqësimi, ashtu si burrat e tyre, ashtu si prindërit e tyre, ashtu si baballarët e tyre.

Shumica e tyre nuk do të votojnë, shumë prej tyre nuk kanë votuar as më parë. Nuk votojnë as për gra as për burra, sepse nuk kanë më asnjë shpresë tek elita, qoftë ajo nën etiketën feministe, qoftë nen etiketën humaniste, apo nën etiketën e përgjithshme të së majtës sociale, asaj që dalëngadalë është kthyer në të majtë elitare, intelektualiste që ushtron një presion mediatik në formë fellatio tek vetvetja.

I tyri është tetë marsi, madje e tyrja është çdo ditë e vitit. Për këto gra është përditë momenti që të organizohen, që të ngrenë krye, që të formojnë sindikata, që të rrëzojnë barrierat e krijuara nga gratë e qendrës dhe nga burrat e tyre. Nuk është çegevarizëm intelektual, kjo është krejtësisht e mundshme dhe do të ndodhë!

Të gjitha këto institucione shtetërore, të gjitha këto shoqata e këta ndërkombëtarë që të financuar nga gjithato shtete apo korporata luftojnë me shpirt ndër dhëmbë për barazinë, kundër gender-mainstreaming duhet ta kuptojnë që nuk do t’i shërojnë këto probleme pa siguruar përfaqësimin e gruas së varfër, e gruas punëtore, e gruas fshatare. Promovimi i lidereve që ndjekin gjurmë pas gjurme analogët meshkuj në rrugën e shkëputjes prej shumicës dhe në thellimin e hendekut nuk sjell asnjë lloj ndryshimi. Opresioni është njësoj, duhet kufizuar dhe duhet mbajtur nën kontroll prej qytetarit, pavarësisht gjinisë të atij që e ushtron!

7 Komente

Ky 8 mars pati nje shije te hidhur pas atij skandali. Festimet e zakonshme nuk gjeten vendin e zakonshem qe u rezervohej cdo vit. Fakti qe grate shqiptare nuk e ngriten zerin kete 8 mars tregon dhe njehere pafuqesine e tyre ne kete shoqeri ku shanset midis gjinive jane larg se qenit te barabarta.

Aman te keqen! Harrojeni kete 8 Marsin qe me sjell gjithmone ne kujtese (nuk di pse) Klara Cetkinin duke bere seks ne kembe nen nje peme ku mbeshtetet dhe nje biciklete burrash.

http://4.bp.blogspot.com/_3L6AoqMat_c/RfByQl4PZ5I/AAAAAAAAAGY/2VEYPKJos18/s320/zetkin_rosa_1910_g.jpg

huh??  ... no freaking way....  smiley  smiley  

s'arrij ta kuptoj se ku pate ndonje paralelizem me cetkin & co, dhe arrij te kuptoj shume me pak se si mund te ngjallen instinkte seksuale poshte pemesh...

 

ka nje problem ne shqiperi. dhe nuk qendron thjesht te feminizmi kitch...

solo, une e kisha me at imazhin "kubik" te PF  smiley   thashe t'i jap nje shans...  smiley  

Faktikisht kjo teme nuk ishte per t'u lene kaq ne harrese sa c'u la. Por ka dicka o Sol, lodhen njerezit duke thene duhej bere kjo, e duhej bere ajo, me shume se do lodheshin po t'a kishin bere kete e ate. Nuk e di a m'a lexove manifestin e teatrit kritik. Une e besoj me gjithe shpirt qe nuk ka si teatri per te shkundur njerezit nga apatia, po aq sa nuk ka si teatri per t'i vene ne gjume. Ju qe jeni aty, qe i shifni problemet, qe iu pengojne problemet, duhet te leshoni nje teater te terbuar rrugeve. Mirepo teatri do organizim, do plan, eshte njekohesisht si beteje dhe si salle operacioni. Shpresoj te jeni organizuar per mesmarsin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).