Kushtetuta, punëtori dhe shteti social

Kushtetuta, punëtori dhe shteti social

Andi Kananaj

Personalisht kam qënë një nga votuesit që hodhën poshtë projekt-kushtetutën e propozuar në vitin 1994. Akti i mospajtimit tim i detyrohet, në thelb, një trakti informativ me 10 pika, që qarkulloi asokohe ndër shqiptarë shpjegime mbi pasojat e pritshme të projektit – kushtetues për referendum. Dekalogu i famshëm lajmëronte ndër të tjera se të votoje për projekt - kushtetutën do të thoshte të firmosje burgimin pa afat të z. Fatos Nano. Kështu, kontributi i votës time (relativisht të ndërgjegjshme) krahas kontributit të dekalogistëve, shënonte ngjarjen e pengmarrjes së aktit themelues të shtetit nga interesa të pastra politike.

Me kalimin e viteve, kuptova diçka më shumë mbi Kushtetutën: që ajo përfaqëson marrëveshjen më të sofistikuar mes qytetarëve dhe shtetit, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre. Literatura juridike shkon më tutje: Kushtetuta si burimi i burimeve të së drejtës, i çdo të drejte, për gjithëkënd, në kohën dhe hapësirën shtetërore si dimension mini-universal. Kushtetuta si pikëqendra nga e cila fillojnë të përcaktohen kushtet për funksionim e shtetit të së drejtës, kaq shumë të branduar kohët e fundit.

Kushtetuta është edhe më e prekshme se sa kaq. Në fakt, kushtetutat e regjimeve demokratike shpesh paraqiten si akte që sanksionojnë republikat apo monarkitë e llojit përkatës. Këto kushtetuta, edhe pse dallojnë në karakteristikat e veta, bashkohen gjithsesi nga fije universale të gjithëpranuara, si p.sh detyrimi i shtetit që të garantojë kushtet për barazi përpara ligjit, apo detyrimi që të konkretizojë këtë barazi nëpërmjet reduktimit të shkaqeve diskriminuese që përndryshe passjellin së paku diferencim akut ekonomik, social apo kulturor. Formulat kushtetuese duket se përcjellin angazhimin në garantimin e të drejtave dhe lirive sipas besimit se pjesëmarrja cilësore, në mos efektive e qytetarit në jetën politike, kulturore (e në vijim), kalon pashmangshmërisht nëpër rritjen e ndjesisë qytetare, edhe falë garancive të thëna kushtetuese (a.k.a. panorama e një demokracie funksionale reale).

Kushtetuta shqiptare, në përpjekjen simbolike për të tingëlluar perëndimore dhe garantuese e shtetit social, ka marrë përsipër, në nenin 18, paragrafi i dytë, të moderojë diskriminimet e llojit ekonomik, arsimor apo social nëpërmjet filtrave të ligjshmërisë, objektivitetit, arsyeshmërisë, etj. Megjithëkëtë, Kushtetuta shqiptare jo rrallë herë është lakuar si produkt i një procesi që reflekton qëllimet e eksperiencave perëndimore, më pak se sa realizimet konkrete përkatëse. Ca ligje janë të destinuara të mos gjejnë zbatim.

Në ditët e sotme, është e vështirë të kategorizosh përkatësinë e Kushtetutës shqiptare në familjen e akteve normative. Kjo diktuar për më tepër nga fakti që akti normativ në Shqipëri ruan dy dimensione të pandara, dimensionin teorik dhe praktik (të njohura më gjerë si “Ligji dhe Maliqi”), që në rastin më të mirë përcaktojnë një formë moderne (të panjohur më shumë se sa moderne) të kuptimit të së drejtës. Fakti që dimensioni praktik mirëfunksionon në logjikën e aksiomës (që anashkalon pa bujë e ceremoni fazat e arsyetimit), legjitimon një dozë të tillë suksesi që meriton konsideratën më të lartë.

Kë mbron realisht Kushtetuta shqiptare në kushtet kur ligjet tona hartohen me celular? Ku ti kërkojmë bazat për ndërtimin e një shteti social dhe të së drejtës, kur as vetë jeta nuk garantohet (në kuptimin më konkret të fjalës) nga ligji? Dështimi kostant i ligjeve për të konkretizuar parimet themelore kushtetuese mbi dinjitetin e njeriut, të drejtave dhe lirive, apo të jetës së mbrojtur me ligj, denoncon neglizhenca pothuaj të qëllimshme ndaj gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarit.

Një maji i këtij viti numëron 42 vdekje të shtetasve shqiptarë ndërkohë që ishin duke punuar. Një listë e zezë e punëtorëve që rendit dyfishin e vdekjeve të shkaktuara nga shpërthimi tragjik i Gërdecit që edhe sot e kësaj dite mbetet pa autorë e përgjegjësi të zbardhura. Shifra impresionuese aq më shumë në kushtet e largëqoftit bilanc të fundvitit, ku gjendja nuk premton të reduktojë sinjalet e alarmit. Jetë njerëzish që nuk mund t’u injorohet ekzistenca e mohuar.
Duket se e vetmja marrëveshje e vlefshme për këta punëtorë të përjashtuar nga kontrata sociale me shtetin e tyre, ka qënë marrëveshja e jetës së tyre kundrejt një rroge që nuk garantonte as mbijetesën deri në fundmuaj. Iluzioni i demokracisë funksionale me të cilën ushqehet rregullisht shoqëria shqiptare, bashkëjeton me pasigurinë e së nesërmes, në shtratin e përditshëm të shpresës së humbur.

Sa larg jemi realisht nga misioni që i kishin venë vetes ideatorët e Kushtetutës së 1998? Garantimi i barazisë së të gjithëve para ligjit, mbrojtja e jetës si e drejta fillestare e katalogut kushtetues të të drejtave dhe lirive themelore, denoncojnë qartazi një teori boshe, një detyrë të papërmbushur, një premtim të parealizuar.

Ku është dinjiteti i punëtorit, garancitë sindikale, e drejta e sigurimeve, e drejta e garantuar për grevë? As vota pro kontratës sociale për një jetë më të mirë, nuk po na shpëton nga dështimi. Qëllimet e kushtetutëbërësve perëndimorë, disa dekada përpara fotokopjes shqiptare të ligjit themelor, duket se nuk janë përftuar. Parime të zbritura nga lart, të rishkruara si tekstet e murgjëve analfabetë mesjetarë, që bash falë alfabetizimit të munguar, garantonin besnikërinë e tekstit të përcjellë, pa komente apo adaptime.

Jemi dëshmitarë të një imitimi të pastër konceptesh, paçka thelbit që jo rastësisht nuk gjen përputhje me nevojat dhe kërkesat e destinatarit të vet – shoqërisë shqiptare.

...

Intoleranca ndaj dhunës shtetërore diktatoriale që mbante peng lirinë e individit, ka deformuar edhe perceptimin tonë modern të lirisë, sipas një gustoje krejtësisht vetiake. Liria e përkufizuar sipas mendimit të lirë pop, paraqitet si antiteza e barazisë. Më “i miri” dhe më “i afti”, koncepte të hapura për aq interpretime sa dhe vullnet për të interpretuar (në kushtet e mungesës së përkufizimit të tyre përndryshe teknik), sipas një kuptimi të parë, gëzojnë të drejtën për të pasur gjithçka dhe me çdo kusht, në një mësymje pa kontroll të egos drejt fitimit në botën dhe tregun e lirë.

Sidoqoftë, argumenti banal se kushtet sociale dhe ekonomike të pamjaftueshme kushtëzojnë në deformim lirinë personale, mbetet zero atraktiv për hapësirën mediatike, dhe rrjedhimisht jashtë vëmendjes qytetare. Aq më tepër që debatet për barazi edhe sociale para ligjit mbeten, hë për hë, ekskluzivitet i komunistëve totalitarë.

3 Komente

Ando, e kam lexu nja pese here, deri sa me ne fund e kapa se cfare nuk po me rrinte mbare. Nuk e di pse, por me corienton fare ajo fjalia e fundit. E ke leshuar termin "komunist totalitar" aty ne fund pa asnje lloj sqarimi, pa asnje lloj perkufizimi, sa qe shija e fundit qe me le shkrimi eshte e nje tregimi hipotetik te Doyle ku Sherlok Holmsi nuk eshte ne gjendje te zbuloje kriminelin. Do kisha deshire te debatoja, por sinqerisht nuk e di se ku e sheh ekskluzivitetin dhe cfare kupton me "komunist totalitar"? Rawls dhe pasardhesit e tij te cilet flasin deri edhe per verberi ndaj prejardhjes sociale me qellim qe cdo prejardhje sociale te konsiderohet e barabarte perpara ligjit, apo me sakte, perpara drejtesise? Politikanet tane qe per demagogji te bindin se jane te barabarte nga ana sociale edhe me nje te pastrehe?

Ndihme.

Une se kam lexuar asnjehere ne fakt Sherlok Holmes, se di ndoshta ke dhe te drejtesmileyDebatin do doja ta zhvendoje pak tek frika qe ka ne shqiperi per te folur per barazine sociale. Trajtohet (kjo teme) si truk qe perdorin vetem udheheqesit totalitar. U tregova hermetik. e mendova vetem ne koken time qe duke duke folur per barazi sociale nuk u ke hequr asnje eskluzivitet komunisteve(qe per shqiptaret normal, ndoshta prej propagandes jane vetem totalitar).

Doli kriminieli hipotetik i Doyle?smiley

Barazia sociale, ose dhe me shkurt, barazia ne te drejta, ose edhe edhe me shkurt barazia (ne kuptimin "égalité", pra ne origjinen e devizes se revolucionit francez te 1789 [liberté, égalité, fraternité] dhe te "Deklarates se te Drejtave te Njeriut&quotsmiley eshte E VETMJA utopi (ne kuptimin më nobël te kesaj fjale) e njerezimit. 

E vetmja !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).