Kushtetuta e Moralit

Ndërkohë që historia e civilizimeve mësoi nga morali nxjerrjen e ligjeve, në Shqipërinë tonë është ligji që po kundërshtohet nga morali një moral i pamoralshëm, ky i fundit sepse tani e prapa do të na duhet që politikanët t’i shohim si profetë e zotër që kanë të drejtë të na akuzojnë e gjykojnë, që të paktën me deklaratat publike të kanë dënuar pa të dhënë të drejtën e avokatit e të vetëmbrojtjes. Më 1225-ën, Magna Carta në mbretërinë Angleze, u bë elementi i parë i asaj që sot quhet e drejta e njeriut, elementi i parë i asaj që quhet ndarje pushtetesh, duke e parë fenomenin në këtë prizëm, shohim qartë që politikanët tanë përkasin një epoke të errët. Akuzat dhe komentet e përfaqësuesve më të lartë të politikës shqiptare mes shumë të tjerave kanë frymëzuar një sistem që i përket epokës mesjetare, kanë zhvlerësuar para vetë nesh njëherë më shumë imazhin dhe popullaritetin qe kishin këta politikanë, kanë frymëzuar thashethemin mbret dhe mbi të gjitha legjitimojnë atë. Nuk do të hyj të analizoj thashethemet e dala nga të dyja krahët e kësaj beteje pa fund, nuk më intereson nëse u thanë të vërteta apo gënjeshtra, por fenomeni. Duhet të pranoj se gjithmonë më ka bërë përshtypje nevoja e thashethemeve, kisha arritur deri aty sa të mendoja se në fakt është boshëtia e vetë personave të cilët bëjnë thashetheme të cilët në kërkim të funksionimit te motorëve të motivimit të qenies së tyre kalojnë tek gjykimi i jetës se të tjerëve. Besoja se kjo lloj mënyre e të menduarit i përket tashmë një shtrese më pak të civilizuar, më pak të shkolluar e mbi të gjitha të papunë për vet faktin e mos pasjes së një aktiviteti, pra më së shumti plakat që kanë kaluar 70-at, shtëpiaket e dëshpëruara, familjet ku jetohet përjetësisht në familje etj...etj. Sërish këto thashetheme bëhen në fshehtësi. Por të dëgjosh një kryeministër, një kryetare Parlamenti, të përdore një fjalor të tillë, natyrshëm lind pyetja: Si ka mundësi?! Të dëgjosh kryetarin e një partie si PS-ja të flasë në mënyrë të tillë, siç është dëgjuar shumë herë të shajë gazetarët, sërish thua: Si ka mundësi? Vetë fyerjet e përdorura nga këto figura të hierarkisë së politikës Shqiptare, më kujtuan zënkat e fëmijëve, ik se ti je i shëmtuar, ti je i shkurtër, hunda jote është e shtrembër, ti je bullafiq etj...etj.
Ka një lloj radikalizmi në këtë mënyrë të të shprehurit, një radikalizëm që e gjen vetëm tek ata që nuk e njohin fjalën emancipim, edukatë, kulturë a të shprehurit në mënyrë civile, nuk njohin të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha trashëgojnë mënyrën e krijuar nga sistemi totalitar që përjetuam shekullin e kaluar. Kjo mënyrë e kishte emrin njeriu ideal i futur në kornizën e asaj që quhet moral, morali sipas një spektri vlerash që vetëm vlera nuk nxorën por nxorën njeriun e antivlerave. Kështu matematikisht nëse nxjerrim totalin e fyerjeve të shqiptuara nga hierarkët e politikës shqiptare, do të kuptojmë se në realitet mesazhi indirekt që ata na përcjellin është krijimi I një legjislature të re, një kushtetute të re që mban emrin Kushtetuta e Moralit. Duhet pranuar se krijimi i një të tille do të bënte xhelozë të gjithë religjiozët e planetit Tokë.
Këto replika fyese kanë fyer të gjithë ne, por mbi të gjitha po mendoja cilën pjesë të të ardhmes se Shqipërisë frymëzojnë ? A do të ketë ndonjë fëmijë që do të ketë si ideal kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, kryetarin e partisë më të madhe opozitare?
Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel të gjithë shqiptarëve e në veçanti atyre që kanë një familje. Sa herë që shfaqen në kanalet TV këto figura politike, bëni zapping, pra ndërroni kanal ashtu si mund të ndërrohet kur ka një emision, film, spektakël me një shenjë me pullë të kuqe. Propozimi tjetër ftoj të gjitha kanalet televizive t’i shfaqin këto fjalime, deklarata pas mesnatës dhe me një lajmërim: Ndalohet ndjekja e këtyre sekuencave nga fëmijë nën moshën 16 vjeç, sepse nëse jo fëmijët tuaj do bëhen një produkt që nesër , pasnesër do të përdorin pikërisht këto sharje ndaj njëri-tjetrit e përse jo ndaj vete jush.
Përse një apel i tillë, kjo sepse të gjitha këto deklarata kanë dalë nga individë që ishin të ulur në foltoren e Parlamentit, atij Parlamenti të votuar nga ne, këto deklarata kanë dalë nga institucionet që politikisht, zyrtarisht na përfaqësojnë të gjithë neve, përfaqësojnë kulturën tonë, të paktën kishin mundësinë të përfaqësonin anën pozitive të kësaj kulture. Së dyti, këto deklarata po të skanohen nuk janë as politike as diplomatike por deklarata rrugësh, duke lënë mënjanë thirrjet indirekte të luftës që bëjnë këto akuza pyetja që lind është: A e kuptojnë vallë gabimin këta politikanët de jure??! Do të vijë koha kur të shohim pak etikë në fjalorin e politikës shqiptare?! Apo hapi tjetër regresiv do të jetë kushtetuta e moralit?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).