Kurba e rritjes dhe kurba e mirëqënies

Fjala "rritje" ka qenë një nga më të përdorurat gjatë këtij tranzicioni. Kohët e fundit ajo u bë edhe objekt debatesh të nxehta paraelektorale midis mazhorancës dhe opozitës. E para u përpoq ta rriste shifrën e treguesit të saj për këtë vit kurse opozita, duke iu referuar edhe të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, e përgënjeshtroi. Polemika ka mbetur deri këtu. Të dy palët luftojnë t'i mbushin mendjen elektoratit se shifrat e rritjes që japin ata janë të vërtetat, që ai të bindet se ato janë edhe realiteti i gjendjes që ai duhet të përjetojë. Në fakt polemika nuk duhet të mbetej këtu, cilado qoftë shifra e rritjes. Kjo sepse sepse realiteti i të ashtuquajturës rritje ekonomike dhe realiteti i mirëqënies apo cilësisë së jetës së shqiptarëve nuk janë e njëjta gjë.
Studiuesit kanë konstatuar se në vendet e ashtuquajtur në zhvillim, por edhe në vende ku ky zhvillim ka qenë i stabilizuar, kurbës së rritjes, që në përgjithësi ka shkuar në rritje, nuk i korespondon një kurbë paralele me të, e mirëqënies. Të dy kurbat ecin për një kohë paralelisht, por pastaj, ndërkohë që ajo e rritjes vazhdon të ngjitet, kurba e mirëqënies fillon të bjerë duke u ndarë gjithnjë e më shumë nga kurba e rritjes. Ky është një konstatim i njohur sot në botë.
Janë dy shkaqet kryesore të mosecjes paralel të këtyre këtyre dy kurbave. Shaku i parë ka të bëjë me faktin se e ashtuquajtura rritje, që ndryshe e quajnë edhe zhvillim, në të shumtën e rasteve, edhe në botën më të zhvilluar, është bërë në kurriz të prishjes, në terma afatgjata, të cilësisë së jetës. Ndotjet e ambjentit, çimentifikimet, urbanizimet e stërmëdha janë aspektet më të dukshme të kësaj prishjeje të cilësisë së jetës, por nuk janë vetëm ato.
Një faktori i dytë i rëndësishëm i ndarjes së kurbës së rritjes me atë të mirëqënies ka të bëjë me faktin se rritja matet me shumën e përgjithshme të prodhimit të të mirave apo fitimeve. Por, nga ana tjetër, pasurimi që sjell kjo rritje nuk shpërndahet tek të gjithë njëlloj. Rezulton se kjo rritje kryhet në fuksion të pasurimit gjithnjë e më shumë të një grushti të vogël njerëzish në kurriz të numrit të të varfërve që shtohet.
Shqipëria përbën një ndër shembujt më dramatikë të ndarjes së këtyre dy kurbave, në të dy aspektet e sipërpërmendura.
Urbanizmi që ka ndodhur në Tiranë dhe Durrës e në hapësirën midis tyre, patjetër që është futur në shifrat e rritjes. Dhe, deri në një farë pike, mund të konsiderohet se edhe kurba e mirëqënies ka ecur deri diku paralele me të, përderisa jo pak njerëz përmirësuan kushtet e strehimit të tyre të lëna në gjendje të mjerë nga diktatura, u punësuan apo edhe ndërtuan shpresa të së ardhmes. Por shumë shpejt rritja e përbindëshme e kaosit urban nëpërmjet, dyndjeve të pakontrolluara, mungesës së planeve rregullatore dhe dendësisë së ndërtimeve ka bërë që kurba e mirëqënies së këtyre njerëzve të vijë duke zbritur. Ajri i parespirueshëm i Tiranës, mungesa katastrofike e hapësirave të gjelbëra, e hapësirave publike në përgjithësi, sëbashku me shtrenjtësimin e jetës sot janë vetëm disa nga treguesit e padiskutueshëm të uljes dramatike të cilësisë së jetës që ka prodhuar rritja.
Edhe ajo që ka ndodhur në plazhet e bregdetit, me ndërtimet dhe çimentifikimet e papara, është futur në kurbën e rritjeve ekonomike kurse, në të vërtetë, prej kohësh tashmë dihet se ato e kanë çuar poshtë e më poshtë kurbën e cilësisë së jetës.
Nuk po hyj këtu në shkatërrimin e "llukseve" të tilla si kujtesa historike e qyteteve, e pasurive arkitekturore, e pejsazheve rreth tyre. As në fenomenet e rritjes së numrit të kancereve e të sëmundjeve të tjera të lidhura me ndotjet ambjentale.
Nga ana tjetër nuk ka pikë dyshimi sot se një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje është kryer në funksion të pasurimit të një pjese të vogël të popullsisë e në kurriz të mbetjes në varfëri, për të mos thënë në gjendje shfrytëzimi të egër, të të tjerëve. E, përsa i përket kurbës së cilësisë së jetës, mund të thuhet se, në një kuptim më të gjerë, kjo rritje jo vetëm se ka ulur cilësinë e jetës së shumicës së varfër, por, në terma afatgjata, paradoksalisht, ka ulur edhe cilësinë e jetës së të pasuruarve. Kjo sepse ata nuk jetojnë dot në një ishull. Ata do të jenë gjithnjë e më të rrethuar e kërcënuar nga kriminaliteti e me rradhë. Në këtë kontekst duhet shtuar se në Shqipëri ai që mund të quhet pasurim i një grushti njerëzish nuk ka shkuar paralel me investimet publike ndërkohë që cilësia e jetës nuk mund të përmirësohet në një vend ku shërbimet publike janë në nivelet më të ulta. Mjafton të kesh parasysh, për këtë, nivelin e mjerueshëm të shkollave publike dhe spitaleve publike.
Edhe efektet e emigrimit të shqiptarëve mund të thuhet se kanë ndjekur ligjësinë e dy kurbave që vijnë duke u ndarë. Nëse në fillim emigrimi ishte një faktor i rritjes, por edhe i cilësisë së jetë, sa më shumë kalon koha aq më tepër ai e humbet aftësinë e tij për të përmirësuar mirëqënien e njerëzve në Shqipëri. Në rastin e emigrimit, me kalimin e kohës, edhe efekti i tij në kurbën e rritjes vjen duke u ulur do të thoja, por kurrsesi njëlloj me ujen e cilësisë së jetës. Një grusht emigrantësh të pasuruar edhe mund ta mbajnë nivelin e kurbës së rritjes disi më lart, por efekti i shumicës do të vijë duke u zbehur përsa i përket kurbës së mirëqënies. Shkaqet janë të shumtë: që nga fakti se nëpërmjet emigrimit, në terma afatgjata, vendit i humbasin njerëzit më të aftë e më me energji, e deri në atë se, me rritjen e kostos së jetës në Shqipëri, shumat që mund të sjellin emigrantët bëhen gjithnjë e më të pamjaftueshme.
Por Shqipëria ka edhe shkaktarë të tjerë specifikë të ndarjes dramatike të kurbës së rritjes me kurbën e mirëqënies. Ajo që quhet "rritje" në një sasi të konsiderueshme ka ardhur në Shqipëri edhe si pasojë e ekonomisë kriminale të pastrimit të parave të pista të trafiqeve të drogës e të prostitucionit. Mirëpo efektet shkatërrimtare të kësaj ekonomije, përsa i përket uljes së cilësisë së jetës, janë të shumtë. Së pari, një rritje e tillë në vend të meritokracisë zhvillon krimokracinë duke helmuar krejt atmosferën politike shoqërore të vendit, krejt sistemin e vlerave të shoqërisë. Së dyti, ajo investohet kryesisht në rrugët më të lehta të pastrimit të parasë si restorantet, hoteleritë, ndërtimi duke mos zhvilluar një ekonomi vërtet prodhuese, një zhvillim harmonik e të gjithanshëm të vendit. Duke qenë e fshehtë, e padeklaruar, e paformalizuar një ekonomi e tillë, në terma afatgjata, e frenon zhvillimin duke e mbajtur ekonominë të mbërthyer në kthetrat e krimit Ajo rrit polarizimin. Ajo kap politikën, korrupton drejtësinë, policinë, duke ndërtuar sistemin e pandëshkueshmërisë.
Janë fenomene që shqiptarët i jetojnë përditë dhe ata e dinë më mirë se kushdo se sa ua kanë ulur cilësinë e jetës materiale dhe shpirtërore, paçka se ka të huaj që, duke gjykuar vetëm nga niveli i ndërtimeve në Tiranë apo i restoranteve, habiten me nivelin e lartë të rritjes në Shqipëri.
Sipas gjykimit tim pas 18 vjetësh ecje në këtë drejtim ndarja midis kurbës së rritjes dhe asaj të mirëqënies ka arritur nivele dramatike e rrezikon të bëhet edhe më dramatike me krizën botërore të ekonomisë që po ul edhe kurbën e rritjes. Planet e Obamës për të orientuar zhvillimin e mëtejshëm të SHBA në drejtim të projekteve ambientaliste janë një alternativë që synon të zvogëlojë këtë diferencë midis dy kurbave edhe në vende që janë shumë më të ndërgjegjësuar se ne për këtë problematikë. Edhe sfida e politikës shqiptare do të duhej të ishin projektet për zvogëlimin e kësaj diference në zhvillimet e ardhshme të vendit. Mirëpo ajo që bije në sy në këtë fushatë elektorale është mungesa e këtij ndërgjegjësimi nga forcat politike. Kampione e kësaj miopie është partia në pushtet. Projektet e saj janë të tilla që ndarjen midis kurbës së rritjes (pavarësisht nga pjerrësia që do të marr ajo) dhe kurbës së mirëqënies do ta thellojnë edhe më. Çimentifikimi i vendi me parqe industriale dhe energjitike e me fabrika çimentoje (të gjitha thuajse kryesisht si investime të vendeve të zhvilluara evropiane për ekonominë e tyre jo atë shqiptare) i përmban fort të dy aspektet e ndarjes dramatike të të dy kurbave. Së pari ato do të prishin në terma afatgjata ambjentin në mënyrë thuajse të paripareshme duke e varfëruar Shqipërinë në burime jetësore të qëndrueshme. Së dyti, çka është po aq dramatike, ato nuk do të pasurojnë vendasit, por të huajt. Shqiptarët në këtë projekte më së shumti do të gjejnë një vend pune të përkohshëm të paguar si në vendet me krah të lirë pune, kurse përfitimet do të shkojnë për pasurimin e të huajve që do të investojnë. duke u hequr shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre mundësinë e shfrytëzimit nesër të burimeve të tyre tokësore, energjitike, turistike, pejsazhistike e me rradhë.
Përballë kësaj situate opozita është thuajse inekzistente sepse ndan të njëjtën kulturë politike me mazhorancën dhe është e kapur nga të njëjtët grupe interesi shqiptare dhe të huaj. Ndonjë premtim i Ramës atje këtu për kthimin e shqiptarëve në fermerë apo denoncimi i idesë së termocentralit bërthamor në Shkodër nuk mjafton assesi për të na bindur se ajo ka një projekt alternativ ndaj atij të Berishës. Aq më tepër po të kemi parasysh se, kur vijnë në pushtet, forcat tona politike harrojnë premtimet që bëjnë për shumicën pikërisht pse janë në shërbim të asaj pakice që për pasurimin e vet kurbën e rritjes e orienton krejtësisht në dëm të kurbës së mirëqënies e të cilësis së jetës së shumicës. (Korrieri, 30 prill 2009)

4 Komente

sa per sport meqe eshte munduar te jete shkencor. Grafiku i mesiperm tregon qe vendet me rritje me te madhe kane tregues me te mire te mireqenies.

Problemet e cilesise se jetes jane me te vertete te medha ne Shqiperi. Megjithate artikulli eshte tos mo llos dhe as autori vete nuk e ka idene se cfare do te thote me mireqenie.

me shume me vone...

1....rritja matet me shumën e përgjithshme të prodhimit të të mirave apo fitimeve. Por, nga ana tjetër, pasurimi që sjell kjo rritje nuk shpërndahet tek të gjithë njëlloj.

2.Sipas gjykimit tim pas 18 vjetësh ecje në këtë drejtim ndarja midis kurbës së rritjes dhe asaj të mirëqënies ka arritur nivele dramatike e rrezikon të bëhet edhe më dramatike me krizën botërore të ekonomisë që po ul edhe kurbën e rritjes.

Pohimi i pare eshte postulat i mirenjohur dhe i gjithepranuar. Si premise per analizen eshte OK.

Po analiza e z.Lubonja cfare na ofron? Nje konglomerat arsyetimesh dhe konstatimesh (te drejta deri diku)  te cilat sintetizohen me pohimin e 2 i cili , edhe pse i vertete, mbetet nje perceptim ne analizen e publicistit.

Ajo qe i mungon analizes se publicistit jane te dhenat mbi treguesit e zhvillimit social ose mireqenies sociale te cilat mund ti gjente fare kollaj duke ju referuar studimeve te BB, PNUD, INSTAT (LSMS 2005; 2008)

Eshte e vertete qe zhvillimi ose rritja ekonomike perben parakushtin e domosdoshem per te arrritur nje standart jetese por ajo (rritja)  nuk shoqerohet automatikisht ne mireqenie sociale per te gjitha shtresat (pabarazite sociale) dhe ne te gjthe territorin ( diferencat rajonale)

Ne kohen e sotme zhvillimit matet dhe vleresohet para se gjithash si zhvillim social ose njerzor (aksesi dhe cilesia e sherbimeve te arsimit, shendetit, kushteve materiale te jeteses, pjesmarrja, reduktimi varferise dhe perjashtimit social etj.) qe do te thote se si dhe sa ka ndikuar rritja/zhvillimi (treguesit makrekonomike) ne reduktimin e pabarazive sociale, ne permiresimin e standarteve  te jeteses dhe se sa kjo rritje ka qene gjithperfshirese.

Ky kendveshtrim dhe kjo analize do ishin qasja me e drejte ndaj problemit.Z.Lubonja ka preferuar per kollajllek (ose mungese ekspertize)nje  veshtrim prej publicisti    te rritjes ne sfondin e kaosit urbanistik, levizjeve demografike, ekonomise informale dhe aktiviteteve kriminale etj.

Ne keto 18 vjet tanzicion politikat  jane dominuar nga paradigma e rritjes ekonomike kurse efektet sociale te reformave dhe politikat e zhvillimit social jane mbetur ne plan te dyte.

Rritja ekonomike (dy shifrore !!) eshte kthyer ne  "kalin e  betejes" per Berishen ne kete fushate elektorale ndersa opozita duket si e zene ne gracken e shifrave dhe grafikeve krahasues (2005-2008) te investimeve publike per infrastrukturen.

"Rruga patriotike" eshte zhvillim -na thote parreshtur, nonstop , propaganda e dites.Ok eshte zhvillim po cili  eshte impakti social? Sa perfitojne te varferit nga rritja ekonomike dhe sa u permiresua cilesia e jetes se tyre? Sa kane ndikuar investimet publike dhe cilat jane efektet e rritjes ne zgjerimin e aksesit dhe permiresimin e cilesise se sherbimeve baze(arsim, shendetsi, mbrojtje sociale, etj.) ne zonat me te varfera dhe me infrastruktuure mizerabel??

Opozita hesht si "fija e barit" dhe mjaftohet duke lakuar togfjaleshin "politika e re"

Po e mbyll me fjalat e nobelistit  A.Sen: Zhvillimi  duhet pare si proces i lirive reale qe gezojne njerzit..."

si kunderargument mund te thuhet qe rritja ekonomike mund te ndihmoje ne nje kohe te dyte te merremi me rritjen e cilesise se jetes (per me teper shikoni grafikun tek lidhja me lart)

 

Ne pergjithesi artikuj te tille kane ne mendje nje skenar te tille: cdo person privat, apo politikan ne kete faze do te kete me shume interes te shikoje fitimin e tij personal dhe keshtu, direkt apo indirekt, do ndikoje negativisht ne jeten e njerezve qe e rrethojne. (Simple game theory). Shembujt mund te jene te shumte: duke filluar nga ai qe betonizon zonen dhe pret pemen per te ngritur nje biznes, deri tek nje politikan apo drejtues qe korruptohet dhe nuk i jep vendit, por xhepit te tij.

Argumenti eshte i thjeshte: meqenese natyra e njeriut te con ne situata te tilla, atehere shteti duhet te nderhyje fuqishem dhe ta ndaloje kete "masaker" qe po ndodh, pasi pjeserisht po ndodh sepse asnjeri nuk ka frike shtetin (nganjehere permendin edhe "si dikur&quotsmiley. Dhe analistat vazhdojne duke sjelle shembuj nga situata te ndryshme dhe duke keshilluar shtetin te nderhyje dhe duke e akuzuar per korrupsion, etj etj.

Ne artikullin e mesiperm, duke bere rolin e te zhgenjyerit nga shteti autori kalon direkt tek opozita me argumentin (te nenkuptuar) qe: dicka duhet bere, shteti nuk po leviz... atehere te flase opozita.

nuk po them se nuk kane njefare te drejte por kam nje verejtje:

Kjo eshte vetem nje ane e medaljes. Analistet fokusohen shume tek te "keshilluarit" per politikat e shtetit, nderkohe qe mendoj qe roli me i natyrshem i analisteve do ishte te jepnin keshilla me praktike nje mase me te gjere. Psh, le ta shtrojme ceshtjen ne kete menyre:

eshte e vertete qe nese nuk ka frike se e kapin, nje drejtues institucioni, apo dikush qe do beje rruget, do rregulloje ujin ne qytet, apo do pastroje plehrat, do mendoje se eshte me mire te vjedhi nje pjese apo te teren e atyre fondeve dhe te pasuroje veten dhe familjen e tij. Gjithashtu le ta zeme se ky do te jete ne ate vend pune nje apo dy vjet. Kuptohet, per te do ishte me mire te vjedhi nese do mendonte vetem per ato dy vjet.

Por nese do mendonte qe jeta eshte me e gjate, mund te dali me mire qe ato dy vjet ta beje punen si duhet (kuptohet, varet nga sasia e lekeve qe arrin te vjedh). Psh, ai vertet mund te ndertoje nje shtepi te mire, dhe te kete nje makine te mire, por femijet e tij do rriten ne plehra, do perplasen tek spitale ne gjendje te mjeruar dhe do shkollohen ne shkolla gjysmake. Ne nje skenar qe zgjat 10-15 vjet, mund te dale qe ai kryetari i bashkise, drejtori i spitalit, shefi i deges, drejtuesi i arsimit, etj, te kene me shume perfitim te bejne punen e tyre, sesa te vazhdojne avazin e vjedhjes dhe shkaterrimit, etj, etj. Po t'i shtojme dhe friken e shtetit, rezultati del akoma me i mire.

Ndoshta analistet do ishin nje mjet i mire per t'ia percjelle keto te verteta nje mase me te madhe njerezish, dhe jo tu brockullisin koken me politike e politikane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).