Kukullat dhe Duart


Kukullat dhe Duart

nga Arber Shtembari

Po afrojnë zgjedhjet dhe prej ç’kohësh mediat shqiptare zgjejnë nga debate, nga premtime, nga prerje shiritash. Ftohen fytyra të kollarisura me tekste të parashkruar nga shefat dhe derdhin përmëndësh ç’u kanë mësuar të thonë. Nga ana tjetër një dalje publike, një konferencë për shtyp, një fjalor i zgjedhur brutal për kundërshtarin politik jep goxha pikë dhe pse jo nesër, dhe një post më të mirë në administratë. E gjithë kjo dhunë psikologjike transmetohet direkt prej televizioneve tona. Me po atë mallëngjim si dikur kur shqiptarët zbuluan televizorin me ngjyra, ne konsumojmë ndotjen verbale të liderëve tanë.

Nuk do të ndalem tek etika e debatit në politikën shqiptare. Kjo etikë nuk ekziston dhe për këtë mjaftojnë debatet në parlament për ta kuptuar. Ajo që është edhe më e rëndë është fakti që kjo dhunë verbale, trasmetohet si një show dhe banalizohet në atë pikë saqë shqiptarët para ekranit marrin kënaqësi. Kur Agron Llakaj imiton Berishën, publiku qesh, kur del vetë Berisha, publiku gajaset. Ka një simbiozë perfektshmërisht djallëzore midis politikës dhe mediave në vendin tonë: kukulla dhe duar. Kukullat urdhërojnë media-duart që ti lëvizin.

Para ekranit qëndron me sy të zgurdulluar një shoqëri e tërë e telemorfizuar. Një shoqëri që pranon e që bën konsensus me totalitarizmin politikë-media. Sic do ta quante Goffman, ne jetojmë brenda një Institucioni Total. Ata drejtojnë, urdhërojnë, organizojnë jetën tonë të mbyllur (realisht brenda kufijve), dënojnë, por lënë dhe pak hapësirë si për t’ja ditur për nder pushtetit.

Ka ndodhur një “Game Over” i vërtet me shoqërinë tonë që vetëm konsumon mediat në mënyre naive pa kuptuar mekanizmat e fshehtë që fshihen pas saj si manipulimi i opinonit publik,propaganda, dhunën simbolike ose direkte,krijimin e një kulture perverse mediatike që sjell përgjumjen e popullatës dhe shndërrimin e saj në konsumatorë të rëndomë mediaholik.

Është fakt që shqiptarët shpenzojnë shumë orë para ekranit. Dikush do të thotë, s’mund ti vëmë faj mediave nëse na pëlqen. Çështja qëndron pikërisht këtu –tek “na pëlqen”. Televizionet janë kthyer në shije, madje në atë pikë sa tv ka bërë një hold-up të jetës së shumë shqiptarëve. Shumë nuk dinë ç’të bëjnë me kohën e tyre dhe shpenzimi më I mirë bëhet para ekranit. Ka një socializim total me ç’ka transmetohet përmes ekranit, që duke u përsëritur është trupëzuar dhe ka sjell si rrjedhojë një dorëzim pa kushte të publikut ndaj mediave vizive. Televizioni ka pushtuar kohën e familjeve shqiptare, ka uzurpuar jetët e tyre, realitetin, çdo eveniment shoqëror e historik është I mirë për tu shitur.

Mediat arritën deri aty saqë dhe një eveniment siç ishte pavarësia e Kosovës e shndërruan në një jo-eveniment. Diçka që ishte reale në ekzaltimin e shqiptarëve, e shdërruan në një mega-show, ku në vend që shqiptarët të uronin shqiptarët e Kosovës, ishte Top-Channel që uronte Kosovën për pavarësinë nga sheshi simbol Skënderbej. Një hold-up perfekt dhe i mirëorganizuar.

Në kuadrin mediatk, në këtë shoqëri pa kontratë, pa rregulla, pa sistem vlerash, perveçse nje bashkepunimi refleks, lind nevoja e një rregullatori që do sillte një ndërgjegje sociale dhe reagim nga ndotjes mediatike. Shqiptarët kanë nevojë për edukim mediatik, të njihen me të anët positive e negative të transmetimit. Kjo shoqëri ka nevojë për medialfabetizim!

Ekrani total (sipas kuptimit që I hep Mauss) krijon një hapësirë simbolike ku incestuojnë sëbashku abuzuesit me të abuzuarit. Bashkëfajtorë, ata degradojnë marrëdhëniet njerëzore. Ndërkohë që koha ecën përpara, koha e perceptimit mbetet në një stad të pandryshuar, madje tenton në retrospektive.

Me këtë ecuri kjo shoqëri e brishtë që jeton brenda ekranit, porsi në një eksperiment do të veprojë porsi si atome të mbyllur të destinuar për tu shkaterrohuar njeri me tjetrin dhe ndoshta nga kjo do të prodhohet dicka qe s’eshte pare kurre me pare. Ndoshta një lloj e re ndërgjegjeje do të formohet: një ndërgjegje dixhitale për të cilën dhe Turing do të ishte kurioz të dinte më shumë.
Politika ka arritur një stad ku duket tashmë si e parafabrikuar, e ftohtë dhe e betonuar, një shfaqje absurde. Zhveshja e politikës prej misionit të saj në shërbim të komunitetit, ka sjell dhe zhveshjen e realitetit vetë. Banaliteti, kotësia, dhuna janë të mbivlerësuara. Cinizmi, arroganca, mediokriteti shiten për vlera. Siç thoshte Heidegger « humbja e dytë e njeriut, është rënia e tij në banalitet ».
Duhet pra të ingranohet në sistem edukativ medialfabetizimi, që dhuna kaq e shpeshtë që banaliteti ushtron mbi shqiptarët të marr fund, sepse kjo zhytje në banalitet është e barabartë me vetëvrasjen e qënies.

Një popull I tërë I marr peng që duket sikur mban zi kolektiv përpara ekranit. Ka një korrupsion të vërtetë, një bashkëpunim midis publikut dhe aktorëve në ekran. Jemi socializuar tërësisht me ndotjen që na ofrohet, jemi bërë pjesë e saj, por ky socializim a do të na bëj dot qënie sociale ? ndjekim politikë gjithë ditën në media, por a na bën ky fakt qënie politike? Kur do të marrë fund ky eksperiment I veshur me petkun e kulturës së masës dhe njeriut modern apo europian?

Zgjedhjet po afrojnë, popull bëhu gati të shohësh maskaradën e rradhës. Kukullat janë zbukuruar, media-duart po lidhin fijet, skenaret janë gati. Kukullat kanë filluar të zbrasin breshëritë verbale të para dhe ky është vetëm fillimi. Sesi do të përfundoj kjo mesele një zot e di tashmë, por thonë që qesh më mirë, ai që qesh i fundit. Por në fund a do të mund të qeshë një njeri fill vetëm?

2 Komente

E gjitha kjo vjen nga se jeten politike,ekonomike, shoqerore, masmedia e ka kthyer ne nje "Reality Show".

Rinia terhiqet nga kjo rryme e degraduar si masmedia, per fatet e rruges Durres-Morin, nuk merr mundimin te shikoje anet pozitive, mundesi per te levizur me shpejt e me komoditet, eshte nje institucion qe ka per detyre te kontrolloje pergjegjsin e drejtuesve.

Problemet qe vijne nga drejtuesit e institucioneve , masmedia me dinakerin e saj e ka kthyer ne nje ndeshje dypalshe, ne njeren ane te miret, ne anen tjeter te keqijt, tifozlleku ka arritur piken e larte te mospermbajtjes.

Kjo eshte institualizacioni i popullsis ( pasojat e diktetures), ku çdo gje e per çdo gje, jane vetem keto institucione qe te hapin driten e jeshile.

Ne nje film shume te bukur ka nje shprehje goditse ; " kur je i institucionalizuar jeta per ty si individ nuk ka kuptim".

 

Ok, por pa institucionalizimin e individit ku do te ishte dallimi atehere nga bota e kafsheve?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).