Kufinjtë e shpirtit: Ave Herr Fichte!

Ëndër me miting. Në sheshin Skenderbej. Podiumi te shkallët e Pallatit të Kulturës plot titullarë me solemnitet të merakosur. Folësi pritet të vijë. Është një gjerman, një Fihte, Fihte, për të cilin ca thonë është kushuri i dytë me princ Vidin, ca i tretë me mbretëreshën Geraldinë. Përkthyesi i gjermanishtes ka mbërritur me kohë dhe qysh pa filluar, i duket vetja më i madh se folësi. Ai hedh ca shikime të rrepta mbi turmën njëqindmijëvetëshe, e cila është porositur të brohorasë një herë shqip, një herë gjermanisht “E duam Shqipërinë si Bavaria”. Kishte patur polemika për këtë, se prusianeve mund t’u mbetej hatri, e kishin quajtur miopi gjeopolitike, ishin grirë e prerë për Hamburgun dhe përfaqësimin e tij pa e ditur mirë edhe se ku binte ky qytet me vulë, por fakti që Mynihu lidhej me Franc Bekenbauerin i kishte vënë kapak muhabetit. Bavaria ishte edhe gjermanike, edhe jugore, ç’ka shkonte shkëlqyeshëm me dyfaqësine (jo mësallore) tonën si komb. U trajtua edhe ngjashmëria e Peqinit me Ingolshtadin.
Mikrofoni lëshon kakofoninë e zakonshme të rradhës, pa e gërgarë njeri, një piuuu cingërisëse si majë gozhde mbi xham, pasuar nga një “Scheisse!” e përkthenjësit brun. Vajti ora, njeri s’po vjen. Çudi se këta gjermanët janë dhe të përpiktë. Megjithëse ëndër hesapi, realitet allosoj, aty të del shqiptari i përpiktë, italiani pa qejf për dashni, greku si allvanofil e gjermani si jo korrekt.
Në krah tim një bashkëturmës. Kujtojmë se duam t’i flasim njeri-tjetrit. Jam kozmopolit, prezantohet; kam ardhur të shpreh kundërshtimin tim. Ah, qenke antimitings? Jo, jam qytetar i botës, thotë me krenari. Më tregon një bilbil me të cilin kishte vendosur të shprehte kundërshtimin e tij të kulturuar kozmopolitan ndaj folësit. Më duket se vë re një shkëndijë epërsie në shikimin e tjetrit. Përgatitem për sulm, që është mbrojtja më e mirë. T’i tregoj vendin, pra kush jam unë. Me inat mitingor, me dy xhunga zemërake papandehur mbi ballë, xhunga identitare, nukleike, atrofike (brirë dhie të papërdorur prej kohësh), xhunga arbërore bërthamore, e shoh drejt në sy e ia përplas në fytyrë, “jam kombëtarist konservativ”. “Jo liberal” shtoj pas pesë sekondash, me një ton fundor që i ngjan goditjes së një vule noteri. Ah sa bukuri ka grindja, sa gaz bie karshillëku! Në fund, si të jetë një titull fisnikërie, i mëshoj: “katunar Ali Demi”. Ndjej ngjitjen kapilare të kënaqësisë nëpër gjithë poret e trupit; qejfin tim, gjithnjë shijuar, por kurrë kuptuar. Nuk di për shembull, ç’më ngazëllen kur duke i grahur makinës, i bie pellgut mes për mes, vetëm të stërpik gjindjen që ecën anash. Më mallkojnë ato figurat këmbësore të bëra helaq, i shoh nga pasqyra tek tundin grushtat dhe kokat gjithë indinjatë e helm pas meje, ndërsa unë, në qiell të shtatë, i jap gazit triumfator… ahahaa… jeta është e bukur, pak më optimizëm, më pozitivitet, ju lutem. Ashtu ndjeva triumf kur goja më tha tetërrokshin folklorik “jam katunar Ali Demi”, ndërsa sytë vazhduan: “kishe gjë ti?” Cili je, cili jam, cili je ti more burrë. Oktametri labe, kush je ti e kush jam unë. Por tjetri është mendjehapët, gjithëpërfshirës, ai pranon si realitete të detyrueshme deri bushmenët e Australisë dhe eskimot. Më pranon dhe mua. Më sheh me pak mëshirë ç’është e drejta, pohimi i fundit me aildem i jep një ndjenjë keqardhje, por edhe një mirëkuptim të plotë, solidaritet në fatkeqësi, shpirtmadhësi, gjëra që ndodhin, mos e humb besimin, …
Ky që do flasë është Fihte, më thotë. Pohoj me kokë. Fihte mavriu, them, sa për të mos ngelur pa thënë gjë edhe unë.
- Është filozof, - më thotë me një farë qortimi të përkorë që s’e di pse e meritoj.
- Po, - i them. - Kështu si neve u është drejtuar edhe të tijve një herë vaktit.
Tjetri shqyen sytë. Pyetja “po ti nga e di”, ngatërrohet me frazën “në Ali Dem nuk ka bibliotekë” dhe dalin të dyja duke capërluar njera tjetrën.
- Nuk kam lexuar libra, - shpjegohem. – Me të thëna e kam. Ma ka treguar një komshije, një “ish e deklasuar” që jetonte te Nadire jevga me qera.
- Ahààà... - Tjetri shfaq një shenjë qetësimi. Bota është prap në rregull. Sidoqoftë do të sqarohet: - Nga ky (tregon nga tribuna) e kemi peshqesh filozofinë mbi epërsinë gjermane, - hesht një çikë. – Edhe nacional-socializmin. Mauthausenin. Treblinkën...
Dua t’i them që nuk e ka hiç nga ai, por nga vektorë të padukshëm që bubrrojnë nëpër shtresat shistike të demosit e ethnosit, posi lumenjtë që bëhen nga ujërat e padukshëm nën tokë e jo nga liqenet që duken. Por diç më pengon. Ndoshta duhma që vjen nga një grup i palarë prej kohësh që kalon atypari, duke goditur një daulle të vjetër, dum dum dum... daullja dhe ata duan diçka, e cila s’merret vesh në atë am-bi-gui-tet ëndrre. Si dhe një mesogrua, me diçka hedhur krahëve që quhet “fësh-fëshe”, me diçka tjetër mbathur këmbëve të quajtur “sho-shone”, me shall militant njëngjyrësh, të gjitha sintetike, që po ushtron fytin për thirrjen heraldike: Ghandi, Ghandi, Ghandi... E si mund të thuash fjalën ethnos në atë mish mash! Ka fjalë, që si asin nën mëngë, ne i ruajmë nën gjuhë për raste të veçanta. Të bëjmë përshtypje. Një fjalë ndan një dynja. Thuaj dhe ti një fjalë të madhe, i thanë kandidatit për dhëndër, që e kishin porositur të mos fliste, në donte të mirr’ grua. Elefant, tha dhëndëri për mosditje të balenës. Demos dhe ethnos i kisha gati prej kohësh, si dhe titullin e librit që do më jepte një vend nderi në çdo tryeze debati innnntelennnnktual, “The dark side of Democracy”. Me pak karakter pikant nga Darth Veder dhe Pink Floyd. Imagjino, kur fjalia fillon me fjalët: “Siç thotë Michael Mann...”. Nc nc nc… Por më shkoi huq. Ato janë fjalë kumbuese, që kanë nevojë për qetësi nën kupola tunxhi, nuk harxhohen raketat ajër-ajër nëpër rrëmuja... Unë s’do harxhoj një raketë dymilion dollarëshe për t’ia ngulur një gamileje në prapanicë, tha Bushi. Kur e pyetën pse s’po gjuante ende.
- Ajo punë u nis nga Franca, - ia kthej me esnafllëk pazari gjithëditës. – Invadimi i Napoleonit.
Ndjesia që niveli i muhabetit nuk ra, megjithë mungesën e termit elitar etnokraci të sakrifikuar për arsye objektive, vërshen e ngrohtë dhe me shkumë si kapuçino. Më bën të lumtur. Sa pak do njeriu...
- Nga Franca vijnë gjithnjë të këqijat. Franca i ka gjithë fajet.
- Jo pse? Harrove gijotinën? Brixhit Bardonë?
- Ah… pardon. Nejse. Francezëve, xhanëm, mirë t’u bëhet. Po gjynah gjermanët ama... Kishin dorën e tyre të inteligjencies ata (tregon nga foltorja), për së mbari, .... e quanin: (ah mos....heshtje përgatitore... si sekonda-vit para ekzekutimit)... Bil-dungs-bür-ger-tum (medet... e tha fjalën e madhe....ah, ç’ma hodhi me këtë, mendoj vetëtimthi nën peshën e beftë të disavantazhit). Nga kozmopolitë liberalë për së mbari, tip Humboldti (bën një shenjë treguese nga vetja), kaluan në kombëtarizëm jakobin... (këtu nuk bën me gisht nga unë... por shton) të këtij (dhe tregon prapë nga tribuna, ku vendi i folësit vazhdon bosh). Do ca fara kungulli? – thotë befas me ton të afërt.
- Mirë, - i them, ndërsa hap vend për dikë që po përpiqej të thyente rekordin Guiness për mbajtje të topit të tenisit me këmbë pa rënë në tokë. Për nder të gjermanit. Befas turma u elektrizua dhe nisi të thërresë “Fihte”, “Fihte”. Përndezje e kotë. Ishte një teknik për mikrofonin. Topi i tenisit kërcen mbi truall fatalisht. Vate dhe rekordi i Guiness. Shans i humbur kombëtar. Oportunitet i shkuar dëm për njohje. Një hap i vogël për Gim Jankun, një kërcim gjigand në lëmìnë e kozmopolitizmës dhe kombëtarizmës bashkë.
Sidoqoftë, më bën përshtypje zhdërvjelltësia e tjetrit që bën filozofi gozhduese edhe në afërsi të Ver Llapës, i cili shfaqet nga asgjëja me emblemën e grupit “The Rollingstones”, atë me gjuhën nxjerrë përjashta. E pata zili Kozmanë (kështu e quajta me mend kozmopolitin). I shkonte për mrekulli filozofia. Detaji i farave të kungullit e afronte me apologjinë e Sokratit. Filozofët e xhiros së bulevardit Dëshmorët e Kombit qenkëshin një specie shumë kokëfortë ndaj çdo tiku evolucionar. Nuk kishin ndryshuar shumë në 20 vitet e fundit. Më hyn një duhmë filozofie, po bëj brrof, do them një gjë dhe unë se s’bën… të tjerët po bëjnë namin. Ty lopa nuk të ka bërë. Ti për bukë vetëm nuk e ke gojën, i them vetes. Edhe pa shkak fare, e kap për mënge atë botin dhe ç’nuk i këpus:
- Laje gojën kur flet për kombëtaristët ti! Ne jemi dukuri e re, e vonë, moderne. Ju jeni ëndër e vjetër në diell. Dava stoikësh e cinikësh. Ç’pret nga dikush që futet në fuçi sikur do bëhet turshi, aman? A? Qytet universaaaal... nc nc nc... lere lere, po ku i derdh ujërat e zeza ky qyteti universal, please, tell me... apo s’bëni nga ato gjëra ju... Unam Sanctam edhe aty? ... avash se do na thyhen brinjët së qeshuri.
Sa e dua veten kur flas. E adhuroj. Nuk ngopem. Çfarë zëri, ç’thellësi mendimi. Vazhdoj i inkurajuar nga heshtja e tjetrit që e perkthej natyrisht në kuptimin e parë, për dobësi: - Jo po Jus Naturaaaale... ha ha ha... Ku e ke, se nuk po e shoh gjëkundi hiç. De Civitate Dei... bythë, bythë, o non, do thoshte çuni i Nadire jevgës për këtë... imperium muuuundi, jo po imperjum mu… si tha paj Zotin, ai mësjë Monteskjeja juaj që i pëlqente klima e Francës vetem pse ishte franceze...po të dija tha, diçka të dobishme për atdheun tim që do paragjykonte Europën, ose diçka të dobishme për Europën që do paragjykonte mbarë njerëzimin, unë do e quaja si krim. Avash se na çudite, thuaji. S’po mbushemi dot me frymë. Na zu spazma. Jo po mirë që nuk vazhdoi me sistemin diellor. Me Kashtën e Kumtrit. S’e pat njohur Nastradinin ai? The “Larg Bythës Sime” theory? Domethënë “Away From My Ass Theory”, shkurt AFMAT. Apo nuk të duket paragjykim ndaj botës arabe ky.... relativist i…
Befas tjetri mu kthye me fytyrë të sendërgjuar. S’ishte me kozmopoliti. Ah, moj ëndër, të daltë një gjëndër! Tjetri foli latinisht. Kishte diçka nga gargoilat e Notrë Damës në fytyrën e tij të hirnosur. Tha: - Humana universitas est quoddam totum.
- Aaa, jo me Danten, jo me Danten, të lutem.
Tjetri kupton.
- Franca i ka gjithë fajet, - thotë. - Ajo banjë gjaku, prerje kokash, dalje kokash, tamam mitër e historisë. Ah Franca, Franca... pas asaj erdhen gjithë ato Risorgimento e Aufklärung. I ra goja Immanuelit për paqen e përjetshme. Kujt i thotë se? Mirë që motori perpetuum mobile qenka i pamundur, por paqa?
- Paqa është edhe më e pamundur, - i them. - Pastaj këta Kantët e tu mos na i bëj kaq melaqè e humbameno ti. Kush tha: “Negrit mund që bëhen të disiplinuar dhe të kulturuar, por kurrë të civilizuar”? A? Gjenial tjetri. I ndan gjërat. Ja shiko katunarët tanë. Çoji ku të duash. I ka caktuar kufinjtë te thana tjetri me vakt. Dang, në kokë gozhdës. Nuk ishte filozof i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që dhe pllakat gjithnjë të prishura i ka, nga zinxhirët e tankeve të paradës së fundit.
Dua të vazhdoj edhe më, por një grup me mbyt me këngën “Jam kaçaku i ferrës, të pres te pragu i derës”. Që s’paskesh qenë veçse prelud për një dorë të shpejtë domino. Sa të vijë Fihte... që i ardht mbas qafe.
Po kjo marksiste nga mbiu, them teksa shoh një gocë të re, në ti-shërtin e së cilës drapëri kishte rrezik të priste njerin gjoks, kurse mjekra e Engelsit po guduliste tjetrin. Asaj i prezantohem vetë i pari, merret vesh. Dhe kuptohet, i them që jam kozmopolit. Kam dëgjuar që kjo është një plus me femrat. E ndërroj fenë. Tak-fak. Kushtrimi i të parëve. Vazhdimësi e species. Të recitoj një vjershë? (në mend kam Internacionalen që e godet me brryla pasaporta sovjetike e Majakovskit). Të këndoj një këngë? (në mend kam “A working class hero is something to be”, që kurrë nuk e përkthva dot mbarazi). Eh, ç’bëjnë simbolet ideologjike kur shkruhen mbi kodra.... gjinjsh. Ju kujtohen ato parrullat me gurë qëmoti? Ato gërmat mbi Shpirag? ... und Mitwoch und Donnerstag! Kjo është edhe gjermanisht, edhe rimon. Bën lidhje të fortë mes Shpiragut dhe të Enjtes. Paraprirëse e të Premtes, tomorrow, Tomor... e sa të thella janë ca gjëra. Ç’u bë ajo akademia, t’ia trondisja themelet me këtë thagmën e fundit… Donnerstag i bie dita e gjëmimeve. Donnerwetter! Si s’po vjen gjermani që gjemon! Me makina të mëdha. Ah gjerman, a gjerman... degjoj në tjetër kontekst, domethënë si nuk i vrave të gjithë ata që s’i duam sot gjatë luftës së dytë botërore. Të binim rahat. Internacionale do jetë bota e re, thotë militantja e bukur. Sa bukur flasin gocat e bukura, sa të drejtë kanë! Po, i them me shikim te Engelsi, të dyja hemisferat.
- Por kjo nuk është e njëjtë me globalizmin, - shpejton të sqarojë ajo. Zëri i saj ka diçka luftarake si nga Amerika latine. Ata gjinjtë me duken tani si dy bomba ilegale. Gati t’u dalë tym si gjoks fembotësh. Sytjenat e çelikta. Trupi i saj si fushë e minuar me teza të pakundërshtueshme. Oh, behave, baby.... – Globalizimi është në fakt amerikanizim, ose Perëndimorizim, - thotë. - Ç’ka është katërcipërisht e kundërta e Lindorizimit!
Behaaave! Pendohem për qasjen time kozmopolite. Vajza i merr shumë seriozisht të katër pikat e horizontit. Demoskeptik do kish qenë ku e ku më mirë, mendoj. Tepër vonë. Zot, pse s’i bëre të gjitha komunistet si Klara Cetkin, të kishim mbledhur mendjen!
- Lindja është e kuqe, - ia mbys kot, pasi as Engelsin nuk e kap dot, pale më Fidelin më poshtë që as mund të mendohet.
- Po, - thotë vajza, - por kush dëgjon se! U është bërë koka perëndim mirë, lindje keq. Francezët i marrin italianët si më pak europianë, pra më të keqinj, pastaj italianët sllovenët, sllovenët kroatët, kroatët serbët, serbët shqiptarët, shqiptarët turqit…
- Eh, u bë me keq se gradienti DeltaF508 i fibriozës cistike – them në përpjekien e fundit të dëshpëruar për t’u bërë interesant. Ç’nuk bën njeriu për pak të uruar vëmendje.
Marksistja nuk ma var. Shkon te ca fëmijë romë, njeri nga të cilët thotë vazhdimisht: Mister Gringo, my father he ain’t no Che Guevara….
Mbetem vetëm. Farat e kungullit kanë mbaruar. Pa praninë e dikujt tjetër nuk kam nevojë të hiqem as kozmopolit, as kombëtarist. Se skajet bashkohen dhe ai bashkim të shtrëngon si nofullat e një morsete. Kozmopolitizmi i paqes së përjetshme, Imagine i Lennonit, qyteti i botës nuk do bëheshin mendim pa veprimin e Aleksandrit të madh me origjinë ashtu... ose pa idenë imperiale të Romes me ca perandorë ilirë shkartisur nëpër të; kozmopolitanizmi është (bërë) koraca e hekurt ideologjike për sundimin botëror; dhe është aq ndryshe nga kombëtarizmi, saç janë të ndryshëm një perandor me një princ lokal.
Fihte s’po vjen. Daullet e grupit me erë përç janë venitur. Ca metra më tutje një grup që duket se do këndonte pas mitingut, e nis që tani: O halldup shallavergjerë, në ta zënça dot guberrë, do ta bëj si tjetër herë...
Iki. Gjermani nuk do vijë me sa duket. Nuk ka Fihte për këtë miting. Nuk ka Fihte për këtë popull. Kur jam larguar shumë, vjen një oshëtimë. E ngjashme me koncertin e parë perëndimor në stadiumin lindor Qemal Stafa, atë me Albanon. Një fjali e sjell era si pendë zogu në fluturim: “Kufijntë e parë të shteteve janë pa dyshim kufinjtë e shpirtit…..Vetëm kur çdo popull vetiu zhvillohet dhe formohet sipas cilësive të veta të veçanta, dhe vetëm kur në çdo popull, çdo individ zhvillohet sipas atyre cilësive të përbashkëta….”
Është era, besoj. Ai nuk ka ardhur. Pastaj, ai nuk do lexonte të njëjtin fjalim…
Binte ndërkaq një shi global. Shi ëndëre. Nga një rè e përbotshme. Që futej individualisht në çdo këpucë të çarë.

15 Komente

"du koentest dich unendlich schuetteln untem solch hoenischem laecheln, machtloss etwas dagegen zu tun..."

This one is hilarious, em!

 

Emo, me shkrive vertet sepse ke perdorur nje humor shume te holle (subtle). Kjo ishte si nje "gezuar vitin e ri me Fihte" smiley

 

Çer dreq ëndërrash shikon edhe ti... Po si or burrë i shikon të gjitha që prej 2000 vjetësh e këtej dhe lë pa përmëndur... për kënaqësinë e kamionistave... të famshmet Ifa?! smiley

Grande Çimo!
Sinqerisht që të adhuroj, jo vetëm për aftësinë tënde të lindur që të fusësh 1001 histori dhe shprehje (që as do t'i shkonte ndërmënd njeriu se mund të gjëndeshin në një shkrim të vetëm, sepse me çdonjërën prej tyre të tjerët do kishin bërë romane smiley ), por edhe për tempizmin e shkrimit... siç duket ca guriçka i hoqe më parë se të të prishnin gjumin pe vërteti smiley

 

Kjo eshte e shkelqyer! Nuk ben keq ta perkthesh.

ne fakt ke bere nje poetic summary te te gjitha diskutimeve ketu, keto javet e fundit. Ketu te kuptoj plotesisht. Skajet perputhen. D'accord totalisht.

Mbyllja eshte perle.

Binte ndërkaq një shi global. Shi ëndëre. Nga një rè e përbotshme. Që futej individualisht në çdo këpucë të çarë.

 

Detajet aq te ngjeshura e aq funksionale saqe nuk i gjen kund tjeter. Po skalit nje stil krejt tendin ne proze. Love it.

Fjala kufinj eshte shkruar gabim. duhet Kufij.

Mbase duhet nxjerre tek Letersia, ose tek Kryesoret, nuk ka pse zhduket shpejt nga ardhjet sasiore te blogjeve.

te pershendes o great writer! smiley

 

shkrim i lezetshem. duhet te pranoj se plot prej emrave nuk i njoh, po edhe shkrimi prandaj ishte shkruar, per tu kuptuar edhe nga ata qe nuk i njohin emrat, dhe per te qeshur ata qe i njohin emrat. me sa duket pak edhe per te menduar. edhe une jam i fiksuar pas kesaj te nderrimit te emrave e feve sipas qejfit te ne shqiptareve. ca me bo. na ka ra per hise. por ndoshta asht mire se ka material edhe per qosen e kadarene e per shmidt eper te gjithe qe duan te perfaqesojne nje teori. dmth na bjen me kane komb i gjitheidealshem e globtarist. edhe ne gjokset tona kan vend me u vu krejt mjekrat e botes, jena komb mikprites vlla.

qe besa, lavoro ben fatto.

Hmm, unë do bëj të paditurin, por për këto shkrimet e emigrantit më duket se duhet të kesh një doktoraturë në filozofi, plus të dish nja katër a pesë gjuhë të huaja. Unë për vete u bëra telef, aq sa kur mbaroj dy tre fjali (se paragrafe s'ka), dhe pasi kam shfletuar nja katër a pesë faqe të Wikipedias, kam harruar ç'u tha më sipër.

Më ndihmo Dennis Miller!!!

Dor, kjo është prova që shkollat sot nuk ju japin shumë smiley ... edhe një me bujqsore t'mbarume natën i ka dëgjuar 90% të atyre që përmënden në artikull smiley

Ha,ha,ha Emo! Te paska plas buza, te paska plas. smiley Nuk e dija qe shkrushe edhe keshtu. Por une prape kozmopolit ngelem, megjithe ate gocen me draper.

Figuracioni dhe humori klas fare. Rrofte Donika Kastrioti!

Himmelherrgot! Der Kerl meint: man wird glauben, er sei ein wirklicher idiot...

 

Ti Cim e ke shkrujt ket ????

Se dija qe paske pas qene kaq i hidhet o burre. Une te preferoj te embel, poetik, te avashte, pak ashik smiley sic je zakonisht.

Po kjo, ufff, bobobobo eshte sikur e ke zbraz gjithe karikatorin smiley

Me duket se ky eshte zgjerimi i detajuar i atij urimit tend per vitin e ri, ku sle njeri pa permend. Dhe ketu me duket se i shuplakose te gjithe apo e kam gabim ?  smiley  smiley 

Tejet i integruar shkrimi smiley Asnje vrime per te marre ajer si ke lene smiley I ka te gjitha brenda.

Ky eshte nje Dimension i ri i yti, qe u paska dashur vec ngacmimi i duhur qe te shfaqet.

Shtjellim perfekt, merr noten 5 !!! pa hater ! smiley

A duhej ta kishe shkrujt ti kete ??? Ndoshta PO, ndoshta ke bere mire qe e ke shkrujt.  M'pelqen guximi yt ! 

Vetem se nuk dua qe te kthehet ne beteje inatesh. Kam pa ca gjera te palezetshme ne temat ku Whisperi gjithashtu zbrazte pisqollen (jo karikatorin si ti smiley )

 Dhe, JO, ky shkrim nuk eshte per tek Letersia, ky zor se gjen kategori ke peshku per tu futur rehat smiley Mbase duhet lene nje kuadrat i rrethum me flake ne cep te peshkut, ku eshte tema HOT dhe battlefield i momentit smiley Une propozoj nje seksion te tille. Kush eshte me mua, te ngreje doren smiley 

smiley

 

Falemnderit qe e lexuat dhe per komentet!

Njishtas..... "Ah, qenke antimitings "? smiley Dyshtas...." Oktametri labe, kush je ti e kush jam unë " smiley Treshtas ...."""Do ca fara kungulli """? smiley Katershtas ..."""Ç’nuk bën njeriu për pak të uruar vëmendje""". smiley...me pak fjale meriton titullin Doktor i Peshkut ne ritualin Peshkor te debatit (me frymzim alidems) KUSH je ti mer JAHU ? Si gjithnje i bukur por duke i shtuar edhe konstatimin EDRUSIAN. """siç duket ca guriçka i hoqe më parë se të të prishnin gjumin pe vërteti""" duket se e kalova klasen e PLOTE per te qene nje Shkrimtar! Mo ma merr per murrje po ky eshte konstatimi im!

Emo djali te paçim.na duhet ky lloj humori!

Nuk i bie dot gjate. e kam lexuar dy here, nisur nga deshira te them dicka.

Ruan elegancen e poezise. Mjetet me te cilat e perciell "ngjarjen" jane vertete  mjete qe vetem nje mjeshter di t'i zgjedhe.

Emigrant, ti nuk komentohesh... pelqehesh ose nuk pelqehesh.

kjo e fundit ndodh shume rralle, nese ndodh.

Urime!!!

wow! Dhe për pak do më kishte shpëtuar pa e lexuar këtë. Fckng A.

Gjeniale! Dhe nuk është superlativë. Duam më shumë si kjo.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).