Kriza, koha më e mirë per reforma!

Kriza, koha më e mirë per reforma!

Endrit Kromidha

Sa herë e njëjta parti rivjen në pushtet, ndjenja e përgjithshme është që gjërat pak a shumë do vazhdojnë në të njëjtën rrugë. Kjo nuk do përbënte asnjë problem nëse vendi do ishte në një periudhë lulëzimi e jo duke vuajtur nga kriza që për hir të së vërtetës ka përfshirë gjithë botën. Edhe para fillimit të saj, qeveria është përballur me një sërë problemesh të vështira si infrastruktura, sistemi mjekësor, korrupsioni dhe sistemi ligjor, edukimi, siguria kombëtare e të tjera.

Me hyrjen në krizë, këtyre problemeve vetëm u janë shtuar edhe disa të tjera që lidhen me deficitin buxhetor dhe tregtar, uljen e të ardhurave nga jashtë, shtimin e ekonomisë informale, lëvizje e pakontrolluar e tregjeve financiare dhe atyre te burimeve natyrore.

Këto probleme që në ekonomitë e vendeve të zhvilluara kanë vënë në pikëpyetje madje edhe vetë efektivitetin e kapitalizmit si sistem ekonomik, në vendet në zhvillim si Shqipëria por edhe në mjaft vende të tjera të ngjashme, shpesh fshihen pas tymnajës së mosinformimit me shpresë se do kalojnë e do zgjidhen vetë pa u vënë re.

Nuk ka rëndësi roli që qeveria mund të ketë patur në krijimin ose lejimin e krizës, por roli që ajo duhet të luajë për kalimin e saj me sa me pak pasoja. Niveli i reformave që mund të ndërmerren mund të jetë shumë i ndryshëm, por sidoqoftë edhe për ekonomi “jo aq të prekura nga kriza” siç dëgjohet nganjëherë në lidhje me Shqipërinë, ekziston një konsensus unanim që patjetër diçka duhet te ndryshojë. Përndryshe fjala “Ndryshim” nuk do ishte lajtmotivi më i famshëm i zgjedhjeve që lamë pas.

Rastësia apo tersi e solli që pikërisht në këtë periudhë të vështirë krize botërore Shqipëria të kishte si prioritet zgjedhjet. Matematikat e stërholluara të fushatës në lidhje me një proces akoma më të stërholluar votimi, numërimi e qeverisjeje vazhdojnë akoma nëpër plazhet ku shumë politikanë pushtetarë, opozitarë ose në detyrë kanë transferuar karriget e tyre të punës.

Nga ana tjetër populli ka kohë që po përballet me hollimin e portofolit, lehtësimin e çantave të pazarit e vështirësi të tjera siç ka ndodhur edhe në çdo vend tjetër të botës për shkak të krizës. Kjo dihej dhe pritej, madje nuk habit askënd. Ajo që frikëson më tepër njerëzit është fakti që çdo institucion qendror ose lokal për shkak të zgjedhjeve dhe pushimeve (ose me saktë frikës së lëvizjes së karrigeve), në vend që të rriste efiçensës dhe kapacitetet, i ka ulur ato. A qenka vallë kjo mënyra më e mirë për të mbajtur karrigen nga një nëpunësi civil: te presë sa të vijnë urdhrat e rinj (bashkë me shefat e rinj) pa bërë asgjë? A nuk ka vallë më njerëz në këtë vend që akoma shpresojnë të mbajnë një vend pune ose të zënë një vend pune thjesht se e meritojnë atë, në bazë të kualifikimeve të tyre?

Rëndom një qeveri mendon që reformat nuk mund të bëhen në kohë krizash, por duhet pritur sa të kalojnë ato. Ndërkohë, po të shikojmë bizneset, periudhat e krizave janë më produktivet për sa i përket inovacionit, shpikjeve, ndryshimeve, ristrukturimeve, riorganizimeve. Janë pikërisht këto masa që bizneset marrin, që automatikisht sjellin edhe daljen nga kriza. Pse vallë atëherë një përqasje e tillë qenka kaq e vështirë për institucionet publike?

Koha për reforma është tani, pikërisht sepse tani vendi ynë ashtu si e gjithë bota është në krizë. Ne madje jemi edhe më me fat se bota, pasi sapo kemi reformuar parlamentin dhe së shpejti do kemi mundësi të shohim edhe një qeveri dhe opozitë të reformuar. Pra skena e teatrit është e re, mjaftë aktorë janë të rinj dhe e vetmja gjë ky popull pret me padurim ta shohë është të luhet një pjesë e re (se atë të vjetrën e di se sa funksionon).

Përtej matematikave politiko-klanore që mbeten në dorë të atyre pak njerëzve që paguhen dhe janë zgjedhur për këtë, mbetet edhe një administratë gjigante shtetërore me njerëz që paguhen për të kryer punë dhe detyra specifike, e cila duhet të fillojë të përdoret në mënyrë efikase.

Dalja nga kriza është një nevojë, jo zgjedhje. Rritja e rolit të shtetit për këtë qëllim rrit edhe detyrimet e tij ndaj qytetarëve. Është përtej qëllimit të kësaj analize bërja e politikave. Sidoqoftë mund të fillohet me rritjen e efiçencës së institucioneve publike duke rritur njëkohësisht cilësinë e shërbimeve. Nënkuptohet këtu së pari bërja e një analize të thjeshtë se sa i kryen detyrat që mbart pozicioni i tij një nëpunës civil, shoqëruar kjo me masa penalizuese ose nxitëse.

Kjo krizë ekonomike është një mundësi shumë e mirë për t’u humbur për Shqipërinë. Mund të tingëllojë si të riparosh një anije në det me shtrëngatë, por nganjëherë kjo është e vetmja alternativë. Reformat nuk janë thjesht masa a fushata pushimesh a riemërimesh nga puna. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për rrugë e parqe energjetike, megjithëse pa diskutim, këto janë shumë të rëndësishme. Reformat më tepër nënkuptojnë ndryshim në themel të mënyrës së funksionimit, strukturave dhe organizimit të institucioneve në një nivel të ri për daljen nga kriza. Është tani momenti kur njerëzit po përballen me mjaft vështirësi, është tani kur ata kanë nevojë për reforma dhe janë gati t’i pranojnë ato, sado të guximshme të jenë, nëse kjo do ndihmojnë për daljen nga kriza dhe për të dhënë një shpresë të re.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).