Kriza botërore dhe indiferenca shqiptare

Më bën shumë përshtypje se sa pak flitet në Shqipëri për krizën botërore ekonomike dhe se sa cekët mbi të gjitha. Sigurisht kur bëj një pohim të tillë kam një pikë krahasimi: atë se sa dhe si flitet në Perëndim dhe jo vetëm, por edhe në Azi e gjetkë. Atje flitet përditë, për çdo orë madje. Lajmet hapen e mbyllen me njoftime dhe të dhëna rreth krizës. Debatet televizive dhe nëpër mediat e shkruara e kanë krizën temë të përherëshme. Kurse ne flasim ndonjë herë sa për të kaluar rradhën dhe më shumë për të tjerët sesa për veten tonë.
Besoj se një nga shkaqet kryesore të indiferencës sonë qëndron në faktin se na mungojnë instrumentat për të matur atë që të tjerët e quajnë “krizë” dhe në përgjithësi na mungon një sistem imuniteti që, me reagimin e tij, tregon shkallën e rëndësisë së sëmundjes. Kriza sot matet me përqindjet e humbjeve në bursë, me përqindjet e rritjes së papunësisë, me shkallën e falimentimeve të ndërmarrjeve, me shkallën e rënies së fuqisë blerëse, të eksportit e me rradhë. Për të gjitha këto ne nuk kemi tregues seriozë dhe të saktë. Jemi pra si ato makinat primitive mbarëvajtja e motorrit të të cilave matet me vesh dhe që vetëm kur ndalon motorri apo shpërthen flaka mbi kofano ndalemi ta hapim e të shohim se ç’po ndodh. Dhe sa për zhurmat e dëgjuara me veshë ato janë shumë subjektive. Interpretohen si të duash. Për mazhornacën motorri po punon si sahat, kriza thuajse nuk ekziston në vendin tonë, është thjesht një produkt i mediave të lidhura me opozitën. Ndërkaq, për opozitën, motorri është gjithë zhurma që lidhen kryesisht me paaftësinë e shoferit Berisha.
Në fakt kriza është diçka që e tejkalon aktualitetin, që i ka rrënjët më thellë sesa një apo dy mandate elektorale dhe që besoj se do t’i kapërcejë, në impaktin e saj, edhe dy tre mandate të ardhshme elektorale.
Kriza në vendin tonë ka dy aspekte ndër të cilët ndërsa njëri, gjithsesi, trajtohet, tjetri thuasje nuk është pjesë e debatit.
Aspekti i parë është ai ”simptomatik” do të quaja: që merret me format e shfaqjes së krizës dhe që e trajton atë si një emergjencë, si nevojë marrjeje masash për të parandaluar rënien e mëtejshme të nivelit të jetesës së njerëzve, falimentimin e bankave, të sipërmarrjeve e me rradhë.
Në këtë aspekt sot në Shqipëri flitet deri diku. Theksohet psh. fakti se kriza ka ulur (dhe sipas gjasave do të ulë edhe më tej) të ardhurat e emigrantëve, të cilat janë një burim i rëndësishëm për ekonominë tonë. Në emisionin “Zonë e Ndaluar” të Bushatit pamë se një industri jo e vogël, ajo e fasonerisë së veshmbathjes, është në falimentim sepse tregu botëror, për të cilin ajo punon, është tkurrur. Thuhet se është ulur gjithashtu edhe eksporti i minierave. Në përgjithësi vështirë të thuash se çfarë eksporton Shqipëria dhe se sa ky eksport është vital për vendin. Ne jemi një vend që, sipas shifrash të disa viteve më parë, importojmë pesë herë më shumë nga sa eksportojmë kështu që kriza, nga pikpamja ekonomike, tek ne duket se lidhet kryesisht me uljen e aftësisë blerëse të shqiptarëve për shkak të pakësimit të të ardhurave të emigrantëve. Këtu, megjithatë, nuk mund të mos hapësh parantezën që ngrihet në formën e pikëpyetjes se sa janë të ardhurat që vijnë nga kriminaliteti i organzuar, trafiqet e drogës dhe prostitucionit kryesisht, që përsëri, sipas të dhënash të paverifikueshme, kapin shifra të larta dhe se si reagon kjo lloj ekonomie në rast krize. (Sipas specialistëve në rast krize, që shoqërohet me falimentime dhe ulje çmimesh të pasurive imobiliare, mafia, që zotëron likuiditete, shtrin edhe më tentakulat e saj duke blerë.)
Por aspekti më i dukshëm i krizës ekonomike tek ne duket se lidhet me industrinë e ndërtimit që ka qenë baza e të ashtuquajturës rritje ekonomike të vendit dhe po ashtu baza e shpërndarjes së parasë në shtresat e ndryshme të popullsisë. Është thënë se ndër 2000 sipërmarrje ndërtimi 600 vitin e kaluar nuk kanë bërë asnjë punë, - praktiksht mund të quhen të falimentuara - se ka mbi 4000 apartamente pa u shitur, por nuk jepen të dhëna se sa apartamente dhe shtëpi private janë pa mbarur së ndërtuari. As se sa borxhe janë marrë nga bankat për mbarimin e tyre dhe nëse janë paguar ato. Duke patur parasysh se industria e ndërtimit ka mbajtur në vend edhe tregëtinë e të ashtuquajturve materiale ndërtimi merret me mend se niveli i papunësisë që ka krijuar rënia e saj duhet të jetë shumë i madh. Shkaku i rrënimit të kësaj industrie, sipas mendimit tim, është i brendshëm para së gjithash sepse kemi të bëjmë me investim të gabuar, pa strategji, por pa dyshim është edhe rezultat i tërë aspekteve të tjera të krizës.
Ne nuk dimë gjithashtu se sa është investimi i huaj në Shqipëri; me fjalë të tjera se sa janë paratë që bankat perëndimore kanë investuar në vend në formë kredish dhe si është sot gjendja e tyre. Nuk dimë se sa janë borxhet e shtetit tonë gjithashtu që nesër mund të na çojnë në një inflacion shkatërrimtar. Në një shkrim të botuar kohët e fundit në shtypin e huaj, ku përmendej edhe Shqipëria, vihej në dukje se Austria kishte probleme të mëdha ekonomike pasi, me falimentimin e ekonomisë së Hungarisë dhe Çekisë, ku kanë investuar bankat austriake, ai vend do të ketë vështirësi serioze. Përgjithësisht sot po flitet për një falimentim të ekonomive të vendeve të Lindjes me pasoja të paparashkiueshme.
Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera, paçka se nuk duam ta shohim atë. Për të gjitha këto tek ne flitet shumë pak dhe pa transparencën e duhur/detyrueshme. Tek ne shifrat e besueshme mungojnë sepse ne notojmë në informalitet, por edhe pse forcat politike nuk kanë interes të flasin, por lidhur kjo ngushtësisht edhe me faktin se mjetet e informimit kontrollohen pikërisht nga ata që mund të jenë shkakatarët kryesorë të krizës: biznes - politika. Përshtypja ime është se tek ne do të mund të flitet për krizë vetëm nëse do të vijë momenti kur shteti nuk do të ketë likuiditete për të paguar rrogat dhe kur bankat të mos kthejnë më klietëve të hollat. Por kjo nuk quhet krizë: ky quhet kolaps dhe pas kolapsit vjen më e keqja e mundëshme.
* * *
Por aspekti i krizës për të cilin nuk flitet thuajse fare është ai që ka të bëjë me shkaqet e saj më të thella dhe për eliminimin e tyre. Kudo në botë flitet për sistemin që ka përftuar këtë krizë dhe nevojën e rimendimit mbi të. Po qarkullon nëpër internet edhe një thënie e Marksit e vitit 1867 që jepet si profetike. Marksi shkruante më 1867 se do të vijë një ditë kur: “Pronarët e kapitalit do t’a stimulojnë klasën puntore të blejë gjithnjë e më shumë të mira materiale të shtrenjta, shtëpi dhe teknologji duke i shtytur njerëzit të marrin kredi gjithnjë e më të mëdha, derisa borxhet do të bëhen të papërballueshme. Borxhet e papaguara do të çojnë në falimentim bankash të cilat do të nacionalizohen dhe Shtetit do t’i duhet, atëhere, të marrë atë rrugë që mund të çojë në komunizëm”
Kjo thënie e Marksit pa dyshim përmban një pjesë të së vërtetës së analizës së sistemit edhe sot. Thelbi i shkaqeve të krizës qëndron tek sistemi i ngritur mbi kultin e tregut si regullues i vetëm, mbi kultin e privates, të përfitimit të individit në kushtet e derregullimit të paraqitur si ideologji fitimtare, çka e ka shpërndërruar individin në një klient që kuptimin e jetës e gjen vetëm tek blerja e të mirave materiale që vjen e bëhet gjithnjë e më spekulative. Ajo çka profetizon si rrugëdalje Marksi ka ndodhur herë tjetër në të vërtetë në Perëndim jo në formën e komunizmit, por në formën e forcimit të shtetit social që ka ditur të harmonizojë interesat e individëve dhe sipërmarrjen e tyre të lirë me interesin e tërë shoqërisë. Në SHBA në kohën e Depresionit të Madh kejnesianizmi bazohej në ndërhyrjen e fuqishme të shtetit nëpërmjet investimeve publike. Në përgjithësi reagimi mbrojtës ndaj krizës ka qenë forcimi i rolit të shtetit: (pa harruar se në Evropë forcimi i rolit të shtetit në kohën e Depresionit të Madh prodhoi nazizmin dhe fashizmin).
Habermasi kur flet për shtetin social thotë se ai vjen pas kapitalizmit të egër. Kjo që po ndodh sot është pa dyshim edhe pasojë e rrënimit të shteteve sociale nacionale për shkat të globalizimit. Jo më kot disa e quajnë këtë krizën e parë të madhe të globalizimit që do të imponojë, ndoshta, shtetin social global.
Edgar Morin, duke folur së fundi për krizën thoshte: "Po na shfaqet rasti ta rimendojmë qytetërimin tonë përpara se të jetë shumë vonë. Për shumë kohë kemi besuar se zhvillimi ekonomik dhe teknologjik do të ishte lokomotiva e demokracisë dhe e mirëqënies. Sot duhet të ndryshojmë hegjemoninë e sasisë në favor të cilësisë, të të mirave jomateriale të tilla si dashuria dhe lumturia"
Po ashtu janë gjithnjë e më të shumtë zërat që shtrojnë çështjen se problemi i kësaj krize duhet përballuar si një i tërë dhe jo si çështje emergjencash të izoluara. Denoncohet fakti se njeriu u mësua të mendojë me zona të ndara, sipas specializimeve të ndryshme duke i munguar një metodë për të lidhur njohjet e ndryshme. Sot po ngulmohet se nuk mundet psh. të ndahen reformat ekonomike që duhet të ndërmerren për daljen nga kriza nga ato shoqërore. Morin parashikon lindjen e utopive të vogla të reja të tilla si mikrokredia, telelavoro, ikja nga metropolet "çnjerëzore" drejt fshatit, rritja e bujqësisë biologjike, kujdesi për të vjetrit. Me një fjalë kthimin tek etika. Kultura materialiste thotë sociologu do të ketë një perëndim të pandalshëm. Do të duhen ende vite, ndoshta dhjetëra, për këtë, por herët ose vonë do të zëvendësohet nga kultura e imateriales. "Është edhe e vetmja mënyrë që na mbetet për t’u mundësuar të gjithëve të jetojnë në të njëjtën tokë. Po bëjmë betejën më të vështirë: atë të mbijetesës së njerëzimit tonë."
Po Shqipëria si ka mundësi që as e ve ujin në zjarr mbi tërë këto aspekte? Si shpjegohet që tek ne po ndiqet e gjithë kjo histori dhe pasojat e saj jo sikur të bëhet fjalë për fatet e jetës sonë dhe të fëmijëve tanë, por sikur të jemi duke parë një film të Hollivudit nga ata me katastrofa? Pse na mungon krejtësisht vetëdia e asaj që Friedrich Holderlin do ta formulonte me frazën e njohur: "atje ku rritet rreziku atje rritet edhe shpetimi"? (Obama nuk do të ishte zgjedhur sikur të mos ishte kriza ekonomike dhe kriza në Irak). Shpjegimi besoj se lidhet kryesisht me zhytjen e shoqërisë në një padituri mjerane nga ana e një elite politike e intelektuale krejtësisht e paaftë dhe meskine të cilës kjo padituri i shërben për të mbajtur pushtetin. Ne na mungon ndjenja e rrezikut sepse ata që duhet të jenë sensorët tanë kryesorë janë të zënë me punët e tyre meskine të pushtetit, korrupsionit e pasurimit personal pa çarë kokën për të tjerët. Përpara gjithë kësaj beteje botërore shqiptarët duken dramatikisht indiferentë dhe kundër rryme. Ka një mungesë të hatashme të reflektimit për sistemin e derregullimit të ngritur në Shqipëri me ndihmën e një korrupsioni shkatërrimtar. Kryeministri ynë flet sikur Shqipëria të ketë bërë zgjedhjen më të mirë në më të mirën e botëve duke na dhënë me gëzim lamet e shitjeve të pasurive të tjera të shqiptarëve. Ai mburr privatizimet pa u merakosur për hendekun që po thellon midis një grushti të pasurish dhe shumicës që nesër, në mungesë të të ardhurave të emigrantëve, nuk dihet se ku do të përplasen. Opozita duket thjeshtë e merakosur se si të marrë nesër pushtetin për të zgjidhur problemet e klientelës sës saj, pa u merakosur për nevojnë që ka vendi për të rimenduar tërësisht sistemin që kështu nuk mund të funksionojë. Në këto kushte nuk të mbetet tjetër veçse të thuash: Zoti na shpëtoftë! (Korrieri, 14 mars 2009)

19 Komente

Sa pesimist Lubonja!
Nuk e kam fjalën për gjithçka shkruan në artikull, sepse është një nga artikujt ku me të vërtetë ka prekur një shqetësim real, por për fjalinë e tij në fund të shkrimit... Po t'i mbështesë edhe ky shpresat tek zoti, ç'shpresa mund të kenë të tjerët?

Nuk them që zgjidhja është ajo grekja (që mediat shqiptare e kanë injoruar atë ç'ka bëhet ditët e fundit atje), por gjithsesi një rrugëzgjidhje duhet edhe të guxonte që ta propozonte Lubonja.

 

P.s: E adhuroj Xixën kur shkruan artikujt e tij, sepse nëse në një artikull të Xixës do të shikohej fraza: "Marksi shkruante më 1867...." ai do ta shoqëronte me një yll duke dhënë spjegimet në fund të artikullit se ku dreqin e ka parë një afermim të tillë.

Une nuk e kuptoj dot se nga e ka nxjerre Lubonja kete lloj konkluzioni:

(Obama nuk do të ishte zgjedhur sikur të mos ishte kriza ekonomike dhe kriza në Irak).

????????????????

Keto citime sipas qejfit nuk te bejne dot filozof. Lubonjes i rekomandoj te lexoj shkrimet e Marksit ne fund te viteve te jetes, pasi i kaloi entuziazmi nga revolucioni francez dhe jehona qe pati. Marksi pranoi qe komunizmi eshte ideologjia dhe je forma e organizimit.

Me vjen keq qe Lubonja mundohet te analizoje nje gje per te cilen nuk eshte ekspert.

Sa per Shqiperine dhe krizen, i kemi thene e sterthene ketu pse Shqiperia nuk po e ndjen ne ate forme dhe histeri qe ka kapur vendet qe permendet. Sjell shembull Azine, sigurisht Asian tigers e kane ekonomine te ndervarur me cfare ndodh ne amerike. Po faktin qe Kina e pranon qe po kalon krize dhe thote prape rritja ekonomike do jete ne 5-6%, kur vete Kina ka dhene stimulus package second to the US.

Renia e te ardhurave nga emigrantet gets written off nga FDI dhe vende pune qe hapen. Nga gjithe raportet boterore si te FMN, te bankave ne rajon, te economic research centers jane dy gjera qe theksojne si avantazhe te shqiperise: strong public investments and insignificant drop in exports, te cilat jane dy kollonat kryesore.

Dhe biles e rendisin si ekonomine me te shendoshe ne rajon. Te tjeret do te ishin te lumtur te kishin parametrat ekonomik te shqiperise. 

 

 

 

Te tjeret do te ishin te lumtur te kishin parametrat ekonomik te shqiperise. 

 smiley)  qe vdeksha une e ti bashke per parametrat ekonomike te shqiperise ! po shqiperia s'ka ekonomi (s'ka burse... ), si te kete parametra ?? smiley)

Po me, stalker po, se bursa i nxorri ne drite ata qe humben triliardat, Laughingehe....... ata qe kishin burse i shkun parametrat si m* shaleve!!!!!!!Laughing

Kur thashe te lumtur, po, ktu ke te drejte, m'ke kap, s'kam ca t'them, si i futa i perkthim ne shqip menimit qe kisha n'koke. Po nuk isha tu e lodh trunin gjat me e shpjegu, se fillo del neser si artikull ne gazete. ajt shtnet tani.....Laughing 

Koth, abuzohet shume me financen islamike por ajo s'eshte gje tjeter veçse finance qe respekton disa rregulla me shume sesa financa e quajtur konvencionale. 

Financuesi ose investirori islamik do te sigurohet se nuk po financon ose nuk po investon ne industrine e alkolit ose te perpunimit te mishit te derrit psh. Gjithashtu ai do te sigurohet se struktura e financimit ose investimit nuk parashikon pagim interesash. Kete rregullin e fundit, kisha katolike e ka pasur te vetin ketu e disa shekuj me pare, keshtu qe ajo qe ben Vatikani eshte kthim ne origjine. 

Lejimi i finances islamike (ç'ka per te ndaluar?) eshte me shume publicitet ne adrese te te pasurve te vendeve arabe dhe asgje tjeter. Keta te fundit po investuan me rregullat e finances islamike e kane ndergjegjen me te qete smiley

artikulli ka disa gjera interesante (si ato qe thoshte Qafiri ne fillim te krizes, por me bukur smiley&nbspsmiley, vetem se eshte artikull per rolet e shtetit social dhe atij kapitalist. Nuk eshte artikull per Shqiperine. Te vetmen gje qe ka ne lidhje me Shqiperine eshte titulli dhe fjalia e fundit qe nuk merret vesh nga doli.

Une nuk vazhdova pertej frazes:

Në fakt kriza është diçka që e tejkalon aktualitetin, që i ka rrënjët më thellë sesa një apo dy mandate elektorale dhe që besoj se do t’i kapërcejë, në impaktin e saj, edhe dy tre mandate të ardhshme elektorale.

dmth. pak a shume 12 vjet, apo jo? 12 vjet?!! 12 vjet te gjate! Te gjithe institucionet thone se permiresimet e para do te nisin ne 2010, kurse z. Lubonja me profesion sociolog? historian? analist? dicka?, parashikon 12 vjet krize. Hajde mendje, hajde.

Perse te gjithe ne Shqiperi e ndjejne te nevojshme te thojne dicka mbi cdo lloj tematike edhe atehere kur nuk ja kane idene fare?

 

Po Shqipëria si ka mundësi që as e ve ujin në zjarr mbi tërë këto aspekte?

Aman dhe ky Lubonja,

po si ta vere "shqiperia ujin ne zjarr", kur eshte e populluar nga maksimumi 4 miljon banore, teveqelë nga trute ne masen 95% ( e kisha fjalen per cilesine) e qe nuk jane veçse 1/4 e popullsise se Pekinit 16 miljon banoresh ?? (e kisha fjalen per sasine). 

Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera, paçka se nuk duam ta shohim atë.

 

Nuk di sa e vertete mund te jete kjo. Per dike qe mbijeton per 20 vjet ne krize  lokale, nje krize globale eshte me e lehte sesa per dike qe nuk ka pasur kete 'fat'.

Sigurisht kur bëj një pohim të tillë kam një pikë krahasimi: atë se sa dhe si flitet në Perëndim dhe jo vetëm, por edhe në Azi e gjetkë.

A thua lexon Lubonja "The Shanghai Times"? Apo "The Desi Messenger"?

Besoj se një nga shkaqet kryesore të indiferencës sonë qëndron në faktin se na mungojnë instrumentat për të matur atë që të tjerët e quajnë “krizë”...

E vërtetë.

Ne nuk dimë gjithashtu se sa është investimi i huaj në Shqipëri...

Edhe kjo e vertete. Po pastaj pse shkon e thua: 

Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera

A the që nuk dimë ta masim krizën, dhe qe nuk e kemi idene se a jemi a s'jemi ne krize? Atëhere pse thua Nuk ka pikë dyshimi? Nga vjen kjo siguri dijeje?

S'kishte dhe shume faj Çani qe te quante Omnidijetar.

Ne nje interviste te koheve te fundit ( mundet para nje jave ) Bufen . W jep nje rekomandim ,qe ndoshta per hir te perkthimit mund ta kem kuptuar edhe keq...Por tekstualisht parashikon nje sjellje prej Komandant-in-chief te Obama per te dale nga gjendja e krizes per 5-6 vjet... Dmth nje sjellje te perafert me ish Komandantin  smiley .(U rekomandoka kjo pervoje ne kohe krizash!!!!! ) . Lubonja e ka parashikuar qe te dalim per 10 vjet ! Hallall . Po ne Shqipri nuk ka Ekonomi , rrjedhimisht nuk ka as Krize . Ne Mememdhembje ka te ardhura parallish nga rruge qe njihen tashme...ama jo  pambarimisht te cilat me bukur se kjo s'ka kush i thote

http://www.youtube.com/watch?v=D1742uhM3Nc

Po ne Shqipri nuk ka Ekonomi , rrjedhimisht nuk ka as Krize

Mire e ke, por nje fare ekonomie ka se me ka ardh kushoja pardje shume i depresum. Brigada e tij e suvatimit ka muaj pa pune.

Dhe papune fare nuk mund te thush Qafo! Mu m'tha i kushuri qe kemi punesimin me te larte ne Europe...Qindramije vende pune jane hapur dhe hapen ne Kasino dhe Lojrat e Llotove.... Kemi pak te kunderta ne info. po gjithsesi edhe ai kushua im thote se jane me kohe jop te plote vendet e punes te hapme.

Ndoshta shqiptaret tani jane indiferente, sepse jane mesuar e perballur me krize ekonomike ne cdo cast, sikur jemi mesuar me mospasje, prandaj sapo permendet fjala krize e shtyjme edhe nje vrime me tej rripin e vazhdojme jeten pa na bere syri terr. Te pakten kjo krize boterore te kishte filluar pak me vone, qe te pakten trecereku i Shqiperise qe i ka hedhur themelet e "vilave" ne cdo qoshe te shqiperise, t'i mbaronin.  Me duket shume deshperuese pamja e ketyre ndertesave 3-5 kate, njera me shemtuar se tjetra, sipas nje milione planeve e stileve qe nuk zbukurojne po shemtojne edhe ate pak bukuri qe ka Shqiperia.

Do vecoja te njejtin aspekt qe i ra ne sy dhe penarit: Nje pjese e madhe ne gjysmen e pare te artikullit eshte e mbushur me aludime, qe vete autori thote "se nuk dime sa ..."  pastaj "Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera."

Ne nje pikepamje i jap te drejte Lubonjes, pavaresisht tonit te tij fatalist.  Shqiperia eshte, ka qene dhe do te jete ne nje lloj "krize" tjeter, sepse nuk ka nje ideologji, orientim te caktuar ekonomik.  

Pjesa e dyte e artikullit eshte opinion-dhenes-beres.  Thelbi i "krizes" nderkombetare eshte i debatueshem.  Mania me Marksin u kalua muaj me pare nga analistet perendimore, Lubonja eshte pak si me vonese.  Dhe "shpetimi" nga Obama nuk ka permasa mesian-ike, por "paradoksalisht" per turmat, te njejtat me perpjekjet e fundit qe po bente para-ardhesi i tij.   

Paragrafi i fundit per Shqiperine, vjen ere tipike Lubonje, sic permenda me lart fataliste, elitat keshtu, inteligjenca ashtu etj etj etj.  I jap te drejte vetem kur permend "krizen" e opozites.  A eshte per te ngritur duart dhe syte drejt qiellit?!  Te shohim ...

PS: Bernanke u shpreh me optimizem dje.  Dow Jones vazhdon te jete ne territor jeshil dhe mbi 7000 ...

 

Sipas FMN Shqiperia do te vazhdoje nje rritje ekonomike prej 4-6% kete vit.Pra do te kete rritje dhe jo recesion.

Ku e shihni krizen juve?

Nuk duket kriza se e kane mbuluar me te ardhurat e Portit te Gdanskut smiley .

Sipas FMN Shqiperia do te vazhdoje nje rritje ekonomike prej 4-6% kete vit.Pra do te kete rritje dhe jo recesion.

Ku e shihni krizen juve?

He me ku eshte kriza ketu?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).