Kolonizatorët dhe i Kolonizuari

Kolonizatorët dhe i Kolonizuari

I vetmi opsion ndaj zvarritjes është të ecësh në këmbë

Leart Kola

Cila është karakteristika e një populli te kolonizuar? Për të qenë sa më shumë korrektë politikisht që në fillim po perifrazoj presidentin aktual te SHBA-ve që thotë: “Më e keqja pasojë e kolonializmit ishte mjegullimi i kujtesës mbi historinë e të kaluarën tonë”. Personalisht më duket përkufizim i qartë mbi pasojat që ka një vend që (vendos të) kolonizohet, pra asimilimi i vlerave dhe mohimi i gjithçkaje që përfaqëson kultura lokale duke iu përshtatur më të fortit, që nga  gjuha, ushqimi, ekonomia, politika e deri tek humbja totale e sovranitetit.

Versioni i ri i kolonizimit nuk bëhet me anë të forcës së armëve, por pikërisht me anë të forcës imponuese të shkatërrimit të së kaluarës, të përçudnimit të vlerave e për pasojë të krijimit të karaktereve “tabula rasa”, dhe prodhimin e mendësive brenda një shoqërie tashmë të kolonizuar me ndjesinë e lindjes pikërisht në momentin e kolonizimit, e me gjasë para kësaj nuk ka pasur jetë.

Individi në Shoqëri të Kolonizuar e sheh veten si Adami apo Eva, pa të kaluar e për pasojë pa një perceptim personal për të ardhmen. Gjithë ëndrrat dhe dëshirat i delegohen një force jashtë vetes së tij (në shembullin tonë zotit kolonizues) e jeta kufizohet në shijim të momentit.

Kopshti i Edenit është ideali tipik që u vendoset para syve shoqërive të dorës së tretë. I vetmi element dëshpërues dhe irritues në të njëjtën kohë është mungesa e çdo lloji misticizmi apo buonizmi, apo e dashurisë për njeriun.

Të shohim se çfarë po ndodh rreth nesh, për të kuptuar që kolonizimi kurrsesi nuk është një fenomen simbolik që i referohet një kontinenti tjetër mijëra km. larg nesh, le të marrim vetëm shembullin më të freskët dhe debatin më të nxehtë të këtyre ditëve, mbi zgjedhjet e 28 qershorit.

Në momentet e para të gëzimit për zgjedhjet e qeta në buzëqeshjet e liderëve që e dinin të dy veten fitimtarë nuk lexohej gëzimi që për fat asnjë shqiptar nuk u vra (gjatë një proçesi i cili teorikisht duhet të jetë moment bisedimi mes politikanëve e qytetarëve). Gëzimi që lexohej në fytyrat e liderëve vinte nga fakti që më në fund, pas kaq vjetësh do merreshin urime nga “të huajt”. Ata janë forca mistike që fal legjitimimin e ekzistencës tënde të denjë për këtë botë. Por sigurisht që nuk mund të mbaronte këtu, sepse për fat të keq nuk mund të kishim dy fitues dhe humbësit (në këtë rast PS-ja) doli e tha që janë vjedhur votat, por protestat do t’i fillojmë pasi të dalë raporti i OSBE-ODIHR (sic) !!!

Cila arsye e shtyn partinë më të madhe në vend, me mijra njerëz të angazhuar në zgjedhje, që të priste mendimin e një grupi vëzhguesish të huaj? Kush është marrë qoftë dhe një herë me zgjedhje e di që kjo kategori vëzhguesish, ditën e zgjedhjeve e kalojnë ose në restorantin më të afërt me zonat zgjedhore, ose sforcoja më maksimale është një tur antropologjik nëpër rrugët plot pluhur të fshatrave shqiptare. Vëzhgimi më i mprehtë që mund të bëjnë është ai të parit e situatës nga brenda xhamave të xhipave me ajër të kondicionuar e plot me pije freskuese, për të shpëtuar lëkurën e
brishtë nga dehidratimi.

Ku qëndron ndryshimi mes mendimit të Hysenit, që për tre ditë me radhë ngujohet në qendrën e votimit dhe Johnny që e krijon mendimin në ato pak sekonda që kalon aty rrëshqanthi? Sigurisht nuk po pyes për ndryshimin albanofob që Hyseni është gjenetikisht i paaftë për të mos gënjyer, ndërsa Johnny e ka në gen të vërtetën, profesionalizmin e sinqeritetin, prandaj atij “qenies hyjnore” i mbetet të vendosë mbi çfarë pa, por mbi të gjitha çfarë nuk pa Hyseni ynë.

Le të vazhdojmë më tej analizën tonë. Një prej sukseseve më të mëdha të qeverisë Berisha 1 ishte pikërisht nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë, pra heqja e doganës për të gjithë mallrat që vijnë nga jashtë. Për këdo ekonomist serioz, nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte, për të thënë pak, i nxituar sepse vendos në konkurencë një prodhim si ky yni, i pafuqishëm dhe latent që tani më shumë se kurrë ka nevojë për subvencionim e drejtim ballë tregut rajonal, duke patur parasysh që vendet fqinjë janë aktivë në politikat subvencionuese të produktit të tyre.

Pikërisht tani na duhej një proteksionizëm më i madh e kurrsesi futje në një garë që ende pa rënë bilbili i parë është e humbur. Rezultatet pas tre viteve janë ato që parashikoheshin nga çdo ekonomist serioz, humbje për çdo vit e me shumë, si në bilancin tregtar, ashtu dhe në prodhimin vendas, ku gjatë vitit të shkuar shpesh fshatarët (të lënë në vetminë e tyre pa asnje drejtim nga shteti) u detyruan të hidhnin prodhimet ne lumë në emër të dashurisë për kulturën e tregut të lirë, të promovuar nga kravatat e ekspertëve të mirëpaguar te BB dhe të FMN.

Edhe pse Selimi (fjala bie) ekonomist që ka mbaruar shkollën në fakultetin ekonomik të Tiranës, ishte i bindur që këto politika nuk mund të bënin tjetër veç të dëmtonin ekonominë shqiptare, nuk foli asnjë fjalë kur Jimmy, i solli të njëjtin raport që tashmë ia dërgon pa diskriminim gjithë vendeve të botës së tretë, qofshin këto në Lindjen e Mesme, Amerikë Latine apo Evropë Lindore.

Kur shpiket një herë rrota është e kotë ta rishpikësh e këtë Jimmy e di, kështu që me një dorë makiaton e me tjetrën laptopin, edhe kësaj here merr rrogën prej mijëra e eurosh që i takojnë për punën e lodhshme që bëri për të civilizuar këtë popull të egër. Pra “Qenia Hyjnore” foli, kopshti tha, do të ndërtohet kështu dhe Adamit që duhet të jetonte aty brenda nuk i mbetet asgjë veçse të bindet e te vazhdojë të jetojë ashtu si ishte parashikuar.

Megjithate historia vazhdon, edhe pse Hyseni me Selimin e shohin veten të tradhtuar nga dijet e tyre dhe nga fuqia për të ndryshuar sadopak habitatin në të cilin jetojnë. Pas disa muajsh pritet që Shqipëria t’i falë një hapësirë detare fqinjit të saj me të cilin është ende në “luftë”. Historia është kaq banale dhe dukshmërisht në disfavorin tonë aq sa këto ditë as nuk po na e fshehin më që vendimet nuk i marrin këta por i marrin të tjerë. Qeveria shqiptare del dhe me krenari deklaron që pas një marreveshje, (më shumë “veshje” se “marrje”) disa milje duhet t’ia japim grekut meqë nuk na ndaloi të hyjmë në NATO. Dukshëm grekët janë më të avantazhuar se sa ne në përdorimin e atij territori që në marrëveshje quhet i “përbashkët”.
 

Ata kanë flotë më të mirë peshkimi e për pasojë të parët që do të humbin do të jenë peshkatarët e jugut, por kjo nuk përbën më argument sepse Iliri, Ministri ynë i Jashtëm, thotë që qëndrime të tilla janë “ksenofobe”. Pra me pak fjalë të shqetësohesh për ekonominë dhe territorin e vendit tënd, sot quhet “ksenofobi”!!!
Kaq është, këtu mbaron gjithçka, nëse ti thua që ndoshta mësimet që po na jep FMN dhe BB duhen diskutuar e fjalën e fundit duhet ta kenë ekonomistët shqiptarë je anti-europian. Në rast se shqetësohesh për kushërinjtë në fshat që po vdesin për buke,se prodhimi nuk u shitet dhe artikulon një tezë ku kërkon më shumë ndihmë e ndërhyrje nga shteti, politika konkrete që prodhimi të arrijë tregun e të sjellë një prosperitet në zonat më të varfra, në rast se thua se shteti pikërisht tani duhet të luajë një rol vendimtar me politika konkrete, atëherë  je komunist që nuk e do demokracinë.

E nëse në fund fare kërkon që të paktën të ruash sovranitetin territorial të vendit tënd, atëherë menjëherë shpallesh ksenofob. Kaq, tek këto tre terma simbolikë, pa asnjë lloj substance varet e gjithë marrëdhenia jote me komunitetin e me botën. Ndërkaq në këto kushte sigurisht që Hysenit, Selimit dhe Ilirit, nuk i mbetet gjë por të dëgjojnë leksione mbi demokracinë nga Jimmy, Johny dhe Jack që në një anë kërkojnë tolerancën e të tjerëve, nga ana tjetër vetë e kanë ndarë mendjen që s’do dëgjojnë askënd.

Këto janë vetëm disa shembuj te vegjël për të perceptuar se si funksionon sot politika shqiptare, ku ndahet realja nga absurdja, ku jemi ne e ku janë ata. Ne luajmë shtetesh duke bërë zgjedhje, debate në parlament, por ndërkaq vendimet merren diku tjeter, jo në këto salla që mbajnë brenda burra pompozë (që në të vërtetë janë batakçinj të nivelit më banal). Këtu duhet të lindë kundërshtimi i parë. Nëse ne sot nuk vendosim dot mbi legjitimitetin e proçesit tonë zgjedhor, e nëse pas kësaj nuk vendosim dot as për politikat ekonomike e sociale të vendit e më keq akoma nuk vendosim dot për territorin tonë, atëherë a jemi të gatshëm që të shtrojmë disa pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të kësaj demokracie? A do të ishte më mirë që në vend të
Ilirit, Edit apo Salës të fillonim të zgjidhnim nja 3 burra të tjerë që rrinë në Bruksel, do të ishte më e sinqertë apo jo?

Është e lehtë të jetosh në iluzionin që ti vlen, që je subjekt politik, pjesë e një shteti të pavarur dhe e një identiteti të dashur e të vlerësuar, është shumë e lehtë. Por popujt kanë treguar që rruga drejt prosperitetit fillon atëherë kur e shkërmoq këtë iluzion dhe fillon të shohësh të vërtetën në sy, paçka se ajo është rruga më e vështirë për t’u marrë.

Ne jemi një popullsi që në 73 % të saj ka një lidhje origjine me fenë islame, e pavarësisht asaj që thotë Kadare (që tani është bërë si përherë me më të fortët pra me perëndimin kristian), që kjo gjë na qenkërka turp, e ne duhet të shpallemi të gjithë kristianë. Nuk është turp, është ajo çka ne jemi, ashtu siç jemi, me prejardhje katolike, ortodokse, betakshiane e myslimane, si dhe ateistët (që s’duhen harruar).

Edhe pse shumë thonë që qenkërkemi dembelë, dhe kjo nuk është e vërtetë. Jemi një popull punëtor, sepse mjafton të shohësh Greqinë e Italinë, ku shqiptarët përbëjnë forcë energjike dhe vitale të krahut të punës e u sjellin të ardhura të panumërta këtyre shteteve. Kaq mjafton për ta kuptuar që nuk jemi gjenetikisht dembelë ashtu siç thonë kolonizatorët për popujt e botës së tretë. Jemi popull vital, një nga popujt me moshën më të re të Europës, e natalitetin e kemi në nivele të larta. Jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka për një jetë më të mirë.

Ajo çka duhet është një politikë që të na krijojë imgjinatën, ajo çka duhet është pikërisht të shkundemi e të shpëtojmë nga ajo që konstaton Obama, nga mjegullimi i historisë sonë. Na duhet që të perballemi me të, e mbi atë të ndërtojmë të ardhmen, duke qenë të ndërgjegjshëm që veprimet tona janë pikërisht ato për të cilat kemi vendosur vetë. Duhet imagjinatë kolektive për të ardhmen tonë, vetëm kështu mund të dalim nga tranzicioni kolonizues që na sheh si qenie pa të kaluar e pa të ardhme.

Bob Marley thotë: “Askush nuk mund të të hipë në shpinë nëse ti nuk e përkul kurrizin”, dhe ajo që duhet të kërkojmë është që nëpër universitete studentët të ngrihen e të rrinë drejt për t’u përballur me të padrejtën, të ngrenë kurrizin nëpër fabrika edhe punëtorët e keqpaguar e aspak të përfaqësuar, të ngrenë kokën bujqit e fushave të lëna në harresën e fatit globalist dhe gjithë të tjerët. I vetmi opsion ndaj zvarritjes është të ecësh në këmbë e të përballesh me gjithçka e këdo që bën një padrejtësi. Vetëm në këtë formë e vetëm në këtë mënyrë mund të vendosim ne për veten, për mënyrën se si duam të funksionojë ekonomia, demokracia e territori ynë i përbashkët.

3 Komente

Leart, argument i shkelqyer. I vetmi problem qe kam eshte qe e ke filluar dhe mbaruar me Obamen, e nuk ke vene ne dukje qe Obama eshte Xhoni, Xhimi dhe Xheku. Me duket krejt kunderintuitive qe ne nje shkrim mbi kolonizuesit dhe te kolonizuarit, Obama te perfaqesoje keta te fundit, pasi rrezikon qe argumenti qe ben te hyje ne te njejtat ujra ad hominemi qe kritikon.

nuk besoj qe ne ndonje vend te shkrimit paraqitet Obama ndryshe nga ajo qe thua ti, dmth si kolonizues. Perifrazimi i Obames mbi kolonializmin (qe Obama e ben ne kontekst te kolonizimit te afrikes, e me pas kolonizimit te amerikes me skllever) eshte historik, ndersa Learti po flet per aktualitetin. Eshte e qarte qe Obama, po te pyetej per te tashmen do nderronte menjehere standard, dhe do te merrte mbrapsh logjiken e vet, sic bejne rendom politikanet.

Kolonizimi prej BE-ut te Brukselit dhe FMNse eshte me i fundit. Mjegullimi i historise, qe permend Obama, ka nisur qe kur (per shembull) populli i qytetit te Elbasanit nisi te kujtoje se Arrnaut vjen nga arabishta "ar na bud", dhe se jane pasardhes te fisit Kureishi qe na la peshqesh Muhamedin a.s.

Roli spikates i Kadarese eshte pikerisht c'mjergullimi i te kaluares, packa se ka marre shume yrysh me kerkesen per 'devolucion' ne katolik (ne nje kohe qe para osmaneve i bie te kemi qene ortodokse)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).