KOHA PËR MENÇURI

Lexoj sot se Dick Marty, një senator zviceran që përfaqëson këshillin e Europës, ka nisur një vizitë hetimore që do ta çojë në fillim në Beograd dhe më pas në Tiranë, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të gjyqësorit dhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pas këtyre vizitave, Marty do të përgatitë një raport për “trajtimin çnjerëzor të popullsisë dhe trafikun e paligjshëm të organeve të trupit në Kosovë”.

Burime zyrtare serbe po e paraqitin këtë vizitë si vijim të hetimeve të nisur prej tyre, për fatin e atyre “300-500 serbëve etnikë të humbur pa lënë gjurmë gjatë luftës së viteve 1998-1999”. Hetuesit në Beograd thonë se paskan prova “konkrete” se të paktën 10 vetë kanë rënë viktima të një operacioni ndërkombëtar për trafik organesh.

Si do të veprojnë institucionet shqiptare këtë herë?

Askush nuk e di, edhe pse zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi tha se autoritetet e atjeshme i mirëpresin “të gjitha hetimet në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë” – një deklaratë e mirë për nga qëllimi, por që nuk qëllon në shenjë, sa kohë që krimi i trafikut të organeve, nëse është kryer vërtet, është konsumuar në territorin e Shqipërisë.

Megjithatë, është momenti që institucionet në Tiranë të deklarojnë haptazi mbështetje pa rezervë të misionit të Dick Marty-t, në mënyrë që kjo çështje e shumëpërfolur e trafikut të organeve mes Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të treta të gjejë zgjidhje përfundimtare, brenda kufijve të arsyes.

Do të ishte krejt e papërshtatshme, madje kundërprodhuese, që të dëgjonim përsëri litanitë për krimet e luftës që kanë kryer serbët kundër shqiptarëve dhe për preferencën që po tregon Europa për serbët dhe Serbinë, në dëm të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Do të ishte dritëshkurtër që të fillonim përsëri të luanim viktimën, në një kohë që duhej të luanim partnerin, bashkëpunëtorin dhe palën e interesuar për vendosje të drejtësisë, madje edhe sikur krimi i pagjasë i vjeljes së organeve serbe të jetë konsumuar vërtet në territorin e Shqipërisë.

Nuk ka dyshim se krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë ende nuk janë zbardhur, as janë gjetur të gjithë shqiptarët e humbur pa lënë gjurmë, në periudhën e luftës dhe në përgjithësi gjatë viteve 1990.

Këto krime janë për t’u përndjekur me rreptësi të madhe nga organet e drejtësisë në Kosovë, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e organizmave ndërkombëtare madje edhe të Beogradit.

Por nuk ka asnjë kuptim që përndjekja e këtyre krimeve serbe të bashkëlidhet me hetimin e Këshillit të Europës ndaj trafikut të supozuar të organeve; sepse çdo krim meriton të përndiqet veçmas, jo në kontekst të një krimi tjetër.

Institucionet shqiptare – qeveria dhe organet e drejtësisë – bëjnë mirë të tregojnë pjekuri në trajtimin e kësaj çështjeje, dhe veçanërisht t’i dërgojnë Europës mesazhin se janë në gjendje të sillen si të rritur, pas kaq e kaq vjetësh kur kryesisht kanë dhënë prova se kjo pjekuri u ka munguar.

Retorika e evidentimit të krimit serb në kontekstin e tanishëm nuk mund të funksionojë; meqë dashur pa dashur i vë krimet serbe të luftës në të njëjtin plan me krimet e trafikut të organeve – edhe pse të parat nuk kanë nevojë për vizita hetimore senatorësh serbë për t’u zbardhur, por vetëm për zellin, këmbënguljen dhe zotësinë e juristëve dhe të diplomatëve shqiptarë të Kosovës.

Paaftësia për t’i përgatitur në kohën dhe në mënyrën e duhur dosjet e krimeve serbe të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk mund të mbulohet me argumente të tipit sentimental. Për fat të keq, na duhet përsëri të marrim shembull prej serbëve, të cilëve iu desh vetëm një vit për ta shndërruar një hipotezë të Carla del Ponte-s lëshuar në një libër kujtimesh në hetim zyrtar të organizmave europiane të të drejtave të njeriut.

Për të vendosur marrëdhënie normale me institucionet europiane, ose për t’i bërë këto institucione të të trajtojnë seriozisht, lypet edhe përvetësimi i tërësisë së gjuhës, formave dhe teknikave burokratike dhe juridike, të tilla që t’u provojnë të tjerëve se kanë përpara tyre profesionistë, jo poetë të sapodalë nga shpellat.

Prandaj gabimi më trashaman që mund të bëjë Tirana në këtë moment, është ta denoncojë misionin e Dick Marty-t si të paguar nga serbët ose të frymëzuar nga politikat anti-shqiptare ose pro-serbe të qarqeve të caktuara në kontinent; dhe të mos ia krijojë lehtësitë që kërkon, as të mos ia hapë dyert që i duhen hapur.

Nëse Tirana vërtet dëshiron ta ndihmojë Kosovën, por edhe të përmirësojë imazhin e vet ndërkombëtar, tani është rasti për të ndryshuar kurs dhe për t’u ofruar prokurorëve dhe hetuesve ndihmën dhe gatishmërinë që këta kanë nevojë.

Aq më tepër që kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet në mënyrë “demokratike” ose me vullnetin e popullit, duke tundur flamujt kombëtarë e duke u rënë lahutave; por vetëm çështje e natyrës juridike, e cila duhet ndjekur në pajtim me procedurat e pranuara nga të gjitha palët.

Natyrisht, Europa ka aq skelete në dollap, sa të mos e marrë dot pozën e epërsisë morale automatikisht, sidomos kur vjen puna për krimet e luftës në Ballkan. Edhe Bosnja, edhe Kosova janë prova të gjalla se Europës i ka munguar, pikërisht në momentet më kritike, dëshira për të vendosur drejtësi dhe për të mbrojtur viktimat nga krime të luftës të kryera ditën për diell, ndonjëherë nën sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë (Srebrenica).

Megjithatë, lojëtarëve të vegjël si Shqipëria nuk u lejohet të blofojnë; por vetëm të përpiqen t’i arrijnë objektivat e tyre nëpërmjet kultivimit të virtytit politik, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke komentuar vizitën e Dick Marty-t, Krasniqi shtoi edhe se autorët e vërtetë të krimeve të luftës duhen kërkuar në Serbi. “Të gjithë e dinë se ishte Serbia ajo që kreu krime kundër njerëzimit dhe genocid në Kosovë,” tha Krasniqi, dhe pastaj shtoi se “akuzat për trafik organesh janë krijim i imagjinatës së Del Ponte-s, të frymëzuar nga kriminelët e Serbisë.”

Për fat të keq, pohime si ky i fundit i bindin institucionet europiane se elitave politike shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, u duhet ende shumë punë për të mësuar mënyrën si komunikohet në nivel ndërkombëtar; dhe se lajmëtarët tashmë ka kohë që nuk i vrasin më, së paku në botën e qytetëruar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).