Kocka

Sheh orën dhe të duket sikur ka kaluar një jetë. Urren të presësh. Është një thikë që ti vetë s’do ta përdorje kurrë. Ora. Ai s’duket. Ndoshta është i padukshëm. Sigurisht, për sa kohë ti e mendon, ti mund ta klasosh si të duash. Brenda këtij hiçi – vërtitet arti. I pakapshëm, i përjetshëm. Për ta mbërthyer, rendim pas tij me duart të zgjatura kilometrike, thyejmë kokat pas njëri tjetrit, krahët bëhen lëmsh, xhungat lulëzojnë, blutë mbijnë si kërpudha pas shiut nën çatinë e vetullave.  

Ai është pa adresë : si mund ta dimë nga dreqin do të vrapojë një kal i harbuar? E patolerueshme, ne duhet ta dimë. Duhet të dimë ç’ka në kokën e një kafshe. A besojnë kafshët në Zot? E pështirë ta mendosh. Ne nuk e shohim, por e dëgjojmë. Kjo hapësirë vokale është e tija. Patetik. Ai nuk imiton më, tani ai është shpërndarë në një milion drejtime. E tmerrshme. Zhvillohet si kacavjerrëse me shpejtësi dhe bëhet abstrakt. Ai është arrogant, nuk respekton asnjë limit, shqyen gjithçka. Ai e vrau Mimesis – u lodh së qëni i mashtruar prej saj. Natyra njerëzore e mërziti. Ndoshta duhet ta kërkojmë në treg.

Ka diçka tek ai që na intrigon. Dhe ne e dimë, e dimë shumë mire që ajo diçka ekziston. Ku fshihet diçka e kurvës? Jemi të gjithë me nerva. Nuk duam ti shohim as bojën. Veçse, na gërryen përbrenda fakti se çfarë forme ka ? Nga zëri vështirë ta përcaktojmë. Irrituese.

Ai qesh me ne, kur ne qajmë për të. Ai di më shumë mbi ne, se ç’dimë ne për të.  

Duket se ka një emër kjo që po shkruaj. E ndjej që ai po më ngatërron. Mashtrues. Ai na përçan. Na hodhi një kockë që na duhet ta ndajmë tani : frymëzimi. Duhet ta ndajmë këtë kockë për tu ndjerë më mirë. Një copëz mjafton për ta imagjinuar në mungesë të tij.  

I kemi duart e ftohta. Me siguri kështu do të marrim ndonjë plevit. Zhytemi thellë brenda lëkurave tona.

Kemi nxehtë dhe fytyra na skuqet, ca cikra pështyme fluturojnë tutje mbi artin si për të shprehur pak a shumë gjendjen tonë emocionale. Ti po na lodh. Sikur vendosëm që atë dreq kocke do ta ndanim apo jo? Frymëzimin!

Kudo që zhvendosemi ai na ndjek me sy: ikonë bizantine e së padukshmes. Je djalli vetë, kurse ne jemi shishja. Pakti : frymëzimi.  Frymëzimi është një shumëzim frymash.

S’merret vesh asgjë. Hapim dritaren. I ftohti na kafshon në kreshtë. Sa mirë që na bën.

Arti duhet të jetë diku aty. Mos lëvizni. Ja ndjeni frymëmarrjen? S’do ti themi gjë, ja kërcasim një grusht turinjve. T’ja bëjmë surratin përshesh dhe t’ja hamë me lugë druri. Dhe kur të derdhet përtokë qelbaniku, t’ja thyejmë brinjët. Do ta vrasim për tu bindur që jetonte. Na humbi kaq kohë i pabesi.  

Sepse këto bisedat mbi artin janë humbje kohe. Frymëzimi : i vdekuri na la kockën që ta ndajmë. Arti nuk mendon. Po dhe sikur, kush dreqin e di se ç’ka në kokë një kalë, një pemë, një qiell shalë-shqyer që kullon gjak ? Nuk e shohim. Ajo që prekim është kocka e tij. Acaruese !

Ndaj, dhe kur një artist ju hedh një kockë, mos hezitoni : goditeni!

      

6 Komente

po ti, shkruan a shkruhesh?

Mishi tretet, Arber....

PS: Per mendimin tim, for what it's worth (where it = mendimi im), i.e., 2 cents,  kjo donte ripunu totalisht.

Fundjave te bukur.

ndoshta Çimo do ta rishoh me vone. 

m'fal se te pyeta

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).