Kepleriane

-Espresso vetëm diku në Maryland-

Gratë e bukura janë larg, por bukuria
Bëhet befas një hollësi e tepërt dhe vetmia
Ndehet befas kaq kudo dhe një espresso
Po të mbledh si pol’ i jugut meridianët.

Pyjet - drurë me vetmi të dendur,
Dhe luadhet - fije filigramesh fillikat.
Shtriqet çasti pak pas frymëmarrjes
Dhe dek-iku pak para frymëdhënies zgjatet.

Gjerbja, psherëtimë e kthyer mbrapsht
Si setër e vjetër me krem nëpër astar.
Qielli qaset pranë se bota u largua,
Të thara varur retë si vargje me oshaf.

Stukuar qielli me argjila hëne,
Suvà e lashtë ende nuk po bie,
Ka krisje stukos gri e filiza krisjesh,
Mëdyshtaz shiu s’bie, por dhe as nuk ngrihet.

Shi dhe recesion. Lëvozhga e espressos,
Lë rrethore vulën mbi Wall Street Journal,
Njer’zit e mirë larg, të fuqishmit pranë,
Dhe grahës kuajlodhur. Rest area. Maryland.

-Kepleriane-

Ku vrapon ky yll kështu, si Pahom’ i Tolstoit?
Sa qiell i duhet një ylli, a s’mundet
këtu rrotull të vërtitet gjithnjë
si mëzi i mirë me rrezen kapistall?
Ku shkon me bririn e vetëm që qiellin e shpon
me dhimbje Polifemi?
Mos ik! Pse qendrën tjetër kërkon sapo
rreth meje u lakove
si harku i krahut në përqafim,
bash kur u ndjemë aq pranë,
kur oqeanet e mi u ngritën baticash
nga tërheqja jote e përgjithshme?

Dy qendrat në elipse qerthujsh
yjor që nga Kepleri na u bënë mallkim,
shpërqendruar yjet, rrathët herezi
kozmike me funksione të hidhëta gjithësesi,
me domosdo formulash,
theqafje eksponentesh,
ojna orbitalesh ovale ku oshëtijnë
heshtje shtëllungore shtatë shtresa shtegtuar
në parcelat pjellore me plisa ajri të zi;
gjithnjë vërtetuar, por kurrë shpjeguar,
belbëzon natyra në gjuhë të saj,
ç’të rrëmbeu pra, ç’integral idhnak?
me baluke fallso dhe bishtin përdredhur
nga mallkimi Rieman si detaj barrok,
në lakoren ikëse si lak kauboi;
një barazim barbar me skeptër monarku
cakton sipërfaqet në ngastrat e qiellit
sa më pranë që vjen aq më shpejt ti rend
sa më larg që shkon, aq më e ngadaltë,
me ‘slow motion’ largësia jote,
afërsi brutale me at’ qendrën larg
që lumturinë e tjetrit e zgjat pambarim
dhe tënden e mbaron pa filluar mirë.

21 Komente

Em! U perpoqa te os jem i pari ketu smiley

Kam lexuar vetem te paren (Esspreso) e nuk du ma ja prish akoma.

Nuk e di pse me fute n'siklet e nigjova 10 here kte. Rrofsh. Bukur.

Mua me pelqeu Kepler-iane (e dyta). Shume e bukur.

Mua me pelqejne te dyja, por me shume me pelqen e para se kam arsye pse e pelqej me shume. Bravo, Emigrant qe na fale keto vjersha kaq te bukura. Te uroj nga zemra qe pena jote mos te shteroje kurre.

 Ca video eshte fh, sepse nuk eshte available ne shqipni

willie nelson ose dave mathews band, e njejta kenge: Gravedigger

Refren rreqethes....

Gravedigger
When you dig my grave
Could you make it shallow
So that I can feel the rain
Gravedigger

Po ti lexoje ore burre i dheut te dyten se po na vjen shume keq tani per Cimin jo per ty.Mund te  gjesh ndonje kenge tjeter per te paren?

sepse te dyten kec, e ka shkrujt per vete; te paren per ne.

tek e dyta nuk mund ta ndjek eshte pak si "raffting - sport me sperdredhje ne kthesa lumi, nese e shkrujta mire), pastaj "ngastrat e qiellit" i kam has diku tjeter, pastaj "domosdo dhe gjithsesi" sikur ma largojne poezine prej meje dhe e cojne vetem tek Emo.

Tashi ,nuk i bohet analize aqe e hollesishme poezise se tjetrit, kjo gje shpesh me duket si puna e laboranteve me analizat e uri.ës. të dyja palet vihen ne siklet.

Plotesisht, si edhe me lart, me pelqen e para per disa arsye te tjera.

kutia postale, check!

Stukuar qielli me argjila hëne,
Suvà e lashtë ende nuk po bie,
Ka krisje stukos gri e filiza krisjesh,
Mëdyshtaz shiu s’bie, por dhe as nuk ngrihet

 

Bukur Emo! Argjila e henes shume e gjetur.

 

Flm per komentet dhe leximin.

Flor, dicka per te dyten. Ka dy linja: "sa toke i nevojitet nje njeriu" nga tolstoi dhe zbulimin keplerian mbi levizjen eliptike te planeteve. Mendimi i meparshem naiv ishte per levizje planetare rrethore, me NJE qender. kepler tha qe nuk ka nje qender; rrethi me simetri absolute eshte nje rast i vecante i elipsit. ti mund te jesh nje qender (varesisht nga shkalla e egocentrizmit qe nuk mund te jete zero te askush), por "rregulli" e kerkon qe te kete qendra te tjera (edhe ne mos te barazvlershme). Planeti krahasohet me Pahomin e Tolstoit dhe qielli me token (ne te gjtha kuptimet e kesaj te fundit); do me vinte keq qe ngastrat e qiellit te jene perdor me pare nga dikush tjeter; eshte totalisht rastesi ose ndikim i pandergjegjshem.

Analogjia vazhdohet pastaj me siperfaet e barabarta te trekendeshave te pershkuar ne njesi te kohes - kepler gjithnje - dhe po ashtu eksponentet e thyer (e famshmja 3/2 e keplerit), te cilat perafrohen me relativitetin e kohes ne perceptim te lumturise vetjake si sekonda, dhe te tjetrit (per ne uzurpator) si e tille qe s'mbaron kurre.

Me kete "chiave di lettura" qe jep ti per poezite tuaja me duket se po hyn nje nje fare hermetizmi.Eshte shume e veshtire qe ky mesazh i shume qendrave te arrije te une si lexuese normale.....

Stukuar qielli me argjila hëne,
Suvà e lashtë ende nuk po bie,
Ka krisje stukos gri e filiza krisjesh,

Mëdyshtaz shiu s’bie, por dhe as nuk ngrihet.

 

Nese pranon nje sugjerim dashamires, ndoshta 3 vargjet e para mund te ripunohen, ndersa i katerti eshte perfekt ashtu sic eshte. Gjithsesi mua me pelqen poezia e pare dhe ashtu sic eshte. Urime!

Flm Sogladyouremine! I will see.

Ideja qe donte me percjell kjo ishte: "between a rock and a hard place". Ndjenja e njeriut te zene si ne morsete; e kam provuar ket ndjenje, kur qielli behet si tavan. Btw ky element eshte ai qe e lidh vjershen e pare me tjetren; kur fjala krisje eshte perdorur per here te dyte, mund te merret edhe si bar i keq ("si krisja ne are" ka nje fjale).

-Espresso vetëm diku në Maryland,..m`pelqeu!

Une dota komentoja vetem me kete fraze:

"Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur dhe katosur Po vajtonj pa funt, pa shpres
ë, Anës Elbës, anës Spree-së. "

Em, ti me mahnit. Dhe mbi te gjitha menyra se si ti arrin te futesh shkencen ne poezi. E lexova poezine e dyte sipas shpjegimit qe i kishe bere ti, teper shkencor per mua, por me volit me shume ta interpretoj sipas shijes sime.

Vargjet e meposhtme s'i kuptoj mire, Polifemi ishte ciklopi me nje sy, apo jo, apo briri eshte perdorur si simbol i syrit?  Apo Polifemi dhe Njebrireshi jane peshtjelluar qellimisht per te dhene idene e nje fantazie te pamundur?

"Ku shkon me bririn e vetëm që qiellin e shpon
me dhimbje Polifemi?"

 

"Gjerbja, psherëtimë e kthyer mbrapsht" - Shume e goditur. Ku te ka shkuar mendja? smiley 

Leksiku qe perdor eshte i vecante. Te vjen keq te te kopjoj, kur te perkthej ndonje gje?

Gjithsesi, une s'po perdor pesen, po 10, 10, 10.... smiley

 E lexova edhe njehere ate poezine e pare,eshte e dhimbshme ajo,nuk ndjehesh mire kur e lexon,nuk eshte nje psheretim kjo?!:

 

Pyjet - drurë me vetmi të dendur,
Dhe luadhet - fije filigramesh fillikat.
Shtriqet çasti pak pas frymëmarrjes
Dhe dek-iku pak para frymëdhënies zgjatet.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).