Kara-bina

(shtëpive të papërfunduara, si skelete dinosaurësh, që pashë në Shqipëri herën e fundit, si mëdyshje djemsh emigranë që duansmunden të kthehen)

Kati lart
I djalit’ madh,
Ësh’ në Greqi,
Kati më poshtë, për të mesmin, Resminë,
Në Greqi dhe ai,
Në Greqi,
Greqi,
I treti më poshtë për të treturin, Fasllinë,
Ësht’ bosh i ftohtë,
I ftohtë,
Igrasi,
Si vjeshtë e tretë,
Si prag dimri,
Me thëllime thëngjijsh,
Filiza krongjinjsh,
Si gjuhë shemrash,
Si fugë femrash,
Sherre kunatash
Që s’u bënë kurrë
Se kurrë nuk qenë,
As për një sherr,
Për qejfmbetje, shamàta,
Shurdh nëpër shkallë,
Kate, kanata,
Pa prishje vëllezërish,
Nga gratë gjuhëgjata,
Pa prishje ushqimesh,
Pa borxhe dormielli,
Pa insinuata,
Paskuinta kunatash,
Xhan xhin tre kate,
Xhan xhin kanatash,
Dhe më poshtë
Përdhes,
Dhjetor,
Dhjebor,
Me thinja izbe,
Shkarpa shqope,
Ngjitur me brumë
Tuba sobe
Xingatoblozë
Me tym sëndyku,
Me erë shkozë
Dhe pak erë myku,
Poshtë te dhjetori
Aty rrinë pleqtë
Që s’ngjiten dot lart
Te katet e epërm,
Tre katet e epërm,
Që s’janë shtëpi
Janë bina e zezë,
Bina e dënuar,
Kara-bina,
Kurr’-gazì,
Që s’pipëtin
E nuk bëzan,
Janë dhoma gjumi
Në tentativë,
Ku gjumë s’u bë,
Ku seks s’u fjet,
E ku s’u përzjenë
Shalët e grave
Në supë jorganësh,
Sekrecion ëndrre,
Trëndelinë sepetesh,
Sekret musëndre,
Borzilok shumëfletësh,
Likora ftoi,
E zahire,
Dhe pastërma
Tharë prej dy vjetësh,
Varur në tra,
Si “Haunted house”
Fantazmat flu
Venë e vinë
Tutje tëhu,
Nuset që kurrë
S’shërbyen kafe,
Nuset sikure,
Mistri, bërdafe,
Njolla mbi mure
Jo në çarçafe,
Çarçafe suvashë
Nudo betoni,
Një kokë rubineti
E therur, përtokë...

13 Komente

Prekëse!

Gjuha e perdorur tregon perzierje kohesh te ndryshme si ne shumicen e shkrimeve te tua, perplasje brezash me nje fjale. 

Trëndelinë sepetesh,
Sekret musëndre,
Borzilok shumëfletësh,
Likora ftoi,
E zahire,
Dhe pastërma
Tharë prej dy vjetësh,
Varur në tra, 

Emo, kur isha e vogel, cuditerisht nuk me pelqente aroma e rrobave te gjyshes, qe i mbante gjithnje ne sepete me lule trendeline, por tani kur has rruges ndonje nga ato plakat e jugut qe mbajne ende arome trendeline, sakaq me shkon mendja tek gjyshja ime. Dhe tani qe lexova "trendeline sepetesh" direkt atje me shkoi mendja. smiley

Pas "Grave te dashura", u ktheve serish... Me pelqen me teper kur te lexoj keshtu. smiley

 

shume e bukur emo.

Janë dhoma gjumi
Në tentativë,
Ku gjumë s’u bë,
Ku seks s’u fjet,

 

bravo! shume e kendeshme...

meqe e bere publike po ta kopjoj ... smiley

e bukur, prekese

Shume e bukur me pelqen menyra qe perdore ne nerthurjen e fjaleve,shume e goditur tama ashtu si eshte realiteti.5*

emo 5*****

PS: koka e rubinetit pertoke me kujtoi rubinetin tek filmi "Under the Tuscan Sun".  Ku vetem kur u shnderrua ne "casa dolce casa" filloi e derdhi uje. 

 Shume bukur Emo. 

Një kokë rubineti
E therur, përtokë...

Keto dy vargje me kujtojne pikturat e Dalise ku sendet kane nje jete prej te gjallesh.

(shtëpive të papërfunduara, si skelete dinosaurësh, që pashë në Shqipëri herën e fundit, si mëdyshje djemsh emigranë që duansmunden të kthehen)

Shume bukur Emo. Sensi i mprehte i obzervimit nuk i sherben vetem detektivave, por dhe poeteve. smiley 

P.S. Pa shume rendesi, po nese do te mund te zevendesoje ate togfjaleshin anglisht "haunted house" me nje fjale ose togfjalesh shqip do ishte akoma me mire them une, qe te mos jete poezi vetem per ne emigrantet. smiley Mbase e kam kete bezdi si pasoje e anglishtezimit te shfrenuar te shqipes nga gazetaret/analistet/"elitaret".

Ja keshtu varg pas vargu , objekt pas objekti , kat nen kati dhe vargje si Një kokë rubineti
E therur, përtokë
.... robi i gjalle qe ka ndiesi mendon se poezia akoma ka te ardhme . Ka akoma mjete shprehese tokesore per njerzit , ka akoma shume e shume pa thene  ....dhe kete mundesi na e dhe perseri sot . Urime me gjith shpirt Emo ! 5.... 

Emo nuk eshte e thene qe ne ti komentojme vjershat e tua por ama voten 5* nuk e harrojme kurre. Ndonjehere vertet ben perla si kjo e mesipermja Smile

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).