Kaq e fortë

Zgjimi
beton mëngjesi
zu të derdhë në skeletin tim.
Duar të huaja salduan kafazin e zemrës.
Çimentoja e harresës ngriu.
Qeshë gati; shtyllë hekurbetoni,
e shtangët,
e paepur,
e hirtë,
mbi mua shkonin trenat e ditës,
por veç kujtimi yt më drodhi,
se kaq e rëndë dashuria për ty, zemër,
kaq e fortë dashuria, o shpirt!

Ç’qenkan keto re kështu, si garza të përgjakura,
Xhomolungma u shkul nga nofull e diellit?
Mpirje e pjesshme,
qetësim shetitës,
pambuk i reve
në gropën e dhembur të qiellit.
Në Tibetin tim një murg
e(k)lipson vetminë mbi rërë,
nëse malli do ngrinte gunga,
ndërkaq gamilje a deve do më kish bërë,
zdruq zdruq çapitur nga Sahara ime për në Gobin tënd
se kaq e fortë dashuria, zemër,
se shpirt, dashuria, kaq e rëndë.

Koka dhe trupi m’u ndanë,
mungesë e qafës fshehur pas shallit,
trupi është imi, koka është jotja,
syr’ i ëndrrës, jeshil,
mbetur ciklopik mes ballit;
dy sy të shuar,
një djeg përvëluar,
pse i verbër me tre sy kam zgjedhur të jem,
pse për mashtrimin Homer,
për të vërtetën pse Polifem?
U lodha, nuk kam fuqi,
s’kam ku gjej për ty
as mermer të homertë, as shpirt të shekspirtë
se e tillë dashuria për ty, zemër,
kësisoj dashuria, o shpirt!

Nuk di në pat
një Beng të madh,
por një Peng të madh
që ka e di,
Sapo shuajta për ty e-mailin e njëmijtë!
Haxhi si pishmani,
pishman si Haxhi,
si të ish e-maili kongjill i ndezur,
e shova për të prishur magji.
E hidhët espresso starbaksi, ja mos u pifsh,
porcelan-kallkan
as fil, as xhan,
që po mi djeg gishtrinjtë,
po më zgjon gjarpërinjtë
e mëkatit ...
tryezat fqinjë joshin me flokët
që fshehin mungesa qafash të tjera,
flirtojmë për forcë zakoni,
me fraza të vjedhura që sërisht i vjedh era,
pa drithërima fjalët,
pa shafrà ai flirt,
se kaq gur në lukth dashuria për ty,
kaq e mprehtë kjo kthetra jote, o shpirt!

11 Komente

Image Hosted by ImageShack.us

Rendshem Emigrant.....Shkermoqshem...Kisha kohe qe nuk te lexoja kesi vargjesh.Me pelqeuPer mashtrimin Homer ,per te verteten Polifem.

U lodha, nuk kam fuqi,
s’kam ku gjej për ty
as mermer të homertë, as shpirt të shekspirtë
se e tillë dashuria për ty, zemër,
kësisoj dashuria, o shpirt!

------------------

magistrale!

Emo o poeti antropolog-sociolog dhe filozof i blogosferes !

te paçim!na kenaqe

hallall em-o! bukur

- do e kisha krasit ne nja dy vende ( ku referimi populist ala haxhi-pishman kam pershtypjen se e nduk per ta mpakur fisnikerine e gjendjes se kesaj poezie) nga metaforat qe vijne nga te gjitha anet.

Keto jo per te thene qe nuk eshte bukur, por me shume se i druhem asaj bukurise qe vjen e mbingarkuar si figurine harekrishnaje, apo per te perdorur nje nga metaforat e tua, si ajo dega e molles e tejngarkuar me fruta - nganjehere kqyresi hutohet nga ornamenti dhe e humbet thelbin.

Sigurisht, keto jane pjese te stilit tend, unit tend origjinal, dhe verejtja ime eshte krejtesisht subjektive, for what it (doesn`t) count[s] 

pershnetje!

Falemnderit per komentet dhe qe e lexuat!

Sapo shuajta për ty e-mailin e njëmijtë!

 

 

Masterpiece Emo, po pse me kaq dhimbje? "e-mailet"  jane si puna e autobuzave, nje iken e nje vjen.

smiley

Bukur,si gjithmone,o mik!Te uroj  si per poezine ashut edhe ne te gjitha fushat e jetes.

duhet lexuar dy here ama, dmth akoma me e bukur dhe e perpunuar smiley)

Em, m'paska shpetu kjo.

Ndjesën për vonesën, pesën për mosdelikatesën.

E hidhët espresso starbaksi, ja mos u pifsh,
porcelan-kallkan
as fil, as xhan,
që po mi djeg gishtrinjtë,
po më zgjon gjarpërinjtë

shumë e bukur e gjitha.

Besoj ne talentin tend, nuk kam sesi te mos besoj.

Poezia paska fuqi dhe terheqje te madhe. ke gjetur bukur disa figura origjinale dhe kjo e shkeput poezine nga rutina e poezive qaramane te internetit.

Besoj qe duhej koncentruar duke hequr turqizmat, megjithse besoj perseri se ti i ke vene me vetedije per te krijuarkontraste.

Te uroj

D

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).