Kam takuar Antikrishtin

Kam takuar Antikrishtin


Leart Kola



Antikrishtin nuk mund të them që e njoh, në fakt deri më tani e kam takuar vetëm katër herë. Këto takime, që po të doni klasifikojini edhe në kategorinë e eksperiencave paranormale, të marra së bashku, nuk kanë zgjatur më tepër se dhjetë minuta. Por si figurë publike e njoh që më herët, që nga ’96 – ‘97, kur për të blerë në kioskë gazetën e drejtuar nga Antikrishti, “Koha Jonë”, ne dërgonim hallën, e cila si grua beqare ishte e vetmja në familjen tonë që mund të riskohej në një kuturisje të tillë, me shpresën që do të kalonte pa u dhunuar nga forcat e krye-engjëllit të madh liberalo-konservator Salë Ramë Berisha (a.k.a Xhebrail Emini). Antikrishti ishte njëri prej atyre gazetarëve që firmosnin në gazetën që mbajti barrën më të madhe të krijimit të shkëndijës së rezistencës mediatike në kohërat më të zymta e më shtypëse të regjimit Berishian.

Para disa vjetësh, Antikrishti u prezantua për publikun dhe nëpërmjet një zhanri të ri, atë të letërsisë. Që të them të vërtetën, më së tepërmi u prezantua nëpërmjet një sasie të larmishme krakaritjesh televizive, ofendimeve të forta apo elozheve qiellore që i bëheshin nga opinionistë e analistë të ndryshëm, që në fund dilte që nuk e kishin lexuar. Të them të drejtën dy asryet që më bënë kurioz të lexoj librin e tij “Të jetosh në ishull” ishin pikërisht argumentat më të fortë kundër librit dhe shkrimtarit, së pari pretendimi se libri ngjall urrejtje fetare dhe se dyti niveli i ulet letrar. Përpara se të shfletoja librin nuk është se kisha ndonjë pritshmëri pozitive, e pse të gënjej, dhe i besova shumicës së zërave që silleshin rrotull. Por si optimist që jam, mendova që nëse nga ajo stallë parlamenti ku shumica performojnë “Live” në analfabetizmin e tyre (duke përfshirë këtu Kryeministrin dhe Kryetaren e Parlamentit), pra nëse në këtë llahtarë evidente gjendet një njeri që kohën nuk e shpenzon nëpër kafe apo nëpër darka të yndyrshme ku dorovitet ryshfeti, ky fakt mjafton për të fituar një sasi respekti.

Nga libri që na paskërka revokuar kryqëzatat (se kështu komentohej nga shumica e analistëve), një nga pjesët më kuptimplota është ajo kur vëllai i vogël musliman priste të vinte vëllain e madh të krishterë në kopshtin e shtëpisë së tij, dhe ndenjti pa ngrënë nga meraku që ai po vonohej. Antikrishti këtu përshkruan jo vetëm ndjenjën njerëzore të Muhamedit, që është vëllai i vogël, por dhe ambientin përreth me një dashuri çarmatosëse, të natyrshme e të qetë. Pas leximit të librit në të vërtetë ndjeva urrejtje, por jo për muslimanët, por për të gjithë atë ushtri burrash çapajevë e grash gjeraqina, që e shpallën Antikrishtin si një njeri “pa din e pa iman” edhe pse fjalitë nëpër emisionet televizive i nisnin në këtë formë: “unë personalisht librin nuk e kam lexuar, por i besoj profesorëve që kanë mendim negativ për këtë vepër”; apo të tjerët që thoshin: “atij ia ka shkruar librin babai”; dhe ca që i vinin vulën duke thënë: “që kur na doli ky që bëkërka libra?”. Madje në ato ditë nuk munguan as ca PD-istë (nga ata që prezantohen në botën intelektuale si dishepuj të Fahri Balliut e që për vokacion kanë “doganierllikun”) që jepnin mendime, sigurisht pa e lexuar fare librin.

Aty e besova që libri i Antikrishtit prodhon urrejtje, por jo mes te krishterësh e myslimanësh, por midis atyre që vetëm për servilizëm mund të shajnë jo vetëm letersinë, por gjithçka tjetër. Janë ata njerëz që kohën e kalojnë mes drekash e darkash tumbllaz me kolesterol “kortezie” që meqë janë shumë të zënë morën mundimin ta lexojnë, e më mirë bënë, se truri i dhjamosur pak vend ka për art.

Antikrishtin e kam takuar dhe gjatë zgjedhjeve, më ra rasti të shkoja në zonën e tij elektorale gjatë atyre ditëve. Kur u shkëmbyem me Antikrishtin, ndryshe nga të gjithë kandidatët e tjerë që kisha takuar nëpër Shqipëri, ky më dha dorën me mirësjellje e me ftohtësi, një qytetari diskrete tepër e çuditshme gjatë zgjedhjeve ku zakonisht të gjithë qerasin e përqafojnë deri në asfiksi. Në darkë kur po ktheheshim në hotel, miku im nga Korça më tha: “ky Antikrishti është burrë legen”. I habitur e pyeta përse dhe përgjigjja ishte tepër e thatë: “po ja, asnjëherë nuk u gjen punë e nuk i ndihmon njerëzve që e përkrahin në fushatë”. Meqenëse kishte vetëm pak ditë që Shqipëria kishte hyrë në NATO, i thashë: “Ke të drejtë, legen qenka”. “Do iki te PD-ja se atje s’të harrojnë asnjëherë dhe më vjen keq, se mua ma kishte qejfi të fitonte PS-ja”, tha miku im, ndërkohë që shkova të fle me një shije të keqe në gojë. Edhe pse jo të pazakontë.

Para datës 28 të gjithë ne, të majtët (jo pseudo-të majtët që dolën përtej), ankoheshim ku të mundnim e me kë të mundnim për faktin që partia tradicionale e së majtës nuk po ofronte politika të majta, që eksperimenti Rama do të dështonte por dhe sikur mos të dështonte prapë do të ishte i dëmshëm, që askush nga e majta nuk po fliste per rregullimin e diferencave sociale dhe margjinalizimit shtresor nëpërmjet taksimit etj etj. Sipas nesh në një farë mënyre e majta do të humbte gjithsesi kushdo që të fitonte. Pas datës 28 qershor një pjesë e mirë e analizave që kritikonin “përtej të majtës e të djathtës” u vërtetuan, eksperimenti Rama perfundimisht dështoi në mobilizimin e ndokujt dhe PS mori vetëm votën e vet klasike, si pasojë e anti-berishizmit, dhe jo e pro-ramizmit.

Takimi im i fundit me Antikrishtin erdhi nëpërmjet TV, nëpërmjet deklaratave të tij ku ai kërkonte dorëheqjen e Ramës (imagjinoni e dha dhe Nano baroni!), ku kërkonte që Partia Socialiste të transformohej në një forcë të majtë, me program, që e respekton inteligjencën e votuesit, ku kërkonte që kjo parti të hynte në diskutim politik për taksat, në zbutje të varfërisë (imagjinoni që nga viti ‘98 asnjë i majtë nuk e thotë më këtë!), që shteti duhet të ishte më prezent në zbutjen e fenomeneve tranzicionale, në politika kulturore e sociale etj. etj. Pra pak a shumë të gjitha ato që prej muajsh ne e të tjerë të majtë shqiptarë i kemi kërkuar. Natyrisht që për hir të këtyre argumentave, e për hir të këtyre pritshmërive do ta mbështes Antikrishtin, e më vjen keq që shumë prej atyre që në argument do të binin dakord me të, e kundërshtojnë thjesht për arsye gastronomike, jo se është dembel, jo se nuk shkruan mirë letërsi, jo se është oportunist etj. etj.

Ca prej këtyre arsyeve natyrisht që qëndrojnë, përshembull fakti që Antikrishti nuk ka megalomaninë, grintën ambicioze të pakufizuar të liderit, nuk është një “numër një” i fortë, por për mua këto s’janë veçse arsye të mira për ta mbështetur.

Në fillim isha pak i perpleksuar nga këto argumenta, por kur pashë faqet e para të gazetave të shokëve biznesmenë të Ramës që shkruanin “fitoi Ai, humbi Antikrishti”, “150 kundër 15” dhe që gjithë krenari kishin botuar transkriptimet e langonjve që krijonin fjali të paturpshme të tipit “si guxon ti që na shan kryetarin”, e kuptova më në fund që gjithçka thuhej kundër Antikrishtit qëndron. Që të jesh kryetar në Shqipëri duhet që nëpër televizione të ulërasësh e të jesh arrogant, duhet që të klithësh e t’ia bësh të qartë të gjithëve që Politika jam UNË, Ligji jam UNË, programi jam UNË, gjithçka që merr frymë dhe ekziston e kam dhe e kontrolloj UNË. Duhet të kesh domosdoshmërisht një mik binzesmen që zotëron dhe media në mënyrë që ta kontrollosh si të duash, duhet që koleget e tu t’i trajtosh si ushtarë të pavlerë, që janë aty vetëm për të kënaqur egon tënde dhe jo për të kontribuuar ndonjëfarësoj në parti.

Në takimet me Antikrishtin unë kam vënë re se ai s’ka asnjë prej vlerave të rreshtuara më sipër, e për pasojë përpjekja e tij është lehtësisht e mposhtshme ashtu siç revokonte “Shekulli” me të madhe një ditë pas Asamblesë. Dihet tashmë që Antikrishtin e quajnë oportunist se kundërshton Ramën, e marr me mend që ca lexues, pasi ta lexojnë këtë shkrim, këtë do të mendojnë. Dhe më e bukura është që kanë të drejtë. Edhe Antikrishti është oportunist sepse tani për tani ai po ofron oportunitetin e vetëm për të krijuar një PS të majtë. Ndërkohë edhe unë jam i anshëm, pasi kam kohë që besoj dhe dua që të krijohet e të artikulohet një politikë e majtë moderne, që do të formalizonte diskursin politik, e do të përfaqësonte interesa deri më tani të lënë mënjanë të shtresave të ndryshme popullore. Une jam i anshëm, sepse mbështes këdo që ndan të njëjtin mendim me mua, qoftë ky individ, grup apo strukturë. Rastisi Antikrishti. Mund të ishte një shans i mirë deri edhe për Ramën. Një shans që vetë Rama dhe filozofia që ai përfaqëson e injoron vullnetarisht prej ditës kur mori frenat e PS-së.

P.S.

Një ditë pas asamblesë së PS-së, në radio tek po udhëtoja për në Kosovë, dëgjova zërin e zvargur të Gramoz Ruçit që deklaroi fitoren e Ramës ndaj Antikrishtit, dhe vijoi fjalimin e vet me frazën shokuese që është kthyer tashmë në një batutë humori urban: “Ne si politikë e re…”.

3 Komente

Leart, mqse kto punet e brensdshme te PS-se dhe kryetarlliqet e saj me interesojne me pak se rete e parvjetme, po pritsha naj pronocim tendin lidhur me

dhe se dyti niveli i ulet letrar.

 

mua s'me pelqen shume si letrar, dhe pse ia vleresoj perpjekjen. Dmth eshte mesatar 

Leart shume mire e ke bere kete shkrim. i thoni Llukanit pse nuk lejohet opsioni i komenteve tek shkrimi i djegjes se pyllit te Nivices?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).