Ironia e mjeteve rrethanore

Sa herë dëgjoj lajmet mbi të rejat e betejës që po bën politika lidhur me kartat e identitetit më kap një ndjenjë ku trazohet ironia me indinjatën. Ma shkaktojnë këtë të dy palët, qeveritarët që, megjithë premtimin, nuk i kanë kryer ato dhe opozita që luftën po e bën, thjesht e vetëm në kontekstin e zgjedhjeve. (Në këtë kontekst, të them të drejtën, nuk kam arritur ende të kuptoj nëse pretendimi i opozitës është çmimi i kartës, që konsiderohet i lartë, apo ngadalësia e qëllimtë e administratës në kryerjen e kartave. Sepse, nëse opozita nuk arrin të mobilizojë njerëzit që duan ndryshim as sa të paguajnë nëntë euro, kjo tregon se ajo nuk i ka punët mirë; kurse nëse problemi është ngadalësia e qëllimtë e administratës, atëhere, edhe me karta gratis, ajo “ndadalë” që “ngadalë” do të punojë.)
Megjithatë në këtë shkrim nuk dua të merrem me zgjedhjet, madje dua të flas kundra tyre. Sepse, sapo dëgjoj apo lexoj për luftën elektorale të kartave, më vijnë si reaksion në kujtesë një numër punërash të ngjashme me atë kartave (për të cilat thuajse nuk flitet fare) që tregojnë se problemi kryesor që ngre vonesa e tyre nuk është ajo e zgjedhjeve. Problemi kryesor është se ne jetojmë në një vend ku, në vend se t’i shërbejë shteti qytetarit, i shërben qytetari shtetit; se ne kemi një administratë që përveç taksave i kërkon qytetarit të shpenzojë pafund edhe kohë, energji, mund, të holla për t’i shërbyer dembelizmit, lukseve, papërgjegjshmërisë së saj. Dhe nuk e kam fjalën për korrupsionin. Ajo e korrupsionit është çështje tjetër, ndonëse indirekt e lidhur me çështjen në fjalë. E kam fjalën për të hollat, mundin, kohën, energjinë që i kërkohet qytetarit të shpenzojë për të kryer ato punë që në shtetet normale i bën administrata.
Le të jap disa dhembuj duke e filluar me një krahasim me Italinë, shtet në të cilin, pikërisht për shkak të shumë të metave e prapambetjeve përdoret, edhe aty, nga politika, shprehja “të hyjmë në Evropë”. Nëse të humbet një kartë e tillë si patenta në Itali mjafton të paraqitesh në një stacion çfarëdo policie, të bësh denoncimin dhe brenda një ore të japin lejen e qarkullimit të përkoshëm. Kurse patenta e përherëshme të vjen me postë në adresën ku banon, GRATIS përveç një takse prej katër eurosh për postimin. Në rastin që e kam jetuar vetë, këtë punë e bëri policia e Sardenjës kurse patenta mbrriti në Firence. Ndërkaq, kush e ka provuar t’i humbasë patenta në Shqipëri e di se çfarë torture i duhet të kalojë qytetarit për ta rimarrë atë. I duhet ta fillojë me çertifikata pastaj në procedurat e policisë e cila pastaj duhet t’ia dërgojë këto dokumente zyrës së patentave e cila nuk varet nga Ministria e Rendit, por ajo e Transportit, t'i japë edhe një herë kësaj dokumenta të tjera, t'i marrin edhe një herë shenjat e gishtave, të paguajë edhe një herë ...
Por le t'i lemë më mirë krahasimet me jashtë, se ka shumë nga ata që, sapo u bën ndonjë krahasim të tillë, të thonë: dashke shumë ti. Le të qëndrojmë në atë vuajtjen tonë të brendëshme që e ndjejmë pa pasur nevojë për krahasimin me jashtë.
Meqë jemi në fushën e automjeteve le të qëndrojmë aty. Ndërkohë që kush jeton në Tiranë e di se parkimi i makinave është bërë një ferr i vërtetë, çfarë ndodh? Policia jonë rrugore bredh me bllok në dorë për të realizuar normën e gjobave për mbushjen e arkës së shtetit. Ka një shproporcion të tillë midis shërbimit të keq të parkimit dhe gjobitjeve që herë herë të le pa gojë. Le më pastaj kur ndeshesh me novacione dhe improvizime të vazhdueshme zhvatjeje. Le t'ju tregoj nja dy histori që më kanë ndodhur personalisht. Para disa kohësh, kur sapo kisha ardhur nga jashtë dhe u rifuta me makinë në kaosin e trafikut tonë, vura re se ishin rishfaqur ato buburrecat e verdhë të policisë Bashkiake që bllokojnë rrotat e makinave. Meqënëse kisha një përvoj të hidhur me to fillova të bëja shumë kujdes kur parkoja. Një ditë më rastisi ta parkoja makinën në një vend ku kisha parë historikisht të parkoheshin makina, midis stadiumit Dinamo dhe Restorant Ujvarës. Mirëpo, kur dola, nuk e gjeta makinën. Që t’i bije shkurt, një aksion me “goditje të përqendruar” i policisë së rendit (jo bashkiake) kishte bërë që ai vend, që historikisht e kisha parë të zënë me makina, të quhej tanimë parkim i gabuar. Kishte ardhur karroatreci dhe ma kishte çuar makinën andej nga Kinostudioja. Le po ishte edhe natë. Mezi e gjeta me të pyetura, jo në duart e shtetit, që ma kishte marrë, por në ato të privatëve të cilëve u duhej paguar karroatreci. Ishin ata që të jepnin në dorë edhe gjobën e policisë që paguhej veçmas. Askush nuk ta hiqte dot mendimin se në këtë aksion s’kishim të bënim aspak me një pune rendi, por me një bashkëpunim të plicisë me privatin për të të zhvatur ca lekë.
S’kishin kaluar as dy tre ditë kur rashë në një metodë edhe më të rrafinuar zhvatjeje, e përdorur kësaj here nga policia bashkiake. Kisha lënë një takim tek Hotel Rogneri në mbrëmje. Isha dhe pak me vonesë. U gëzova kur përballë Rognerit gjeta një vend të lirë për parkim. Aty kisha parkuar historikisht, nuk mund të gaboja. E përsëris sapo kisha ardhur nga jashtë. Pashë kuadratin e bardhë anës trotuarit, u futa me të katër rrotat brenda tij dhe u nisa i qetë për tek Rogneri. Kur mbarova takimin shkova tek makina, hapa derën që të hyja të nisesha kur një kalimtar më tha: kujdes, mos e nis makininë se e ke rrotën të bllokuar. “Si ka mundësi i thashë!’ makina është në rregull, vizat e bardha ja ku janë, rrotat janë brenda tyre, çfarë ka ndodhur?” Më në fund, pasi i erdha rrotull makinës nga të katër anët, u kujtova të ngre kokën lart të kërkoj nëpër errësirë. Dhe e gjeta shkakun. Bashkia paskësh venë atje një tabelë ku thuhej se dy vende ishin për handikapatët. Kudo në botë këta vende shënohen me të verdhë mbi rrugë, kanë edhe shenjën në mes të kuadratit, sepse askush nuk e nget makinën me kokën në qiell. Me fjalë të tjera, pa e ditur se atje ishte një vend për handikapatët, edhe ditën do të bije në grackën e Bashkisë e jo më natën. Edhe 5000 lekët të tjera gjobë. Edhe sot e kësaj dite ai kuadrat është i bardhë jo i verdhë.
Le të kalojmë tani në një shembull tjetër të punës së qytetarit për shtetin. A e dini se nëse je pensionist në Shqipëri dhe paratë e pensionit të derdhen në bankë, Sigurimiet tona të kërkojnë që çdo gjashtë muaj të shkosh të paraqitesh fizikisht në Bankë që të provosh se nuk ke vdekur? Duket qesharake, por kështu është. Sepse, sa të lodhen Sigurimet të ndërtojnë një rrjet komunikimi me Gjendjen Civile, ku regjistrohen e çregjistrohen të gjallët dhe të vdekurit, i bijen shkurt të dy palët. I thonë qytetarit: paraqitu fizikisht në bankë se përndryshe të presim pensionin. Kështu që, edhe nëse je në Amerikë, duhet të paguash biletën të fluturosh e të paraqiteh se përndryshe rrezik se do të duhet të bësh edhe një herë dokumentet e pensionit.
Por ka edhe më keq se kaq. Kush e ndjek shtypin ka parë se kanë dalë, më në fund, listat e para të të burgosurve politikë që do të shpërblehen për vitet e padrejta të burgut. Përveç atyre që e kanë kaluar në kurriz askush nuk e di se ç’kanë hequr të burgosurit politikë apo familjarët e tyre, duke bredhur nga një institucion në tjetrin, për të mbledhur dokumentet që u kërkoheshin gjersa arritëm në këto lista. Dhe a e dini se ku i merrnin këto dokumente? Tek shteti për t’ia dorëzuar po shtetit. Një kalvar i vërtetë burokratik, por jo vetëm edhe financiar edhe si shpenzim kohe e energjie e nervash. Sepse ata që ishin nëpër rrethe duhet të vinin në Tiranë e të bridhinin nga zyra në zyrë, sigurisht pa e mbaruar dot brenda ditës mbledhjen e tufës së dokumenteve. Mendoni pastaj për ata që ishin jashtë shtetit. E magjithatë, ka kaluar më shumë se një vit dhe, me gjithë ndihmën e paepur të të përndjekurve e të familjarëve të tyre, shteti ka bërë vetëm 1400 emra gati, dmth. nuk ka verifikuar dot më shumë se katër vetë në ditë në një kohë kur kanë kaluar jo pak por 18 vjet që nga koha kur ish të dënuarit e fundit politikë janë liruar dhe kur ka pasur thuajse që në fillim një Institut të Përndjekurish për të bërë regjistrime e verifikime të tilla.
Dhashë vetëm pak shembuj që, kujt do t'i lexojë, me siguri do t'i kujtojnë të tjerë nga përvoja e vet personale. Dikur në kohën e komunizmit – më tha një mik që po i tregoja historinë e paraqitjes fizikisht në bankë për të provuar gjallësinë – këtyre metodave u thoshin: "me mjete rrethanore”. Pa frikë shteti ynë mund të quhet shtet që punon me mjete rrethanore. Çështja është se, sikur të kishte vullnet të mirë, edhe me mjetet rrethanore do të kishim arritur diçka. E kam thënë edhe herë tjetër: edhe me gomar sikur të ishin nisur administratorët tanë, shtëpi më shtëpi për të regjistruar popullsinë do të kishin arritur ta regjistronin më në fund atë. Puna është se gjendja e kaosit dhe avashësisë së administratës sonë, që në vend se t'i shërbejë qytetarit kërkon që t'i shërbejë ai asaj, nuk është as vetëm çështje teknologjie dhe as vetëm paaftësie. Është strategjia e mbajtjes së vendin në kaos dhe errësirë për të kryer, dhe pastaj fshehur, punët e pista të politikës. Prandaj edhe kjo puna e rrëmujës dhe vonesës me kartat është në logjikën e kësaj strategjie e përdorur sa nga njëra palë edhe nga tjetra. Prandaj dhe, e stërfryrë kështu, në emër të interesave të atyre që e kanë harruar me kohë kalvarin e njerëzve në administratën e tyre, ajo s'mund të mos ngjallë veçse ironi dhe indinjatë. (Korrierri, 27 prill 2009)

3 Komente

Saktivistarë dhe Saktivistare. Jini vigjilent! Po ju vjedhin stilin smiley

Nga kartat, tek Sardenja, tek parkimi, tek pensioni, tek kaosi dhe errësira.

Ironia e ironise eshte se shkrimi perdor pikerisht mjete rrethanore..per sulm a per mbrojtje, nuk e di..

Fh,

Ato qe sapo dalin nga kerthiza shpesh u duket se jane kerthiza e botes.

Artikull i shkelqyer.  

"....Puna është se gjendja e kaosit dhe avashësisë së administratës sonë, që në vend se t'i shërbejë qytetarit kërkon që t'i shërbejë ai asaj, nuk është as vetëm çështje teknologjie dhe as vetëm paaftësie. Është strategjia e mbajtjes së vendin në kaos dhe errësirë për të kryer, dhe pastaj fshehur, punët e pista të politikës. Prandaj edhe kjo puna e rrëmujës dhe vonesës me kartat është në logjikën e kësaj strategjie e përdorur sa nga njëra palë edhe nga tjetra...."

Burokracine shqiptare kam shum vite qe e provoj, por me hithet se e provova kete vit (mars 2009) , nuk e kisha provuar ndonjehere. Ne pergjithesi, me punet e burokracise nuk para merrem, merret gjithmon plaka ime, qe mezi mbaron pune dhe nganjehere nuk mbaron, veç ia zvarrisin. Kthehet e shkreta plake gjith nerva, e stresuar, dhe te mendosh qe keshtu e pesojne me shume se gjysma e popullates, dhe nga kush, pikerisht nga ai shtet, ajo administrate qe duhet ti sherbeje njerzeve dhe jo ti vjedhi parate dhe kohen. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).