Intervista

Gazetarja i tha se ligji i ri për pensionimin ka patur reagime nga pensionistet dhe nga shtypi, sepse i ndalon ata të merren me aktivitet ekonomik pas pensionimit, kur dihet se niveli i pensioneve është tepër i ulët sa...

Pushtetari ndërhyri menjëherë, pa u drejtuar akoma pyetja: Ajo s'është e vërtetë. Kjo është një shpifje e opozitës me qëllime të caktuara politike.

Ajo: Le ti lëmë ngjyrimet politike dhe le të bëjmë sqarimin e ligjit, sepse ndoshta janë paqartësitë ato që kanë shkaktuar këto reagime...

Ai: Jo. Nuk është kjo arsyeja. Ligji është shumë i qartë, por disa forca të opozitës, qëllimisht...

Ajo: Më falni. Le të flasim konkretisht për ligjin mbi pensionet.

Ai: Po. Së pari, duhet të sqarojmë c'janë pensionet, si sigurohen ato. Ato janë fryt i djersës së derdhur nga pensionistët gjatë viteve të punës së tyre...

Gazetarja ndërhyri: Pikërisht, meqë është djersa e tyre e akumuluar në vite, pse duhet të mos ketë të drejtë te punojë pas pensionimit duke u marrë me ndonjë aktivitet privat, për shkak të pensioneve qesharake?

Pushtetari: Lidhur me këtë, ka dy momente kryesore: E para, ligji i ri për pensionimin është i përkohshëm. Ai përligjet me numrin e kufizuar të vendeve të punës të kushtëzuara nga periudha e tranzicionit. E dyta, pensionistët mund të merren me aktivitet ekonomik por...

Gazetarja:... por duhet të humbasin pensionin, djersën e grumbulluar.

Pushtetari: Sigurisht, kjo është ekonomia e tregut...

Duke ndier se justifikimi i modës "ekonomia e tregut" ishte jashtë kontekstit, pushtetari shpejtoi: Por edhe pa humbur pensionin, pensionistët tanë të nderuar do të dinë të nxjerrin të ardhura për vete dhe për familjen e tyre. Mund të shkruajnë, të lexojnë... më falni, desha të thosha të shkruajnë në gazeta, të shkruajnë libra, studime, kujtime... nga mund të marrin të ardhura të konsiderueshme. Besoj se hodhëm dritë dhe e sqaruam problemin.

--Por... - foli e përhumbur gazetarja.

Dhjetë minuta më vonë gazetarja u paraqit te shefi.

--E more intervistën? - pyeti shefi.
--Edhe po, edhe jo... - u përgjigj e ligështuar gazetarja.
--S'të kuptoj.
--Formalisht, po. Por asnjë sqarim nuk u bë.
--Ta dëgjojmë! - foli shefi.

Gazetarja shtypi bytonin. Shefi dëgjonte regjistrimin jo fortë i përqendruar.

--Në regull, të transmetohet menjëherë, - tha.
--Si në regull?!
--Në regull do të thotë okej, va bene, endaksi... Mund të shkoni!

Gazetarja u nis. Afër derës u ndal nga kollitja e shefit:

--Herën tjetër... besoj se s'do të më zhgënjeni, vajzë.

---

Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).