Intelligence grise (pa numer)

Në fillim nuk ia vumë veshin, por kur erdhi edhe sinjalizimi i katërt, u bë e qartë: një epidemi morri qe përhapur gjithandej. Më së shumti alarmi vinte nga arsimtaret, që shquheshin për ndjeshmëri ndaj të tilla gjërave. Kontrollet e pastërtisë në ditët e hëna nëpër shkolla pasoheshin nga shifra: kaq përqind e nxënësve të shkollës sonë janë të prekur. Sinjalizimi i parë na erdhi nga fshati A. Kjo u prit me mospërfillje, pasi A dihej që ishte një fshat me nam për papastërti. Dhe si mund të ishte ndryshe; gjatë luftës A-ja kishte qenë përgjithësisht kundër nesh. Ja, edhe ai çobani proverbial që ankohej herë pas here se çoç më ha këmba e kur kuturisi më në fund të hiqte këpucën e çorapen u pa që kishte zënë krimba, edhe ai nga A ishte. S’mund të ishte nga fshati fqinjë B, të themi, i cili gjatë luftës kishte qenë me ne. Ata të B domosdo ishin pastërtorë dhe të paqëm. Pra edhe morri dinte ku shkonte, në ç’koka, në ç’flokë. Dhe koka “të pakënaqurish” si ato të A-së, atë “feste” duan. Le të flisnin pra, “kundër”, duke u çmorritur nëpër ato gërxhet e A-së, batall i madh fort, s’e sheh!
Në fakt pati edhe një dyshim mos kjo qe bërë me qëllim, për të diskredituar hapat gjigande në fushën e shëndetësisë, tharjen e kënetave, malarjen, tuberkolozin, sifilisin. Mirëpo, pikërisht kur po verifikohej kjo, morritja e qëllimshme pra, ia behu sinjali tjetër nga fshati C, që ishte larg nga A dhe që gjatë luftës kishte qenë me ne. Përsëri mësueset e fshatit, qytetare lëkurëholla, që vinin boritë sikur s’kishin parë e dëgjuar për morr e thërrijë në dynja. Halli qe se organizata bazë e atjeshme ishte e fortë dhe luftarake dhe kjo nuk shkonte bashkë me atë të flamosur sinjalizim. Atëhere u tha e kundërta e asaj për fshatin e të pakënaqurve A; u tha që morri në pastërti shkon, aty gjen vend. Di morri ku vete e futet. Ashtu siç dinte për kokat e palara të A-së.
Ishte një kohë morri gjithëditës.

Sinjalizimi i tretë ne fakt nuk erdhi nga ndonjë shkollë. Ishte më tepër lajm i brendshëm, nga këto që qarkullojnë si njoftime me përparësi, por jo zyrtare. I tillë qe për shembull së fundi rasti i atij shitësit të mishit që i thoshte fjalë turpe mbesës së sekretarit të komitetit të partisë. Kur ajo vinte për të blerë dhe në dyqan nuk kishte njeri, ai e pyste pa turp fare “a ke piçkë”? U vumë në siklet pasi kjo nuk ishte ndonje shkelje politike apo deformim i vijës apo zbutje e luftës së klasave. Ishte e vështire t’a klasifikoje dhe as që do merreshim me këtë gjë, sikur e ngacmuara të mos ishte mbesa e shokut Zyber. Përpunuam disa variante për zgjidhjen e problemit, që fillonin nga ndonjë provokim i rëndomtë dhe futje në kllapë deri tek ndonjë rrahje natën, në shkallët e errëta të hyrjes së pallatit të tij. Por nuk bëmë asnjë nga këto. Thjesht thamë t’a zgjidhnim ballaz problemin, një gjë e re kjo, pra të vinim dy vetë të përgjonin pa u vënë re te dera kur mbesa e sekretarit të hynte dhe shitësi i mishit t’i bënte atë pyetjen e poshtër. Atë çast të dy ruajtësit do hynin brenda, do t’i thoshin të dëgjuam, qen bir qeni, dhe do shërbenin si dëshmitarë në gjyq. Dhe ashtu e bëmë, por na doli huq. Sepse kur ai e pyeti prapë dhe ajo i tha sipas porosisë “e, kam, pse si është puna” ai ja ktheu me qetësi: “po jepja atij burrit tënd, se mbeti duke i rënë më qafë gruas sime”. Pra i këtillë ishte edhe njoftimi i tretë i morrit. Prapë me mbesë, por këtë rradhë e sekretarit të parë. I fejuari, një inxhinier nga këta që mbarojnë jashtë dhe u duket vetja sikur kanë kapur qiellin me dorë, po e prishte fejesën. Shkaku ishte i çuditshëm, i pangjarë më parë. Zakonisht arsyeja më banale për burrat që ndanin gratë ishte akuza që gruas i mban erë goja; kishte një ligj për ketë, që e nxirrte burrin pa lagur, dhe më e bukura ishte që s’kishe me se e vërtetoje fare atë punën e erës. Nuk ka kandar për të matur atë punë. Dhe ajo e shkretë erë ndonjëherë s’ka të bëjë fare me kolinose e karafilë. Vjen e s’ke ç’ti bënç hiç. Por ky birbua mesa duket e kishte vërtet atë që thosh. Në kinema të qytetit, ndërsa po putheshin me të fejuaren, ai kish ndjerë diçka që i kish rënë në llërë të dorës prej flokëve të saj dhe kishte lëvrirë në drejtim të pacaktuar përmes shkurreve të qimeve të parakrahut të tij. I llahtarisur ai ishte larguar sakaq nga e fejuara, a thua kjo kish lebrën, e kish parë me sy të çakërritur duke i thënë “mos m’u afro”! Iu vunë gjithë fisi i tij, na mo, se nuk lihet gruaja për një morr e për një plesht, digjet jorgani që thonë, por jo gruaja, pastaj ata të uruar shkojnë e venë atje ku është më pastër, ja mjafton një ditë të kesh qenë në autobus duke u shtyrë afër një morraxhiu, një frenim shoferi, një të kërcyer morri, hopla, mori fund puna. I treguan edhe historinë e vërtetë të Temes që morrat gjatë luftës i mblidhte përmes një shamie të pastër me kolonjë që e mbante rrëzë qafës. E vije në darkë, në mëngjes e gjeje shaminë plot, thosh Temja. Aty shkonin. Të gjitha këto ishin të tamëmta e të sagllëmta, por inxhinierit nuk i mbushej mendja. Është çështje perceptimi, thoshte. Unë nuk mund t’i prek më flokë e lesh asaj – ç’është e vërteta edhe ajo lumëmadhe goxha flokë kish – më duket sikur ato janë kaçube vdekje e jo... Dhanë e muarrnë, s’e kandisën dot. Ne i kontrolluam të gjitha, natyrisht përveç faktit nëse ajo vërtet kishte zënë ndonjë nga ata... të vecklit... kontrolluam nëse inxhinieri kishte ndonjë lidhje tjetër, sidomos mos kishte ndonjë histori me ndonje nga jashtë, që nga koha e studimeve, por gjëkundi nuk gjetëm gjë.

Kur “ata” u shfaqën edhe në shkollën elitare FN të kryeqytetit nuk kish më asnjë dyshim. Ishte epidemi kjo punë. Dhe shumë vonë për t’u përgënjeshtruar. Një epidemi në sistemin më të përparuar të shërbimit mjeksor në rruzull të dheut – kjo është katastrofë, na tha shefi me një fytyrë kërcënuese, a thua se “ata” i kishim sjellë ne.
E kishim të qartë që tashmë duhej gjetur një shkak, ç’i pruri, ç’i kumbisi? Qëllimi për diskreditimin e pushtetit popullor as që vihej në dyshim. Armiku këtë rradhë ishte i vogël, mikroskopik dhe për ta vrarë mjaftonte t’a vije midis dy thonjve të gishtave të mëdhenj të duarve dhe t’a shtypje aty, të dëgjoje se si pëlciste me një zhurmë të pangjashme me asgjë, kërr-tak! Por vështirësia ishte pikërisht tek kapja. Qindra kokë, sidomos fëmijësh, viheshin mbi napa të bardha (shpalosur si çarçafët ku do shkundnin manat) në prehëra nënash, të cilat i kontrollonin me kujdes, fije më fije, me durim kinezi (kjo ishte ku e ku më e vështirë se qërimi i orizit), dhe sikur kjo të mos ishte mjaft, i krehnin pastaj kokat në ca krehëra të imët, që ç’i kish shpëtuar qëmtimit nën sytë e picërruar, të ngecte midis dhëmbëve të pamëshirshëm të krehërave të posaçëm, ku binin theror përveç “atyre”, edhe sa e sa kapriçio të lehta floku shkulur me rrënjë, dhe sikur kjo të mos ishte mjaft, natën e terrorizonte “tortura e vajgurit”, me të cilin lyhej koka dhe mbështillej me një çallmë peshqiri, që avujt e “gazit” të mbaronin punë edhe me ç’kish mbetur gjallë në atë fushë të përgjaktë tashmë beteje skalpore, që digjte nën flakë të fshehta karburanti më keq se fushat naftëmbajtëse të Lindjes së Mesme. Ishte e vështirë. Hallë Hasimèja qe bërë me fiksim, orë e çast dorën te koka, merrte mbesën e i thosh më kontrollo të keqen, për çdo morr që do vraç do të jap një karamele, dhe mbesa firaune, se nga kish mësuar një marifet që imitonte kërcitjen e morrit mes thonjve dhe në çdo dy minuta bënte një “zbulim e vrasje”, kërr-tak me thua, që mos u ngrënçin dhe ato karamele. Oh, sa shumë që ke, Hallo Hasime!
E gjithë kjo kishte një pezm të hidhur, një “pse” që shkulte si me sqepar copa shpirti, një “po pse mor njerëz nuk dëgjoni porositë nga lart, edhe për larjen ka folur komandanti, ç’të bëjë më dhe Ai, të gjitha janë të shkruara, të thëna, çfarë njerëz jemi xhanëm, pse do t’i japim me patjetër shkas armikut”!

Ishte një pasdite pasmbledhje e tillë me shef fytyrë-katastrofur, kur unë e gjeta shkakun që duhej thënë e përhapur për punë të epidemisë. Po lahesha në banjën e shtëpisë si zakonisht, me sapllak, duke dyshuar për çdo krruarje të lehtë të skalpit, për çdo lëvrirje të lehtë prej damari të çaçkës, se mos… dhe zgjata dorën të merrja sapunin. Sapuni ishte prodhim jugosllav. S’e kisha vënë re më parë. Shkumova flokët dhe m’u bë sikur qindra morra mbinë përmes flokëve. E flaka me tmerr sapunin dhe shpejtova të shpëlahesha nga ajo kolitirë. Dhe aty, si punë e atij grekut që thonë, që bëri zbulimin në banjo tek lahej, edhe unë gjesh thirra “e gjeta, e gjeta”! Shkaku i epidemisë s’mund të ishin veç këta sapunë, aq të pafajshëm në dukje. Ishte kaq e thjeshtë sa që doja me patjetër t’a besoja vetë së pari. U ula, e mora me kujdes sapunin, i cili në një përpjekje të fundit për t’më shpëtuar kërkoi të rrëshqiste mes gishtave, por unë ja ngula thonjtë... në grykë. S’ke ku vete, gjidi.... Nuk dija ç’ti thosha, pasi fjala mungonte. E afrova, i mora erë. Era ishte e mirë, por pikërisht aty ishte mashtrimi, joshja, ngashnjimi. Pashë thellë në të dhe m’u duk sikur brenda masës së butë ishin ndryrë miliona thërrija, të gatshme të shpërthenin me shiun e shkumën më të parë, fara të djallit për t’u hedhur në kokat e njerzve tanë. Kjo po, do kishte një kumbim të përsosur. Do kishte kuptim. Figurë nga ato që përdorin nëpër vjersha. E admirova vehten. Nëpërmjet një mjeti kozmetik armiku është përpjekur të infiltrojë, dhe fatkeqësisht jo pa sukses, parazitë që kanë hedhur rrënjë në kokat e njerzve tanë! Pa pa pa... e hatashme. Sa më shumë e mendoja, aq më gjeniale dukej. Thërrija të fshehura në sapun që po e quajmë për kollajllëk “Venus”... kjo ishte e qartë si dritë e diellit. Kisha dëgjuar ca të rinj para pak ditësh që këndonin: “e putha Marjanën mu në buzë/ i vinte era sapun Venus/ merak më la, merak më mbeti/ si kallup sapuni, me treti” – a kishte vërtetim më ashiqar se ky! Këngë e ndaluar, sapun, ideologji, mashtrim, propagandë...

Nuk e mendoja që ai sajim të përhapej aq rrufeshëm. E dija ndërkaq që gjetja ishte e shkëlqyer, nuk kisha dyshime për këtë - sytë e shefit kur ia thashë shprehën një vlerësim të pamatë dhe katastrofa sikur u çmontua nga fytyra e tij gungore. Por që sajimi të bëhej besim popullor brenda javës, nuk ma pati marrë mendja. Sukses i plotë. Njerëzit tashmë ç’ka po ndodhte do e quanin si një sakrificë plus të rrethimit të egër. Natyrisht, të merrje plagë në luftë dukej ku e ku me heroike se sa kjo, por ama njerëzit po mësonin se me armikun duhej të llogarisnin gjithçka, jo vetëm artileri e topa që kapeshin nga gryka, por edhe lëndë helmuese luftarake apo sulme biologjike... si ky. Kohë heroike sapunësh të pabesë. Ndoshta një ditë do dilnin dhe këngët e para popullore, që rimonin me sapun, o dushmën, o firaun. Flitej se deri ai inxhinieri i paskësh kërkuar ndjesë të fejuarës, nuk e dija i kish thënë, kohë të ashpra, u nxitova. Sapunët e vendit, disa kallëpe të mëdhenj si tulla, u panë me tjetër sy. Deri tani i kishin quajtur avdallë, të trashë, të vrazhdë, ndërsa tani këto u harruan dhe triumfoi vlerësimi tjetër, ai i thjeshtësisë, babaxhanllëkut dhe mbi të gjitha, ai i besnikërisë. U kujtuan gati me përdëllim edhe mënyrat e vjetra, ajo larja me finjë. Një poezi për finjën doli në faqe kryesore të gazetës letrare.

Javën tjetër, kur erdhi dita per t’u larë, gruaja me dha një copë sapuni vendi që e kishte prerë me thikë. Unë tunda kokën në shenjë mohimi dhe nxora nga dollapi ku mbaja pistoletën një sapun nga ata të flamosurit, që mbanin erë të mirë dhe nuk t’a thanin fytyrën si këto gjysmë tullat e vendit gjithë sodë kaustike. Ajo më pa pa iu besuar syve ndërsa unë e mbylla derën e banjës nga brenda.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).