Intelektualët në rolin e të këqijve

Intelektualët në rolin e të këqijve

Slavenka Drakulic

Radovan Karaxhiqi është  kriminel famëkeq lufte, i kërkuar nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës. Por ai gjithashtu është psikiatër dhe poet. Bota shpesh hamendet se si një poet mund të shndërrohet në kriminel lufte. Kjo disi mund të jetë e kuptueshme për psikiatrin, ashtu si për ndonjë bukëpjekës, mjek ose zdruthëtar – por poeti? Edward Limonov është më pak i njohur se Karaxhiqi, por edhe ky fitoi famë të keqe me granatimin e Sarajevës nga kodra mbi këtë qytet dhe kështu tërhoqi vëmendjen e gjithë mediave botërore. E tepërt të thuhet – edhe ky është poet.

Sigurisht se ka edhe të tjerë sikur këta, por këto dy raste ekstreme i bëjnë njerëzit të hamendën se si munden poetët të bëjnë gjëra të tilla? Për mua përgjigja është evidente, thjesht se ata nuk ndryshojnë nga të tjerët – nga psikiatri, bukëpjekësi, mjeku apo zdrukthëtari. Andaj kjo pyetje, që shtrohet nga njerëzit e indinjuar moralisht, duhet të praptësohet: jo si e bënë, por pse mos ta bëjnë? Çka është ajo që i bën shkrimtarët dhe intelektualët në përgjithësi aq të veçantë që të mos kryejnë krim, të shkrepin pushkë, të kenë epje për pushtet, të urdhërojnë ekzekutime ose të mos bien pre e korruptimit? Mos janë të vaksinuar kundër këtyre gjërave? Përkundër provave të shumta se nuk janë, akoma ekziston një bindje se intelektualët, posaçërisht shkrimtarët, janë qenie që gëzojnë epërsi morale. Në fund të fundit ata posedojnë dituri, prandaj duhet të jenë në gjendje të gjykojnë më mirë se njerëzit e thjeshtë se çka është e drejtë e çka jo. Sado e këndshme që të duket kjo pikëpamje idealiste, mjafton të shikohet rreth e rrotull që ajo të kontradiktohet nga jeta.

Karaxhiqi nuk është i vetëm, as nuk është përjashtim. Mund të përmendi po ashtu regjisorin kroat, Slobodan Praljak i cili urdhëroi shkatërrimin e urës katërqind vjeçare në Mostar. Në të vërtetë, puna e intelektualëve, gazetarëve, poetëve dhe shkrimtarëve filloi shumë kohë përpara luftës. Në fakt këta janë njerëzit që e bënë të mundur luftën në ish-Jugosllavi. Megjithëse nuk dua që t’ua ngarkoj fjalët së tepërmi, sepse në fund të fundit fjalët nuk janë plumba, këta njerëz ishin shumë efiçientë në përgatitjen e luftës.

Që të fillojë lufta, populli duhet të përgatitet psiqikisht, dhe në këtë fushë janë të përdorshëm poetët, gazetarët, historianët dhe shkrimtarët, që në këtë drejtim punojnë për rrogë apo edhe nga fanatizmi i vërtetë. Këtë e pashë në Jugosllavi, ku pashë se lufta nuk fillon me gjuajtje, hedhje bombash dhe djegie shtëpish. Ajo fillon me krijimin e ngadaltë dhe gradual të armikut, ose ngjalljes së një të vjetri, duke e paraqitur si kërcënim – një proces i përshkruar me shumë mprehtësi në ditarin e Victor Klemperer në rastin e Gjermanisë. Para Karaxhiqit dhe Praljakut, një turmë e tërë e kolegëve të tyre po nxitnin ndjenjat nacionaliste dhe po veçonin objektin e urrejtjes, “tjetrin” – serbin, kroatin, muslimanin ose shqiptarin – ashtu siç do të kishte mjaftuar të veçohen, p.sh. njerëzit me mjekra ose me syzë. Puna e këtyre intelektualëve ka qenë që të krijojnë armikun, ta homogjenizojnë kombin kundër këtij armiku dhe të bindin bashkatdhetarët e tyre se po luftojnë për një kauzë të drejtë.

Lufta në Kroaci dhe në Bosnjë e 1991-96, si dhe lufta në Kosovë, ka qenë e paraprirë nga e ashtuquajtura luftë e mediave, apo luftë e fjalëve. Për afër pesë vjet gazetarët në Serbi dhe Kroaci bënin garë me historianët dhe shkrimtarët në përshkrimin e kombit tjetër si armik. Nacionalizmi ishte politikisht shumë instrumental në një situatë ku inflacioni kishte shpërthyer në 2.500 për qind dhe shumë probleme të tjera kishin kapluar atë që dikur njihej si Jugosllavi. Gazetat botonin artikuj të tmerrshëm se si serbët kishin qenë të masakruar nga kroatët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose si kroatët ishin të shtypur nga serbët pas luftës. Numrat e viktimave kontestoheshin, madje edhe varrezat masive eskavoheshin. Poetët ringjallën mitet e vjetra se si Kosova është tokë e shenjtë e serbëve ose se serbët janë “popull qiellor”, i cili humb beteja në tokë por shpërblehet në botën tjetër, ose për “ëndrrën mijëvjeçare” të kroatëve për të pasur shtet të vetin.

Ata mund ta bënin këtë sepse Jugosllavia, si shumë vende të tjera komuniste, nuk kishte histori, vetëm ideologji. Historia u shpërla, sikur në lavatriçe: i hedh rrobat e palara, i shton pak pluhur ideologjik, zgjedh programin e nevojshëm, dhe ja, e kaluara e vjetër del e pastruar. Ajo që është interesante është se njerëzit që morrën pjesë në këtë proces të krijimit të miteve dhe përforcimit të paragjykimeve nuk ishin vetëm poetët provincialë të dorës së dytë siç është Karaxhiqi, por edhe rapsodë kombëtarë, siç ishte novelisti i njohur serb, Dobrica Çosiq, i cili gjatë disa viteve të luftës në Bosnjë u bë president i Serbisë – një kontrast i mjerë karshi dikujt si Vaclav Havel. Shkrimtarët e tjerë të rëndësishëm ishin: Matija Beçkoviq, Brana Cërnceviq, Gojko Djogo, si dhe shkrimtari, mbase më i njohur serb, Milorad Paviq. Të ndihmuar nga historianët dhe gazetarët e mediave të kontrolluara nga qeveria e Milosheviqit, këta eksploatuan armiqësitë e vjetra midis kombeve, të tilla që ekzistojnë në çdo shoqëri shumëkombëshe. Pse armiqësi të vjetra? Sepse nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore kishin kaluar dyzet vjet, dhe një gjeneratë e tërë ishte rritur pa armiqësi dhe pa konfrontime etnike. Në kundërshtim me mendimin që dominon në Perëndim, në ish-Jugosllavi nacionalizmi nuk ishte i shtypur aq sa ishte i harruar. Ose thënë më mirë, ishte në gjumë, si një virus – një analogji që shpesh e huazoj nga Adam Michniku – sepse nacionalizmi, ashtu sikur virusi, zgjohet vetëm atëherë kur piqen kushtet. Më 1991 filloi gjakderdhja e vërtetë. Në këtë kohë të gjithë intelektualët e republikave tashmë të pavarura iu bashkuan manisë nacionaliste. Sepse po qe se nuk i bashkëngjiteshin asaj, konsideroheshin tradhtarë dhe persekutoheshin publikisht.

Ky qëndrim i intelektualëve që me vullnetin e tyre përqafuan dhe përhapën idelogjinë nacionaliste, nuk ishte befasues. Në fakt mund të thuhet se kjo ishte veçse vazhdimësi e rolit që ata kishin në kohën e komunizmit, vetëm në një kontekst tjetër, më dramatik. Figura e të ashtuquajturit intelektual të shtetit ose të partisë, ka një traditë të gjatë në vendet komuniste, meqë për intelektualët, ekzistenca ishte e pamundur jashtë institucioneve të kontrolluara nga shteti, siç ishin universitetet, institutet shkencore, shtëpitë botuese ose në media. Margjinat për mbijetesë të pavarur ishin pothuaj inekzistente. Kështu që për të fituar bukën e gojës, intelektualët duhet të paguanin çmimin e dëgjueshmërisë – nga heshtja deri te kryerja e të gjitha shërbimeve intelektuale për shtetin. Në ish-Jugosllavi liria më e madhe që lejohej ishte kritika e grupit Praxis.

Qoftë nga oportunizimi apo nga frika, fakt është se shumica e intelektualëve ishin bashkëpunëtorë të sistemit, ashtu siç ishin pjesa më e madhe e popullit. Ata intelektualë që tentonin të shprehnin lirisht mendimin e tyre konsideroheshin disidentë dhe u ndalohej pjesëmarrja në jetën publike, madje edhe çoheshin në burg. Në të vërtetë disidentët në Jugosllavi – krahasuar me p.sh. Çekosllovakinë ose Poloninë – ishin të paktë (ndër më të njohurit është Milovan Djilas). Arsyeja është se shumë intelektualë ishin të bindur se Jugosllavia është shumë më e mirë se vendet e tjera të bllokut të Lindjes dhe njëmend besonin në “socializmin me fytyrë njerëzore”. Ky element i besimit të njëmendët në ideologji u bë shumë më i rëndësishëm më vonë, gjatë përiudhës së tranzicionit.

Gjykuar nga sjellja e intelektualëve, në shtetet e reja të pavarura të dalura nga ish-Jugosllavia nuk ka dallim të madh nga shteti komunist dhe shteti nacionalist, përveç se në pushtet është një parti tjetër – kushedi a kanë vënë re se shteti tash duhet të jetë demokratik? Intelektualët “e shtetit” sërish u angazhuan në një projekt të ri kombëtar, këtë herë për të ndërtuar dhe mbrojtur thesarin e ri ideologjik, identitetin kombëtar – çfarëdo domethënie që ai mund të ketë në Evropën e sotme shumetnike dhe shumëkulturore pa mure. Mbase rasti më i mirë është ai i Shoqatës së Shkrimtarëve Kroatë. Çuditërisht, pas kolapsit të komunizmit kjo Shoqatë nuk u shpartallua as nuk pësoi ndonjë ndryshim, përveç në emër: në vend të Shoqatës Kroate të Shkrimtarëve u shndërrua në Shoqatën e Shkrimtarëve Kroatë, duke vënë në pah orientimin e saj nacionalist. Organizata e vjetër kishte vepruar si transmetuese e ideologjisë së Partisë Komuniste, ndërsa tani ekzekuton ideologjinë nacionaliste. Cilido shkrimtar që ka guxim ta kritikojë qeverinë ose të kontestojë rolin e shkrimtarit si mbrojtes të “frymës kombëtare” rrezikohet nga defamimi.

Ja një shembull: kur tre shkrimtarë të njohur (Vlado Gotovac, Dubravka Ugreshiq, Ivo Banac) tërhoqën anëtarësinë në vitin e kaluar, anëtarët e pranishëm në mbledhje aplauduan me entuziazëm. Aplauduan sepse Shoqata i hoqi qafe renegatët. Ishte kulmi i konfiktit midis lojalistëve dhe “tradhtarëve”. Këta tre anëtarë, si dhe disa shkrimtarë të tjerë që nuk janë anëtarë, u përgojuan publikisht si disidentë, kozmopolitanë, jugo-nostalgjikë, komunistë, agjentë të huaj, Judasë. Spastrimi i kulturës kroate në emër të korrektësisë së re politike ka filluar më 1991. Masa e matjes është drzavotvornost (lojaliteti ndaj shtetit), i konsideruar si shprehja më e lartë e patriotizmit. Por kuptimi i saj i vërtetë është lojaliteti ndaj partisë në pushtet e cila identifikon vetën me shtetin e ri. Shoqata ka funksionet e njëjta madje edhe përdorë metodat e njëjta të veprimit kundër shkrimtarëve “kryengritës”, sikur në komunizëm. E vetmja anë e mirë e këtij konflikti anakronik në një vend si Kroacia është se në sipërfaqe duket thuajse letërsia akoma është e rëndësishme. Ajo është e rëndësishme, por është në shërbim të klasës politike.

Mirëpo të supozohet se intelektualët janë të padurim kur është puna te shfaqja e korrektësisë së re politike dhe lojalitetit vetëm për shkak të frikës, do të ishte gabim. Po, është regjim autoritar që përhap frikë; po, nacionalizmi të jep shumë pak hapësirë të jesh kritik. Por problemi i shumicës së intelektualëve në Kroaci është se ata janë nacionalistë të vërtetë, besimtarë të sinqertë të politikës nacionaliste. Ata me gjithë dëshirë marrin pjesë në justifikimin e regjimit dhe janë të lumtur që të shpërblehen për shërbimin e tyre duke marrë pozita të ministrave dhe ambasadorëve, parlamentarë dhe këshilltarë. Këtu mund të përmendi dy raste të veçanta: shkrimtari më i madh kroat i sotëm, Ranko Marinkoviq u bë anëtar i parlamentit në listën e partisë në pushtet, dhe një shkrimtar i njohur i novelave historike, Ivan Aralica bëri karrierë si këshilltar i presidentit për politikë të brendshme dhe u bë teoricienti kryesor i “zhvendosjes njerëzore” të serbëve nga Kroacia – diçka që njihet me emrin më të zakonshëm si “spastrim etnik” (pas kësaj Tugjmani e shpalli Marinkoviqin shkrimtarin e tij më të adhuruar).

Andaj nuk është befasi që disidentët, kategori që ishte dashur të zhdukej bashkë me komunizmin, ekzistojnë akoma. Disa shkrimtarë nga Kroacia, sikur Predrag Matvejeviq, Slobodan Shnajder, Dubravka Ugreshiq ose unë – si dhe disa nga Serbia, sikur Bogdan Bogdanoviq, Mirko Kovaq dhe Bora Çosiq – u keqtrajtuan gjer në atë shkallë sa që u detyruan të largohen nga vendi, së paku përkohësisht. Mund të thuhet se kemi të bëjmë me një paradoks të ri, sepse demokracia nuk krijon disidentë, apo se njerëzit kanë mendime të ndryshme. Po aq me rëndësi është se meqë janë konduitë të kulturës, mediat (në radhë të parë televizioni) kontrollohen formalisht ose joformalisht nga partia në pushtet. Rezultat i kësaj është që hapësira publike spastrohet nga ata që mendojnë ndryshe. Me fjalë të tjera tranzicioni nga komunizmi në demokraci në shtetet e pavarura të dalura nga ish-Jugosllavia nuk ka ngjarë akoma, që mbase shpjegon rolin negativ të intelektualëve në këto vende.

Po roli pozitiv? Për këtë mjafton të shikohet rëndësia e disa disidentëve në minimin e komunizmit në vende të tjera ish-komuniste: Adam Michnik, Jacek Kuron, Bronislaw Geremek (Poloni), Vaclav Havel, Jiri Dienstbier (Çeki), Miklos Haraszti, Janos Kis, Gyorgy Konrad (Hungari) dhe shumë të tjerë. Idetë e shoqërisë civile, të moralitetit në politikë, të jetës në vërtetësi, të pluralizmit politik do të kishin qenë të pamundura pa përpjekjet e njerëzve sikur këta. Por çka ndodhi me ta pas revolucionit (natyrisht, përveç Havelit)? A janë ende të rëndësishëm? Duket se kanë humbur rëndësinë dhe pozitat udhëheqëse në shoqëri. Nëse është kështu, kisha thënë se kjo është normale: sa më normale shoqëria, aq më pak ka nevojë për moralistë publikë, korrigjues gabimesh apo heroj intelektualë. Në anën tjetër, këto shoqëri janë akoma larg nga normaliteti dhe tranzicioni në demokraci është larg nga përfundimi. Në çdo vend postkomunist po ndodhë një luftë e rëndë midis forcave autoritare dhe atyre liberale dhe përfundimi nuk dihet. Mbase intelektualët kritikë u fshinë shumë shpejt, të shtyrë nga besimi se demokracia do të ndërtohet vetvetiu. A ka ende nevojë për ta? Disa i kritikojnë për naivitet politik ndërsa të tjerët thonë se, pas pak kohe dhe mbështetjeje, ata do të krijojnë një tip të ri të politikës. Kur një intelektual refuzoi ftesën e Havelit për të marrë një pozitë qeveritare me argumentin se “dikush duhet të mbetët i pavarur”, Haveli vuri në dukje se nëse të gjithë intelektualët ndjekin shembullin e tij, askush nuk do të mund të mbetët i pavarur sepse askush nuk do ta bënte të mundur dhe ta garantonte pavarësinë. Mbase intelektualë në rolin e shekullit të XIX – si predikues, politikanë, mësues dhe liderë kombëtarë janë akoma të nevojshëm në këtë pjesë të botës?

Fjalët e Havelit nuk tregojnë për forcën e demokracisë në vendet ish-komuniste por për nevojen e angazhimit intelektual. Dhe përderisa intelektualët në Evropën Lindore përsiatën rreth dilemave të tilla të rënda, pozita e tyre nuk mund të krahasohet me atë të kolegëve të tyre në demokracitë e zhvilluara të Perëndimit. Atje intelektualët nuk thirrën që të marrin pozita dhe shoqëria nuk debaton mbi rëndësinë e tyre, së paku jo gjatë njëzet vjetëve të kaluar. Arsyet për këtë janë të shumta, përfshirë ndoshta dhe ndjenjen e shumë intelektualëve perëndimorë se roli i tyre në shoqëri ka ndryshuar. Ata më nuk artikulojnë problemet dhe ngjarjet e rëndësishme të botës dhe nëse e bëjnë këtë ajo nuk ka efekt. Kam fjalën për atë që ka ndodhur gjatë dhjetë vjetëve të fundit: kolapsi i komunizmit dhe pasojat e saj, lufta në Bosnjë dhe bashkimi i Evropës.

Për dallim nga këta, intelektualët në Evropën Lindore, për të mirë apo për të keq, mbesin të rëndësishëm qoftë në rolin negativ si kolaboratorë, qoftë si liderë të opozitës. Kjo ishte evidente si gjatë komunizmit, ashtu dhe gjatë revolucioneve të 1989-ës dhe të luftës në ish-Jugosllavi. Ndoshta do të ketë nevojë për ta edhe për një kohë, prandaj do të gëzojnë pozitë të privilegjuar në shoqëri. Mirëpo do të ishte mirë që intelektualët në Lindje të kurohen nga mesianizmi dhe rëndësia që ia japin ata vetvetës, ashtu siç është mirë për popullin të kuptojë se këto krijesa nuk janë poseduese ekskluzive të së vërtetës as qenie me moral superior. Pa dyshim ata janë në gjendje të marrin rolin edhe të një Radovan Karaxhiqi.

1999

Përktheu Besnik Pula

2 Komente

 Artikull me vend, me pelqeu. Ia vlente ta lexoje.

ani pse e ka shkrujt per shkijet shkina, na permbledh edhe ne si shqypni me ket analize. Baballaret e kombit do vazhdojne ta perdhunojne Memedheun po vazhduam te pjellim intelektuale si keta, Karaxhicet medioker te kushteve te paqes, dhe po nuk pati disidente situata...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).