Inflacioni post-elektoral në prag

Inflacioni post-elektoral në prag

Oltion Rrumbullaku

Në ekonomi ka disa koncepte të pranuara gjërësisht si baza e analizës ekonomike dhe që përgjithësisht për vlerat e tyre ka një konsensus të pranuar nga të gjitha palët. Një nga këto koncepte themelore është çmimi i mallrave dhe shërbimeve dhe që në një formë më të përqëndruar përmbledh nivelin e përgjithshëm të çmimeve në një bashkësi social-ekonomike. Për të qenë më konkretë duhet të themi që rritja mesatare e nivelit të përgjithshëm të çmimeve për mallrat dhe shërbimet kryesore nw njw shtet rëndom e quajmë inflacion. Rritja e inflacionit sjell pashmangërisht një rënie të vazhdueshme të fuqisë blerëse të parasë dhe sidomos të atyre që zotërojnë pak para, aq sa për të përmbushur nevojat jetike të familjeve të tyre.

Duke zbritur në terrenin shqiptar dhe në momentet aktuale të çorientimit të financave publike mbetet e patrajtuar qartë cështja e inflacionit të pritshëm e të lartë që me gjasë do të godasë në muajt në vazhdim familjet e varfra shqiptare. Qeveria fshehurazi manipulon shifrat e inflacionit dhe tinëzisht bën të paimagjinueshmen që cdo faktor qëpërshkallëzon rritjen e inflacionit ta shtynte ashpërsisht deri në tejkalimin e periudhës zgjedhore të verës 2009.

Cfarë "thesaresh" presim në përpjekjet e qeverisë për të varfëruar edhe me tej shqiptarët?
Së pari, i erdhi fundi shtyrjes së rritjes të cmimit te energjisë elektrike përtej periudhës zgjedhore. Kjo shtyrje përkon edhe me përfundimin e një privatizimi të tipit "heqje dorë" nga menaxhimi i një prej sektorëve më problematikë të administrimit publik në Shqipëri. Rritja mesatare e pritshme e cmimit të energjisë elektrike me rreth 23% e shpallur nga Enti i Energjisë, dheme gjasë edhe më e zmadhuar për familjet më të varfra shqiptare, do të jetë një corbë i rëndë për t'u tretur në tërësinë e brockullave që dëgjojmë përditë për super"mini"fuqinë energji tike shqiptare. Akoma mbeten me mijëra e mijëra familje të varfëra shqiptare që duhet të paguajnë energjinë edhe për mijëra e mijëra familje të tjera të varfëra ose jo shqiptare, me këto të fundit që "mrekullinë" e pritshme energjitike e mishërojnë në një parajsë energjitike pa fatura për tu paguar.Për më tepër, rritja e cmimit të energjisë elektrike do të ketë të pashmangshme rritjen e cmimit të një morie mallrash që varen sadopak prej saj.

Së dyti, mund të thuhet fare hapur që qeveria shqiptare sapo ka filluar një ofensive fiskale të pashoq ndaj tatimpaguesve të cdo lloji. Shifrat e dobta fiskale që janë një rezultat direkt i nxitur nga një fushatë e ushqyer me financime bujare e të padeklaruara duhet të përmbysen me cdo kusht në harkun e pak muajve. Zbatimi i ligjit në këtë fushë është minimal dhe ne mbetemi vendi me taksa të ulta në letër, por me detyrime që rriten përditë e më shumë në mënyrë subjektive. Ndryshimet e fundit e pritshme dhe sidomos vendosja e TVSH-së mbi pjesën dërrmuese të bizneseve të vogla do të detyrojë këto biznese të ushtrojnë një presion shumë të lartë në rritjen e cmimeve. Rritja e barrës fiskale për këto biznese do të pesëfishohet dhe trajtimi fiskal do të jetë gjithcka përvecse i drejtë. Në këtë konflikt të hapur shtet - biznes i humburi do jetë konsumatori shqiptar, i cili do paguajë në cmime më të rritura paaftësinë e administratës tatimore për të kryer në mënyrë ligjore funksionin e saj publik.

Së treti, edhe rritja e kursit të këmbimit në raport me monedhën europiane nuk do kalojë pa një rritje të cmimeve në tregun vendas. Ekonomia shqiptare po shkon drejt një euroizimi jozyrtar dhe pjesa dërrmuese e konsumit vendas janë importe të blera në Euro. Ky euroizim mbetet kryesisht në transaksione në shifra të mëdha ndërsa mallrat dhe shërbimet e nevojës së parë shiten ekskluzivisht vetëm në monedhën kombëtare. Këto mallra dhe shërbime pas disa transaksionesh shkojnë drejt shportave nevojtare të familjeve shqiptare me cmime më të rritura si pasojë e një monedhë përherë e më të dobët. Edhe në këtë rast qeverisja ka ushtruar presing mbi Bankën e Shqipërisë për të mbajtur kursin e këmbimit të frenuar përpara zgjedhjeve politike dhe më pas e ka patur më të vështirë në ndikimin e vazhdueshëm të tregut valutor.
Këto janë vetëm disa nga faktorët me të dukshëm që tregojnë se një qeverisje e keqe i merr shumicën e vendimeve të saj në raport me momentin kur janë zgjedhjet politike. Përpara zgjedhjeve ndërtohet një fasadë me vendime ekonomike të sforcuara, ndërsa pas zgjedhjeve të gjitha këto vendime të gabuara rikuperohen me vendime apo situata edhe me të gabuara. Duke pasur parasysh dhe faktin që në fund të vitit 2008 inflacioni u korrigjua me vendim personal politik të kryeministrit, nga ana teknike janë të gjitha mundësitë që inflacioni këto muajt e ardhshëm të përjetojë një dimër të acartë dhe njëkohësisht xhepat e cekëta të familjeve shqiptare që ngushtohen edhe më shumë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).