Indiferent për shumë gjëra

Indiferent për shumë gjëra,
rri i mbërthyer në mendime, zakonisht shterpe.

Nuk bëra sa mundem.
Dhe vazhdoj të mos bëj.
Të mbijetosh e të ngelesh njeri,
duhet të luftosh e të paguash përditë.

E unë s'linda hero. As koha e heronjve është.
Është koha e farisejve dhe çapaçulevë.

Me vullnetin tonë, thonë,
u bënë deputetë, kryeministra, presidentë.

Për të mirën tonë, thonë,
me përkushtim, qëndrojnë në pushtet.

Gjithë të mirat e botës na premtojnë,
të kësaj dhe të botës përtej;
dhe herë pas here,
na dhurojnë ndonjë kafshitë a gjysmagjel.

(Sigurisht, për të tjerët thonë,
kush e çapaçulosi këtë botë...)

Të tilla them, tek rri i mbërthyer në mendime,
(këto dhe të tjera);
indiferent për shumë gjëra...

por jo për ato që gjithmonë i desha.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).