Homo erecti IV

3. Fatimja - çalamanka e hirshme (vazhdim)

Evolucioni ka harruar urën lidhëse mes merimangës dhe krimbit të mëndafshit. Të dy tjerin fije, thurin gracka, e para për prènë, i dyti për veten e vet. E para qëllimisht, me plan, i dyti pa ditur gjë, me instinkt. Ndërsa njera gjallon e frikshme, gjuajtëse, rrënqethëse, tjetri plogështon i squllët, i butë, dremitës. Ku është pra vazhdimësia mes tyre, me butësi satini dhe instinkt Artemise?
Fatimja ndoqi me sy autobusin e pesës qe u zhduk pas shtëpisë trekatëshe të Loshajve, fis kosovar këta të ardhur aty nga vitet gjashtëdhjetë. Iu duk se dalloi dikë nga dritarja e katit të dytë qe po shikonte “pesën” në ikje, me shumë gjasë Lada, vajza tetëmbëdhjetëvjeçare e gjatë si gjithë Loshajt, e cila ishte figurina e F., skalitur me detaj nga Zoti, që në çastin e fundit vendosi ti japë një palë sy të cekët, gjithë po aq të bukur në stereometri, por pa shkëndijën që e bën pjesën mes qepallave sy. Lada i kish thënë që ai bruni kishte diçka me Verën. A je e sigurtë? më tepër se e intriguar ajo kishte qenë një pasthirrmë gëzimi. Tjetra po i shpjegonte nga e dinte, gojët që e kishin shpënë në veshë të tjerë gjithë kureshtje thashethemin, dhe veshët, të cilët pas një përpunimi fermentues e kishin shpënë përsëri në gojët përkatëse, e kështu me rradhë, deri sa po i vinte rradha asaj, Fatimes. Ishte e mundur pra, mendoi; të paktën me rregull treshi, po. Ky rregulli i treshit me të katërtin të panjohur, kishte diçka nga i përfoluri seks në grup. Nëqoftëse bruni donte me Verën, po me Fatimen? X! X baraz Fatimja mbi Verën në shumëzim me brunin... Fantazia nuk iu bind: ai, Vera dhe ajo vetë. U drodh për një çast nga përfytyrimi. Nuk do ishte kurrë e aftë për ashtu gjërash treshe, thjesht donte lavdinë e femrës fatale, që jo vetëm arrin të bëjë për vete mashkullin që i ve syrin, por për më tepër ia rrëmben atë një tjetre. Dyfish lavdi, kurorë me gjethe dafine e gjithfarë bimësh afrodisiake mbi ballë. Kishte diçka nga lashtësia në këtë lloj lavdie, ku në fakt ishin burrat që rrëmbenin gratë e të tjerëve; zeje mashkullore e vjetër kjo, ngjizur diku midis fillimeve të botës dhe letërsisë. Domethënë një skemë e vjetër, e prapambetur, e cila duhej thyer, me hero pozitiv, Shkurte Pal Vata, shoferja e parë me Skoda, cuca e maleve me refleks Laure lakuriqe me vesë mëngjesi... re-vo-lucio-ni marshon!
Kur autobusi ikte, rrethina bëhej menjëherë më e zymtë. Dritat në banesa fillonin të hapeshin njëra pas tjetrës si viktima që i shpëtonin errësirës në sekondën e fundit. Pellgjet nga liqene ëndërrimesh në miniaturë, shndërroheshin në makth përpëlitës të rrugës që po mbytej. Ferrat nxinin të pabesa, hëna me venitjen sublime ishte keqkuptim. Ndonjë re që vinte, nuk e fshihte, por e shuante hënën dhe terri nuk bëhej dot natë. Ishte si asfiksim i hënës me juk, me tekstil mbytës reshë, të cilat sikur i sillte (h)era, varësisht nga fortësia, o nga kombinati i tekstileve Stalin, o nga ai Mao Ce Dun. Po japim lajmet. Kooperativistët e Krutjes.... Bruni e bënte me Verën, u mor vesh, por ku? Kush do, e gjen mënyrën, mendoi ajo. I shkuan nëpër mend gjithë çiftet që përfliteshin nëpër qytezë. Vathi, shoferi, që shkonte me Fadilen e bulmetit, e bënte tek magazina e dyqanit sa herë që furnizonte djathin; i kishte parë, ishte e vërtetë. Ashtu si në ato tregimet me rrëmbime jashtëtokësorësh, kur ka një humbje të pashpjegueshme të kohës, askush nuk mund të llogariste një dhjetëminutësh në të cilin ata të dy humbisnin gjatë mbartjes së atyre pak arkave të bulmetit të tallonit. Shpëtimja, brigadierja, dhe Afrimi, brigadier edhe ky, thuhej që e bënin “te zyrat” (në fakt një dhomë ishte kjo, mes fushës, ku mbaheshin regjistrat me ditët e punës dhe ndonjë palë çizme gome; dy brigadierët hynin aty bashkë dhe vonoheshin, shkruanin ditët e punës, dakord, po sa kohë duhej për të plotësuar ata të shkretë regjistra? amore di brigadieri…e ventiquattromille bacci…alta societa); Gëzim mekaniku, aftësia e të cilit për ti dhënë biçikletës pa duar i kishte mahnitur gocat e qytezës si të ish një numur i ri i Frenk Sinatrës, e bënte me Shkëndijen, kur kjo dilte gjoja të hidhte plehrat dhe gjithashtu të hidhej edhe vetë “një vrap deri tek Heroina”, shoqe dhe sekuracion në komplotin erotik; Ximi & Këno e bënin në muzg, prapa tarabës, tek cepi për stërvitje ushtarake i oborrit të shkollës. Vetëm taraba dhe parrulla “Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat” i dinin hollësirat.
Thashethemi kishte një si erë lagështie lumi. Infiltronte gjithçka. Një pluhur sintetik feromonesh nderej kudo, i verdhë si polen pishash. Kundër dëshirës ajo i përfytyroi të gjithë çiftet e përfolur, në ato magazina e kolibe, duke vjedhur kohën pesë minutshe, duke zbërthyer në këmbë ato pantallona doku me gjunjë, të cilat binin mbi çizmet apo mbi çimentot e ftohta të pafshira kurrë, aktin seksual të shpejtë e të mundimshëm, në atë pavolì vertikale, pështetur pas mureve me suva të ashpër, atë tridhjetësekondëshin kur oksigjeni braktiste trurin, “qejfin” pra, mendjen anaerobike, për të cilin jetohej 23 orë e 59 minuta e gjysëm në ditë, pa qejf fare. Lëkurët e bardha që bënin mëkatin fillestar duhet patjetër të kishin ftohtë në dimër, kur rezistencat e dobëta, gjithfarë telash që rrekeshin të vërtetonin ligjin e Ohmit, me një përskuqje të përkorë që fqinjëronte vende-vende me vula të nxira, a thua se ishin tela të vrarë, nuk arrinin asesi të thyenin të ftohtit që futej gjithandej; duhet po ashtu të kishin vapë në verë, kur djersa përzihej dukshëm me pluhurin në çdo palosje tradhëtare të lëkurës. E megjithatë, ai bruni duhet ta bënte ndryshe. Kureshtja e mbushi të tërën si zakonisht. Gaz Keta. Eksperimentuesi i palodhur. Magelani i seksit.
Me Gazin, kur dashuria fitoi hijen e rutinës së parapëlqyer, shkonin nga liqeni artificial, ku edhe hëna ndriçonte ndryshe. Kishin vendin e tyre, por ndalonin edhe gjetkë, si ti zinte hera. Nuk ishin aq për ritual. Madje edhe Liqenin vetë e braktisnin për të shkuar në kodrat pas Uzinës së Traktorëve, gjë për të cilën pendoheshin gjithnjë, sigurisht më pas, kur terreni i gërryer me shqopa e shkurre të tjera të ulëta, pas seksit, dukej më i mjerueshëm se kurrë. Ndërsa Liqeni ishte tjetër gjë. Tjetër gjë. Kishte një magji që nuk thuhej me fjalë, përftuar nga diçkaja evazive që fshihnin drurët e çuditshëm, të cilët nuk lidheshin me asnjë frutikulturë fermash, grafik prodhimesh, vjelje, entusiazëm kooperativist dhe bujqësor, nuk ishin çështje e gjithë popullit, por thjesht drurë, poezi sythash, lëvoresh me iniciale të gdhendura, me gjithfarë zemrash e shigjetash me dëshirën e kumtit të dashurisë përmes gjithë gërmave të alfabetit. Ata drurë ishin si obelisqe të panjohurish. Që janë obelisqet e vërtetë.
“Vendi” i tyre ishin tre drurë, që dilnin nga e njëjta bazë, si të krijuar posaçërisht për ta, në pozicionin që duhej, si pika mbështetëse gjatë dashurisë, pika mbështetëse që bëjnë Arkimedë dhe lëvizin vërtet gjithë botën; me shkundje sizmike. Përgjuesit e dashurive, që fshehurazi shikonin diçka të fshehur, edhe pse të neveritshëm më jargë peep show, nuk ishin të aftë të prishnin magjinë e atij vendi. Përgjuesit ishin të të gjitha kategorive dhe moshave, pensionistë shih-me-sy-e-plas-me-zemër, ushtarë, veteranë, invalidë, adoleshente me fytyrat me puçrra dhe sy yndyrorë, të rinj të vetmuar, kalimtarë të rastit që në fakt nuk kishin dalë fare për “seks-sehir”. Por në përgjithësi të gjithë ata nuk ishin të rrezikshëm. Ata sikur i bashkonte një hall. Sado i mbrapshtë ai përgjim, përsëri bëhej i durueshëm në sfond të përgjimeve të tjera, që ishin vërtet me zarar. Ajo mendoi që numurat e saj me Gazin duhet tu kishin pëlqyer përgjuesve dhe ndjeu një krenari që s’e ndrydhte dot. Një yll pornografie ka diçka mbretërore, por duhet të jetë yll ama. Diçka sundimtareje. Kujtoi herën e parë kur po shetisnin në ato rrugica ireale me prarim neonesh mbi gjethnajat. Nga brendësia e pyllit erdhi një e qeshur femre që nuk ishte si e qeshura e zakonshme, si e qeshur shakaje, ishte tjetërsoj, sepse gëzimi dhe vuajtja e bukur përziheshin në një kokteil tingullor që të intrigonte. Ajo kishte kujtuar qe nuk do ishte e aftë të qeshte ashtu ndonjëherë. Ishte gabuar. Shumë shpejt diafragma e saj do të prodhonte jo vetëm pasthirrma të pavullnetshme, por edhe atë qeshjen e veçantë të femrës, që është një sofistikim kulmor i zërit njerëzor.
Kishte kaluar një vit pa qeshur ashtu. Iu duk vetja si e deklasuar. Për ata thonin që qanin parajsën e humbur. A nuk po bënte dhe ajo të njëjtën gjë? Kundërrevolucioni i saj përqendrohej në ca flokë të zinj dhe të dendur. Ku do fuste gishtat e saj një ditë. Mirëdita, brun, tha me vete. Emrin nuk ia dinte ende, por ky ishte një detaj aq pa rëndësi. Trego, pra, ç’je i aftë të bësh. Gishtat e saj vërtet po ledhatonin diçka brune, me lëvizje rrethore, para-centrifugale, që në fund, sipas rutinës së “vitit të thatë”, do shndërrohej në maelstorm thithës. Po mendonte për modelin e flokëve, për veshjen, parfumin, për gjithë arsenalin e gjuetares, skemë shekspiriane ku ajo bënte lëvizjen e parë duke u hequr si fare e painteresuar, elementi femër në teatrin Globe të qytezës F., ndërsa lëvizjet e gishtave po bëheshin gjithnjë e më shumë refleksive.

2 Komente

Të shkuarme 1 herë...per gripin, kaloje si burrat, futi komet n'uje t'nxehte e kollitu sa ti vije nonjones keq.  smiley

Me fol me te drejten e Perenise, ky cikli Homo Erectus, me zgjon nje ndjesi qe me ka pas vinte smiley kur gazeta Drita (organ?! i LSHA) ne grahmat e fundit te saj filloi te botonte letersi te verdhe. ato kohe te saj te fundit ishin ndoshta edhe me te shndritdhmet, si robi qe merr edhe i here fuqi para se me ... ato pjesë përpiheshin bashke me grafikat nudo.

Nivel i tille, kerkon nje perkushtim qe vetem ti mund ta japesh... kemi fatin te te lexojme e te te njohim prej shume pjeseve e poezive.. i veçantë je zotni, i veçantë...

Ps: Nigjova per nji me fjalim e gjermon, do ta gjej e ta lexoj. se çkom i parandjenje qe me pret nje tjeter kenaqesi.

"Thashethemi kishte nje si ere lageshtie lumi"

Ne fakt, "rregulli i treshit"  duhet te kete qene i panjohur per qytezen F., te pakten deri diten kur "humbi" ajo ORA e atij.... Sot qe thashethemet edhe duken, ...besohet ...

 

 

 

 

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).