Homo erecti I

Kushtuar Pat Hollmann dhe Pat Boyd (dhe gjithë reflekseve të tyre mbi gra reale)

1. Gjuha e natyrës

Kjo s’është lidhje, tha ai me vete ndërsa po dilte nga një dyqan kinkalerie. Kjo është zhytje në xhelatinë. Po i kushtonte shumë kohë një femre dhe, përkundër gjithë kredove të tij, e kapi veten duke i bërë një lloj analize biznesi mardhënies. Ajo femër ishte stoku ku ai investoi substancën e tij dhe pasi kaluan disa muaj po shikonte frutet e investimit. Krahasonte gjendjen me stoqet e tjera. U rrënqeth nga kjo. Enron d’amour? Po bëhem si Xhejmsi, tha për një koleg pune. Po më thahet shpirti. Xhejmsi të dashurat i analizonte pothuaj financiarisht, sa para harxhoi me to dhe ç’mori në këmbim për këtë. Një farë “Retun on Investment” i llojit të vet. Shikonte një femër që kalonte përbri, dhe vetëm kur ia këpuste: kjo nuk ia vlen, është “high maintenance”. Si për një Porsche. Xhejmsi e kish humbur me kohë besimin në ndjenjat e pastra, veçanërisht te femrat, dhe e shihte veten si një insekt të pafaj, të cilit “ato” i ngrinin rrjetat e tyre si merimanga. Na gjuajnë. Nga të ardhurat vjetore. Nga sasia e zerove. Na e marrin vesh librin e çeqeve me antenat e tyre edhe sikur të kalojmë aty pari veshur si hamej. Si e bëjnë? Ato e dinë. Mister është për Zotin… (këtu kontrollohej blekberri për ndonjë e-mail të nxehtë, sidoqoftë)… ne punonjësit e Wall Street-it na kujtojnë për hiena, vazhdonte, por në fakt ne jemi preja e vërtetë. Predatorët në këtë qytet veshin këpucë me taka dhe vetëtijnë pak gjoks apo lëkurë tjetër.

Ndaloi mbi trotuar të ndizte cigaren. Unë sigurisht nuk jam Xhejmsi, tha me vendosmëri ndërsa zhvishte paketën nga këmisha e hollë plastike. Më së pari donte t’i mbushte mendjen vetes. Sepse pak “xhejms” e gërgiste së brendshmi prej disa kohësh. Indekset e vlerësimit të aferës nuk donte t’i artikulonte. Çfarë tani, 156 dollarë e 27 cent për orgazëm? Apo inflancioni i seksit gojor? Ah, o Xhejms, të rënshin stoqet! Bllaaahhh. Xhejmsi duhej shpallur person “non grata”.
Një çift doli gjithashtu nga kinkaleria. Një çift i kurrfartë, që atje brenda po mblidhte metalikët e harruar nëpër xhepat e xhinseve të vjetra për të blerë cigare të klasit të dytë. Vajza me flokët e qethur shumë shkurt. Djali me flokë të pamirëmbajtur. Ajo xhaketë xhins të shkurtër që mbaronte mbi vithet e vogla, të rrumbullta deri në prag të provokimit, të hajthme deri në prag të elegancës. Djali xhaketë me supe të prera, si të spikerave italianë të RAI-t. U larguan me hapat e mësuar me ritmin e njeri tjetrit. Me heshtje aq kumtuese. Ai pa qartë ata litarët e padukshëm, si mpiksje ajri, që lidhin dy veta kur duhen. Ka njerëz që mëtojnë se shohin breroret. Duhet të jetë diçka e afërt. Aq të pranishëm ishin ata litarët e ajrit, saqë sikur të kalonte midis tyre, ai do bënte kujdes se mos pengohej. Si nga shtëllunga e leshit puplor, të cilin gratë fshatare e tjerin dhe e ngjizin në fill, gishtat e dashurisë tjerrin ajrin midis dy vetave, bëjnë litarë çeliku prej asgjësë. Magji! Qysh të vogël e kish mahnitur ajo lëvizje gati instinktive, e padallueshme e gishtave të tjerëseve që mblidhte bashkë gjithë ato pejza e kapilarë të avullt në korda të pakëputshme. Trini e shenjtë, shtëllungë - dy gishta që seç bëjnë ashtu padukshëm - dhe filli që del pas, i mbështjellë në lloj lloj topthash e çikrikësh e më vonë në kushedi ç’trupa, nga fanellat e mishit të burrave të ashpër në jelekët e vajzave “pak të ngushtë ndënë sqetull”. Nuk thonë kot “si do i vejë filli” një pune? Gishtat e fatit që tjerin rè të parvjetme. Plaka (ndoshta me emrin Ajkuna) me furka folklorike ngulur nepër rè të bardha. A mund ta tjerësh hënën, nënëmadhe?

Midis tij dhe femrës me të cilën ishte…(lidhur?...) nuk kishte asnjë dorë me gishta plot ndjenjë që të thurnin ato fijet flu. Gjithçka ishte si nje xhelatinë amorfe, shtëllungë masive, lesh i pakrehur. Restorantet ku shkonin ishin të ndryshme, por darkat ishin aq të ngjashme me njëra tjetrën. Si dhe bakshishet. Ç’kemi, e pyeste ajo në telefon, në kompiuter, ose kur takoheshin në avenutë e rënduara nga trafiku. Ishte si një ndër dhjetra kërkesat për informacion, sekretari telefonike, kuintancë malli, faturë, llogari, transaksion B2B, “ç’kemi”, përditësim i një dosje të hapur mbi desktop, “ngjarje: copë tre; të mira: copë dy, të këqia: copë një”… Ai nervozohej nga ajo “ç’kemi”, që e thënë në gjuhë tjetër tingëllonte edhe më tëhuajzuese; sidoqoftë nga pjesa e formatuar e trurit dilte i ndërsjelltë “ç’kemi” i tij simetrik, gjithë po aq fosil dhe kërcor. Dita e tjetrit nuk eksplorohej rastësishëm, por gati raportohej me sekuenca, si përmes slajdeve të një paraqitje projekti me "Power Point". Çdo gjë kishte kuptim dhe ishte e paqortueshme. Përqasja me botën e biznesit ishte e gjithëgjendshme. Dhe e pamëshirë. Prezantim i vetes, klienti, rrezatim vetbesimi, formalitet. Mirëmbrëma. Hyrje. Intro. Objektivi (murmurimë nënndërgjegje, well, hmmmm, yeah, you know… ë-hëm… seks, money and rock’n’roll). Pika e mundimshme: ç’ka bërë konkurrenca deri më sot. Një tabor me ex-ër sulmonte kështjellën e tij. Rezultati. Mësimet kyç. Kamarier, llogarinë ju lutem. Si konkluzion përmbledhës: seks! Zakonisht te apartamenti i saj. Pas ditësh mungese, kur indeksi i dëshirës ngrihej si një stok i mbarë në bursë, ushqyer nga fragmente femrash gjithkund nëpër këtë qytet kaq sensual. Ato masive betoni e guri, të rëndë e të vjetër, ndërtuar para dhjetra vjetësh, nga emra gjithashtu të hirnosur e të vrenjtur, Rockefeller, Carnegie, Vanderbilt, apo emra të panjohur, të murrmë si emigrimi, ato konstrukte jo njerëzore dhe gjithëherës të mrrolshëm, shtërzonin dhe pillnin papushim femrat e pashoqe të atij qyteti, që dinin ta nxirrnin sensualitetin edhe nga akujt e Alaskës!

Seksi ishte si një devijim standard. Ajo ndizej nën çarçafë ngadalë, si një qymyr i mirë (nëqoftëse çdo krahasim çalon, ky është ulok fare, veteran, invalid dhe që ndaj tolerohet), pra më saktë si një eshkë ku shkëndijat e tij vdisnin si kamikaze të verbër. Seksi ishte aq shterues, sa në fund ai kërkonte me sy gjurmë të hirit të tij mbi shtrojat e shtratit të saj “Queen”. Seksi ishte diçka krejt e papritur me këtë femër, ishte një ngjarje e pavarur me pjesën tjeter të ditës, me ftohtësinë e zërit të saj, me thatësinë e frazave parazite “OK then…”, “could care less”, të cilat s’ishin gjë tjetër veç vemje që kur vinte vakti, ktheheshin në flutura ofshamash. Ajo femër në shtrat përçonte një ndjesi mëndafshi. Shumë herë mbi kofshët e saj të lëmuara, ngjyra e grunjtë e të cilave theksohej edhe më tepër nga e bardha e të brendshmeve (ajo nuk përdorte ngjyrë tjetër), ai kishte përfyturuar rruzuj vese që rrëshqisnin poshtë pa i lagur ato. Ishte një lëmim vrasës, ndërprerë nga vija e mbathjeve, funksion i përkryer parabole simetrik me boshtin e botës dhe me hiperbolat e ijeve. Ai dorëzohej pa kushte para atyre trajtave të lakuara, bosht abscise i të cilave ishte vetë, një “x” në të gjitha kuptimet e gërmës. Lakohej edhe vetë si vijë funksionale, si një “y” që humbi “x”-in, mbështillej si lëmsh nga dëshira, zhdërdhitej prapë, këputej në shumë vende njëherësh, ndërsa ajo, sovrane e vërtetë e shtratit Queen, Kleopatër me sy të ullinjtë, vetëdigjej ngadalë, konstante, si një derivat funksioni drejtvizor. Ai, si fill i këputur, ndjente kthetrat e saj prej maceje që duan të lozin… me instinkt… hollivudian… bazik… Më more shpirtin… ky shtrat u bë si një furrë djegëse… si ka mundësi që kjo femër kaq e nxehtë në shtrat hedh një mantel guri më pas? Ç’kemi, wassup, was gibt’s… Rutina mund të jetë edhe e këndshme, por ajo është e tillë kur të jep paqë me veten.

I kujtohej hera e parë me të në një dhomë hoteli. Dëshira e tij për ta pasur sa më shpejt, gishtat që tek zbërthenin lidhëset e këpucëve, nga nxitimi i kokolepsin ato edhe me keq, flakja e tyre më në fund pa i zgjidhur fare, gjithë padurim. Urrejtja për çdo lloj kopse në botë, një bezdi e pamatë për pantallonat, duart që duan të jenë në pesë vende njëherësh. Ndërkaq ajo e qetë kujdesej që të hiqte vëthët ngadalë, e përqendruar në zbërthimin korrekt të tyre, me atë animin e kokës që qendrën e vëmendjes e sjell te llapa e veshit të vet dhe jo gjetkë, kur mendja-avull duhet të firojë dhe arratiset për tjetërkund… Kishte pasuar një mbasdite e nxehtë për të, trupi i saj i mrekullueshëm, që ai e kish ëndërruar aq herë të zhveshur, ishte vërtet si një vepër arti aty nën çarçafë, me aromë të mirë femre kudo dhe lëkura e saj nga poret nxirrte vazhdimisht një lëndë të çuditshme që të bënte të kërkoje më… si kikirikët e kripur në një banak bari, pas të cilëve porosit gotën tjetër…
Hera e parë është shpesh e mangët, si udhëtimi sèfte për diku. Informacioni mbi rrugën nuk ndihmon; hartat janë të sakta, por nuk japin kurrë hollësitë e duhura për grahësin e makinës, ku rruga ka gropa, ku duhen ndërruar marrshet? Nuk dihet gjer as edhe mënyra se si tjetra ofshan. Ashtu si gjurmat e gishtave, edhe ofshamën dy femra nuk e kanë njësoj. Qindra Magelanë që flenë në ty zgjohen. Arkimedi thërret herë-herë “eureka”, por pa ikur me vrap nga banja. Ka kohë për ikje.
Në fund, pyetjes së tij “a erdhe?” ajo i ishte përgjegjur “nuk e di”. Hmm... Përgjegjia më e keqe në botë. Po ti, a dole jashtë, e kishte pyetur ajo pas ca, kur ai nuk e priste. Iu deshën ca sekonda të kuptonte atë mënyrë pyetje, të padëgjuar më parë. Sigurisht, sigurisht, sigurisht, edhe pyet? u shtrydha fare, ti do shtrydhje substancë edhe nga guri… Befasimi kishte qenë i përgjithshëm. Sepse kur ai mendoi që performanca e tij kishte qenë e admirueshme, kur i rrahu shpatullat vetes duke i thënë “të lumtë”, kur mendoi se tani do vinte natyrshëm një orë prehje, një cigare, përhumbje shikimi në tavan, heshtja më komunikuese, mendimet larguar me mijëra milje ndërsa dora ledhaton ngadalë dhe si me refleks kodrinat ende të lagëta të trupit, pra shi kur u bë gati të lëshohej përhumbshëm me fytyrën diku afër klavikulës së saj, ajo kishte nisur lojën më e etur se më parë. Çfaaaarë?... kishte jehuar befasimi i tonditës brenda mureve të shpirtit të tij… si sekonda çuditmerruese para një aksidenti automobilistik, kur makina jote po përplaset diku dhe ti nuk je në gjendje ta drejtosh atë. Oh joooo…..

Kjo nuk është lidhje, tha prapë me vete ai. Ne jemi zhytur në xhelatinën e rrethinës që na kavërdis së bashku; si copat e mishit brenda një supe të trashë vlojmë në të njëtjën kusi, por nuk jemi të lidhur. Është thjesht xheli i supës primordiale që na mban bashkë. Rutina. Me erëzën e sfidës për seksin e paplotësuar. “A erdhe? Jo…” Po e priste pranë një kryqëzimi ku nuk gjeje kurrë parkim të lirë dhe taksistët e shikonin gjithë urrejtje ngaqë u ngushtonte rrugën.
Iu kujtua një shok fëminie, atlet, më saktë maratonist, që i ishte ankuar dikur se e dashura e tij e atëhershme “nuk prishej kurrë”. Kishte qëne një vrasje këpuce e vazhdueshme ajo gjendje, nuk di çfarë të them, i thoshte ai shoku i maratonës, çfarë nuk kam provuar, kam ndenjur 15 ditë i tërhequr, në regjim të përkryer, jemi bashkuar prapë, dhe përsëri e njëjta gjë… nuk prishet… s’e marr vesh, nuk më ka bërë vaki. Nuk është seks, është torturë tashmë. Ja mendoje vetë, ndërsa ti depërton, sytë e saj studiojnë ndonjë pikë interesante në mur, ose ndjekin ndonjë mizë që vërtitet në dhomë. Dhe kur mendoj që lashë Roksin për këtë… se Roksi vërtet ishte thatanike dhe buzët i kishte të holla, por Roksi ndizej sa ta prekje dy herë, i perëndoheshin sytë, sa të dukej vetja si perëndi. Ndërsa kjo që është aq e përkyer në gjithçka… s’e marr vesh. Pse kaq rrallë ndodh që femrat e bukura të jenë edhe të ndezura? Është ligji i kompensimit, ia kish kthyer atëhere ai. Pastaj, e kur i bën të gjitha gjërat bashkë Perëndia, më thuaj. Perëndia nuk të jep më tepër se ç’mund të përballosh. Është si puna e Makbethit a nuk di ç’pjese të Shekspirit që përmend Noli diku, që në u bëfshin bashkë dy aktorë klasi, mos e lerë pa parë atë pjesë, por ik me vrap, qoftë edhe në Honolulu, se përbashkim i atillë nuk ndodh shpesh në jetë. Dhe e bukur, dhe e ndezur, thua?… mos more, s’dike hiç ti… he he he… Atë shokun e maratonës kishte vite pa e takuar, por seç ndjeu një nevojë për ato muhabetet e rinisë së hershme, me shpinat mbështetur pas ndonjë avllie, ku përvojat e pakta ndaheshin tamam ashtu siç ishin, si ujët e pakët… A bënin të njëjtën gjë edhe femrat? Me siguri. Nejse, por kish nevojë për dikë që ta kuptonte, jo si Xhejms mavriun, i cili do i thoshte që ky investim ishte krejt me humbje, ishte falimentim. Kish nevojë për dikë si ai shoku i vjetër pra, që t’ia thosh pa dorashka, a e di, unë e kam më keq punën se ty atëhere, se gamiljes sime i shterron uji shumë më parë se të arrijë te oazi, dhe ai oazi duket ashiqare atje larg, kupton, nuk është shkretëtirë si ajo që tregoje ti…

*****

Ajo erdhi si gjithnjë e përpiktë, gjermanike, gjeometrike, hapshtrirë, duke rrezatuar një ndjenjë rregulli rreth e rrotull.
- Ç’kemi? – tha kur zuri vend në sediljen e makinës.
- Ç’kemi?
Këtë rradhë shkuan në apartamentin e tij.
Ai bëri kafe. Espresso.
Ajo filloi të shikonte librat e tij në raftin e vetëm anash kolltukut. Kryesisht libra matematike. Këmbët e saj ishin si nga tjetër botë. Ideja e atyre këmbëve do ta ndiqte gjithë jetën. Ai ndjeu dëshirën ti hipte si zhiva në një termometër që nxehet. Edhe pak dhe do arrinte kokën. Telefonuan nga puna. Ndjeu tendosjen të zbutej ca nga ca. Kërkonin ca shpjegime teknike. Po ua jepte me mendjen jo krejt të përqendruar tek ata. Në mënyrë mekanike po shpjegonte se elasticiteti i çmimit për kërkesën e një malli është në terma përqindje, pra jo drejtvizor i drejtpërdrejtë, porse i tillë në derivatin e tij të parë në lidhje me vetë çmimin, dhe se koeficienti i logaritmit të çmimit në regresionin e logaritmit të kërkesës e plotëson këtë kusht…
Duke folur kështu ndjeu afër frymëmarrjen e saj të drithëruar si kurrë më parë. Ajo filloi ta tërhiqte me atë shprehjen e fytyrës “duhet të të kem tani, pikërisht tani”. I habitur ai e la veten të tërhiqej nga dora e saj e dobët, bëri një mbyllje të shpejtë, të pajustifikuar fare të telefonatës që me siguri i la tejet të hutuar ata të tjerët në telefon, më duhet ta ndërpres tani, ju e kuptuat se ç’doja t’u thoja, do flasim përsëri së shpejti për këtë… bye-bye now…
Nuk ishte nevoja ta pyeste “a erdhe”. Ishte krejt e qartë. Donte të dinte që pse këtë rradhë qe aq ndryshe. E pyeti. Ti je aq “hot”, i tha ajo, kur bisedon për matematikë. Ou? Po nuk ishte matematikë ajo, ishte ekonometri. Çfarëdoqoftë, whatever… Sa më i pakuptueshëm, aq më seksi. Fol për ekonometri, i dashur. Talk econometrics to me, baby… Po ty mirë që nuk të ndizkan spikerat e CNN apo të Bloombergut … Kush tha që nuk më ndezin, por ata nuk mund ti kem, kurse ty, hmmm… me ty është ndryshe puna…a të kam thënë ndonjëherë sa t’i pëlqej buzët? Jo?... Kam frikë se do të le shenjë…

*****

- Xhejms, elasticiteti i çmimit për kërkesën ka cilësi afrodisiake.
- Çfarë?
- Mund të ndezi një femër, them. Dhe matematika në përgjithësi…
- Natyrisht. E ke menduar sa të ngjashme janë stoqet me vjazat?
- Jo.
- Kurrë nuk i parashikon dot. Të ngrejnë në qiell brenda ditës. Të shkatërrojnë brenda minutës.
- Kuptoj.
- Prandaj të ka hipur mania të shpjegosh çdo gjë me matematikë ty këto kohët e fundit?
- ….
- Nuk më the, cila pjesë e matematikës është më erogjene?
- Ekuacionet diferenciale. Dhe integralet e rastësishme…
- Hmmm… Pse kam kujtuar gjithnjë që thjesht teorema e Pitagorës është e parezistueshme? Me ato horizontalet e pingulet…
- Jo, Xhejms! Nuk është ajo. Është Teorema Ferma. Si femra. Kurrë zgjidhur. Vetëm pjesërisht. E rrëshqitshme, mjegullore, prodhimtare….

Në ajrin metropolitan mbinë pikëza uji. Në mëdyshje për shi të lehtë. Një kombinim hidrogjeni me oksigjen ende. Një shi që nuk ishte bërë përvojë njerëzore. I shpjegueshëm vetëm me kimi. Indeks meteorologjik.
Dy burrat u përshëndetën dhe ikën. Secili tek femra e tij.

10 Komente

 Ha, ha, ha Cimo. Me nxjerr ca malle te vjetra me keto arsyetimet matematiko - statistikore. Kam qejf te ulemi njehere per nje birre dhe te flasim per budallalleqe plot mend.

P.S. Vazhdoj te insistoj se ke qejf ti zgjasesh ekuacinet duke i bere me shume te panjohura, ndersa une i qendroj mendimit se nuk ka ekuacion me madheshtor se E=MC2

P.P.S

Isha une dhe ajo duke bere seks si te dalldisur ate dite vere, shtrire terthor mbi  shinat e trenit, ne mes te fushes qe perzhitej nga afshi i veres. Kur ishim ne kulmin e kenaqesise m'u duk sikur edhe toka po dridhej. Ngrita vetem koken dhe pashe se nuk isha gabuar, ndersa dridhja sa vinte e forcohej me shpejtesi. The train was coming. I was coming, she was coming. Who the fcuk gonna be the first stop now?! 

Xhizes Xhej Mewri Khrajst! Kud  it get eni llonger???

Kujtoja se mbas mbidozës së pornografisë që më ka pas rrethuar në vite asnjë lloj përshkrimi nuk dotë mund të ngjallte më kërshëri apo eksitim... ja arrite:

Shumë herë mbi kofshët e saj të lëmuara, ngjyra e grunjtë e të cilave theksohej edhe më tepër nga e bardha e të brendshmeve (ajo nuk përdorte ngjyrë tjetër), ai kishte përfyturuar rruzuj vese që rrëshqisnin poshtë pa i lagur ato. Ishte një lëmim vrasës, ndërprerë nga vija e mbathjeve, funksion i përkryer parabole simetrik me boshtin e botës dhe me hiperbolat e ijeve.

P.s: Ka edhe më keq... "tavani është bërë për tu lyer"... me dhimbje, por ...e vërtetë smiley

Ed!çfare arriti  Emigranti te ngjalle ;kersherine apo eksitimin?! smileysmiley

e lemë tek kërshëria? smiley

Emigranti tashti eshte vertet nje profesionist i letrave e sidomos mendoj se jep me te miren e tij ne kete lloj gjinie.

Me çudit njohja e universit femeror e sidomos adhurimi qe ka per femren......Do te thosha me plot gojen :Lui ama le donne ,ne kuptimin me te gjere e interpretimi me hyjnor qe mund ti bejhet.Nuk kam pare ne asnje rast ne asnje germe ne asnje mendim qe Emigranti te mos e adhuroje gruan(femren),ose qe te shprehe sadopak nje perçmim sado te lehte.Shyqyr e u ktheve Emigrant se na i thave syte.

erotizem elegant,- do e quaja une,-  pa rene ne banalitet. Nje paraqitje e vertete e botes se mashkullit dhe femres smiley

Ia rrisin vlerat peshkut shkrime te tilla.

Hallall plako, komplimente, mielli i thesit tat qenka i nje cilesie te larte.....

Pjesa e pare eshte brilante, kur te kem kohe (ne orar te punes) do i hedh nje sy blogut tend...EC ATY

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).