Hashure e vjetër

Gëzimi në formë tasi te klubi’ Nadires!

Tetëleksh i vjetër në muhalebi i piksur,
Niseshteja zbokth në flokët e kohës,
Ngrirë në jaka dhe nëpër reshedì,
Grykëse tetëvjeçaresh, korigjim hartimesh,
Thashetheme kote me kollë amidoni,
Genci me dashnore, me hatër zysh Atlija,
Që në emër kish diçka nga muhalebija.

Kokrra, kokrra gruri me gjokse të shqyer,
Masa shumëmilionëshe, njëkotiledonshe,
Botanikë byroshë, drithë me drithërimë,
Me citat Stalini, sihariq kongresi,
Hejvalla e mbytur në harrim, llokum,
Qylafë dervishlerësh, taç Ali Pashai,
Varr i Naim Frashërit, arabishte çezmash,
Futboll i llastiktë dhe porta të ngushta,
Në rrugën e ngushtë ku kornet nuk quheshin,
Ku oùti ishte bahçe’ Eqeremit,
Që topat i çante se i prishnin preshët,
Ènce, penàllt, shùt dhe pastaj gol,
Pak Andon Mazrek, pak Ismet Bellovë,
Anglishte tironse me pak Bobi Ça(r)ltòn,
Turne i Lajpcigut si mitologji,
Me shumë variante te berberi Ali,
Vaçen italianët ç’na kishin zili,
Por dot s’na e blekëshin as dhe me flori.

Esperanca a-ha, Esperanca a-ha…
Erdh koha për hashure, Novruzi’ askundodhur,
Si festë e ndaluar dhe emër karocieri
Q’ankohej për kuajt, për gratë që e linin.
Një tetëleksh na duhet, pra lejini teorinat,
Një pesçe nga dje, dyleksh’ i pardjeshëm,
Dhjetqindarksh nga Gimi, Nadire ku je
Hashure, ja Nado, tetëlekshin ku e ke,
Përkorje socialiste, NTUS, degradim,
Degdisur baballarët në azile pleqsh,
Kryegjyshi thinjur krejt për Vit të Ri,
Garuzhdet furnizim, orar-çmim unik.

Pak pluhur i kuq si kohë e grirë hollë,
Si kënà shkatërruese mbi flokët e hirushes
Si make up molepsës mbi faqen aguridhe
Të vajzës minorene që mamin kish parë
Tek bënte ashtu nga vrima e çelësit,
Safron me shafra nga lindjet e largëta
Prishte qashtërsinë tritikale, të drunjtë,
Plagë përmbi pelte, aroma e panjohur,
Më mirë pa kanellën e Nadires hashurja,
Pa atë pluhur kohe që na jepte teshtimë...

7 Komente

Me pelqen edhe mua hashurja e Nadires se autorit dhe do ishte vertet mire qe te kishim nje pjate me hashure dhe ta shijonim duke lexuar keto vargje.

Pak pluhur i kuq si kohë e grirë hollë,
Si kënà shkatërruese mbi flokët e hirushes
Si make up molepsës mbi faqen aguridhe
Të vajzës minorene që mamin kish parë
Tek bënte ashtu nga vrima e çelësit,
 

ahahhahahahah, nice, great, cool!!!!

sa per ti'a thy kopirajtin Konfucit:

"gjithë lumturia e botës, mbledhë në një tas hashure..."

me porta t'vogla

ne i thonim porta hungareze..nuk e di pse..ka ide ndonjerismileysmiley

FLM per komentet dhe qe e lexuat.

Ed, me porta te vogla ka pas qene (dhe nuk di pse i thonin hungareze, vlonjato); por porta aty do me dhene edhe ndjesine e dyerve te ngushta ne rrugica te ngushta ku luhej jo rralle futbolli. Komshiu me thike ne dore per topat e futbollit ka qen xhelati i vertete i feminise. Imagjino, top i vram, pa jete, si koke bagtie e therme...  smiley  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).