Guximi për të stresuar

Guximi për të stresuar

Andi Kananaj, Arbër Zaimi, Leart Kola

Reçensent Politik: Verdi Norja, PhD (si Gjergj Filipi)


***

Në vend të parathënies

Miq!

Më në fund ia arritëm ditës që të kishim edhe në shqipen standarte librin "Guximi për të stresuar", përkthyer nga dialekti i qytetit N., ku ka lindur, është rritur, dhe ka patur problemet e para me ligjin autori i këtij libri. I gjendur midis myslimanizmit të djathtë dhe ortodoksizmit të majtë, unë po ashtu si Skënderbeu, Fan Noli e të gjithë burrat e mirë të këtij vendi, vendosa të merrem me politikë. Sepse unë si çdo bir i një familjeje të shtresës së mesme, me të ardhura të kufizuara, iu futa politikës, për të ngritur nivelin tim financiar, dhe për të provuar se politika nuk është e tëra e pistë. Si Shijaks, mund t'ia zbardh faqen edhe politikës, edhe Obamës, edhe Berluskonit me material të mirë nga Shijaku. Kur u gjenda për herë të parë para këtij libri të autorit Barak Obama, patriot nga qyteti N, dy ndjesi të forta provova:

- E para është Barak Obama a merr flakë si pushka e jevgut?

- E dyta, autori ç'veprim bën pasi gjen kos?

Por shqetësimi im i madh ishte kur kryeministri italian dhe kryetari i lëvizjes G99 e kanë quajtur Barakun si djalë të bukur, të ri, të nxirë, dhe me emër të çuditshëm. Racizmi s'njeh kufij politikë dhe gjeografikë! Vendosa t'ua paraqes këtë libër për të ndihmuar mikun tim të mirë Barak, i cili ma kërkoi vetë kur po hanim drekë me Armand Dukën lal, më tha sorry, por please ma promovo librin se dua të marr ca vota në Shijak nga jevgjit dhe çamët.

Për secilin djalë të ri, ose vajzë të bukur, madje më shumë për secilën vajzë të bukur, që aspiron të jetë në kopertinat e revistave gossip kam vetëm një fjalë: Kurajo, më shumë besim, aranxhim, vetëfinancim, menaxhim, orientim, korrektim, personifikim, dhe sërish kurajo. Skënderbeu është Shqiptar! Ne jemi pellazgë!

Ju uroj një stresim të këndshëm.

I juaji Verd Norja PhD (si Ardian Civici)

***

Fillon Libri:

Kreu I

Socialistë dhe Integrimsa - Faqja 25

Politikën e fillova duke bërë xhiro me makinë në formë rrethore, rreth kalasë, për të provuar teorinë e Nils Borit, që po të ecësh shpejt, arrin i pari. Gjatë 45 minutave xhiro rrethore pata kohën e duhur për të lexuar, për të shkruar, për të krijuar botëkuptimin tim ciklik (që ndryshon nga enciklik), mbi atë çka doja të bëja. Vendosa që do të bëhem kryeministër. Ndërkohë zbrita nga makina dhe ndenjta katër vjet kot. Sigurisht që e kisha një plan.

Asokohe socialistët ishin në pushtet. Unë u futa në shkollë. Dekani është ministri i tanishëm i kulturës, dhe gjithnjë ka qenë biznesmen i mirë. Dyshemeja e zyrës së dekanit zbriste ëmbël drejt ballit të dhomës me pak shkallare të gjërë e të ulët, ku njëqind tryeza me dru mogani vendosen në katër radhë në formë patkoi. Mbi to qëndronte si Circe pas bregut ministrja më simpatike e kabinetit (asokohe pedagoge e re). E fillova jetën timë duke shitur fiq. Mbaruan. Shita drogë. Mbaroi. Shita fara. Mbaruan. Vendosa ti futem politikës, se ajo s'mbaron kurrë.

Integrimsat ende nuk ekzistonin. Sepse integrimi nuk ishte shikur si koncept në ato kohëra arkaike, primordiale. Lindi ai, pa lindi integrimi. Dhe flitet se kur të vdesë ai (larg qoftë) zoti do të zgjedhë një popull tjetër për ti integruar në strukturat euroatllantike.

Kreu II

Vlerat - Faqja 61

Siç ka thënë K.Kokëdhima në magnus operan e tij "Si të bëhesh Miliarder për gjymës ore" bota është rrumbullake, por leku është i sheshtë. Ky është principi im, ku unë bazoj gjithë filozofinë e jetës sime surrelae dhe dadaiste. Më pëlqen opera. Sidomos Cavalleria Rustikana. Feuerbach ka thënë në mënyrë monumentale Mundus Corruptus Est, dhe unë i qëndroj këtij besimi. Moto ime është Bakshishius Ergo Sum, dhe nuk janë fjalë të pista. Më pëlqejnë bluzet e kuqe, pantallonat serioze dhe çorapet e bardha, me stemë Nike. Filmat e mi të preferuar janë Godfather, Scarface dhe personazhi im i preferuar në politikë, pas babait të integrimit, është e shoqja. Pas tyre vjen Toto Riina dhe Irfani. Më pëlqen të këndoj në karaoke me miqtë e mi 100 këngët e stinës së mërzitshme pa komisioner në Tomorr (icë).

Kreu III

Kushtetuta Jonë - Faqja 93

Për fat të keq, ende nuk kam patur fatin të shfletoj kushtetutën, por jam gati të jap jetën për të. Sepse Ed Rama është kriminel dhe kuçedra e votës, ndërkohë që të gjithë e dimë që vota është e shenjtë. Mos më pyesni a kam për ta lexuar kushtetutën. Sepse unë jam pro leximit. Por nuk kam për ta shfletuar kurrë kushtetutën, sepse e konsideroj të shenjtë, të paprekshme, ashtu si vota, ashtu si demokracia, ashtu si integrimi. O sa mirë me qenë shqiptar. Oe. Oe.

Kreu IV

Politika - Faqja 129

Ndërhyrje nga reçensenti politik Verd Norja PhD (si Pllum Xhufi)

Ed Rama, kjo kuçedër që e përmendëm më parë tha: Obama është shërbimi më i mirë që mund t'i bëjë qyteti N. botës pasi pas një epoke ndryshimesh po ndryshojmë epokë. Pra s'do të bëjmë asgjë. Do e braktisim epokën e ndryshimit dhe do futemi në epokën e relaksimit. Pse nuk po flet personazhi kryesor Obama, por po flet reçensenti politik?? Sepse politika është kurvë. E majta është kurvë. E djathta është kurvë. Dalim përtej.

Kreu V

Mundësitë - Faqja 169

Mundësitë janë të mëdha. Askush nuk e besonte që në partinë e integrimsave nga qyteti P. do të futej një djalë ambicioz nga qyteti N. Kisha frikë mos më merrnin mësysh, dhe mbaja hudhër. Shanset sot janë të mëdha. Mbi 40 %. Flitet që rreth 32 prej nesh do të jenë atje. Unë jam një nga ata. Do të jem në tempullin e lirisë dhe të demokracisë. Në parlament. Rezistenca ime ndaj librave dhe ideve më në fund po shpërblehet. Nuk na duhen librat. Ide kemi vetë. Shpeshherë më joshnin kur punoja në organizatën C, dhe më ofronin libra. Por unë s'mund të pranoja. Se librat sjellin dyshim (sipas një teorie që e quajnë porbavilitet a ku di unë). Dhe unë nuk kam asnjë dyshim në fitore. I kam parë ish-miqtë e mi duke lexuar e duke pirë alkool, si të degjeneruar, pa asnjë qëllim, pa asnjë ambicie. E ç'është njeriu pa ambicie?

Kreu VI

Feja - Faqja 239

Mali i Tomorrit është mal i shenjtë. Aty ka lindur ai, perëndia e integrimit, i cili desh u vetësakrifikua për votën e shenjtë tënde. Ai që i vogël ka qenë fëmijë i jashtëzakonshëm. Kur lindi kishte një tatuazh në dorë, një trëndafil rozë. Një zog i tha që duhet të bënte 7 heroizma që të shpallej hero, dhe kryetar i përjetshëm i lëvizjes. Së pari duhet të hante një dash të pjekur i vetëm, dhe këtë e bëri që gjashtë muajsh, me t'i dalë dhëmbët. Së dyti duhet të ngrinte në krahë gjithë mobiljet e shtëpisë e ti çonte deri në kat të katërt, ku banon sot e kësaj dite. Heroizmi i tretë ishte të dëgjonte Tosin dhe të kuptonte maksimumi 25.6 % të fjalëve, pa shprehur dhimbje në mimikë. Heroizmi i katërt ishte që të sillte popullin e vet nga qyteti P. në Tiranë, gjë të cilën e realizoi duke thënë "Let my people go". Heroizmi i pestë qe të bëhej një nga njerëzit më të pasur në Ballkan, gjë e cila qe shumë e lehtë për heroin integrims që hante binarë hekurudhe dhe i shndërronte në ar. Heroizmi i gjashtë qe të komunikonte me demokristianët. Dhe heroizmi i shtatë e final është fitorja e komisionerit, duke përdorur çdo mjet, duke nisur nga greva e deri te rryshfeti. Me këto shtatë heroizma në zemër, dhe me forcën e integrimit në zemër, unë Barak Obama besoj te perëndia e integrimit, që më ka udhëhequr në rrugën time drejt suksesit.

Kreu VII

Raca - Faqja 275

Rracat në Shqipëri janë tre. Ish-basketbollistët, ish-peshëngritësat dhe çunat e Sorrosit, që merren me sportin e rrezikshëm të zhvendosjes së laptopëve, sport në të cilin kanë rrezikuar dhe jetën, duke operuar këmbët. Vetë çunat e Sorrosit ndahen në tre grupe. Çunat danoça që u morën me peshëngritje të integruar. Çunat elegantë, që buzëqeshin para kamerave, dhe çunat tamom, që presin Godonë, duke pirë çaj te Hatibi. Të parët ngrenë tabela me dhe pa justifikim, të dytët ngrenë buxhetin e arsimit në mbi 500%. Këta të dytët njihen si njerëz që s'kanë kohë të lexojnë, por blejnë shumë libra. Ata nuk e pranojnë dot faktin që në Pukë risoto nuk ka mjaftueshëm fruta deti. Revolucioni i tyre, sorry lal, por ka për të fituar. Çunat tamom pinë konjak me koka-kola, janë të degjeneruar. Pa fe. Ata s'besojnë te familja, te atdheu dhe nuk e kanë me merak burrninë e Skënderbeut. Këta s'kanë gjë në vijë, as sot, as mot!

Kreu VIII

Bota përtej kufijve tanë - Faqja 323

Zakonisht në parlament hyj nga bodrumi. Salla e parlamentit nuk është nga më të bukurat, por megjithatë hijerëndë. Muret me ngjyrë të hirtë zbukurohen me panele damasku blu dhe kolona mermeri rozë. Unë jam aty. Edhe ata të rracës tjetër aty janë. Pamvarësisht konflikteve ne jemi miq. Jemi aty ku më parë uleshin Gramoz Ruçi, Sali Berisha, Makbule Çeço, Anastas Angjeli, Luan Rama, Hajrullah Paturi dhe Xhejms Bejker. Këtë vit e ribëmë për herë të tretë tenderin për rrugën Durrës – Kukës. Të gjithë jemi vëllezër këtu në parlament, dhe mund të numërojmë më tepër se 99.

Epilog

Çunat tamom mbasi fitoi politika e re u shpallën si të vjetër, dhe filluan të kërkonin punë tek çunat e politikës së re. Ata u betuan se tregimin e kishin patur me Obamën e vërtetë. Por punë nuk gjetën kurrë. Kërkuan vizë, po iu dhanë vetëm vizë ruse, destinacioni Arhangjelsk, Siberi. Ata tashmë janë duke lëvduar Abramoviçin që t'i marrë në punë te fabrikat e tij e Vodkës, por Abramoviçi i ka lënë të vdesin nga etja. Ata mallkojnë Fatos Lubonjën që i mori në qafë me shkrimet e tij idealiste si "Bëhu i ditur që të jesh i lirë".

Falënderime

Falënderojmë Bardhën e qofteve, qerosin e Meduzës, Verd Norjen për ndërhyrjet e tij, dhe Ardian Civicin, sepse ekziston.

Falënderojmë gjithë rrethet e Beratit, Skraparit dhe qytetit N. të cilat na lejuan t'i përmendim në këtë shkrim sportiv.

Falënderojmë B. Gonxhen si çun i ri dhe i sinqertë, botues i Libertas

Falënderojmë komisariatin e policisë në qytetin N.

Falënderojmë Lul Bashën për rrugën patriotike dhe për buzëqeshjet

Nuk falënderojmë Fatos Lubonjën, se ka krijuar klimë të keqe duke mos u marrë me tendera

Nuk falënderojmë Mero Bazen që është penduar, dhe nuk është treguar burrë

Nuk falënderojmë Fazlliçin që nuk arriti t'i merrte 50 milion dollarë, por vetëm 48.

Na falënderon G99 për përfshirjen e saj në politikë, dhe na fton për kafe miqësore tek vila ambasador, ku ftohen invalidët dhe pensionistët. Secili paguan të vetën. Blen dhe librin e Obamës me detyrim.

6 Komente

Fckng A.

Vetëm ki kujdes redakto nja dy gabime të vogla në për të.

pse s del shkrimi ktu? ne shpenzuam gjithe ato ore per te lexuar parathenien e librit te obames dhe pasqyren e lendes per te nxjerre kete shkrim studimor

sol, tek RSS feed te faqja juaj, nuk botoni "full article" po vetem nje permbledhje. Nqs e ndryshoni, dhe botoni te gjithe artikullin, ketu pastaj do importohet i gjithi.

aaaa, ja ta keqyrim se me blogun me ka lidhur rastesia, s mor vesht na kto pune

tashi qenka m rregull, vetem se nuk u transferokan dhe germat korsive

Cila fjale eshte korsive (italics)? Se varet ca kodi perdor...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).