Grushtat!

Grushtat!

Arbër Zaimi


Provo një çast të ngrihesh nga tavolina e zyrës, apo nga kolltuku prej nga po sheh televizor, të mbledhësh duart grusht, t’i ngresh përpara fytyrës, afër syve, dhe përkule pak kokën, ashtu siç bëjnë boksierët. Shiko sa ndryshe do të të duket bota mes grushtave të tu. Adrenalina lëshohet në gjak në mënyrë të pandërgjegjshme, e ja ku u bëre guximtar "në kushtet e shtëpisë".

Ishte 29 tetor 1974. Ç’ prej katër muajsh ndodhej në një tjetër kontinent, larg vendlindjes së vet. Gjendej në atdheun e të gjithë njerëzimit, prej të cilit të parët lidhur me zinxhirë të rëndë e të ndryshkur qenë rrëmbyer për t’u shitur si mallra të rëndomtë në plantacionet amerikanoveriore. Madje më keq se mallrat... Ishte në Kinshasa të Zaires. Të nesërmen ishte dita më e rëndësishme e jetës së tij, se mund të hynte në histori, por edhe mund të prekte fundin. Por asgjë nuk e trembte, ai i kishte grushtat e ngritur, e ndjente në muskuj energjinë që i jepte siguri. Allahu ishte me të!

Ai quhej Muhammad – Meritori i lavdisë. Dhe mbiemri i tij ishte Ali, pas kalifit të katërt që siguroi vijimësinë e Profetit si bekim ndër njerëzit e kësaj bote. Emri i tij përmblidhte në vetvete fitoren. Të gjithë mendonin se tashmë ishte në perëndim të energjive të tij. Por ai nuk kish dilema, nuk kish frikë, ai e dinte që mund të rrëzonte malet me grushtat e tij dhe me moralin e fortë që i zbret nga i Gjithëpushtetshmi. Çdo sufi e di që forca qëndron në shpirt, e shpirti nuk ka moshë, pra ai, edhe pse 32 vjeç ndihej i ri, e i përjetshëm.

Ishte vrapi i fundit stërvitor nëpër periferi të Kinshasës. Ajri i muzgut ishte i freskët, dhe ai grushtonte ajrin, ndërsa vraponte në mënyrë ritmike mes barakave e kasolleve. Në pamjen e ngushtë mes grushtave të tij shihte lagjet e mbushura me njerëz të varfër, këmbëzbathur, leckamanë e të dobët. Një krah i tij mund të peshonte më shumë se dy prej atyre njerëzve që e shihnin me sytë e tyre të mëdhenj, e i buzëqeshnin me dashamirësi. Ishte idhulli i tyre.

Të nesërmen do të ndeshej me gjigandin George. Edhe ai rrënjët i kishte aty, në zemër të rruzullit. Edhe ai, energjinë e merrte nga i njëjti zot – edhe pse i falej Isait. Po qyteti kishte zgjedhur Aliun e sa herë që ky vraponte nëpër lagje për të mbajtur trupin në formë turma të mëdha me qindra njerëz e ndiqnin, me vrap disi më të avashtë, duke thirrur në kor emrin e tij e një fjalë në gjuhën e tyre. Ata thoshin “Ali boomaye!”. Përkthyesi shpjegoi se praktikisht ata e nxisnin duke bërtitur “Ali vrite!”. Kishte katër muaj që vraponte me ta, e nuk i bënte më përshtypje kjo thirrmë e dhunshme, që qe shndërruar në refren. Ata donin që të fitonte, që ta vriste kundërshtarin, që të ngadhënjente në emër të tyre, në emër të një populli që në mijëvjeçarin e fundit ka parë veç poshtërime e vuajtje nën etiketën e civilizimit. Dhe Muhammadi donte t’ua plotësonte dëshirën...

Rreth e rrotull fëmijë trupvegjël e të imët luanin në pellgje me ujë të ndotur. Gra e burra punonin hamallira të ndryshme, ose rrinin si të përhumbur duke parë perëndimin e diellit të kuq ekuatorial. Kockat e tyre spikatnin nën lëkurën e hollë ngjyrë abanozi, që ishte shumë më e zezë se ajo e boksierit. Ata ishin të varfër në kuptimin më ekstrem të fjalës. Duke endur mes tyre i vinte turp për 100 kilogramët e tij prej muskujsh e fibrash, e për lëkurën e tij ngjyrë çokollatë, ngjyrë tradhti. Por e ngushëllonte veten duke përsëritur se ajo që peshon në realitet është shpirti, e jo trupi. E në shpirt, çdonjëri prej tyre ishte më i rëndë, më i fuqishëm se ai. Peshorja qe nga ana e tyre, e kjo e bënte të ndihej më mirë. Sytë e tyre të mëdhenj shndrisnin, e tek rendnin pas tij, Muhammadi dëgjonte hapat ritmikë, e zërin e turmës që këndonte “Ali boomaye!”.

Aty i lindi për herë të parë pikëpyetja mbi thirrjen e turmës. A ishte i sigurt që ata kërkonin prej tij të shtrinte në ring George Foremanin? A ishte kjo dëshira e tyre? Apo mos vallë kërkonin prej tij të vriste realitetin e tyre të hidhur, të vriste varfërinë, të vriste padrejtësitë që shkaktonin vuajtje pas vuajtjesh në kontinentin ku herët lindi jeta? Sërish nisi të hidhte shikimin rreth e përqark, kudo mizerje. Ndotje, baltë e pluhur, plehra. Nëse është planifikuar diku ferri, ai duhet të jetë si ky. Grushtat kufizonin shikimin tim. Por e bënin të ndihej gjithnjë e më i fuqishëm. Guximi rritej valë valë në rrembat e tij, së bashku me adrenalinën dhe ritmi i zemrës shpejtohej.

Kjo është e padrejtë, e padurueshme. Unë do ta mund George Foremanin! - i tha vetes. - Unë do ta mund edhe këtë gjendje çnjerëzore ku jeta me sforco të mëdha vazhdon të ekzistojë. Emri im është i shkëlqyeshëm, unë jam Muhammad Ali. Dhe grushtat e mi janë të mëdhenj, muskujt e mi të fuqishëm. Kam 20 vjet që e shoh botën mes grushtave, dhe e njoh fuqinë time. Kam fituar mbi male muskujsh, madje kam fituar edhe kundër vetes sime. Kam fituar edhe gjyqin kundër shtetit tim, që donte të më dërgonte ushtar. Nuk vajta, sepse unë luftoj vetëm për atë që dua vetë. Dhe unë dua të luftoj tani, për këta njerëz të mjerë. Ata më nxisin “Ali boomaye!”.

Gishtat ishin ngulur në pëllëmbët e duarve, në grushtat e tij të tendosur. Damarët sipër muskujve ishin bymyer, dhe vetullat qenë bashkuar me njëra-tjetrën mbi sytë e tij që shkëlqenin prej urrejtjes e prej shpresës. Unë jam Muhammad Ali - i përsëriti vetes, dhe ndërkohë e shpejtoi vrapin në maksimum. I dukej sikur po vraponte kundër varfërisë, kundër mjerimit. E në momentin e parë që do e përballte do e shtrinte knock-out. Ktheu kokën pas. Turma tashmë qe larg. Ata vazhdonin të vraponin, por nuk e mbanin dot ritmin e tij, me ato këmbët e tyre të holla si këmbë lejlekësh. Shihte vetëm një grumbull sysh të mëdhenj e të bardhë që i dhanë një ndjenjë pasigurie. Gjunjët u drodhën. Asnjëri prej tyre nuk i kishte grushtat ngritur. Sytë u errësuan. Asnjëri prej tyre nuk i kishte grushtat ngritur. - Po sikur Foremani të më rrëzonte? Po sikur unë mos ta mposhtja dot varfërinë? Unë isha vetëm. Anjëri prej tyre nuk i kishte grushtat ngritur. U gjunjëzova. Më jep fuqi o Allah...! - Ra në baltën e pluhurin primordial. - Unë jam Muhammad Ali...!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).