Gropovëth II

Besimi e pa Ilmiun drejt në sy; me shikim burri që kupton rëndësinë e çastit, seriozitetin gjeopolitik. Pasoi një heshtje dyminutëshe. Një erë urine bagëtishë hyri si shkulm amoniakor nga dritarja që nuk mbyllej dot mirë. Lajmi po mbllaçitej ngadalë, koncentrat blegtorie mes dhëmballëve ripërtypëse të përsiatjes, krrap-krrup, Gjermania, dëmshpërblimet e luftës, luftës, luftën, prej luftës, o luftë, shkërrap-shkarrëp… i veçanti shtab i përgjithshëm, brigada e parë, Meh…eh…ehm… (kollë e thatë…. spazmë), niks kaput, përç bagëtie dhe belxhik, qëllo të lumtë dora, or Fritz, o pension invaliditeti...njëmijëleksh i luftës… luftës, luftën… krrup-krrup. Ishte një bluarje dhe mbllaçitje e vështirë. Ngjiste e ngecej në qiellzën e tharë si një kurabije pesëlekëshe “ingranazh ushtari”. Gjermania?! Mos more! Asnjë nga burrat nuk e tha këtë drejtpërdrejtë, por reja e tymit të duhanit që mbushi dhomën, atë dëftente, një “mos more!” karcinogjene, nikotinike, me 2000 e ca lëndë kimike të dëmshme për organizmin. Qederi, me formulë të pakuptueshme si benzopireni i duhanit vendas grirë trashë me çakije, zverdhonte mbi një improvizim perdeje të palarë kurrë. Që rrinte mbi mur si një paruke e vënë keq.
Ngjarjet në botën e madhe prej kohësh kishin marrë formën e Ilmiut tek dera, me atë merakun solemn, që dukej sikur ia rraste edhe më kasketën e përhershme. Tak-tak-tak, kërciste dera. Nëpër vite dhe stinë. Ka dalë një grup në kulturë. Emrat thuheshin nën zë. Nën atë si hukatje emri, portreti i funksionarit të lartë merrte një ngarkesë të ligë dhe shëmtim. Emri bëhej ogurzi. “Fadil” ngjante si formulë shtrigu. Në shoqërim me mbiemrin, bëhej helm. Fadil dhe Paçram ishin ngjizur nga natyra të prodhonin së bashku tradhti, komplot, reaksion. Të shkumëzonin, njeri si acid, tjetri si gëlqere.
I njëjti harbim çmendte fjalët. Ilmiu binte fjalë të vështira. Ku i gjenin! Si atëhere, me emrin e padëgjuar “puçist”. Më e afërta ishte pulisht, por për pulishtët thonë janë të bukur sa janë pulishtë, ata vetëm më vonë e prishin, kurse puçistët e kishin prishur e dhjerë meselenë keq, po shumë keq ndërkaq. Kjo duhej të ishte ndonje fjalë sterrë e katran, por Besimi nuk pyeste kurrë. Siç nuk kish pyetur për “i deklasuar”, “liberal”, “demaskim” apo “rraksjonar”. Fjalët edhe ashtu, pa ua ditur domethënien, tingëllonin të rënda plumb (si pushkatimet që vijonin pothuaj në çdo rast), sidomos në mbedhjet me turrje e ndërkryerje fshatçe. Do-t’e shohëm punën tënde monarkofashiste, Sulo Abazi! Do-t’e çjerrëm maskën. Gjidi anarkosindikalist! Diskutoni shokë, me shpyyyyrt... revolucjonaaar...
Kur e shan tjetrin me një fjalë që nuk ia di kuptimin, i heq urrejtjes sytë e logjikës. Ajo shijon si një orgazmë aliene. Pacifist i mutit! Trockist! Poliagjent! Emri Beqir u bë befas shumë i keq; semantikisht, atë ç’ka niste b-ëja me e-në, e vuloste përfundimisht ajo q-ë, i dhe r-ë që vinte pas. Dhe sado i bukur emri Petrit, si emër për ta bërë dhëndër, kur i vihej një Dume nga pas, bëhej hataja që as në lagje të mos e kishe, jo.
Një trokitje tjetër kishte sjellë diçka nga bota e madhe, Maoja... luaj vendit... Maoja, ishte një “kokërr revizionisti” që s’ke ide... kaq kumtoi Ilmiu, që edhe atij aq do i kishin thënë. Ilmiu bënte sikur dinte më shumë, por i mbante përbrenda. Besimit i thoshte aq sa duhej. Kanë shkallë gjërat. Përdëllimit të të qenit “i brendshëm”, i bashkëngjitej edhe disiplina. Rregulli. Sëra. Nofullat e Ilmiut bëheshin më këndore, fjalitë më të vendosura, shpesh mbaronin me “ashtu”, ose “kaq për këtë”. Pas-muzgu politik me Ilmiun konfidencial, me decibelë rrethi të ngushtë, që dëftente përkatësi në grupin e besuar, që gjërat i merrte vesh një javë para se të dilnin në gazetë, prodhonte lumturi të planifikuar dhe jetë të përmbushur për një pesëvjeçar. Me gjithë sforcimet që lidheshin në përshtatjen darviniane të domosdoshme. Sepse gjithnjë duhej konfigurim i ri trurit, veshëve, antenave. Transformohej goja që duhej të bëhej e aftë të përftonte fjalë të liga, sa të ish e mundur më shumë, aq më mirë, për Maon. Metamorfozë-mundim, ndoshta dhëmballët centroheshin ndryshe, lëviznin rrënjët me një ortodonti të re, ç’kish qenë e shtrembër bëhej e drejtë dhe anasjelltas, gjuha rrëzonte lëkurën si gjarpëri, në zgavrën e gojes mbinin stalagmite të reja, një Zot e dinte ç’nodhte saktësisht në organin e të folurit, që brenda ditës të formulonte rrjedhshëm fjalë të pamendueshme, pa le më të shqiptueshme deri dje. Pas gjithë kësaj, Mao Ce Dun ishte gati të tingëllonte po aq keq sa Çang Kai Shek. Dhe kurrë aq bukur sa Ho Shi Ming. Ç’ka në të vërtetë, ishte edhe çështje veshi. Amà kur po torturoje veten duke dëgjuar opera e balete me vajza që thinjen brenda natës, e duke bërë sikur të pëlqyen e të mahnitën fare, nuk vjen në pyetje një aq gjë e vogël, sa habija për tradhëtitë megashekspiriane që ishin ruajtur vetëm për Shqipërinë. Veshi është më lehtësisht i adoptueshëm se gjuha, e shtir më kollaj mahnitjen. Si një grua që shumë më kollaj se burri... Për Mehmet Shehun kjo kishte qenë sidoqoftë tejet e vështirë, pasi asnjë mekanizëm evolucionar nuk mund të kryente aq shpejt, brenda ditës, ndërrimin e pllakës në gramafonët e trurit. Evolucioni s’pinte ujë. Ndoshta teoria e katastrofave... Ngërçin e të folurit e mbushnin sinonimet zëvendësuese, si gjembat një djerrinë: “ai maskaràja që vrau veten”, “ai haleja që ia hoqi vetes”. Thjesht nga frika se mos, duke thënë fjalën Mehmet, reflekset e vjetra pavlloviane shtriqnin pavullnetshëm muskujt e repsektit dhe admirimit në fytyrë, zhvilluar mirë nga ushtrimi aq i shpeshtë. Si në një gym servilizmi. Se nuk ka vetëm body-building. Ndërtimi i fytyrës është edhe më i vështirë. Se ka muskuj tjetërlloj. Muskujt më të pabesë. Që “nuk vihen në xhept”. Pse çdo muskul tjetër kapet pas eshtrave nga dy skaje, me kokë e me këmbë si çdo gjë në këtë durnjà, ndërsa vetëm ata, fytyrsat, kapen me një anë me kafkën, kurse me tjetrën valëviten shprehjeve pa fund e mund që të bëjnë, prite Zot, gjëmën. Të tradhëtojnë. Ka mimikë të zhvilluar, thonë për ndonjë karagjoz. Mimikëzeza. Po kur fytyra, pa dashur ti hiç, të nxjerr përjashta ndonjë hije admirimi për atë... “maskarànë që vrau veten”... çdo bësh pastaj? Se që do e shohë atë gjë një hafije aty rrotull, ajo nuk diskutohet. Më mirë pra, ashtu pa ekuivoke, ai maskaraja, ai haleja. Fjala e merr për dore fytyrën, nuk e le të harbojë, e kujton aty nga rrokja e dytë, maksimumi te e treta, që përdëllimin lere e harroje, ashtu si mushka që harroi Valarenë.
Po, Maoja, ishte një “kokërr revizionisti” që s’ke ide... për Maon flitej sikur ta kish shtëpinë nga fshati karshi dhe s’kish kthyer gjysëm kile miell borxh. E kishte një arsye për këtë. Si dhe për Mehmetin. Për vite me rradhë ky i fundit kishte qenë krenaria e ligjshme e qendrës pas Vidhit të Shemes, fshatar nderi si me thënë, pasi si fillorist, kishte pas bujtur aty. Kur doli armik, ajo puna e fillores kryeministrore u harrua dhe u kujtua shpejt e shpejt se në një shtëpi të qendrës kishte fjetur gjatë luftës një natë Enver Hoxha. U përjetësua me një pllakë mermeri ajo punë, nga ato që fillonin me fjalët “Këtu në këtë shtëpi...”. Ndërsa afërsia me Maon ishte e tjetër natyre, as vizitë, asgjë; ishte një dhuratë që Enver Hoxha do t’i bënte heroit të verbër lokal me prirje për kombëtar, Fuat Çelës. Fuati ishte baza e rregullit të treshit në trinomin revolucionar: kur Fuati pa sy bën kështu dhe ashtu, po ti? Bash atëherë kur çdo kulm lavdie dukej sikur ishte arritur, erdhi haberi: Enveri do i bënte dhuratë një radio dore. Jo dosido, por një radio që edhe ai vetë e kish dhuratë. Nga Maoja! Për të zhdukur çdo keqkuptim diplomatik me Kinën, çdo interpretim të mundshëm nga pala tjetër me ato doktrina të vjetra dinastishë që u mbaronte emri me “ing” si xherund anglishteje, apo me simbolikë teatri dragonor, një njoftim-kërkesë zyrtare për dhurim dhurate i ishte bërë Maos. Ky thuhet sikur kish pranuar me zemërgjerësi, për Fuatin nuk diskutohet, kishte thënë. Një radio dore nga dy luanët e kontinenteve përkatës është diçka që nuk ndodh përditë. As kur Fuati goditi tri herë dhjetën në qitje, as kur kishte mbaruar për tërë natën librin “Lej Feng, bir i mirë i popullit punonjës”, nuk ishte bërë aq bujë.
Por lavdia nuk ish e thënë të ngjiste për shumë kohë në Gropovëth. Gropovëthi “shkonte në fis”. Pas pëshpërimës nëntokësore që Fuat Çela doli agjent i perëndimit dhe se dhjetat që ai godiste në tabelën e qitjes, megjithëqë i verbër, ishin fallso, filloi tatëpjeta; nuk ishin llafe armiqsore e tym pa zjarr. Peligrinazhet e entuziastëve nga gjithë rrethet e vendit që vinin ta takonin, me autobusa, me ekskursione edukative, u rralluan deri sa u ndërprenë. Gropovëthi e ndjeu i pari ftohjen e lavdisë lokale. Ftohja e lavdise vjen nga periferia, ashtu si ftohma e vdekjes ndihet fillimisht nga këmbët.
Mos more! Gjermania?! Kjo puna e bashkimit duhej të ish veçanërisht diçka e keqe. Sepse Ilmiu nuk po thoshte gjë tjetër. Gjermania edhe me keq se Kina kishte trazuar shpirtra në Gropovëth. Kur para ca kohësh ishte dhënë direktiva për hartimin e historiqeve të fshatrave, si ndihmuese të partisë në edukimin e masave, kacafytjet më të mëdha midis veteranëve të Gropovëthit, shumica ardhur nga qytetet e mëdha, ishin pikërisht mbi atë periudhë, “të gjermanit”. Veteranët e kishin lënë prej kohe Gropovëthin, ishin qytetarizuar, po të gjykoje nga lëkurët e tyre si kartë cingari, apo nga ata parakrahët e hollë, apo nga borsalinat që nuk i hiqnin kurrë. Bënin si bënin, vinin deri në qytezë, pastaj, me ndonjë “Skodë” po të kishin fat deri në qendër, e për Gropovëth vetëm hajvanët bënin punë. Por me mungesën e rrugës ishin pajtuar prej kohe. Gropovëthi nuk do ishte Gropovëth, po të kishte rrugë. Ardhja aty duhej e mundimshme, të tregonte sakrificë, shiko sa vuajmë ne për ju.. po, po, rrofshi, ju paçim, ... me se e bëtë rrugën Arif? si erdhe Taip? të lumshin këmbët Iljas! të ndërrojmë kanatjeren, se është bërë ujë... mos ftohesh. E vështirë rruga për këtu... kjo thuhej gjithnjë me faj, kurrë me ankim. Diskutimet e të ardhurve mbi luftën dhe gjermanin nuk kishin fund, kush e shtiu dyfekun e parë, sa gjermanë u vranë në filan vend, kush e organizoi pritën, kush udhëhoqi veprimet luftarake. Edhe ata që nuk kishin luftuar, dilnin që kishin mëkuar me trimëri ata që hodhën një dyfek. Tre historiqe u përpiluan në mënyrë të ethshme, por të pavarur nga njeri tjetri. Si zbulimet e mëdha. Numuri i gjermanëve të vrarë në ata defterë si të spërkatur me gjermanicid, duhej të shqetësonte vërtet ndonjë land prusian. Ishin djemtë trima të Gropovëthit që kishin bërë kërdinë dhe kjo duhej dokumentuar. Se ndryshe do humbiste në mjegull të harresës. S'do na e falë historia. Miratimi i versionit zyrtar të historikut të fshatit pati më shumë tendosje se sa pritja për fituesin e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Sipas përkrahjeve nga komitete të ndryshëm, herë merrte epërsi versioni konservativ i Iljazit (Ilàs në gropovëthçe) e herë i Shuaipit, që ishte më i hapët dhe konsumerist, pasi raportin e ngjarjeve Gropovëth-Botë e kishte të prirur pak më tepër nga kjo e fundit. Fitoi versioni i Zikos, që gjithë kohës kish qenë aktor i dorës së tretë në dramën e dinosaurëve Iljaz e Shuaip; shkak për këtë u bë një krushqi e sapobërë, nga një mbesë në Universitet që ishte pleksur me djalin e një të madhi. Askionet Ziko shkuan në qiell brenda natës në bursën e Gropovëthit, dhe versioni i tij i historikut u miratua të nesërmen. Fletë të shtypura me makinë shkrimi, plot gabime shtypi e korigjime, u vunë në një stendë të muzeut të sapopëruruar, që ishte njëkohësisht edhe “qendër fronti”, “qendër e rinisë”, “vatër kulture” dhe së fundi përuruar, edhe muze. U përlotën gjindja, u bëmë dhe ne me muze, thanë. Jo vetëm Londra dhe Parisi. Berlini nuk zihej me gojë. Ashtu ishte puna; Berlini (dhe Viena), shiheshin me kompleks superioriteti të fitimtarit. Siç dilte qartë edhe në historik, i cili i hapte rrugën Gropovëthit drejt pavdekësisë. Gropovëthasit ishin të ndërgjegjshëm në epërsinë e tyre. Jo për fodullëk kjo, thjesht për hir të së vërtetës. Edhe ndonjë që blasfemonte, e dënonin paq, topografikisht, si “me shkarje ledhi”. Një herë për shembull, Lamja kishte parë në një foto, gjetur një dreq e di se ku, ca rrugë të përbindshme si lumenj me vetura që shkonin në dy anë, foto e stisur, s’do mend, ku veturat që janë vetëm për shokët kryesorë të udhëheqjes, farfurinin ashtu lisho e azat, si të ishin bagëti që kthenin nga verimi. I ishte tronditur besimi Lames, kishte shfaqur shenja gjunjëzimi para propagandës e presionit të huaj. Or s’po marrim vesh kush e fitoi luftën, kish thënë, ne apo këta? Pyetja kishte qenë retorike. Kjo tregonte qartë rëndësinë e historikut të sapomiratuar, të muzeut të sapopëruruar. Kishin boshllëqe njerëzia. Me ngashërim sublim kishin ikur nga muzeu atë ditë, pasi i hodhën një copë plastmasi sipër tendës ku ishin vënë faqet e daktilografuara të Zikos, për siguri më tepër, se thuhej që do binte shi dhe çatia e muzeut pikonte në shumë vende. S’kishte gozhdë për riparim.
Mos more! Gjermania?! Fjalët u thanë më në fund dhe Ilmiu tundi kokën fatalisht. Diçka duhej bërë.

23 Komente

eh, pjesen e pare e kishe qare.Kjo e dyta, me duket si e zgjatur me zor.

Sidoqofte,pergezime! Per emigrantin nuk dikutohet smiley

Akademikët që do rishkruajnë historinë, duhet që të lexojnë (me detyrim) shkrimet e Emigrantit.

Ka një të vërtetë thuajse retorike... që nuk ka nevojë për t'u verifikuar... ata që e kanë jetuar atë kohë dhe ata personazhe nuk kanë nevojë për spiegime... janë si Ilmiu smiley i pranojnë pa vërtetim.

Po edhe mua me ben shume pershtypje vertetesia e prekja gati me dore e realitetit te asaj kohe.Ma do mendja se mund ti kete shkruar qe atehere,sepse ka kaq veçansi sa umanamente gati e pamundur ti jetosh me kete ngarkese...Shume bukur Emigrant....te ç'lodh....

me pelqen ironia jote Emo

Ndersa ka pasazhe absolutisht te mrekullueshme stilistikore, saqe edhe te nisesh qellimisht te gjesh dobesi, nuk gjen dot- ka dicka qe nuk me pelqen. Eshte krejt fryma qe i ke dhene prozes. Nje tendence per t'u tallur e per te bere ironi me njerez e vende qe tashme jane HISTORY. Nuk e di, nuk e di, mua me dhimbsen keto karakteret qe ke krijuar, me vjen sikur i shoh permes nje xhami te veshur me mjegull, dhe jane aq konfuze, aq te pafuqishem, aq te ndershem e plot miresi sa me beso, nuk e meritojne kete humor kaq te hidhur. Me kujtojne njerez qe i kam njohur, po, keshtu kane qene, injorante, te paditur, por nuk mendoj se e meritojne kete menyre te shkruari...disa gjera duhen lene pa prekur, emigrant. sidomos kur jane te pafajshme.

Me ndje, nese te lendoj, por sinqerisht edhe mua me vjen keq...

A., nuk me lendon, jo. Te kuptoj.

Ironia, humori i zi, ose vetperqeshja me duken nga menyrat me te mira per tu marre me te djeshmen. Antitrupa per militantizmat e cdo krahu.

Ta kam merakun se kjo rruge do te shpjere tek "O belul otrim i marre se cu mplexe me radare "...nuk e di nuk e di , po po te te lexosh me pathosin qe e ke pershkruar Ilmiun duket sikur je brenda tij por.... ne kohen e sotme. E rende kjo qe them po askund nuk kam lexuar neper bote ....pervec nje Nagulnovi  te trazuar me plakun Shukar (personazhe kalimtar)qe te zene vend ne LETERSI dhe te japin nje prototip po gjithsesi JO QENDROR si personazhet tuaj qe jane fillimi dhe mbarimi rrefenjes. Me vjen shume keq per ate qe te ka mbushur mendjen se mund te kesh vlere ne kete linje pa vlere....... Si gjithnje pesha specifike e mendimit te shprehur ose me mire struktura e te memduarit ne maja .

Em, Pikerisht kete qe te ka shkruar me lart avokados kam dashur te ta sugjeroj qysh kurre, por jam stepur se nuk e dija se si do ma merrje.

Kur levron narracionin, (nuk e kam fjalen per pjesen me lart )je shume paragjykues me personazhet, narracioni mund te levrohet me embel, do te jepja nje keshille nese me lejon, duaji keto personazhe dhe beje edhe lexuesin t'i doje nepermjet  difekteve, eshte si puna e  asaj dashurise se vertete, pas se ciles roberohemi pikerisht prej te metave...

Po e le me kaq smiley

p.s

Ah, kam haruar te te them se pika jote me e forte sipas meje eshte letersia meditative... nuk kam kohe  ta sqaroj per te tjeret kete, por jam e  sigurt se do ta kapesh ku e kam fjalen...

Flok, pa problem fare; per here tjeter them, mos u step. E vetmja gje qe nuk do duroja dhe do behesha defiant eshte plagjiarizmi. Cdo gje tjeter, duke fillu nga ndikimi i forte i pavullnetshem nga nje tjeter autor, eshte really OK dhe i mirkuptum.

Une nuk perbuz as Besimin, as Ilmiun. S'i perbuz dot, edhe sikur te kisha cinizem ne vend te hemoglobines. Nuk i zhvilloj si karaktere, sepse nuk eshte fare aty qellimi i shkrimit.

Kur themi qe shqiptaret jane popull delirant, nuk do me thene qe nuk i duam shqiptaret. Te tallesh me dobesite e tua eshte mbase force, por jo mosdashuri.

Asnje fakt ne shkrim, ASNJE, nuk eshte prodhim fantazie puro.

Ndersa nje fshatth i vogel ka probleme uluritese te ekzistences, aty diskutohet me seriozitet nese duhet te bashkohen Gjermanite, apo jo.

E projektuar ne te tjera sfera: dikush udheheq nje popull, i cili merr mesatarisht 50 gr. qumesht ne dite, dhe shkruan Imperializmi dhe Revolucioni; nje tjeter eshte aktor politik i tranzicionit me baltovine e lluce qe mund te mendohet, dhe u shkruan fuqive te Europes ti rishikojne pozicionet e tyre me Ameriken, te mos harrojne D-Day etj...

O cim,

se kam lexu pjesen se skam kohe. Jashte temes mer, vetem se emri Ilmi me kujtojoi nje rast te nje skraparlliu te humbur nga fshati Zaberzan i Skraparitqe e kerkonin robt e vet ne TV tek Njerez te Humbur, dhe ishte bo murg ne greqi e nuk fliste me vite me familjen.
 Kot mer, mu kujtove ti, thashe mos e ke kushuri  smiley

Persons Photo  Persons Passport
  Person´s name:ILMI CELADate of Birth:18-08-1968 Place of Birth:SKRAPAR Old:39 years Sex:Contact lost:18 GUSHT 1993 Direction:GREQI Publish Date:2007 

me ngjaka i cik  smiley  

te gjith skraparlit kushurinj jan sa per at pune...  smiley 

Murg gerqie???? Ja Abas Ali....  Ja Haxhi Bektash Veliu...  smiley  smiley 

Sex: 0

Po këtë nga e paskan marrë vesh? Qenkan të tmerrshëm ata tek Njerëz të Humbur.

Një nga arsyet pse pëlqej prozën e Emos, është përdorimi gjithnjë i mendimit të koncentruar, si ai qumështi "Panda" që të pihej duhej holluar me ujë.

Ja veç një sample:

Se nuk ka vetëm body-building. Ndërtimi i fytyrës është edhe më i vështirë.

Arsyeja tjetrë, është se asnjëherë, po asnjëherë nuk ka keqdashje në shkrime ndaj personazheve të veta, apo në krejt frymën e tregimeve. Për këtë vë dorën në zjarr madje.

Gocave aty më lart, u jap ama pjesërisht të drejtë, sepse te kjo pjesë ka hapur vetëm një vijë uji dhe e ka lënë të rrjedhë kryesisht sipas një drejtimi të vetëm.

Jo, nuk do e quaja pjesën më të bukur që kam lexuar nga Emo, po ato shkëndijat e veta të veçanta i ka shkrimi gjithsesi.

 

 

Po, Maoja, ishte një “kokërr revizionisti” që s’ke ide... për Maon flitej sikur ta kish shtëpinë nga fshati karshi dhe s’kish kthyer gjysëm kile miell borxh

--------------------------

hahahaaaaa je i madh se je "gju me gju me popullin" smiley

keto pershkrime jane teper reale,duket sikur s'ka fare mundim,por gjenia eshte e kudogjindshme.

xhen, jasht teme; kom bo i bejte sot ndersa po nigjojsha mrroklla (jo peshkun "mroklla", por mrroklla ne anglisht) mbledhje ne telefon... smiley

PS iku gripi?

Peshku ilaç EM,me selfate eferveshente kalo smiley

emigrant nuhas qe te ka ngelur qejfi per verejtjen qe te bera...

megjithate po vazhdoj, dikush duhet te t'i thote keto ne vend qe te te rrahe shpatullat e te te bej qejfin

1. largohu nga temat per ngjarje te jetuara, ato te kufizojne hapesirat e mendimit si krijues... largohu nga temat me socializem, nje personazh shqiptar ne perballje me koherat globale do te ishte shume here me interesant...

2. je i ndikueshem nga gjithcka qe lexon, ndikimi eshte i pavetedijshem dhe kjo te rrezikon seriozisht indivualitetin tend si krijues... rrezikon pa e kuptuar, te shkruash  per gjera qe i kane shkruar me pare te tjere... e perseris ; ndikim i pavetedijshem... por qe ty te prish pune

3.verejtjen per paragjykimin e personazheve nuk ta kam bere per kete pjesen me lart...  une ve re se nuk i do mjaftueshem personazhet e tu, dalloj me keqardhje tek ty nje fije superioriteti, lexuesi nuk ka se si ti doje keto personazhe, po nuk i deshe ti i pari...

ky eshte mendimi im pa dorashka...  jam e sigurt se do t'i hedhesh i zemeruar ne kosh keto qe te shkrova, por jam e sigurt gjithashtu, se kur te kaloj pak kohe, do t'i nxjerresh serish nga koshi dhe t'i analizosh me vemendje...

asgje nuk me pengonte te te thoja edhe une bravo, si turma...

 

Avocados: Nuk e di, nuk e di, mua me dhimbsen keto karakteret qe ke krijuar,...

 Nga leximi i te dy pjeseve kuptoj se autori ka vendos ne qender te rrefimit te tij raportet e individit me KOHEN si realitet social, politik dhe ideologjik  dhe heton menyren  se si perthyhen keto raporte ne nje lokalitet, ne fashtin Gropeveth.

Kjo qasje eshte mjaft interesante dhe bash thelbi i diskutimeve dhe debateve teoriko-filozofike MBI RAPORTET E INDIVIDIT ME DIKTATUREN NE SISTEMET TOTALITARE.Kane kaluar dy dekada nga permbysja e komunizmit-kohe jo shume e larget, dhe per brezin e ri , ajo KOHE  perceptohet pak a shume keshtu: Diktature ..berr..shkretetire..sketerre, ..tela me gjemba...burg, kampe perqendrimi...njerez kukulla, ushtare pa emer, manekine  te kurdisur nga dora e padukshme e Zeusit te plotfuqishem atje lart ne Olimpin e B.Politike.  Po a mund te mbijetonte diktatura per 50 vjet vetem si vullnet dhe diktat i njeshit?? Kjo eshte pyetja ku thyejne koken studjuesit e sistemeve totalitare dhe ka nje mal me studime ne kerkim te "shpirtit" te totalitarizmave.

Nje nga perfundimet eshte se mekanizmat qe mbajne gjalle totalitarizmat e djathte apo te mjate jane shume me te komplikuar dhe me te thelle nga ajo qe dallojme ose perceptojme: Marrezia  e Hitlerit dhe paranoja e E.Hoxhes dhe pike.

Ideja e dhunes eshte gjysmake pa "dhunen" e ideve, ideologjizimin, shpresat, iluzionet, besimin, vetemashtrimin, pritshmerite...neser do te jete me mire, ishalla, ... Realiteti i dhimbshem, me privacione, varferi, perpjekje mbinjerzore per copen e bukes per kalamanet kthehet ne dytesor dhe idete, idealet, ideologjia, fjala e Udheheqesit, direktivat marrin rolin superior, paresor.

Ja perfytyroni ata fshateret e thjeshte dhe zemermire te Gropevethit, : ulur ne mbremje ne sofer , pak misernike me gjize, femijet aty rrotull veshur me lecka, dikush kollitet, ftohte, nate dimri (realiteti) dhe nga TV spikeri lexon kominikaten e KQ mbi tradhetine e Kines dhe poliagjentin M.Shehu.(ideologjia) Heuuu , IlmiU brof ne kembe.Catia i bie mbi koke. Tronditet njeriu i ideologjizuar per fatin e revolucionit dhe preket ne indin e internacionalizmit proletar, hutohet, shqetesohet.

Bota e tij e vogel atje ne Gropeveth tronditet nga ngjarjet e botes se madhe.Interesi pergjithshem mbi ate personal. Partia mbi te gjitha.Militante , bashkohuni rreth vijes se partise! .Rritja eshte 10 %.Pesevjecari do na sjelle lumturine dhe futjen ne BE. Mos u shqetso ashtu kot se te mungojne  gjerat me te domosdoshme, dritat, uji, ngrohja, kalamanet shkollen e kane larg dhe ti merr buken me liste.

A nuk eshte kjo nje situate dhe raport  tragji-komik me KOHEN i   njeriut  te  thjeshte, te ideologjizuar ne ekstrem i cili mbyll syte para realitetit te   tij personal dhe veten e shikon si ushtar te nje KAUZE ?

Ne kete perspektive, personazhet e rrefimit te dhimbsen por kjo ndjeshmeri ndoshta nuk eshte percjelle me te gjithe tonalitetet e duhura. KOHA si realitet social-politik ne rrefenje eshte kthyer nga SFOND ne personazhin kryesor ndersa individet-personazhe jane ekspozuar si INSTRUMENTA  ne sherbim te KOHES.

Flok, nuk di si me ta vertetu qe s'me ka ngel qejfi nga komenti yt; as nga i fundit. Nuk ka pse. Ja ta perseris: vetem po me tha dikush qe ke vjedh pjesen e X ose Y, ate nuk do duroja. Perndryshe jam i prirur ti konsideroj cfare me thuhet.

Konkretisht per c'thua:

kam pershtypjen qe perballja e njeriut shqiptar me koherat globale nuk eshte pjekur ende si subjekt letrar; jo per mungese kohe e pervojash, por sepse nuk eshte filtruar perballja e tij me kohen sektare, e cila eshte baza per ta kuptuar njeriun shqiptar sot. Ne nuk jemi gjermane; shqiptaret rrojne shume me te kaluaren. Per te mbuluar deshtimet shoqerore, natyrisht. Eshte si pune alibie ajo, zgjuarsi ballkanike driteshkurter.

 

"shkruaj per c'kane shkruar te tjeret me pare"; c'te te them per kete, Flok, pervec bibles dhe Iliades, ate gje bejne ne fakt te gjithe. Por do ishte great po te me thoje qe per fashtrat e largeta, te cilet kapen ethshem nga diskutimi i ceshtjeve politike globale te kohes, ka shkruar edhe filan autor. Kjo s'do me thene qe une nuk do e shkruaja Gropovethin, por eshte info qe duhet ditur patjeter kur shkruan. Vete di vetem nje pasazh te shkurter te Dimri i Vetmise se Madhe kur nje fshat, me gjase nga veriu, doli me propozimin te digjen kullat e Kremlinit per beseprerje. Por kjo eshte tjeter gje. Ne jemi nje popull qe i bie anash nje pellgu te stermadh te rruga para shtepise perdite ndersa diskutojme Fukone e Berklit, Salvatore Quasimodon dhe Bunuelin. Te gjithe! Shoqerisht. Ketu e kam llafin. Besimit i kish ngordhur gomari. Ky ishte problemi i vertete per te. Bashkimi i Gjermanive nuk i binte te ishte as mize qe s'e linte rehat. Anyway.

personazhet dhe dashuria e paket per ta: karakteret rralle jane objekti i vertete ne shkrimet e mia. Kur i dua dhe jane objekt, shkruaj gjera si Hyrije A., ose Oma Bunhardt. I shoh me shume si aktore se sa autore te drames njerezore (ndikim i qellimshem nga Marksi kjo shprehje, e pranoj ne vend ...  smiley   ) Kjo tema e dashurise per karakteret eshte shume e madhe, Flok, dhe mbase e bejme ne nje entry te vecante. (mu be komenti carcaf already).

Te lutem, mos i quaj komentuesit "turme". Se nuk jane. E di se c'ke dash me thene, dhe blogu si mjet mediatik e inkurajon fenomenin e "turmezimit", por perseri, ata qe marrin mundimin te komentojne te letersia, kane me pak prapavija bashkuese ideo-politike si gjetke. Qe ti bashkoje ne fronte te verber them.

Mos ji e sigurte per hedhjen ne kosh te atyre qe me the. Jo ne kosh, Flok, por te tryeza e kompiuterit i kam, ne krah te djathte. Do me cikin doren sa here qe du me kliku...  smiley  Te perifrazoj shprehjen lapidar te Florian Hides: "Megjithese nuk e the nji fjale te mire, prap t'du shume"....  smiley   Flok, ma thuj po deshe privat, pse mendon qe me ka ngel hatri. Ku? Si? Seriozisht.

@ Spiritus: FLM, je shume i sakte; tregimi nuk ka mbaruar, sidoqofte. Ose mbase une e kam dashurine e ashper ne te shkruar (gje qe do ishte ne fakt nje cudi, por jo e pamundur).

 

Edhe nje here FLM shume te dyve.

Fjale te mira;

1.Oma Bunhard me pelqeu shume dhe kur them qe pika jote  me e forte eshte letersia meditative me pak garniture filozofike si prej cimentoje, qe e vulos njehere e  mire perfundimin, kompliment ky.

Per kete qe te thash me siper , nuk gaboj fare, me pelqejne perfundimet analiktike te sakta, tipike prej staticieni.

2.Kur them qe nje personazh shqiptar ne perballje me koherat globale eshte interesant, kam pikerish Oma Bunhard, eshte pjese shume e bukur, prekese, personazhi J.C ka dale shume shume qarte dhe eshte nje personazh i vertete nga ata qe nuk qendrojne ne kembe me furka... (perseri do te uleras qero stilin nga fjalet e huaja se me ngjajne fjalite si quiz-e ).Une kam nje te mete nuk e  dalloj dot nje krijim te mirin timin nga nje te keq, mbase e ke dhe ti kete, per kete arsye po te perseris... Oma eshte shume  arrire...

3.Pjesa ku ata te shkretet ne gropvethi, i thajne kanatieren atij qe vinte nga tirana, me ben te qaj. Pse me ben te qaj ajo pjese do thuash ti. .. po ja sepse une e ndjej qe aty ti e do vertet personazhin dhe me ben edhe mua ta dua duke e pare me syrin tend si autor...

4.Me vjen keq qe nuk mendoj si ty, por tek peshkua shumica nuk kane mendim individual... nese dikush ben qe ne fillim nje koment te tipit "nuk me pelqen kjo pjese", te tjeret do vershojne me sharje, ne te kundert kur e pergezojne autorin, te tjeret do ta mbysin me komplimenta... ( te kuptohemi, ketu nuk e  kam  fjalen per Kothin i cili u hyn me tank te gjitha temave te mia, qeveri me vete ai)

Do te shkruaja dhe me gjate, por ka muzike te larte ketu dhe nuk me le te perqendohem...

 

 

Emigrant, shume bukur. Nuk e di ne i pelqej shkrimet e tua ngaqe shkruan bukur apo ngaqe je nga Verzhezha. Besoj se jane te dyja bashke. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).