Gropovëth I

Mugëtira kishte mbuluar fshatin kur Besimi mbërriti në shtëpi. Kishte sjellë një tra në kurriz nga dy orë larg. Gomari kishte dy muaj që kishte ngordhur dhe mungesa e tij po ndihej shumë.
Fshati ishte i vogël, quhej Gropovëth, ose edhe “lagjia e malit”, pjesë e kooperativës së bashkuar, qendra e së cilës ishte nja katër orë larg. Në Gropovëth të gjithë njerëzit kishin të njëjtin mbiemër. Sidoqoftë ishin të ndarë në dy lagje, njera e zakonshme dhe tjetra “e kulakëve”, të cilët gjithashtu njiheshin si “kulakët e malit”. Njolla e kulakut ishte vënë qyshse një nga “ata të malit” kishte prerë një rrënjë hardhi në prag të hyrjes në kooperativë. Ishte marrë si provokim kjo, si simbol që thoshte shumë, shprehje e luftës së klasave me zig-zage, se uji fle dhe armiku s’fle. U bë me damkë gjithë ajo lagje. Nuk u hynte e u dilte njeri. Edhe ilakatë i bënin me “të tyret”. Ja, Valentina që e fejuan para dy javësh, i dhanë një nga Kolonja, kulakë edhe ata. Valentina gëzonte sepse kujtonte që në çdo vend që të ikje prej Gropovëthit, më mirë do ishte.
Në qendër të kooperativës ishte zhvillim i madh. Kishin filluar aty këtu të ndërtonin shtëpi moderne (kjo fjalë ishte moderne në vetvehte, dhe shqiptohej gjithnjë me rr-ë të fortë), muret me tulla Vore, çatitë me tjegulla ose me ca trarë allosoj që u thoshin “soleta”. Tjegulla nuk kishte hyrë ende në Gropovëth. Soletat ishin jashtë çdo përfytyrimi. Si muret, edhe çatitë, ndërtoheshin me gur. Zhvillimi moderrn mbaronte diku aty nga Vidhi i Shemes. Ky ishte mes qendrës dhe malit. Prapa Vidhit, bota nuk ndryshonte.
Besimi hyri në dhomë qull në djersë.
- Bjemëni ca ujë shpejt se u dogja – thirri me zë të lartë që ta dëgjonte dikush.
Askush s’u përgjegj. Atëhere ai zuri t’i thërriste me rradhë të gjithë me sa kishte në kokë.
- O Rrethimeee!... Agrooon!... Valbonëëë!...
- Valbona ka shkuar të mbushë ujë ka një sahat – thirri e shoqja nga larg. E dinte ç’kërkonte i shoqi kur kthehej në mbrëmje.
- Çfarë keni bërë deri tani! U shkërrnditët-a?
Gruaja nuk u përgjegj. E dinte që i shoqi do bënte sherr sido që të ishte. Kishte përvojë.
Kaluan disa minuta.
- E pruri kokën ajo?
Asnjë përgjegje.
- Pa shih mos ka mbetur ndonjë çikë dhallë… a ndonjë çikë helm….
Asnjë përgjegje.
Diçka u thye.
Ca pula s’dihet pse u trembën.
Pas ca u dëgjua dikush që po vinte. Më në fund! Por ishte gabuar. Te dera u dha një nga djemtë, Bidoja.
- O baba, na jep pak çelësat, - tha.
Djali mori “të jap një pesëshe”-n e zakonshme, me shenjën karakteristike të pëllëmbës së dorës së djathtë, e cila tek fjala “pesëshe” godiste ajrin me një si tik nervor. Edhe kjo ishte pjesë e rutinës.
Djali kërkonte çelësat e dollapit ku Besimi ndrynte televizorin. Kishte qenë mesele e gjatë ajo puna e televizorit. Djemtë i ishin qepur; se nga kishin parë për belà në shtëpinë e Abas Cergës një televizor me emrin Adriatik, që jepte atë çast një film ja me luftë, ja “me sigurim”, dhe nuk i zinte më gjumi. Ditë natë, një muhabet. Kishin mbledhur bimë mjekësore si të çmendur gjatë pushimeve verore. E shisnin në një depo grumbullimi në qytezë. Duart u qenë bërë edhe më shollë se ç’i kishin, plot me gjemba që s’arrinin më të hynin në mish, nga gjithfarë drizash e murrizash, por s’e kishin hall hiç. Fjala te-le-vi-zor i kishte hipnotizuar. Jeta e tyre kishte një qëllim. Nuk lanë dëllinjë e sherebelë e çaj mali në këmbë. I njihnin të gjitha bimët me një të parë. Sapo zbardhte dita “do dalim për lule” thoshin, dhe nuk kish gjë t’i mbante nëpër ato shpate e kullota e ckërka të largëta, sa të mbushnin dyzetmijëlekëshin televiziv. E pabesueshme, por arritën dhe i bënë paratë. Ia prunë të atit edhe letrën e autorizimit për televizor në dorë, duke e mbajtur me kujdes, si të ishte ndonjë tapi e çmuar. Por Besimi nuk donte. Ai ishte nga ata që e fuste paranë “në qypt”. Paraja vdiste kur binte në dorë të tij. Ai kishte për paranë një dashuri të ngjashme me atë të Llojko Zobarit për Radën. E donte të vdekur. Dhe vriste veten për të. Nuk kishte burrë ta kandiste. As edhe ideja që do ishte shtëpia e parë me televizor; në lagjen e zakonshme bëhet fjalë, pa ata të tjerët s’merrnin dot një triskë fronti, pa le më autorizim televizori. Ata s’do kishin televizor as në vitin 3000! Autorizimi ishte edhe tregues besueshmërie. Tregues që nuk u bëmë të gjithë si këmbët e dhisë. Pra as simboli i statusit të veçantë nuk e thyente sindromin “e qypit” (të parave; kjo ishte hollë hollë tave dheje me erëza financiare turqie, si safron i kuq numizmatik mbi ato kartmonedhat me Skënderbe). Keq e kishin punën djemtë. Por ku ka një dëshirë, ka dhe një mënyrë, që shpesh do të thotë që ka një hilè. Djemtë sollën Mit’hatin që nga qyteza, që t’i thosh Besimit sikur paraja do zhvlerësohej së shpejti. Mit’hatit i shkonte llafi sepse ishte magazinier. Rrinte me kollare. Esnaf. Ka dalë fjala që nga Tirana, tha ky. Kjo u përmend ashtu si rastësisht, andej nga mesi i muhabetit, ç’do bësh me paratë ti Besim? A? Me paratë. Pse? Si pse? Nuk e dike ti? Paraja, thonë, do zhvlerësohet mbas ndonjë muaji. Akoma s’ka ardhur haberi këtu në Gropovëth? etj etj. Netët pa gjumë të Besimit me dilema hamletiane më në fund sollën vendimin: do e blejmë! Televizori u bë një lloj oxhaku në llojin e vet. Shtëpi me oxhak thoshin përpara, tani ishte “shtëpi me televizor”. Kjo ishte një ngjitje marramendëse në status, edhe pse në shtëpinë e vet Besimi nuk i kishte dy gota dhe dy lugë njësoj. Por me gjëra të vogla nuk merrej njeri. Televizori ishte tjetër gjë. Ishte nishan. Ai u soll që nga qyteza ngarkuar mbi gomarin që rronte në atë kohë ende. Me kujdes, si të ishte ajo arka-sëndyq e florinjtë biblike që thonë. U vu në mes të dhomës. Fëmijët kishin qarë nga gëzimi, e kishin puthur. E kishin vënë në prizë. Kishin luajtur një çelës grrap-grrup derisa në fund kishte dalë një figurë që fliste gjuhë të huaj. Kushedi se ç’thosh, por ata u mahnitën, ata u ngulën ta dëgjonin.
Ideja që dyzetmijë lekë mund të thyheshin, të zhbëheshin, të prisheshin brenda sekondës, e tmerroi Besimin. Televizorit i bëri një dollap dhe çelësin e mbante vetë. Me një gjalm aty ku normalisht duhej të ish pistoleta. Kur djemtë ishin përpjekur të hapnin fshehurazi drynin “Tutius”, me një çelës të poshtër siç kish emrin, “kopil”, ai kishte vënë dhe një dryn të dytë dhe ashtu kishte zënë karar ajo punë. Televizori hapej dhe mbyllej me orar. Ai kushtonte sa dymijë vajtje në kinema të qytezës, gjashtë orë larg kjo me ecje Besimi, apo sa njëmijë ditë pune në kooperativë, që ishin tre vjet! Televizor për inat të Besimit dhe dy muaj pas tij, bleu edhe Veizi i baxhos, në një fshat të rangut të Gropovëthit, nja tre orë larg. Veizi hapi fjalë sikur rimesoja e televizorit të tij ishte ku e ku më e mirë se ajo e Besimit. Edhe ai e kyçi televizorin si një robinjë të bukur. Për ta mbrojtur nga pluhuri, i porositën edhe një këllëf, me të cilin e mbulonin brenda dollapit ruajtës. Ia vinin atë këllëf si perçe mbi fytyrën e gruas. Pjesën që mbulonte ekranin e qëndisën me fije si ar duke sajuar fjalën “SuperVeiz”. Idenë e kish sjellë djali i madh që ish i dalë, kish bërë ushtrinë andej nga Sukthi dhe dinte ç’ish bota.
Më në fund erdhi Valbona nga burimi. Dëshira për sherr sikur u fashit. Djalit iu dhanë dy çelësat pa folur, por me një zemërim autoritar gjithësesi. Zemërmi pa shkak është tregues autoriteti, vetullat e ngrysura garanci respekti; djemtë shikonin televizorin me një ndjenjë të përhershme lumturie fajtore. Dhe faji të lumtur.
Besimit po i mbylleshin sytë. Trari që solli i kishte vrarë keqas supin e djathtë. Pak qepë dhe kripë, mendoi. Nuk ishte as në gjumë, as zgjuar, kur dera trokiti përsëri. Ishte Ilmiu. Bënin pjesë në një organizatë bazë të dy. Merrej vesh që do thosh diçka me rëndësi, por nuk dukej si vdekje a vaki. Kundër dëshirës nëpër mend i parakaluan gjithë arsyet e mundshme: borxh, probleme me gruan, vajza e vogël mbetur shtatzanë, e madhja përzenë nga burri, ndonjë hasmëri e vjetër ose e re, ndonjë dyshim për “ata të malit”, ndonjë krushqi në tentativë, në mendim, në dëshirë “me ata të malit”, se të rinjtë vetëm për proçka janë oreee, venë e zbrazin koburen në hi, sherr gjitonësh, hatërmbetje nga fjalë të thëna si pa qëllim, dikur, diku, sëmundje pa shërim e zbuluar së fundmi, amanet familjen, fëmijët, vajzën e vogël që ishte bërë në moshë dhe që duhej “nxjerrë”, arratisje jashtë shtetit të ndonjë kushëriri nga ata që jetonin në qytet, se ata të qytetit vetëm për proçka janë oreee, prishje mos-o-zot e biografisë, zbutje e luftës së klasave, pirje dollie nën avuj rakie për ndonjë të deklasuar në ndonjë zijafet, përshëndetje në rrugë me “ata të malit”... eh e keqja s’ka fund.
Ilmiu nuk po fliste. Besimi kuptoi. Shko nga dhoma tjetër ti, i tha Valbonës që po bubrronte rreth e rrotull. Vajza doli. Atëhere Ilmiu e nxori ç’kish në zemër. Thonë që dy Gjermanitë do bashkohen!

39 Komente

e nolt fare

ajo pjesa e rimesos se televizorit eshte perle fare

Bukur, Cim...shume bukur! Nje narracion mjeshteror folk!

Gradualisht, nga shkrimi ne shkrim, dalloj qe artit narrativ ne prozen bashkekohore shqipe  po i ve vulen tende unike ( kjo  edhe ne reference te asaj  qe  lexoj edhe nga prozatore  te tjere bashkekohore  shqiptare qe levrojne apo perpiqen te levrojne narracionin)...

 

Autorizimi ishte edhe tregues besueshmërie. Tregues që nuk u bëmë të gjthe si kembet e dhise.

hahaha 

ku je o komunizem,te shkulça nga rrenjet!

Pershkrim i shkelqyer. Skena te tilla  i kam te skalitura ne tru. Me kujtoi nje vend dhe njerez shume te dashur....

Te falenderoj

pres te lexoj vazhdimin. shpresoj te kete me shume lidhje me valbonen sesa me dy gjermanite smiley

Cimo shume i bukur ky tregimi. Rezervoj te drejten qe ta them fjalen e fundit pasi te kem lexuar fundin, por prape me pelqen shume. Ke nje stil krejt ndryshe nga ato qe kam lexuar me pare. Dicka qe me kujton tregimet ruse ku ngjarjet zhvillohen dalengadale ne mes te humbetires gogoliane. Gjithashtu edhe detajet jane shume realiste. Urime. Pres me kenaqesi te lexoj kusurin.

Rrofsh Cim ,

Bukur shume bukur.

Ato muhabetet per shveleresim parash sepse te kujtone ditet e sotme, atehere nuk behej fjale shume per shvleresim parash. Nejse Tek e kaluara shikon te sotmen, Mit’hatet e sotem me tere teorite e tyre  smiley

Mire, shume e bukur cimo.

Edhe pesen e ke hak.

Kjo e televizorit ishte perle fare. Ke kap nje nga elementet me interesante te asaj kohe. Te gjithe kemi nga nje histori te bukur me ardhjen e TV-se ne shpi.

Por, me shqetson tema mua. Sikur eshte bere si ngerc. Na u bene personazhet e socializmit si Elfet, Grinchi apo mbreteria e Who-ve qe nje surrat e nje avaz kane dhe pse te gjithe te cuditshem e interesante gjer ne palce.

A do kemi nai proze bashkekohore dhe ne permbajte ?  Pa flashbcak nga e kaluara, ose pa asnje dreq lidhje me te ????

smiley

 

coming soon, yll i vogel, coming soon....

Po si jo mer Nexh! Si e do, me kallash apo me pallash?

smiley

je dhe shkrimtar demek

Nexho, ideja ishte nese e do me lufte a me dashni. Se mar vesh pse e ke vene ate fytyren e merzitur!

Se mu duk sikur po tallje trapin me mu.

 

Ah këto histori i kam qejf, bravo Çimo, me zor do pres vazhdimin

kish bërë ushtrinë andej nga Sukthi dhe dinte ç’ish bota

Emo, pese yje.  Presim me padurim II smiley

 Pa shih mos ka mbetur ndonjë çikë dhallë… a ndonjë çikë helm….
 

Je i papame me shprehjet dhe dialektin e jugut. E ke bere si TM (trade mark) dhe s'ta rremben dot kollaj njeri smiley

Emo, shume shume bukur *****

Çfarë vazhdimi kërkoni nga kjo pjesë?

Kjo është mrekulli ashtu siç e ka lënë autori!

Në rastin më të keq merreni si një tregim të O'Henrit, ndërsa në rastin më të mirë, shikoni që: Shqetësimet për ndarjet dhe bashkimet (në bot&eumlsmiley ndiheshin edhe atje në Gop... që s'mund të kish vënd më të humbur.

Une e  di vazhdimin: 

Ato dy lagjet e Gropoveth-it do bashkohen pasi te bjere Muri i Berlinit dhe celsat  e televizorit do t´i kalojne Rrethimes ...   (ku e gjete kete emer-hata fare)

Megjithate,  ky ishte Komenti I

C na kujtove kohet kur Tv mbyllej ne dollap me celes dhe ne mbremje hapja behej ceremoniale me pa lajmet smiley Ndodhi serioze per ate kohe te  rikthyera  me humor dhe mjeshteri. Jo vetem situatat por edhe emrat te shkrijne gazit dhe percjellin komicitetin e nje kohe te lene pas.

 

Mbase pate aq kohe per te lexuar pa rene "fshesa e hekurt" smiley

Idris, cfare paske thene qe ta paskan fshi?  smiley    Mos bjer ne gjynof te djelave, se te quhet dyfish te bilanci ne fund....  smiley   Nuk isha ketu, jo.

Nexh, debat i gjate ky i temave; mbase e hapim diku tjeter. Ndoshta do e meritonte nje teme me vete ne fakt. Jo per te shprehur ate qe letersia nuk behet "me porosi te pruresit me te pare", se ajo dihet, por per te diskutu nese varferia ne pershkrim te temave aktuale eshte rrjedhoje e mosnjohjes, e mungeses se kohes se mjafte per te sintetizu/qartesu mendimet, apo thjesht se kjo kohe mbase nuk rrezaton mjaftueshem tharm artistik (arti ka ligje krejt te tjera ne lidhje me kete dhe e madhja ne art nuk ka medoemos lidhje te drejtperdrejte me "te madhen" e jetes atje jashte. Arti dhe jeta "reale" jane vertet dy realitete paralele, ama nuk jane e njejta gje, se te ish ashtu, nuk do kish nevoje per dy universet).

Ju falemnderit shume-shume per kohen tuaj dhe komentet!!!

Ah te shtoj nje gje pa lidhje me temen, por i ngacmuar nga ajo qe thote Nexhi dhe PF me pas. Isha pardje ne lokal shqiptaresh, dhe ekranet e TV-ve neper mure jepnin music video shqiptare. Kishim dhe nje francez me vete qe ka filluar te mesoje shqip. Atij i beri pershtypje koncepti  videove shqiptare qe ishin sikur sapo qene marre nga MTV. Tha qe nuk po gjente asgje shqiptare aty. Nje majmuneri e peshtire (kitsch kitsch kitsch....). Ne disa prej videove, nje erotike pa klas ne rruge te sigurte drejt soft-porn. Ne disa te tjera nje cengije-zim i shfrenuar. Une e kam qejf Ponin psh, por kur francezi lexoi me rrokjezim mbi ekran fjalet "hopa hopa nga Poni", vallaj nuk e di... Pse e them kete? Se me te thon te drejten, Nexh, ky realitet sic perftohej qe andej, te ben mos me te ardh me kap pene me dore kurre.

Money for nothing and the chicks for free, u tallshin nje here ata kingat!

Se diskutoj fare qe ti smund te shkruash per shqiperine e sotme Cim, se nuk e njef.  Por, kupto lodhjen time si lexues qe ska mall per shqiperine, nga te njejtat "Kronika ne Gure/Shkrepa/Kooperativa/Kombinate/Zbore/Mbremje defrimi" te kohes se komunizmit. Nuk kam veretje per cilesine, eshte thjesht lodhje nga kjo tendence.

Ti mund te shkruash per jeten e sotme qe njef i dashur, ska pse ngjarjet te zhvillohen detyrimisht ne shqiperine piktoreske smiley

Me falni e , se une per vete nuk kam shkrujt naihere, e nuk di si shkruhet e gjithe cka lidhet me kete. Ishte thjesht verejtje prej lexusi anjorant smiley

 

 

Nexh, funksioni informativ i letersise eshte dytesor, per te mos thene tretesor. Te jesh e sigurte qe ty nuk te lodh tema, por letersia jo e mire.

Realiteti i sotem, edhe pse nuk jam atje, e kam te sigurte qe eshte nje zgjatim organik i atij te djeshmit. Aq organik, sa nje nga gabimet me te medha qe behen eshte trajtimi i te sotmes si nje gje e shkeputur nga e djeshmja. Gjerat nuk ndryshojne aq lehte. Filozofet e sotem jane copera nga Big Bangu i universit te perqendruar ne nje pike (njeri) qe quhej Enver Hoxha. Ti mbase nuk e di, por Enveri ka shkruar si te ishte specialist per gjithcka. GJITHCKA! Artin, naften, pataten, ullirin, folklorin, lindjen e mesme, imperializmin, revolucionin, arkitekturen, haxhi qamilin, ali ibn sinen, egjiptologjine, eurokomunizmin etj etj etj... nuk di si dilte letra. I shikon keta filozofet e veckel te sotem, qe nuk lene gje pa trajtuar? Po tu analizosh perberjen kimike, dalin nga i njejti material. Te thashe, Big bang, dhe njemije copera analistesh dhe kryetaresh te partive sot.

Guret/Shkrepa/Kooperativa/Kombinate/Zbore/Mbremje defrimi te kohes se komunizmit i keni nen kembet tuaja. Si nuk i shikoni valle?... tha njoni.

Për debatin rreth kohës së shkrimeve... Kam përshtypjen se koha e sotme do distiluar më parë që të fitojë pjekurinë e pasqyrimit letrar. Vetëm nëse ndodh ndonjë ngjarje shumë e madhe nga përmasat ndjesore, atëherë radari e kap menjëherë. Të sotmen e jetojmë, mirëpo nuk e vlerësojmë dot siç duhet për nga rëndësia. Kujt ia merrte mendja para 20 vjetësh psh që një shprehje e zakonshme si "dhallë apo një çikë helm" do fitonte përmasa epike sot?

Money for nothing and the chicks for free, u tallshin nje here ata kingat!

Në ditëlindjen e mbretëreshës u këndua live "God save the Queen" - ka edhe kështu.

Mireeeee terhiqem smiley

Cmu desh dhe mua de ...

smiley

Nuk them qe eshte tregim i dobet ,shume interesant dhe me personazhe tipik (Besimi) dhe detaje tipike (Tv e Kycur) ,por.... une jam me Nexhin :

A do kemi nai proze bashkekohore dhe ne permbajte ?  Pa flashbcak nga e kaluara, ose pa asnje dreq lidhje me te ???

 

Artian, po une kam bashkekohore, por per arsyet e mia nuk i kam nxjerre (ende) as ne blogun tim, dhe natyrisht as ketu. Ka shume mundesi t'i nxjerr ne nje liber qe sipas gjasave do jete i katerti (po punoj ende per te). Meqe jemi ketu: Librin e dyte e kam cuar per redaktim, quhet me shume gjase "Kulmak" dhe ka pjese qe nje pjese ketu i njohin, si Plug, Perballje e afert e llojit te trete, etj etj. Libri i trete do jete me poezi, eshte gati, po e redaktoj vete, me gjase do quhet "Arbeologji ne la minor" (nuk kam vendosur per titullin, neologjizmi me duket se tingellon paksa i kerkuar, ne perpjekjen per te perbashkuar fjalet Arberi dhe Arkeologji).

HË PRAAAAAAAAA!

se na mërzite duke bo muhabete antologjirash smiley

Robi kur ka diçka, nuk rri të bëjë stan me lepuj: shkruan, redakton... BOTON!

Tjeter lezet antologjia Ed!

Ne vend te hyrjes, une mund te botoja pjese nga "Thjeshtesi ne alpe" (jane mbi 800 komente!!!!!!!!), natyrisht me sqarime perkatese. Me nentitull "Shqiperi dhe shqiptare te bukur".

Lor, a ke mujt? A i zgjidhe hallet e popullit...  smiley  

Bej shaka. U be kohe pa folur. Te pershendes, mik!!!

Shendosh si molla e ndalueme jam.

Yep te tana si gjithmone, edhe po s'desha une s'te lane te tjeret smiley

Gjithe te mirat edhe ty Em smiley

Tregimi ishte i kendeshem, ashtu siç di te shkruaj Emigranti, veç une vura re nje kontradikte aty nga fundi. Behej fjale per nje nga fshatrat me te humbura, aty ku ora kish ngecur, e per çudi heroi i kryesor mendon gjera qe vetem ne qytet ndodhnin por jo ne ate fshat.

 

"....Kundër dëshirës nëpër mend i parakaluan gjithë arsyet e mundshme: borxh, probleme me gruan, vajza e vogël mbetur shtatzanë, e madhja përzenë nga burri, ndonjë hasmëri e vjetër ose e re, ndonjë dyshim për “ata të malit”, ndonjë krushqi në tentativë, në mendim, në dëshirë “me ata të malit”, se të rinjtë vetëm për proçka janë oreee, venë e zbrazin koburen në hi, sherr gjitonësh, hatërmbetje nga fjalë të thëna si pa qëllim, dikur, diku, sëmundje pa shërim e zbuluar së fundmi, amanet familjen, fëmijët, vajzën e vogël që ishte bërë në moshë dhe që duhej “nxjerrë”, arratisje jashtë shtetit të ndonjë kushëriri nga ata që jetonin në qytet, se ata të qytetit vetëm për proçka janë oreee, prishje mos-o-zot e biografisë, zbutje e luftës së klasave, pirje dollie nën avuj rakie për ndonjë të deklasuar në ndonjë zijafet, përshëndetje në rrugë me “ata të malit”... eh e keqja s’ka fund...."

 

Ketu, sidomos tek reshti i 2-3, vihet re kontradikta, e ndoshta autori mund ta redaktonte ne ate menyre qe ai te mos dukej kaq modern ne mendime. Ndoshta autori, nuk e di se nje njeri i tille, nuk e mendon kurre ate, nuk mendonte kurre ne ate forme, aq me teper ne nje fshat te tille siç na e paraqet autori. Ashtu mund te mendonte nje fshatar i Sukthit, por jo ai i Gropthezes. Prandaj dhe shihet nje kontradikte, sepse autori ka vene mendjen e vet (duke menduar si njeriu i athershem) tek heroi kryesor, mirpo duke harruar se ai njeriu qe ai paraqet eshte si ai i Sukthit, sepse me mendjen e sotme mund te duket si i vjeter ai, por jo me mendjen e djeshme, gje qe do te ishte e pakonceptueshme te mendoje ashtu, siç na e paraqet autori. 

tregimi eshte i shkruar bukur.

kaq.

U ktheva nga"lufta?!" dhe thashë të dalë të shoh miqtë e vjetër.Paskan ndodhur ndryshime e novitete që s'i paskam parë,por,sidoqoftë,nuk rri pa u çmallur me të njohur që dikur kam shkëmbyer tepsitë.Në po ndalem këtu,e kam dhe një arsye.Pa modesti të rreme,je një penë që ia vlen.Pa menduar se bëj përsëritje,të them që di ta lëvroshë atë të shkretë penë sa të merrë mëndjen.Më vjen mirë që po nxjerr libra në vazhdim,se kështu do bëhesh edhe më i vlefshëm për lexuesin.Se stani i të shkruarit(po t'i referohesha gjuhës së blegtorëve) të vetmin bulmet të mirë që ka,duhet të ta servirë në libër.Gëzohem që e ke atë mundësi dhe me këmbën zvarrë e me të tjera.

Shume e bukur Emo. smiley Keto shkrimet retrospektive per kohen e kalur i ke bere TM, te pakten ketu tek Peshku ma ca lexoj. Me pelqen detaji me te cilat i elaboron dhe sarkazma njekohesisht per te vene ne dukje absurdin aty dhe ashtu si ka egzistuar. Vazhdo te shkruash te tilla dhe mos degjo Nexhin. smiley Cdo gje ka vendin e vet, dhe njera nuk i ze vendin tjetres.

money for nothing and value for money. Don't forget that e mos e ler Tushen te terhiqet. te gjitha komentet duhen. Me pelqeu dhe me trishtoi. Mu kujtua qe kur vdiste ndonji ne fis nuk hapej televizori, e papame ne kjo pune.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).