Greqia dhe emigrantët

Greqia dhe emigrantët
Nga Ardi Stefa
Emigracioni është një fenomen që shenjoi Greqinë për shumë dekada dhe vazhdon ta bëjë edhe sot, pavarësisht se rolet kanë ndryshuar. Por ëndrrat janë përsëri të njëjtat...

Në mes të qershorit kryeministri grek, Kostas Karamanlis, vizitoi Qendrën e pritjes dhe të qëndrimit të emigrantëve klandestinë në Samo. Ishulli i Samos, shumë pranë kufirit me Turqinë, përbën një nga kalimet e zakonshme të emigrantëve klandestinë nga Azia për në Greqi dhe Europë. Është “porta bashkëkohore e Parajsës” për mijëra e mijëra njerëz të dëshpëruar, të munduar e të përndjekur nga vendet e Azisë.Para rreth një shekulli “Porta e Parajsës” ishte përsëri një ishull, Ellis Island, jashtë Nju Jorkut, metropolin e parë dhe më të rëndësishëm të epokës moderne dhe vendin, në të cilin shkonin varg me mijëra e miliona emigrantë nga e gjithë bota. Në këtë ishull të famshëm u luajt njëri nga aktet më të rëndësishme në atë që quhet lindja e kombit amerikan dhe ndërmjet protagonistëve kishte me mijëra grekë...Ndryshimet ndërmjet dy epokave janë të shumta, por më e rëndësishmja është në fizionominë e “Parajsës” së atëhershme dhe të tashme. Vala më e madhe e emigracionit përpara një shekulli e gjysmë shkonte drejt shoqërive, të cilat ende nuk ishin krijuar fizionominë dhe fytyrën përfundimtare, siç ishin ato të Botës së Re. Në të kundërt, sot emigracioni drejtohet kryesisht drejt shoqërive të evoluuara e të konsoliduara. Njëra nga ato është edhe Greqia. Ishulli i Samos i vitit 2008, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me Ellis Island të vitit 1914 dhe Athina e sotme ka mundësi t’u ofrojë emigrantëve shumë herë gjëra më pak nga sa do t’u ofronte Nju Jorku i fillimit të shekullit...

Ekonomia
Emigracioni nuk është fenomen as i sotëm dhe as i djeshëm. Është një trajtë shumë e hershme e lëvizjes sociale, ekonomike, e kulturore për arsye të ndryshme e në epoka të ndryshme.Sot arsyeja kryesore është gjetja e punës. Greqia për rreth gjysmë shekulli ishte pikënisja e një vale të madhe emigracioni grek drejt Perëndimit, i cili arriti kulmin në dekadën e viteve ’60. Në atë epokë, emigracioni kapte shifrën e rreth 500.000 grekëve e grekeve dhe në këtë valë emigracioni në një masë të madhe i dedikohet zhvillimi që njohu Greqia në atë kohë. Emigrantët nuk “pretendonin” vende pune në Greqi dhe me paratë që “dërgonin në atdhe” ndikuan dhe mbajtën gjallë ekonominë greke. Nga mesi i viteve ’70 e këtej dhe pas rivendosjes së Demokracisë në Greqi, ishte radha e homogjenëve grekë që të ktheheshin me një ritëm standart në Greqi nga vendet e Europës Lindore, Australia, SHBA dhe Europa. Në 20 vjetët e fundit, hyrja masive e emigrantëve dhe shndërrimi i Greqisë nga vend eksporti në një vend pritës të emigrantëve ishte për shumë ngjarja më e rëndësishme sociale e këtyre viteve. Të huajt ndryshuan komponimin e banorëve të Greqisë dhe mënyrën, me të cilën vendasit shohin vetveten si pjesë e një organizmi të gjallë social.“Shndërrimi qelizor” i Greqisë kostatohet e ndodh përditë përpara syve të grekëve dhe të huajve, në maternitete ku shumica e fëmijëve të lindur janë me prindër emigrantë, në shkolla, ku 11% e nxënësve të arsimit fillor është fëmijë emigrantësh, nëpër lagje, në vendet e punës ku mbi 13% e fuqisë punëtore e përbëjnë emigrantët, në art, kulturë, etj; gjithandej. Greqia tashmë përjeton realitetin e viteve ’50 dhe ’60, por në kahun e kundërt. Në këto çaste që hedhim këto rreshta numri i emigrantëve të ligjshëm në Greqi shkon në diçka më shumë se 500.000, ndërkohë që mbi 100.000 të huaj të tjerë janë në procedurën e pajisjes me leje qëndrimi. Sipas një studimi të Universitetit ekonomik, numri i emigrantëve të paligjshëm varin deri në 250.000 ose diçka më shumë persona. Numri i përgjithshëm i të huajve në Greqi mendohet të hetë 800.000- 850.000 persona, përfshirë këtu edhe të huajt e tjerë nga vendet e Europës. Ky numër vihet vazhdimisht në dyshim, pasi shumë analistë vlerësojnë se numri i emigrantëve në Greqi është shumë më i madh nga shifra e dhënë dhe se emigrantët tashmë në Greqi përbëjnë diçka më shumë se 10% e popullsisë, ose më shumë se 1.000.000 vetë. Duke qenë një pjesë e rëndësishme e palcës sociale të Greqisë, emigrantët nuk do të mund të mos luanin rolin analog në ekonominë greke. Të gjitha të dhënat e deritanishme, të cilat nuk vihen në dyshim dhe që jepen nga bankat, flasin se emigrantët janë një forcë shumë e madhe lëvizëse, zhvillimi dhe konsumimi për shoqërinë greke. Përbëjnë 13% të fuqisë punëtore, përbëjnë 6% të të ardhurave të disponueshme dhe vlerësohet se kontributi i tyre në ritmin e zhvillimit të ekonomisë greke shkon në 0.4% për çdo vit në dekadën e fundit. 300.000 llogari bankare të emigrantëve në Greqi (shumica e të cilave janë të emigrantëve shqiptarë) kapin shifrën rreth 4 miliardë euro në depozita.

Kohë të vështira për emigracionin
Gjatë kohës që po hidheshin këto rreshta, në Parlamentin Europian votohej Udhëzimi për Unifikimin e procedurave të kthimit të shetasve të huaj nga vendet e treta. Udhëzimi, i cili shpreh frymën e re të shteteve anëtare, ashtu sikundër kjo është shndërruar në vitet e fundit dhe nën presionin e valëve të vazhdueshme të emigracionit, përbëhet kryesisht nga tre boshte: Koha minimale e mbajtjes së emigrantëve të cilët hyjnë ilegalisht në Europë përcaktohet të jetë deri në 18 muaj, adaptohen procedurat e menjëhershme të deportimit akoma edhe në vendet, të cilat nuk janë vendet mëmë të emigrantëve klandestinë (por vendet prej nga klandestinët hynë në Europë) dhe ndalimi për pesë vjet i hyrjes ndaj të gjithëve atyre që kanë shkelur ligjin e hyrjes në ato vende dhe nga janë deportuar. Në shumë vende europiane, reagimet e popullsisë vendase ndaj emigrantëve janë shtuar negativisht. Një raport i kohëve të fundit i OKB-së vlerëson se brenda 30-40 viteve të ardhshme do të krijohet një valë emigracioni, kryesisht nga jugu derj veriut, me rreth 200 milionë njerëz, për shkak të ndryshimeve klimaterike të planetit. Në këtë temë, Traktati i Gjenevës i vitit 1951 nuk “njeh refugjatë” për arsye mjedisore me rezultat të ketë vakuum ligjor. E sigurta është se sa më shumë të kalojnë vitet, emigracioni, i ligjshëm dhe ilegal sa vjen e bëhet edhe më i vështirë...

Toleranca zero
Sipas presidentit të IMEPO, A. Zavos, shqetësimi i tij ka të bëjë me qëndrimin e europianëve, të cilët nuk i kuptojnë pasojat e emigracionit, por edhe problemin e Greqisë në lidhje me këtë fenomen.Për zotin Zavos, nuk shtrohet problemi, nëse Greqia e pranon apo jo konceptin e “Tolerancës zero” që të mundet të flasësh për tolerancë zero në fenomenin e emigracionit do të duhet që Europa të vendosë një zgjidhje të tillë dhe Greqia këtë gjë nuk mundet ta bëjë. Për zotin Zavos, fenomeni i emigracionit është normal, pasi njerëzit kanë globalisht të drejta. Ai është pro legalizimit dhe dhënies së të gjitha të drejtave emigrantëve të ligjshëm, por vlerëson se në rast se në Greqi do të hynin befasisht 200.000 emigrantë klandestinë, hyrja e tyre do të krijonte probleme jo vetëm për grekët, por edhe për komunitetit e emigrantëve në Greqi. Pasi në komunitetin e emigrantëve aktualë në Greqi papunësia do të arrinte në shifrat 50%. Emigracioni i pakontrolluar krijon zvogëlimin e pagave të emigrantëve, por edhe rreziqe për grekët e varfër dhe trazimin e paqes sociale. Sipas zotit Zavos, solidariteti social, i shkëputur nga realiteti social nuk është delikatesë, pasi nuk është solidaritet social të lejosh rishpërndarjen e të ardhurave në dëm të shtresave të varfra ekonomikisht dhe pro të pasurve.

“Getoja” e ëndrrës
Prezenca e emigrantëve, përveçse shenjës ekonomike dhe kulturore në Greqi ka edhe një shenjë tjetër, atë urbane. Fytyra e re e Athinës, ajo që u krijua nën presionin e valës së emigracionit, i cili nuk ishte përjetuar nga Athina për më tepër se gjysmë shekulli.Emigrantët përzgjedhin apartamentet e vjetra e të lira në qendër të Athinës, apo lagjeve përreth, qoftë si qiraxhinj, qoftë si blerës, duke u ofruar në këtë mënyrë shërbime të mëdha e të çmuara grekëve. Kjo gjë bën që në Greqi të marrë gjithnjë e më tepër formë të qartë getoizimi. Dhe jo vetëm në shoqëri.Nga ana e saj, getoizimi i emigrantëve çon edhe në getoizimin e grekëve, por natyrisht në një trajtë tjetër, e cila vërehet në zonat e pasura.Dyert e hapuraGreqia gjendet në vendin e gjashtë përsa i përket pranimit të emigrantëve në vitin 2007, sipas një raporti të OKB-së. Në vend të parë gjendet SHBA, në të dytin Suedia, në të tretin Franca, pastaj Anglia. Shkaqet e hyrjes së emigrantëve klandestinë janë të shumta. Faktor i rëndësishëm është pozicioni gjeografik.Paratë që dërgojnë emigrantët në atdheun e tyre janë një frymëmarrje e madhe për ata që kanë ngelur në atdhe dhe që ndikojnë në ngritjen e ekonomisë së vendeve të emigrantëve.

Atdheu i dytë
Shqiptarët, përbëjnë pjesën më të madhe e më të rëndësishme të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi. Përbëjnë 60% të numrit të përgjithshëm të emigrantëve. Pastaj veçojnë komuniteti pakistanez, filipinezët, bullgarët, polakët, rusët, etj, me secilën prej tyre të mos kalojë 5%.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).