Gratë në zonat rurale: Qytetarët e padukshëm në politikë

Gratë në zonat rurale: Qytetarët e padukshëm në politikë

Sonila Danaj


Ndërtimi i një rendi demokratik pas vitit 1990 i ka vënë qytetarët shqiptarë përballë sfidës së ndërtimit të një demokracie liberale me institucione funksionale, që do të thotë se përveç ndërtimit formal të strukturave dhe kornizës ligjore, qytetarët duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në proces. Mirëpo vëmë re se pjesëmarrja në formën e përfaqësimit të një pjese të shoqërisë nuk përkon me standardet demokratike. Në grupin e qytetarëve që nuk janë të përfshirë aktivisht në politikë bëjnë pjesë dhe gratë, përfaqësimi i të cilave në parlamentin shqiptar, si edhe në postet e tjera në nivel lokal është shumë i ulët. Mirëpo, edhe brenda këtij grupi vëmë re se gratë në zonat rurale janë edhe më të marxhinalizuara duke u pozicionuar në periferinë e periferisë së vendit. Gratë e fshatit, të rikthyera në jetën shtëpiake pas rënies së regjimit komunist, për shkaqe si privatizimi i tokës, papunësia, heqja e kontributit vullnetar dhe aktivizimi i detyruar politik e shoqëror, e kanë pakësuar pjesëmarrjen e tyre politike deri në atë pikë sa të bëhen apatike dhe të konsiderohen si të parëndësishme për t’u adresuar nga partitë politike e politikanët në nivelet e ndryshme të vendimmarrjes, duke u bërë me pak fjalë të padukshme për ta. Një situatë e tillë është e papranueshme dhe tregon se procesi i demokratizimit është i papërfunduar dhe përsa kohë grupe të caktuara qytetarësh do të mbeten të paangazhuar politikisht e për rrjedhojë të papërfaqësuar, nuk mund të flasim për një rend demokratik në Shqipëri. Përveç kësaj, gratë e zonave rurale përllogariten diku midis 25 deri në 30 për qind të gjithë popullsisë së vendit (shih INSTAT, 2004). Për rrjedhojë, ky shkrim ngre një shqetësim që prek mbi ¼ e elektoratit shqiptar, i cili sot për sot është i papërfaqësuar dhe i papranishëm në qeverisje.

Shkaqet e mospjesëmarrjes së grave rurale në politikë janë të njëjtat me ato të mospjesëmarrjes së grave në përgjithësi, por gratë fshatare gjenden në një pozicion ku këta faktorë janë dhe më vendimtarë, dhe madje shkas edhe për pengesa të tjera të cilat ose nuk ekzistojnë ose janë më pak kërcënuese për gratë në zonat urbane. Duke pasur parasysh mangësitë e theksuara në të dhëna që përqendrohen tek gratë e fshatit, ky shkrim është bazuar në një numër të kufizuar studimesh, të cilat me përjashtime të rralla, kanë pasur tjetër qëllim parësor, por fatmirësisht për ne kanë përfshirë disa të dhëna në lidhje me fshatin në përgjithësi dhe gratë në fshat në veçanti. Për rrjedhojë, këtu synojmë vetëm të ngremë një shqetësim, siç është pozicionimi periferik i grave në zonat rurale në politikën publike dhe të analizojmë shkaqet e kësaj situate.

Në këtë shkrim periferia do të kuptohet jo vetëm si ajo pjesë e shoqërisë e cila gjeografikisht qëndron në distancë prej qendrës urbane, por edhe si pozicioni shoqëror e politik më i largët nga qendra vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Fuga në veprën “Shoqëria Periferike” e shpjegon ekzistencën e periferisë si të pandashme nga ajo e qendrës dhe për rastin e Shqipërisë paskomuniste flet për një proces përqendrimi të popullsisë urbane në disa (pak) qendra të mëdha urbane ndërkohë që “pjesa tjetër e vendit është kthyer në një “periferi” domethënë në një hapësirë ekonomike, shoqërore dhe kulturore që nuk ka asnjë kuptim më vete, por që jeton, mbijeton apo “përpëlitet” gjithmonë në varësi të qyteteve të mëdha të vendit” (Fuga, 2004: 13). Në këtë ekuacion, gratë e zonave rurale gjenden brenda periferisë politike. Mirëpo, edhe në atë pozicion tashmë periferik, ato janë një grup i skajshëm i politikëbërjes dhe i vendimmarrjes në periferi, duke u pozicionuar në periferinë e periferisë rurale shqiptare. Për shkak të mungesës së traditës pjesëmarrëse të gruas në politikë, trashëgimisë komuniste, fenomenit të migrimit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, zhgënjimit me të gjitha politikat, mungesës së aksesit ndaj informacionit, mungesës së shkollimit, mungesës së hapësirës për shoqërizim që ofron punësimi me pagesë jashtë shtëpisë dhe jeta e aktiviteti personal shoqëror, varfërisë, strukturës tradicionale të familjes shqiptare rurale që e sheh gruan si të përulur ndaj vullnetit të burrit të shtëpisë, e cila njëkohësisht shpjegon fenomenin e votës familjare të përhapur në zonën rurale shqiptare, gratë e zonave rurale janë të padukshme dhe të papërfaqësuara.

Shqetësimi i ngritur në këtë shkrim vjen prej faktit se, siç na thonë dhe Guidry dhe Sawyer, pavarësisht prej pohimit të teorisë mbi demokracinë se regjimet liberale, ndryshe nga sistemet e tjera, i hapin hapësirat për njerëzit e zakonshëm dhe grupet pa pushtet, kjo nuk përkon me përvojën e njerëzve që kanë jetuar në rende demokratike për rreth 200 vjet, pasi asnjë prej tyre nuk ka lindur si një politi tërësisht përfshirëse. Nuk gjejmë asnjë histori demokracie pa ndonjë luftë kundër përjashtimit shoqëror prej njerëzve që nuk kanë vëmendjen e politikës publike. Teoria priret të nënvlerësojë, ose të lërë mënjanë, vështirësitë për kapërcimin e barrierave insitucionale e strukturore, dhe faktin se pushteti ekonomik shpesh marxhinalizon dhe i hesht personat që kanë pak mjete për ta sfiduar atë. Nëpërmjet formave të pushtetit dhe dominimit të bazuara në gjini, racë, moshë, etnicitet, fe, klasë shoqërore e të tjera, arrihet të kufizohet veprimtaria e aktorëve të marxhinalizuar. Pra, “hapësira për politikën publike nuk është njëlloj në dispozicion për gjithë njerëzit, edhe në demokracitë e zhvilluara” (shih Guidry & Sawyer, 2003: 273-5). Kjo është e vërtetë sidomos për grupet e paorganizuara e të harruara, të cilat lihen të vuajnë në heshtje (shih Olson, 1971: 165 sipas Hyman & Shingler, 1999: 381). E megjithatë duke pasur parasysh se demokracitë kanë krijuar mundësi për të riparuar vetveten, ne marrim përsipër të analizojnë përjashtimin e grave të zonave rurale nga pjesëmarrja në politikën publike sepse siç vënë re Hiskey dhe Bowler (2005) demokratizimi tranzicional nuk ka për të përfunduar nëse demokratizimi nuk perceptohet në nivel lokal. Pra, qëllimi ynë është të ngacmojmë vëmendjen e këtij grupi, por edhe publikut më të gjerë se përfshirja e grave fshatare është një nga elementet që duhen ndryshuar në mënyrën se si bëhet politika shqiptare, duke pasur gjithnjë parasysh se ndërtimi i një sfere publike përfshirëse si kusht i domosdoshëm për demokracinë (Guidry & Sawyer, 2003: 274) nënkupton se mungesa e saj, pengon arritjen e demokracisë së konsoliduar sipas kuptimit liberal.

Shumica e studiuesve të shkencave shoqërore bien dakord se qëndrimet dhe opinionet politike formohen nëpërmjet ndërveprimit shoqëror, diskutimit politik dhe reflektimit personal, dhe këto procese kanë cilësi më të lartë kur njerëzit përballen me perspektiva të ndryshme nga të tyret (shih Mutz & Martin, 2001: 97). Mirëpo gratë në zonat rurale gjenden para një situate ku mundësia e të dalurit jashtë shtëpisë dhe tutelës familjare është shumë e kufizuar. Fakti që ato kanë pak mundësi për të dalë jashtë shtëpisë vetëm dhe për të pasur përvoja të pavarura si: të udhëtuarit vetëm, të shkolluarit dhe punësuar jashtë shtëpisë, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në nivelin e ndërgjegjësimit të tyre në lidhje me rolin që duhet të kenë në shoqëri, e për rrjedhojë i ka kthyer në qytetare apatike përsa i përket pjesëmarrjes në politikë. Pra, në këtë shkrim do të zhvillohet një parashtrim i arsyeve që i kanë bërë gratë në zonat rurale të mos marrin pjesë dhe të jenë të padukshme për politikën shqiptare.

Faktorët kulturorë e historikë kanë luajtur rolin e tyre në krijimin e kushteve që pjesëmarrja e grave në jetën publike para periudhës komuniste, në përgjithësi të ishte e varfër dhe e cunguar. Gratë jo vetëm që nuk kishin të drejtën e votës në Shqipëri deri në 1945, por përjashto disa shoqata në zona qytetare si Tirana apo Korça, ka munguar dukshëm organizimi i tyre shoqëror dhe aktivizimi politik (shih Qirjako & Dhimitri, 2000: 136). Rastet e rralla të grave të emancipuara kufizoheshin në rolin e mësueseve apo ndonjë mjekeje. Një nga këto përjashtime është Musine Kokalari, e cila u angazhua në jetën shoqërore politike të vendit, arsye për të cilën edhe u burgos e u persekutua nga drejtuesit e regjimit komunist. Me pak fjalë, “elementët e një jete të hapur dhe të emancipuar ekzistonin vetëm në disa grupe shumë të kufizuara shoqërore, kryesisht në qytete,” (po aty), gjë që dëshmon për mungesën e traditës së pjesëmarrjes së grave shqiptare në politikë.

Gjithsesi, periudha komuniste pati ndikimin e saj në ndryshimin e angazhimit politik të gruas, përfshi edhe asaj në fshat. Gruaja shqiptare fitoi të drejtën e votës që në vitin 1945, asaj iu dha mundësia e shkollimit deri në nivel universitar dhe u angazhua tërësisht në ndërtimin e rendit socialist. Kjo periudhë u shoqërua me fushata kolektivizimi të cilat teksa shtetëzonin elementet e privates si prona apo bagëtia, e ekspozuan tërësisht gruan në sferën publike. Pra, jo vetëm që e nxorrën gruan nga shtëpia, dhe e angazhuan atë në punët e kooperativës dhe në jetën politike të vendit, por ndikuan në strukturën shoqërore dhe sjelljen politike të jetës së fshatit. Sipas Lulushit “ajo që bëri regjimi, ishte hapja e derës së shfrytëzimit të dyfishtë të gruas. Në se më parë ajo shfrytëzohej nga patriarkalizmi në familje, tani filloi të shfrytëzohej edhe nga patriarkalizmi komunist. (Alb-shkenca, 24 nëntor 2006 sipas Ekonomi et. al. 2006). Mirëpo sjellja e drejtuesve komunistë ishte e njëjtë kundrejt burrave dhe grave, përsa i përket sferës publike, edhe pse ata nuk ndikuan në ndarjen e punëve brenda sferës private, që në atë periudhë u kufizua në punët e shtëpisë, kujdesi për familjen dhe rritja e fëmijëve. Ky element na ndihmon të kuptojmë se emancipimi i periudhës komuniste ishte sipërfaqësor dhe nuk arriti të ngulitej e të përbrendësohej në ndërgjegjen e njerëzve dhe se, si kundërpërgjigje ndaj karakterit të tij shtrëngues, të heqin dorë prej arritjeve të përmendura më lart, gjë që e tregon shkëputja nga aktivizimi publik dhe ndryshimi i sjelljes së njerëzve drejt formave tradicionale, fill pas ndryshimit të regjimit.

Në këtë linjë mendimi, mund të spekullojmë se fakti që komunistët ia dhanë të drejtën e votës të gjithë popullsisë që në vitin 1945, ndikoi në mosvlerësimin e këtij pushteti nga ana e grave, të cilat ende nuk ishin ndërgjegjësuar në masë për rëndësinë e kësaj të drejte. Ky qëndrim indiferent ndaj të drejtës së votës dhe të drejtës së përfaqësimit u përforcua gjatë periudhës komuniste për shkak të formalitetit të këtij procesi, në të cilin njerëzit nuk kishin pushtet vendimmarrës dhe mundësi zgjedhjeje të përfaqësuesve të vet. Me pak fjalë, trashëgimia historike e kulturore para periudhës së demokratizimit të vendit ka ndikuar negativisht në aktivizimin politik të grave shqiptare, në veçanti atyre në fshat.

Periudha pas komunizmit në Shqipëri u shoqërua me një ndryshim shoqëror e politik, e cila në fjalët e Fugës quhet “ribërje e zonave rurale” dhe që përfshin “transformimet e bëra përgjatë gjithë kësaj periudhe në zonat rurale të vendit, duke përfshirë këtu edhe ato që prekin marrëdhëniet e reja pronësore në fshat, popullsinë fshatare, strukturën e familjes rurale, pejsazhin, aspekte kulturore e arsimore, formësimin e grupeve shoqërore rurale, punën, përmasat e ekonomive bujqësore, strukturën e prodhimeve bujqësore, të ardhurat, etj” (Fuga, 2004: 31-2). Të njëjtët faktorë ndikojnë në apatinë e fshatit si periferik ndaj politikës kombëtare.

Gjithsesi, ndryshimi i regjimit nuk u shoqërua me rënie të menjëhershme të numrit të votuesve, dhe kjo jo vetëm sepse njerëzit të mësuar në periudhën e socializmit të kryenin “detyrën e tyre qytetare” duke votuar, përndryshe do të vuanin përndjekjen dhe stigmatizimin shoqëror të nxitur nga udhëheqja partiake e kohës, vazhduan t’i binden rregullit të votimit, por edhe sepse ata për herë të parë kishin mundësinë të zgjidhnin realisht. Kështu që rënia në vitet pasues të numrit të atyre që votojnë mund të shpjegohet nëpërmjet elementëve si migrimi dhe zhgënjimi me të gjitha politikat qeveritare.

Periudha pas komunizmit dhe vështirësimi i gjendjes ekonomike i shtyu shumë njerëz, fillimisht burra e më pas dhe gratë e tyre, sidomos në fshat, të emigrojnë në mënyrë të ligjshme ose jo, në vende të ndryshme perëndimore, si edhe të zhvendosen në zonat urbane të vendit apo në periferi të tyre (Ekonomi, Muço dhe Rama, 1999: 74; De Soto et. al., 2002: 40). Ky lloj elektorati është i përjashtuar nga votimi për shkak të mospranisë fizike në zonën zgjedhore, si edhe për shkak të mangësive në procedurat zgjedhore, të cilat nuk ofrojnë mundësi votimi në distancë, me postë apo pranë përfaqësive diplomatike shqiptare. Nëse për emigrantët jashtë Shqipërisë mungonte mundësia ligjore për të votuar, në rastin e migrantëve të brendshëm, shpesh ata nuk janë të rregjistruar në gjendjet civile të vendbanimeve të tyre, e për rrjedhojë nuk mund të votojnë në zonën ku banojnë. Në rastin e Shqipërisë, De Soto et. al. na thonë se rreth 15 për qind e anëtarëve të familjeve fshatare punojnë në një qytet a fshat tjetër, dhe nga këta 60 për qind punojnë në një qytet a fshat tjetër të Shqipërisë (2002: 40). Edhe pse na mungojnë të dhënat për Shqipërinë, Niemi dhe Barkan duke na sjellë shembujt e migrantëve të brendshëm në Turqi dhe Kenia, thonë se migrantët të tillë rrallë herë bëhen residentë të përhershëm të zonave ku kanë migruar, dhe nuk ka të ngjarë që ata të mund të votojnë në zonat e tyre të origjinës teksa ndodhen larg tyre (1987: 586-7). Në rastin e Shqipërisë kjo situatë ka bërë që këto grupe njerëzish nga njëra anë të humbasin mundësinë formale të përfaqësimit politik, dhe nga ana tjetër, falë parregullsive në rregjistrim, disa prej tyre të mund të votojnë në më shumë se një zonë elektorale. Edhe pse mund të themi se zhvendosjet e popullsisë që prej 1990 e në vijim dhe parregullsitë ligjore kanë ndikuar në procesin e votimit dhe në pjesëmarrjen në votim të njerëzve, përfshi dhe gratë, duke i bërë ato të humbasin interes në këtë proces, problemet teknike të sistemit të rregjistrimit të popullsisë e për rrjedhojë të mundësisë së tyre për votim nuk janë në fokusin e këtij artikulli, e për rrjedhojë nuk do të shqyrtohen më tej.

Ndërkohë zhgënjimi me të gjitha politikat qeverisëse është një faktor i shumëfishtë. Disa nga elementët përbërës të tij janë: marxhinalizimi i fshatarëve për shkak të distancës fizike dhe vështirësisë për të udhëtuar nga qendra në periferi dhe anasjellas, në mënyrë që të angazhohen më tepër në politikë; varfëria e cila çon në riformulimin e prioriteteve, dhe përjashtimi i politikës dhe përfaqësuesve të saj si zgjidhës të problemeve që lidhen me varfërinë apo me jetën e tyre në përgjithësi. Edhe braktisja e fshatit për të shkuar jashtë shtetit apo në zona të tjera urbane brenda vendit, ka bërë që pjesa që mbetet, shpesh e vogël në numër të injorohet tërësisht nga politika qendrore dhe lokale. Mjafton të përmendim se në shumë fshatra të largët tashmë me pak banorë prej vitesh nuk kanë më energji elektrike si në rastin e Hotovës në Përmet, e plot shembuj të tjerë.

Kështu duke qenë se një shoqëri rurale shpesh është këmbësore, ata kanë mjete të kufizuara transporti, duke bërë që fshatari të jetë kryesisht i pamobilizuar, dhe lëvizja jashtë zonës së banimit të përbëjë një përpjekje të madhe (shih Miller, 1970: 561). Në kontekstin shqiptar kjo vështirësohet edhe nga probleme të tilla si mungesa e rrugëve dhe e transportit të shpeshtë. Udhëtimi për në fshat, dhe ndonjëherë dhe jashtë tij është i paorganizuar dhe i rastësishëm. Vështirësia e udhëtimit është pasojë jo vetëm e mungesës së sigurisë të perceptuar pas rënies së regjimit, por edhe gjatë dhe pas rrëmujave të 1997.

Në fakt, shumica e popullsisë shqiptare në zonat urbane, gjysëm-urbane dhe rurale mendojnë se siguria publike është përkeqësuar shumë që prej viteve 1990 (De Soto, et. al., 2002: 107). Edhe pse këtu mund të kemi të bëjmë me një perceptim që nuk përkon me realitetin e vendit, kjo pasiguri ka çuar në përforcimin e masave mbrojtëse për vajzat dhe gratë, shpesh duke i mbyllur ato brenda shtëpisë. Frika për sigurinë e jetës dhe ndaj trafikimit të mundshëm, si dhe masat për mbrojtjen e tyre mund të kthehen dhe janë kthyer ironikisht dhe në masa parandaluese të pjesëmarrjes së grave në sferën publike. Në një situatë kur udhëtimi është kaq i vështirë dhe i pasigurtë, gruaja nuk mund të lëvizë lirshëm, e për rrjedhojë të mos angazhohet në jetën publike a politike të lokalitetit të vet, apo dhe më gjerë.

Tranzicioni gjithashtu rezultoi në shpërbërjen e kooperativave, fermave dhe një sërë punësh të tjera me pagesë në të cilat gruaja e fshatit ishte e përfshirë. Natyrisht një pjesë e mirë e tyre përfituar tokë dhe u bënë bashkëpronare të saj, gjë që nënkuptoi dhe një valë vetëpunësimi. Nga studimi i Ekonomit, Muços dhe Ramës del se sektori i punësimit në ferma ka qenë i konsoliduar dhe ka përbërë 69%, dhe mbi 50% e tyre janë gra, për shkak të emigrimit mashkullor (1999: 74-75). Por edhe pse nuk mund të flasim për një papunësi në fshat, është e qartë se vetëpunësimi ndryshe nga punësimi me pagesë gjetkë është një aktivitet që ndodh brenda territorit të familjes apo tokës së zotëruar nga kjo familje. Për rrjedhojë, përfshirja në punët e bujqësisë siç e përmendëm më lart pakëson mundësitë e grave për të qenë në një ambjent interaktiv i cili stimulon njohjen e zhvillimeve politike dhe angazhimin në to.

Nga ana tjetër, privatizimi i tokës bujqësore dhe emigrimi i burrave ka bërë që gratë e fshatit të kenë një ngarkesë të madhe fizike mbi supe. Ato janë të përfshira në të gjitha veprimtaritë si në bujqësi, blegtori, në përpunimin e prodhimeve blegtorale, në administrimin e punëve shtëpiake, krahas angazhimit të tyre në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Për më tepër, të ardhurat e ulta, copëzimi i tokës, mjetet e kufizuara mekanike që përdoren në bujqësi dhe mungesa e specialistëve, të cilët u larguan pas ndryshimit të regjimit, ka çuan në një primitivizim të punëve në bujqësi, dhe në rritjen e ngarkesës së punës, sidomos për gratë. Jeta e gruas fshatare u vështirësua edhe nga mbyllja e kopshteve për fëmijë, infermierive dhe spitaleve të vegjël nëpër fshatra, duke qenë se ajo është personi përgjegjës për kujdesjen dhe rritjen e fëmijëve. Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit ka shtuar një barrë të re si mbushja e ujit në burime të largëta për gratë. Në rastin e grave burrat e të cilëve kanë emigruar apo kanë ndërruar jetë, barra është edhe më e rëndë (shih Ekonomi, Muço dhe Rama, 1999: 75-6). Në mënyrë më të detajuar ndarja e punëve në fshat midis burrave dhe grave është:

Tabela 1 Ngarkesa e Punës dhe Ndarja Gjinore

Aktiviteti në fermë Totali Burra Totali Gra Së bashku 1. Puna bujqësore

    Blerja e mjeteve bujqësore

83.4% 2.7% 13.8%

    Përgatitja e tokës

48.7% 6.6% 44.7%

    Farëzimi/mbjellja

25.1% 39.9% 35.0%

    Prashitja

10.4% 34.1% 55.6%

    Pastrimi i barërave të këqija

17.9% 47.4% 34.6%

    Plehërimi

44.3% 36.9% 18.8%

    Spërkatja me pesticid

84.3% 5.1% 10.5%

    Vaditja

47.0% 21.3% 31.7%

    Korrja

12.0% 11.9% 76.1%

    Procesi pas korrjes

17.0% 16.0% 67.0%

    Përzgjedhja e farërave

59.2% 22.0% 18.8%

    Transporti

66.2% 6.1% 27.7%

    Kujdesi për kopshtin e perimeve

13.6% 70.9% 15.5% 2. Kujdesi për kafshët

    Procesi i të ushqyerit

30.7% 35.2% 34.1%

    Kullotja

60.9% 23.9% 15.1%

    Mjelja

19.1% 72.6% 8.3%

    Shitja/Blerja

86.8% 4.8% 8.4%

    Administrimi blegtoral

88.7% 4.0% 7.3% 3. Punët shtëpiake

    Përgatitja e vakteve

4.0% 94.6% 1.4% Kujdesi për fëmijët 7.9% 74.5% 17.6%

    Pazari për javën

55.7% 25.1% 19.2%

    Administrimi i buxhetit familjar

52.9% 21.1% 26.1%

Burimi: E përshtatur prej Qendrës së Gruas në Raportin Mbi Gjininë e Bujqësinë, 2003 bazuar në MADA Program Area Baseline Study të kryer nga ACER, 2003.

Të dhënat më sipër tregojnë se ngarkesa e gruas është shumë e madhe dhe zë pothuaj çdo moment të ditës së saj, gjë që i ka shtyrë ato t’i formulojnë prioritetet e tyre në mënyrë të tillë që i bën gratë në zonat rurale të shqetësohen më shumë për veprimtaritë e dukshme të së përditshmes, duke anashkaluar apo dhe injoruar tërësisht veprimtari të tjera si angazhimi politik.

Përveç ngarkesës duhet të përmendim se edhe pse bujqësia përfaqëson 50-55 për qind të GDP së Shqipërisë, shumica e fermerëve shqiptarë prodhojnë për konsum personal dhe pjesërisht për të shitur. Mirëpo të dhënat tregojnë se një pjesë e mirë e fshatarëve (50 deri në 70 për qind) i plotësojnë të adhurat e tyre nga burime të tjera përveç prodhimit dhe shitjes së produkteve bujqësore e blegtorale (De Soto et al., 2002: 19). Po kështu, sipas Raportit mbi Gjininë dhe Bujqësinë të kryer nga Qendra e Gruas 4 nga 5 persona në fshat janë të varfër, rreth 48 për qind e atyre që punojnë në bujqësi janë të varfër, dhe 28 për qind të njerëzve që banojnë në zonat rurale kanë nivelin më të ulët të të ardhurave në vend. Gratë dhe vajzat e këtyre zonave janë ndër më të prekurat (Qendra e Gruas, 2003: 46). Mungesa e të ardhurave të mjaftueshme ndikon në formulimin e prioriteteve të njerëzve, të cilët të përfshirë në problemet e të përditshmes dhe njëkohësisht të zhgënjyer me përgjigjet që kanë marrë nga politikat, rezultojnë në një tërheqje edhe më të madhe prej aktivizimit dhe interesimit në lidhje me politikën në tërësi. Gratë nuk bëjnë përjashtim prej këtij grupi.

Kushtet e vështira fizike si mungesa e energjisë dhe vështirësia e udhëtimit drejt dhe jashtë fshatit sjellin pasoja të tjera të drejtpërdrejta si mungesa e informacionit në lidhje me politikën dhe me mundësitë që kanë gratë për t’u angazhuar politikisht. Nëse kësaj i shtojmë dhe mungesën e kohës fizike për t’u marrë me këto punë, për shkak të impenjimeve të përditshme të lartpërmendura dhe varfërisë, gruaja e fshatit nuk mundet dhe nuk ka kohë të informohet në lidhje me politikën, e aq më pak të përfshihet në të drejtpërsëdrejti.

Për rrjedhojë, gratë nuk mendojnë si aktore autonome se pjesëmarrja politike është e rëndësishme dhe duke ndjekur të njëjtin arsyetim nuk mendojnë se përfshirja në politikë do t’u sjellë ndonjë përfitim (Chhibber, 2002: 410). Të dhënat e një studimi mbi pjesëmarrjen e grave në politikë në Shqipëri tregojnë se 25.3 për qind prej tyre, në qytet e në fshat, zgjodhën të mos votojnë në 2005, përkundrejt 24.4 për qind të meshkujve që nuk kishin votuar. Edhe pse përqindja e femrave dhe meshkujve që nuk kanë votuar nuk ndryshon shumë, arsyet e tyre janë të ndryshme. Kështu nëse 30 për qind e grave nuk votuan sepse nuk iu interesonte politika, vetëm 19.7 për qind e burrave dhanë të njëjtën përgjigje; nëse 26.9 për qind e grave nuk votuan sepse mendonin se vota e tyre nuk do te ndryshonte gjë, pothuaj i njëjti numër burrash dha këtë përgjigje (26.5%); nëse 12.4 për qind e grave nuk votuan sepse nuk ishin në Shqipëri, përqindja e burrave që nuk ishin në vend ishte 17.1 për qind; ata që nuk kishin emrin në listë ishin pothuaj njëlloj me 11.2 për qind për gratë dhe 11.1 për qind për burrat; nëse 3.4 për qind e grave nuk i pëlqyen kandidatët për deputet, 4.3 për qind e burrave dhanë këtë përgjigje; dhe arsye të tjera ishte përgjigjja e 16.1 për qind të grave dhe 21.3 për qind e meshkujve (Ekonomi, et. al., 2006: 145). Këto të dhëna dëshmojnë se 56.9 për qind e grave që nuk votuan ose janë tërësisht të painteresuara në politikë, ose janë të bindura se vota e tyre nuk mjafton për t’i ndryshuar gjërat, përkundrejt 46.2 për qind e meshkujve që e mendojnë kështu.

Përveç mospjesëmarrjes tërësisht në politikë, vëmë re se edhe ato ndër gratë fshatare që vendosin të marrin pjesë, janë nën tutelën e familjes patriarkale, e për rrjedhojë nuk mendojnë e veprojnë në mënyrë autonome e individuale. Pra, fshatarët mund të mbeten të izoluar nga ana kulturore e gjeografike, dhe në një mënyrë a një tjetër të jenë ende të përfshirë në komunitetin politik (shih Tarrow, 1971: 341), që dëshmohet nga qëndrimi elektoral tradicional i votuesit fshatar. Me bindje politike të konsoliduara, fshati falë natyrës së vet sedentare dhe pedestriane voton në të njëjtën mënyrë siç kanë votuar të parët e vet, duke përcjellë modele votimi me pak ndryshime. Me pak fjalë, dhe këtu flasim për ata fshatarë që nuk kanë migruar, “shumica e fshatarëve jetojnë, punojnë, votojnë dhe vdesin pothuaj në të njëjtën mënyrë si prindërit dhe gjyshërit e tyre” (Wright, 1953: 526). Një sjellje e tillë përforcohet prej faktit se marrëdhëniet politike bazohen në lidhjet farefisnore, anëtarësimi në një klan, si edhe prej ndërveprimit ballë për ballë e të përditshëm me njerëzit e familjes së zgjeruar. Lokaliteti, të banuarit pranë pjesëtarëve të tjerë të fisit, dhe diktati i një shoqërie agrare ndikojnë mjaft në jetën politike të këtyre njerëzve (shih Miller, 1970: 561).

Pra, mospjesëmarrja e grave në politikë ndodh për shkak të mungesës së traditës në zonat rurale, ku gruaja të mund të shprehë një mendim individual, ku politika nuk është punë për gra, dhe këtu do të shtonim edhe frikën e shprehjes së një mendimi ndryshe për shkak të dëshirës për të ruajtur marrëdhëniet ndërpersonale të paprekura. Për rrjedhojë, homogjeniteti i mendimit politik brenda familjes, si edhe shpesh në nivel klani apo fisi, kanë çuar në një tjetër fenomen negativ të shoqërisë shqiptare si votimi si familje. Në studimin e përmendur më lart 22.6 për qind e grave u përgjigjën se ndikoheshin nga burrat e tyre në lidhje me votimin, përkundrejt 6.9 për qind të meshkujve (Ekonomi et. al. 2006: 98-9). Votimi familjar është një situatë në të cilën gratë nuk kanë asnjë zë dhe nuk mund të votojnë veçmas familjes së tyre, madje në shumë raste as edhe fizikisht nuk lejohen ta hedhin vetë votën e tyre, si një mënyrë për të vërtetuar nga ana e kryetarit mashkull të familjes se kush komandon, për t’u siguruar se nuk ka lajthitje në sjelljen e anëtarëve të familjes, por edhe si një shenjë besimi nga ana e këtyre të fundit për kryetarin, i cili “e di se ç’është më e mira për familjen e tij”.

Përforcimi i roleve gjinore në këtë rast nuk ndodh vetëm prej meshkujve patriarkalë të fshatit, por në raste të tilla janë vetë gratë që i ruajnë traditat sipas të cilave gruaja nuk mund të vendosë vetë. Një shembull ilustrues, është rasti i grave të Rrajcës, afër Përrenjasit, të cilat gjatë intervistimit për një studim mbi sjelljen e votuesit të organizuar nga Altin Iliriani pas zgjedhjeve të korrikut 2005 kërkuan lejen e burrave që nuk ishin të pranishëm për shkak të punësimit të tyre sezonal jashtë fshatit (kryesisht në Maqedoni), nëpërmjet telefonit celular, në mënyrë që t’i përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me politikën. Ajo që të shqetëson në këtë shembull është fakti se fshati ishte i banuar vetëm nga gratë dhe fëmijët, pasi të gjithë burrat ishin emigrantë sezonalë. Nevoja e tyre e brendshme për të marrë leje, edhe në situatën kur ata ishin fizikisht të pafuqishëm për t’i penguar, tregon për masën e përbrendësimit të këtij modeli sjelljeje ndër këto gra fshatare.

Pra, vëmë re se mospjesëmarrja e grave fshatare në politikë nuk shkaktohet vetëm nga pengesat që i krijon jeta e vështirë e fshatit, mentaliteti dhe burrat e jetës së tyre, por vjen edhe prej vetë tyre. Sjellja e tyre pasive veçse e përforcon këtë situatë mospjesëmmarjeje. Shumë studime tregojnë se njerëzit i përqafojnë më shumë objektivat feministe, apo tregojnë nivele të larta ndërgjegjeje feministe, nëse ata kanë shkollim të lartë, janë pak të përfshirë nga ana fetare, dhe jetojnë në familje, ku gratë punojnë me pagesë (shih Banaszak & Plutzer, 1993: 147-57). Për rrjedhojë mungesa e këtyre elementeve do të sillte një ndërgjegjësim më të vogël për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së grave të fshatit në politikë. Gratë në fshat pas 1990 u përballën me një analfabetizëm në rritje, rikthim në praktikat fetare dhe mungesës së punësimit jashtë shtëpisë dhe me pagesë.

Kështu, gjatë viteve të tranzicionit, që u shoqëruan me privatizimin e tokës, papunësinë, varfërinë, luftën për ekzistencë, zvogëlimin e kontrollit të shtetit, lëvizjen e pakontrolluar të popullsisë, është vënë re dhe rritja e numrit të braktisjeve të shkollës 8-vjeçare nga vajzat dhe angazhimi i tyre në punët e bujqësisë. Analfabetizmi i grave dhe vajzave në zonat rurale ka qenë 15.84% në 1998. Përveç largimit për shkak të kushteve, vëmë re se numri i shkollave të mesme ka rënë gjithashtu. Nga 428 të tilla në fshatin e 1992, ka pasur vetëm 252 në 1998. Rënia e numrit të shkollave të mesme është shoqëruar dhe me rënien e numrit të vajzave që shkojnë në shkollë të mesme. Gjithashtu ka rënë në mënyrë drastike dhe numri i studenteve nga fshati, dhe shifrat e 1998 tregojnë se ato përbënin 11% të të gjitha vajzave studente (Ekonomi, Muço dhe Rama, 1999: 78-9). Studime të mëvonshme përforcojnë shqetësimin e përcjellë nga shifrat më lart. Të dhënat e INSTAT për 2001 tregojnë se nëse grupmosha 25-29 ka 45.5 për qind të femrave në zonat rurale me arsim të mesëm dhe të lartë, për grupmoshën 15-19, përqindja është vetëm 14.7 (INSTAT, 2005: 24), gjë që dëshmon se femrat në fshat janë gjithnjë e më pak të shkolluara. Në të njëjtin përfundim arrin dhe një studim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe UNDP në 2005, sipas të cilit 20.48 për qind e tyre janë pa diplomë, 68.15 për qind me shkollë fillore, 10.60 për qind me shkollë të mesme dhe 0.77 për qind me universitet (2005: 41-2). De Soto et. al. argumentojnë se përveç mbylljes së shkollave dhe infrastrukturës së keqe, fëmijët nuk po shkojnë në shkollë kryesisht për shkaqe si vështirësia ekonomike, shtimi i pasigurisë dhe rënia e vlerësimit të rëndësisë së shkollës në jetën e njerëzve. Nëse ekonomia e keqe bën që djemtë të braktisin shkollën për t’u punësuar, për vajzat janë faktorë preferencat kulturore të prindërve, të cilët e vlerësojnë si të panevojshëm shkollimin për vajzat, vështirësitë ekonomike dhe pamundësia për ta përballuar shkollimin e tyre, si edhe frika për sigurinë e tyre (2002: 59-61). Për pasojë, rënia e nivelit të shkollimit ndikon jo vetëm në përgatitjen e vajzave dhe grave në fshat, por edhe në pritshmëritë e tyre për jetën dhe në përfytyrimin e rolit dhe të drejtave të tyre në shoqëri, e për rrjedhojë ndikon negativisht në ndërgjegjësimin e tyre për domosdoshmërinë e angazhimit dhe përfaqësimit të tyre politik.

Përfundime

Periudha e tranzicionit pas komunizmit u shoqërua me një ribërje të zonave rurale, e cila ndikoi në sjelljen politike të banorëve të zonave rurale. Demokratizimi i një vendi matet me nivelin e përfaqësimit të grupeve të ndryshme të shoqërisë, dhe në atë shqiptare vëmë re se gratë e zonave rurale janë të papërfaqësuara politikisht. Pavarësisht rënies së numrit të popullsisë fshatare në vend për shkak të migrimit, gratë në zonat rurale ende përbëjnë një të katërtën e shoqërisë shqiptare, e për rrjedhojë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. Mirëpo ato përsëri nuk janë të pranishme në sferën politike të vendit. Faktorët që kanë ndikuar janë: vështirësitë fizike të shkaktuara nga largësia e fshatit nga qendra ku zhvillohet politika, mungesa e informacionit për shkak të mungesës së energjisë, apo kohës fizike për të ndjekur zhvillimet politike, ngarkesa e madhe e përditshme me punë, zhgënjimi me të gjitha politikat, mungesa e shkollimit, varfëria dhe mungesa e punësimit jashtë shtëpisë si mundësi për socializim. Këto faktorë përforcohen nga mentaliteti patriarkal sipas të cilit gruaja nuk merret dhe nuk ka aftësi për t’u marrë me politikë, e për rrjedhojë vendimet merren në vend të saj në forma të ndryshme, përfshi dhe fenomenin e votimit familjar. Në këtë proces edhe vetë gruaja fshatare është e përfshirë nëpërmjet bindjes dhe përforcimit të këtyre roleve gjinore, edhe kur burrat nuk janë fizikisht pranë. Si rrjedhim, gruaja fshatare është pozicionuar në skajin më periferik të periferisë, pozicion në të cilin është tërësisht e padukshme për vendimmarrësit, të cilët nga ana e tyre nuk iu përgjigjen atyre si qytetare të republikës. Mospërfshirja e tyre është një tregues i mosfunksionimit të rendit demokratik në Shqipëri dhe i faktit se procesi i demokratizimit është i papërfunduar. Përsa kohë një pjesë e shoqërisë nuk do të angazhohet në sferën publike, e veçanërisht atë politike, nuk mund të flasim për një rend demokratik të konsoliduar në Shqipëri.

Bibliografi

Banaczak, L. A. & Plutzer, E. “Contextual Determinants of Feminist Attitudes: National

and Subnational Influences in Western Europe” in The American Political Science

Review. Vol. 87. Nr. 1. March 1993.

Chhibber, P. “Why are some women political active? The household, public space, and

political participation in India” in International Journal of Comparative Sociology. 2002.

Çuli, D. Ese për Gruan Shqiptare. Tiranë: FPGSH “Dora D’Istria”, 2000.

De Soto, H. Gordon, P. Gedeshi, I. Sinoimeri, Z. Poverty in Albania. Washington DC:

World Bank, 2002.

Ekonomi, M. Sokoli, L. Danaj, S. & Picari, B. Përfaqësimi dhe Cilësia e Demokracisë

në Shqipëri: Një Perspektivë Gjinore. Tiranë: Pegi, 2006.

Ekonomi, M. Muço, M. & Rama, F. “Gruaja dhe Ekonomia në Tranzicionin Shqiptar” në

Studim mbi Kontributin e Shkruar të Lëvizjes së Gruas në Shqipëri 1990-1998.

Pogradec: D.I.J.A.-Poradeci, 2000.

Fuga, A. Shoqëria Periferike. Tiranë: Ora, 2004.

Guidry, J. & Sawyer, M. “Contentious Pluralism: The Public Sphere and Democracy” in

Perspectives on Politics. Vol. 1. Nr. 2. june 2003.

Hiskey, J. & Bowler, Sh. “Local Context and Democratization in Mexico” in American

Journal of Political Science. Vol. 49. Nr.1 January 2005.

Hyman, D. & Shingler, J. “The Hierarchy of Consumer Participation and Patterns of Economic, Social and Political Participation” in Journal of Consumer Affairs. Vol. 33.

Issue: 2. 1999.

Ilirjani, A. 2005. "Political Choice in Albania. The 2005 Albanian Parliamentary

Election." Albanian Journal of Politics, I (1): 75-86.

INSTAT. Të Ndjehesh i Rritur në Shqipëri. Tiranë: INSTAT, 2005.

INSTAT. Gender Perspectives in Albania. Tiranë: INSTAT, 2004.

Miller, N. “The Rural African Party: Political Participation in Tanzania” in The American

Political Science Review. Vol. 64. Nr. 2 June 1970.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta & UNDP. Analiza

Gjinore e Politikave në Sektorin e Punësimit në Shqipëri. Tiranë. 2005.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Analiza Gjinore e Politikave në Sektorin e Arsimit në

Shqipëri. Tiranë. 2005.

Misja, V. Emigracioni Ndërkombëtar në Shqipëri gjatë Periudhës së Tranzicionit.

Tiranë: Marin Barleti, 1998.

Mutz, D. & Martin, P. “Facilitating Communication across Lines of Political Difference:

The Role of Mass Media” in The American Political Science Review. Vol. 95. Nr. 1.

March 2001.

Niemi, R. & Barkan, J. “Age and Turnout in New Electorates and Peasant Societies” in

American Political Science Review. Vol. 81. Nr. 2. June 1987.

Qendra e Gruas, Reporting on Gender and Agriculture. Tiranë. 2003.

Qirjako, S. & Dhimitri, R. “Shoqëria Civile dhe Lëvizja Asociative e Lirë e Gruas” në

Studim mbi Kontributin e Shkruar të Lëvizjes së Gruas në Shqipëri 1990-1998.

Pogradec: D.I.J.A.-Poradeci, 2000.

Tarrow, S. “The Urban-Rural Cleavage in Political Involvement: The Case of France” in

The American Political Science Review. Vol. 65. Nr. 2. June 1971.

UNDP Albania. A Survery on the Status of Women in Politics in Albania. Tiranë: UNDP

Albania, 2003.

Wright, G. “Catholics and Peasantry in France” in Political Science Quarterly. Vol. 68.

Nr. 4. December 1953.

6 Komente

E lexova te gjithe, me ne fund, me "laps ne dore."

5***** (per subjektin e zgjedhur, punen e detajuar, dhe shume aspekte te tjera ne trajtim.)

Por ... nja dy verejtje te vockla.  Edhe pse autorja e ka bere te qarte qe ne fillim: " ... duke pasur parasysh mangësitë e theksuara në të dhëna që përqendrohen tek gratë e fshatit, ky shkrim është bazuar në një numër të kufizuar studimesh, të cilat me përjashtime të rralla, kanë pasur tjetër qëllim parësor, por fatmirësisht për ne kanë përfshirë disa të dhëna në lidhje me fshatin në përgjithësi dhe gratë në fshat në veçanti. Për rrjedhojë, këtu synojmë vetëm të ngremë një shqetësim, siç është pozicionimi periferik i grave në zonat rurale në politikën publike dhe të analizojmë shkaqet e kësaj situate" ... dmth pavaresisht kesaj, statistikat jane perdorur dhe jane perdorur gjeresisht, dhe qe jane shifra disi te "vjetra".  Ka pak te 2005, dhe te tjerat jane te 2004-s, 2002 etj edhe te viteve 90-t (perjashto ato qe jane per krahasim.) 

Gjithashtu dhe ndonje "gabim" tek-tuk: "Përveç ngarkesës duhet të përmendim se edhe pse bujqësia përfaqëson 50-55 për qind të GDP së Shqipërisë ... " Agrikultura ne fakt perfaqeson 20.6% te GDP, te punesuarit ne sektorin e bujqesise jane 58% te krahut te pergjithshem te punes (shifra te 2008.) 

Pertej ketyre verejtjeve te vockla, dhe pa ndonje zarar me thelbin e artikullit, edhe njehere theksoj shume pune e mire smiley

PS: Per kaq kam kohe, me vone aspekte te trajtimit.

sa per sqarim te lexuesit, eshte shkruar me se nje vit me pare, ne fillim te 2008

Aha, e mendova dhe kete sol, se mos ishte me i hershem ngaqe me beri pershtypje perdorimi i gjere i statistikave te atyre viteve.  Dhe pashe verdalle te blogu nqs kishte daten e publikimit por s'e kishte.  Rrofsh per sqarimim. smiley  Gjithesesi, c'beri 2008, c'beri 2009.

ne blog eshte botuar sic ma ka derguar autorja, qe me teper se nje vit me pare e ka botuar kete ne rev.polis. besoj se eshte peer reviewed, perderisa eshte reviste akademike, e kjo i jep kredibilitet te dhenave e interpretimit te tyre.

por c'eshte e rendesishme ne shkrim e c'meriton debat konstruktiv, eshte fenomeni i kapur, e trajtimi.

Sol, ti do sherr me zor mer lal smiley.  Une te pakten ketu po mundohem shume mos me bo sherr se jena dakort pa jo per gje lol.  Nuk thashe qe shifrat s'kane kredibilitet, thashe jane pak te "vjetra" ne kohe.  Kaq.  Ceshtje specifikash, se ne teresi, thelbi i problemit qendron. 

por c'eshte e rendesishme ne shkrim e c'meriton debat konstruktiv, eshte fenomeni i kapur, e trajtimi.

Ket s'e mora vesh. 

Sic thashe ne post-scriptum, trajtimit do i kthehem kur te me jepet mundesia smiley.

unë shërr? jo me të keqen, unë ishnja duke treguar udhën më të lehtë... unë s'bënj shërr me fëmra, se qysh tha dhe Saliu, cherchez la famme

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).