Gjashte poezi

Normal 0 false false false MicrosoftInternetExplorer4 st1\smiley{behavior:url(#ieooui) } /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:"Table Normal"; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-parent:""; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin:0in; mso-para-margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:10.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-ansi-language:#0400; mso-fareast-language:#0400; mso-bidi-language:#0400;} Autobus (Punetori eshte nisur per ne shtepi!)


AZ

Autobus i stërmbushur. Një patëllxhan.

Deri në trotuar ndihet erë vulgare imam-bajalldie

Mbështetur për hekuri me sytë kah errësira

Rrethuar nga dhjetra sy, zgafella dëshpërimi të paqëllimtë

Rrethuar nga dhjetra yje të shuar, të moshuar vuajtjesh

Humbur një nga një xixat e moshës

Së bashku me flokët, me dhëmbët e pas radhe

Lëkurën

E çka tjetër mbet…

Paj, autobusi urban

Çan mes dritash të verdha, bri fasadash luksoze

Është ai aty, mbështetur për hekuri

Me errësirë në sy, çkyçur eshtrash dhe nyjesh trupore të dhimbshme

Fjala tash e ka humbur funksionin

Ornamental

Punëtori është nisur për në shtëpi!

Gungat e rrugës transmetohen

Amortizatorët e amortizuar të autobusit dement urban nuk kursehen

Në përcjelljen e drejtpërdrejtë të emocionit shkundës

Në shputat e tij.

U zgjua herët, herak si përherë në këmbënguljen

Një mbijetese fare pa sens, një mbijetese si kali në grazhd

Është zgjuar përpara agimit. Dhe bashkë me diellin

Ka dalë në rrugët ku përditë

Ngarkon thasë, arka dhe pesha dhe pesha dhe pesha

dhe pesha dhe pesha dhe pesha dhe pesha…

Në rrugët ku përzjehet llaçi, ku thonjtë

Të mbushen me grasatimet e makinerive të djeshme

Që po më marrin shpirtin sot

Në rrugët qorre që çojnë kudo por prapë

Vetëm në Romë

Udhëkryqet e logjikës sofiste – filozofë specialistë të nihilizmës

Muzika hargalis per beli kurvat e mbremjes

qe atypari kalojne

Punëtori është nisur për në shtëpi!

Jetë që s’është jetë, e kaluar ndanë jetës

Duke gatuar aromën e gjellës së këndshme

Që hanë ata, e unë nuk di se çka kapërcej

Në gurmazin tim prej punëtori

Dhe unë ha gatimin anonim, konservuar, paketuar, servirur

Për konsum masiv, prej meje

Molla e Adamit dridhet, e sërish përcjell

Gjuha ime e ndryshkur, shqisat rudimentale

Evolucion pse jo, unë njeriu i klasit të tretë

Punëtori është nisur për në shtëpi!

Në autobus

Kutërbon era e alkoolit, dikush ka pirë

Ajo është mbështetur pas xhamit, me fytyrën e saj të shëmtuar

Se në fakt këtu të gjithë janë të shëmtuar

Po, ne jemi të shëmtuar

Dhe mbajmë në duar

Kallo të ashpra të orës së dhjetë të punës

Po, ne jemi të shëmtuar

Flokët ngjitur pas koke të pa krehur

Rrobat pas trupit të djersitur.

Eleganca e pështyrë, poezi të palexueshme

Poetë të degjeneruar, të kalbur

Të pavlerë si kartmonedha

Koleksionesh te semura

Punëtori është nisur për në shtëpi!

Teksa shkojmë

Me krahët e lodhur e të dobët

Si të foshnjës (se ne nuk jemi aspak të fuqishëm)

Unë kujtohem për ty o revolucionar

Dhe për zhgënjimin tim

Unë kujtohem për ty o revolucionar, unë

Kujtoj qindra fjalë, mijëra fjalë

Ku i mësove gjithë ato fjalë, fjalëza, fjalezeza?

Besova tek ty, unë

Unë punova, që ti

Të lexoje, të shihje botën me sy, të mendoje për çka unë kurrë

Nuk pata kohë, i vrare ne mediokritet

Të gjeje një zgjidhje për mua, e për ta

Të gjeje një placebo për këtë autobuz të fëlliqur

Erëkeq

Qielli aty është, po nuk dua ta shoh, qiellin

Kujtohem, siç thashë për zhgënjimin tim

Shijen e sanduçit bajat që hëngra në drekë

Punëtori është nisur për në shtëpi!

Revolucionar, unë më tepër i besoj zotit se sa ty

Sepse ti ke qenë më pak prezent

Ti premtove ndryshimin

Ti që grumbullove në vete shpresat

Ti që pretendove besimin

E tash më sheh me përbuzje

Ose më keq, me mëshirë

S’ të kam inat, sepse ti je i pavlerë

Ti je një hiç, një askush

Kurrë nuk kam për t’u ngritur në kryengritje

Unë nuk kam krye

Nuk besoj

Tek vlerat e hardallosjeve greviste që ushqejnë

Kotësirat e tua ngjyrëgjaku

Teoritë e tua shtypëse të sofistikuara

Pranë alkoolit, aromë nikotine, yndyre të tymosur

Ingranazh turpmbjelles, krupendjelles - i pushtetit

Punëtori është nisur për në shtëpi!

kaq.



Ndërgjegjjes popullore (lëmuar artistikisht prej elitës)

AZ

Sërish ti. Ardhur prej pellgjeve bojëdala të lavdërimit që dikur

E urreje. Trashëgimtare e denjë e stolit të skllavit (se nuk është tamam kolltuk)

Ti, me demek shpresa, ti që vdes e fundit

E reja ngjyrë gri, lëndë e lëngshme, mocalore, që merr formën e enës

Tashmë e ke fituar respektin tonë – dhe e ke humbur përnjëherazi

Si çdo mirazh

Iluzion revolucionar në mes të Saharës

Falsiteti, dije, nuk është aspak çnjerëzor

Me marrëveshje, ti i plotëson kriteret e të qenit njeri

Në hipokrizinë mediokre dhe me imazhin që ti

Ia përcjell sojit tënd, me një stil popullor

Sërish ti. E ngrehur në inflacionin mediatik nga elozhe

Kurtizanësh të thinjur pas kurvash dokudo, në programe maskulturore

Ti, ndërgjegjja popullore e lëmuar artistikisht prej elitës

Lexuese kritike e imja, ti lexuese idhujtare mjeshtrash liriko-demagogë

Ti, fenomen evaziv, po aq sa dhe sëmundje permanente

E perspektivës tonë, që gjithsesi nuk sheh

Ngjyra të shndritshme, erëqelbura

Falsiteti, kuptoje, nuk është aspak çnjerëzor

Me marrëveshje, ti i plotëson kriteret e të qenit njeri

Në hipokrizinë mediokre dhe me imazhin që ti

Ia përcjell sojit tënd, me një stil popullor

O ndërgjegje hermafrodite, që i paguhesh prurësit më

Të parë, dhe pse jo të dytit, të tretit, ndërgjegje orgjiake, që fle me të gjithë.

Por zgjohet vetëm

Dhe luhatesh mes vetes tënde monokromatike e përbuzjes – dashuri për mjerimin

Me të cilin të lidh

Retorika

Dhe trushplarja, që rrjedh tashmë nga çdo hallat i yti

Falsiteti, si vdekja, nuk është aspak çnjerëzor

Me marrëveshje, ti i plotëson kriteret e të qenit njeri

Në hipokrizinë mediokre dhe me imazhin që ti

Ia përcjell sojit tënd, me një stil popullor



Pinot Noir

AZ

Trotuari i zhveshur…dritat bien haluçinante

Kopertina-fundjavë e alkoolizuar në Tiranë

Gurmaze gurgulluese mes dehjes, shoqëruar tingujsh kitare

Dhe qeshjes mendjeshkundëse.

Ajri i pluhurt bën rrugë nëpër flegër

Sheqerosur nga stresi i qytetit të egër…

Mes tavolinave vanitoze gjarpërojnë imcake

Dy vajza pesëvjeçare, në mos katër.

Nëpër duar tuba të bardhë, mbushur bajamesh,

Sytë përplotur me nonsens elegant fëminor,

…pasi ende s’njohin se ç’ësht’dëshpërimi.

Ajri i pluhurt bën rrugë nëpër flegër

Vijnë n’mend shumë parfume të qytetit të egër…

Bajamet janë veshur me letra të bardha fletoresh

Fustan letrash të virgjëra, të pashkruara sipër

Pafajësi e pasprovuar, varfëri shtrënguese dhe

Fatkeqësi kohoro-gjeografike.

Dy zanat e vockla, fytyrë e bardhë me kuadrata aritmetike,

Nuk ka mundësi të jenë pjesë e histerealitetit të përbashkët.

Ajri i pluhurt bën rrugë nëpër flegër

Gjer në marrëzi kujtimet nga qyteti i egër…

Veshjet xixëlluese dhe stolitë ngjyrëbanale

Të arit. Kostumet firmato dhe dilemat tuaja

Sipërfaqësore

Miliona kilogramë zbokth mbi shpatulla, tejetej në rrugën prej nga vini

Ju mbajnë jashtë makthit të realitetit poshtërues.

Derisa të gjithë të bëhemi pahir

Pjesë e tij! Ku e gjen fuqinë të qeshësh

Pas vizllimit të syve-yje të atyre dy vajzave

Ku?

Ajri i pluhurt bën rrugë nëpër flegër

Indiferent ndaj shkëlqimit të qytetit të egër…

Lehtë! E leverdisshme të bësh me faj

Prindërit, papërgjegjshmërinë individuale të njerëzve të pafat.

Është e lehtë të harrosh për një çast

Kultin komun të komoditetit,

Shtyllat e mermerta të tempullit perandorak

Të konsumit, të cilat i përvidhen dita ditës

Energjisë së pashmangshme tashmë, frymëzimit shkatërrues-krijues

Të ndonjë Samsoni…

Ajri i pluhurt bën rrugë nëpër flegër

Stërpikur me ëndrra të qytetit të egër…





Ne, të rinjtë

AZ

Ja, përmbi kodrat e përflakura rrezekuqthi kemi ardhur

Kem’rrethuar Jerusalemin me hije të stërzgjatura ambicioze

Qytetin ku të gjithë dëshiruam të lindnim

Burimin e komplekseve të përbashkëta, qytetin e mijëra historive faqeskuqëse

Ne,

Të rinjtë

Motivuar me naivitet, armatosur me dinakërinë idiote të bujkrobit

Pushtues të Romës për herë të njëmijtë, të njëmiliontë

Erdhëm të armatosur me korniza dipllome

Infinite gërmash të printuara mbi letra të bardha shkëlqyese

Ne,

Të rinjtë

Ballin na i rreh dielli

E supet tona

I ngroh po ai, i njëjti yll

Të paepur në etjen tonë për fitore ne mbërritëm

Të paduruar për ndryshimin individual që as vetë nuk e duam, nuk e dimë

Ëndërrojmë mijëra nënkresa të mbushura puplash

Ëndërrojmë famën, thashethemin, a si i thonë sot gossip-in

Edukuar mes libidosh televizive e flluskash shumëngjyrëshe

Nën ritmin minimalist të marshit tonë komerçial

Ne, që idealizmin e flakim lehtë në moçal

Ne,

Të rinjtë

Të gatshëm për të shkruar emrin tonë kudo

Të uritur për të lënë gjurmët përfundimtare, të pashlyeshme

Në murin e botës sonë

Që gjithnjë e më shumë përngjan

Me një mur haleje…

Ballin na i rreh dielli

E supet tona

I ngroh po ai, i njëjti yll



Ty, qytetit që njoha para një jave

AZ

Ndonjëherë në kthina korridoresh të gjatë

shtruar me tapet të kuq

Shfaqet përpara meje si gërshetëz salloneve të degjenerimit

Vajz’ e politikës

Veshur me luks (e prapëseprapë s’është vulgare)

E di, dikur kam ndarë me ty capak

Momente

Një buzëqeshje e kuqe, që gjithnjë e më shumë më kujton tapetin

Shfaqet siç shfaqet shpresa e njeriut tek dlirësia

Që vrave pa hedhur hapat e parë të karrierës

Karrierës tënde ngjyrëkarrotë

E di, dikur kam parë me ty capak

Qiej

Asnjëherë

Nuk i kanë munguar sistemit vajza si ti

Furnitore të tregut të TRURIT (i shtrenjtë s’diskutohet)

S’kanë munguar as djemtë që ecin butë butë

Në pasarelën ku nuk kanë për të ngritur kurrë

Barrikada

Mbaj mend, dikur na ka lagur shiu capak

Shpeshherë

Ti e di, më qëllon të njoh prostituta, lavire dua të them

Ato që ofrojnë TRUPIN kundrejt pagesës

(ndonjëherë dhe falas, kur sevdalliu s’ka para mjaftueshëm)

Mbi tapetin-asfalt gri, krejt ndryshe nga joti

Të kryqëzimeve

Harroj, dikur kujtoja se dija për ty

Capak

Meditoj

Fatkeqësisht njeriu nuk mundka të zgjedhë shoqërinë

E anasjellta ndodhka gjithnjë

Mungokan dyert e dritaret

Pse dreqin linda në këtë qytet të brishtë

Ndërtuar mbi rërë në breg të një lumi

Thashethemesh

Mungokan dyert e dritaret

Përplasen e përplasen komentet paragjykuese, me mijëra njerëz që vijnë rreth e rrotull

Një rutinë dinastiformuese

Haremesh

Mungokan dyert e dritaret

Kush e ndërtoi, o zot, kryeqytetin…



Politifant

AZ

Si zhurmë e mbytur daullesh mongole

dëgjohen ram-tamet katërkëndëshe High-D

Mbi pallate-pesëkatëshe-parafabrikate netëve

Ecin rëndë-rëndë elefantë të çoroditur

kërcejnë mbi tarracat, mbi kokat e tmerruara të njerëzve

(po të mos ishin aty unë do t’kisha shkruar për hënën, pse jo)

-

Mbi pallate-pesëkatëshe-parafabrikate

të dekoruara me granil ngjyrësëmurë

Aty ku unë e ti vazhdojmë të dashurohemi si prindërit tane,

një dashuri të mbyllur në kavanozë të veckël prevedeje

dashuri formaliste, solide, poezi konkrete

-

Elefantët hidhen rëndë-rëndë (se ç’mund të presësh tjetër nga këta elefantë?)

Në të njëjtën kohë ti me flokët e tu të ëmbël gështenjë

Ankohesh pazëshëm, a thua se s’qan

-

Elefantët tashmë janë mbretërit e padiskutueshëm të tarracave të pallateve

Despotë të kateve të sipërme të parafabrikateve

Që një ditë do të shemben nën lodrimin gazmor

Të kafshëve feçkëmëdha

-

E ne të dy do të vdesim të shtypur

Mes mediokritetit varfëror (ajme!) të betonit komunist

Dhe mashtrimit politik që na pru’ zhgënjimin, demokracia

-

Do të shpëtojnë veç jevgjit

E katit të parë

-

Elefantet kërcejnë nën ritmin e mbrëmjes mulate

Mbi pallate parafabrikate

-

Nëna ime qëndis përmbi një copë të bardhë

Me mijëra ngjyra historinë e mëndafshtë tënden, timen

dhe askush në këtë shtëpi nuk do t’ia dijë

Që ca monstra tonelatë-mëdhenj

droguar nga ndjenja e lirisë që ofron lartësia

Të paaftë për të shkelur mbi frikën e komplekset e tyre

…këta Politifantë

Kërcejnë rrezikshëm

mbi pallate

Parafabrikate

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).