Fundviti 2008

Endem s’di ku shkoj kësaj rruge të boshatisur

Përtokë gjethe të rëna dhe trungje të krisur

Degë të përthyera, të thara shkretëtirë

Ku varen të vdekur ca trumcakë krejt të ngrirë

Sqepat të pistë dhe krahët me rrëshirë përplot

Qepallat e qepura sklepash përzjer me lot

Vallë kush i trembi këta zogj të mjerë varresh

Gjer në mpiksje të ftohtë si pllaka trotuaresh?

Kohë e keqe, fytyra të lodhura, të ngjeshura

Brenda jakash leshtore ku mërdhin e qeshura

Duart me kallo dhe me plagë të shumëfishta

Shtrëngojnë monedha ndryshku xhepash të ligshta

Flet me zë të ulët, psherëtin krejt njerëzia

Të gjithë veç presin kur do të ndodh mrekullia

Që prej këtij gjumi barbar një ditë të na zgjojë

Dhe me mirësinë e saj ngadalë të na mëkojë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).