fundi i një fillimi (fillimi i një fundi)

eye

Askush nuk e di kush i mbolli. U rritën fidanët. Gjethet e para, degëve të holla si krahë të paushqyer, fëshfërinin si gjuhë gjarpri. Kur fidanët u forcuan, atëherë gjarpërinjtë u zhdukën. Ishte pranverë. Kishte lule gjithandej, frynte një fllad i lehtë, Tomorri i palëvizshëm në horizont po zbathej dita ditës prej dëbores.

Ajo, këmbëzbathur, nuk i ndjeu djegiet e hithrave që lulëzonin anës gardhit e që ndillnin aromëra të brishta. Dielli skuqte fort në majë të qiellit. Por ajo as atë s’e ndjente. Kur ai erdhi, ajo ndjeu një shtrëngim në gjoks. Folën dhe u puthën deri në perëndim. Kur ai i tha se i duhej të shkonte, ajo nuk foli asnjë fjalë ; nxori një thikë dhe preu tre gishta. Ja mbështolli në një shami dhe ja dha.

Në mëngjes, dikush shtiu me çifte. Qentë lehën. Të shtëna sërish. Qentë i shqyen zinxhirët dhe u turrën drejt krismave si të tërbuar. Ajo e kishte mendjen gjetkë atë mëngjes. Nuk e vuri re se kishte pikuar gjak në kusinë e qumështit. Qëndroi si e menduar për pak mbi atë rozë të ëmbël mbi ajkë. E zbrasi kusinë rrëzë mollës së vjetër. Kur nata ra, qentë nuk ishin kthyer. Hithrat dukeshin të errët. Tek pusi, ai erdhi në mesnatë. Ajo e puthi e para dhe e kafshoi lehtë në buzë. Qëndruan përqafuar deri në mëngjes, freskinë e natës nuk e ndjenë. Dielli ende s’kishte mbirë, kur ajo nxori një sy, e mbuloi ngadalë me një vello dhe e zbriti ngadalë në duart e tij.

Dredhëzat kishin mbushur ugarët plot e për plot. Ajo shkuli sa mundi. Në ferra xixëllonin të kuqe, të ëmbla, manaferrat. Ajo këputi ca dhe mbushi gojën plot. Lëng. Në qiell, dy paralele të bardha çanin blunë tej për tej. Mbi kodër Manastiri ndriçonte i bardhë porsi far. Në fusha direkët dukeshin si lugetër udhëhumbur. Kallamishtet tundnin kokat kanaleve plot lerë. Ishte gjithmonë nervoze para takimit me të, por kur ai erdhi, gjithçka u qartësua. Ajo i zbërtheu këmishën dhe mbështeti kokën në gjoksin e tij duke i përkëdhelur shpatullat.

- Ka mbetur dhe shumë?- e pyeti ajo.

- Dhe pak dhe askush s’do të mund të na ndalojë. Do të jemi sëbashku përgjithmonë.

- Të kam dhënë gjithçka. Më thuaj ç’të duhet më?

- Një zemër.

Ajo ngriu befas. Ndjeu ftohtë. Me majën e një kostre gërreu në kraharor dhe shqiti përbrenda një lëmsh të kuq plot vena. Ai e mori me aq kujdes si të ishte një diamant. E puthi me dorë hijen që zhdukej ngadalë. Rendi si i marrë deri në shtëpi. Shkelmoi derën me këmbë. Në mes të asaj hapësire, ajo dukej e paplotë. I nguli zemrën në kafaz dhe e qepi më me kujdes se pjesët e tjera. Pasi e mbylli, mbështeti kokën në gjoksin e saj dhe mbajti vesh. Rrihte.

14 Komente

Ka pershkrime shume te bukura, jashtzakonisht poetike, por simbolika me duket disi e paqarte... ndoshta nuk kam ditur ta lexoj.

Mua perkundrazi simbolika me duket shume e qarte dhe e dhene shume bukur. Pa pasur frike se e teproj  them se ndjehet nje fllad kutelian ne te.

Mendoj se dy fjalite e fundit jane te teperta. Madje shume te teperta  dhe te demshme bashke  me fundin "e papritur" qe jo gjithnje eshte funksional (rezultativ) ne prozat e shkurtera. Tregimi mund te mbaronte te "Rrihte".

Pergezime!

 whisper ne fakt u  ndala tek rrihte, por pastaj i shtova nje tip mbylljeje. ndoshta e rishikoj. flm per komentet. (ne fakt e lash tek "Rrihte", ate mbylljen e meparshme e kisha me dy mendje)

E dashura shkul zemren dhe ia jep ne duar - (sakrifica per dashurine)-djali vrapon per ne shtepi dhe e vendos zemren ne kafaz ( te kujt?). Duket sikur eshte nje tjeter Ajo qe pret ne shtepi, apo jam gabim...paragrafi i fundit me duket i erret kuptimisht, dhe rrjedhimisht simbolika e tij.

 

Rendi si i marrë deri në shtëpi. Shkelmoi derën me këmbë. Në mes të asaj hapësire, ajo dukej e paplotë ( cila?). I nguli zemrën në kafaz ( kujt?)dhe e qepi më me kujdes se pjesët e tjera. Pasi e mbylli, mbështeti kokën në gjoksin e saj dhe mbajti vesh. Rrihte.

 

 Av e gjitha kjo ka te beje me rikrijimin e qenies qe duam, ne pamundesi apo mungese te saj, per ta pasur prane perhere. pastaj ne pasion ka gjithmone shkembim midis partnereve, secili le dicka nga vetvetja, nga trupi, nga shpirti.

e  paplote shtepia e saj ku ai hyri, e paplote vajza e mbetur pa zemer  dhe e paplote zemra e mbetur pa  kafazin e gjoksit te vajzes. Pra paplotesia eshte shumedimensionale ne kete rast  dhe lenia evazive nga vete autori ( me apo pa vetedije pak rendesi ka)  me duket edhe me ngacmuese per persiatjen e  mendjes ( se lexuesit.)

kafazi i kraharorit te vajzes sigurisht

Rendi si i marre deri ne shtepine e saj. (pra keshtu duhet lexuar/nenkuptuar ajo fjali). Une nuk shoh ndonje veshtiresi te madhe kuptueshmerie nga nje lexues  qe e perpin ky rrefim i bukur....Gjithashtu  te mos harrojme se ne enderr  mbivendosen imazhet dhe levizin pa  ndonje rregull  trafiku strikt (meqe autori e ka konceptuar tere rrefimin si nje enderr ne fund te fundit).

Ajo i zbërtheu këmishën dhe mbështeti kokën në gjoksin e tij duke i përkëdhelur shpatullat.

Ne kete rast ,zakonisht koka perkedhelet ,shpatullat mbahen .. smiley

 

Duket pak si stili i Jakove Xoxes ,per ato dashurite e myzeqarve ...ne per kallama .tek Lumi i Vdekur !

Rikrijimin e qenies që do apo riprodhimin e një zemre nga e cila njeriut i ngel vetëm trupi dhe që s'i përket në asnjë formë? Kjo do shpjegonte entitetin femër fshehur në shtëpi dhe entitetin tjetër diku larg. Mundimet e personazhit kryesor për të arritur një zemër dashuri-plotë për të ngjallur qoftë dhe iluzionin fizik të një zemre që s'do i përkasë kurrë. Femrat jane dy:
 

- femra që ka lënë lëkurën gjarpërore në shtëpi duke marrë zemrën.
 

- femra që të dhuron zemrën që ti përdor për të ngjallur lëkurën gjarpërore
 
 
Si ide është e bukur, jo shumë filantrope por e bukur...

Frankenstein d'amour? Nuk di per Zotin, mekat mos bofsha, se ka ca detaje aty qe mua me pelqejne jo pak (Tomori, manastiri, manaferrat), por mu ky simbolizmi i tepruar po me behet ngadale si ajo "kryp, kryp". Arber, eshte me e gjere kjo qe po them; s'ka te beje me kete pjese vetem. Kjo eshte thjesht nje trigger. Dhe e di, po me duket si nje "cheap way" ne krijimtari.

Ishalla nuk keqkuptohemi, Arber!

E kuptoj ku e ke fjalen, por te shkruarit ne web, sipas mendimit tim, duhet te jete shkurt dhe efikas, per te mos lodhur ata qe lexojne keto pjese. Nuk keqkuptohemi. flm per komentet.

Po! Shpesh e kam mendu kete punen e web-it si mjet te shkruari dhe si ndikon kjo. Ne nje fare menyre e con krijimtarine drejt nje lloj fast food-i. Shume kurth i keq eshte.

mua me pelqen bota qe me fut sa here qe lexoj shkrimet e tua Arber.poezi e gjalle!

 Fakleminderit Eni. smiley 

E mrekullueshme.

Pershkrim fantastik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).