“Fundi” i Eluanës

“Fundi” i Eluanës
Ardi Stefa

Vdekja dinjitoze e Eluanës!
Apo jeta dinjitoze?
Apo e drejta për të jetuar një jetë sa më dinjitoze?
Eluana Englaro ishte e pafat. Në 1992, kur sapo kishte hyrë në 21 vjetët e jetës së saj, pësoi një aksident automobilistik. Qysh atëherë Eluana ishte në një gjendje kome. Nuk ishte e ndërgjegjshme as për jetën e saj e as për atë ç’ka ndodhte rreth saj. Nuk mundej të fliste, nuk mundej të dëgjonte, por thjesht vazhdonte të jetonte, në qoftë se mundet ta emërtojmë jetën e saj kështu.
Jetë?
Eluana nuk e kishte bërë “testamentin biologjik”, testamentin ku të shprehte se çfarë do të bëhej me të në rast se gjendej në një gjendje të tillë. Normale. 21 vjeç askujt nuk i shkojnë nëpër mend të tilla mendime. Askush nuk do të mendonte atë që asaj për fat të keq i ndodhi...
Të ishte e gjallë dhe jo e gjallë. Të ishte e vdekur e pakallur!...
Babai i saj kërkoi me ngulm, jo se nuk e donte vajzën e vet, që Eluana të kishte të drejtën të lejohej të vdiste me dinjitet, d.m.th duke patur euthanazinë pasive, pavarësisht se ai nuk e përdori kurrë termin “authanasi”, term, të cilin asnjë prind nuk do ta pranonte kurrë për fëmijën e tij.
Mjekët i prenë të gjitha shpresat për një shërim e jetë normale të Eluanës. I thanë se nuk pritej as edhe ndonjë mrekulli...
Babai i saj, dinjitoz e i heshtur kërkoi nga gjykatat dhe drejtësia që të njihte njërën prej të drejtave më tragjike që mundet të ketë një baba, një prind: t’u japë urdhër mjekëve që t’i ndërprisnin mbajtjen artificiale në jetë bijës së tij.
Drejtësia italiane e pranoi këtë kërkesë të tij...
Eluana pa e ditur u bë simboli i të drejtës për të fituar euthanasinë. Shoqëria italiane u përça. Nga njëra anë ata që nuk pranonin një ide të tillë, nga ana tjetër ata që ishin me fundin dinjitoz të Eluanës, dhe jo me mundimin e përditshëm të saj e të prindërve të saj...
Drejtësia italiane mori vendimin që Eluana të mos mbahej më teknikisht në jetë me një tub e me ilaçe.
Dhe Eluana “iku” e qetë, në paqe.
Debatet morale që la pas vdekja e saj nuk do të mbyllen lehtë. A duhet të mbahej pafundësisht në jetë Eluana me ilaçe e ushqim, pavarësisht se gjendja e saj ishte e parikuperueshme?
Personalisht mendoj se jo.
Mirë u bë që u la të vdiste e qetë e në paqe, pavarësisht se qeveria e Katolikët fanatikë ishin kundër.
Ishte një trup i shkatërruar dhe që nuk kontrollohej. Një jetë e tërë në një shtrat, në aq hapësirë që mund të zërë një shtrat. A mund të quhet jetë? Dhembje. Një ndjenjë e vazhdueshme e e përditshme e mungesës së dinjitetit. Dhe dëshira e llahtarshme e “të ikurit” nga ajo jetë...
Natyrisht që vdekja e Eluanës do të vazhdojë të jetë për shumë kohë në debatet politike, mjekësore, fetare e morale.
Nga njëra anë ata që mbështesin të drejtën për të qenë me çdo lloj kostoje në jetë dhe këtë të drejtë janë të gatshëm që ta shndërrojnë në detyrim, nga ana tjetër ata që mbështesin të drejtën e përzgjedhjes së largimit nga jeta, natyrisht në raste të veçanta...
Titrat “fund” për Eluanën ndoshta u shkruan dhe ajo bën shoqëri me yjet në qiell...
Ndoshta ne që ngelëm në tokë duhet t’i jemi asaj mirënjohës për të drejtën e përzgjedhjes midis jetës e vdekjes...

7 Komente

Për këtë shkrim më erdhën edhe shumë komente në Blog.

Pro e kundër. Nuk u ndryshoj asnjë presje atyre që kam thënë, pavarësisht se shumë vetëve nuk u pëlqen "vetëvrasja".

Mua më pëlqen e drejta për të zgjedhur mes vdekjes e jetës.

mund të lexoni edhe një shkrim timin tjetër me një temë të përafërt: "Vetëvrasja e keqkuptuar.

www.ardistefa.blogspot.com

 

Ne debatin politik, sepse u kthye i tille, qeveria e Berluskonit nderhyri qe ta pengoje me nje dekret , presidenti nuk e firmosi.

Per sa e kam ndjekur rastin e Eulanes, media e kthej ne nje loje te poshter mediatike.

Eshte e paimagjinushme qe per fatin e njeriut tend me te afert, te vendose qeveria se çfare duhet bere.

Babai i Eulanes Bepino Englaro njeri me nje vullnet e kthjelltesi per tu respektuar.

Eulana pushofte ne paqe.

Kjo ngjarje e trishtueshme te ben te mendosh se u dashka pa tjeter te leme"testamentin biologjik",vetem keshtu mund te jemi ne paqe me familiaret tane.

Zoti i dhente force prinderve te Eluanes per te perballuar vdekjen e dyte te vajzes se tyre!

Eluana,mirupafshim!

problemi i vetèm nè kètè mes ishte vatikani dhe askush tjetèr,nuk e kuptoj llogjikèn sinqerisht..a thua ju dhimbset atyre mè shumè se prindèrve.........,ITALIA po shndrohet nè njè vend tè çuditshèm,duke parè edhe urdhèresèn qè nxorri ministri i brendshèm i saj para disa kohèh,ku ju urdhèrohet mjekve tè spitaleve edhe atyre tè urgjencès..qè tè denoncojnè nè polici çdo emigrant qè paraqitet aty pa dokumente.... kjo mè bèn mua tè mendoj se nè kètè vend, ata qè mund tè kurohen nuk kurohen .... kurse ata qè nuk mund tè kurohen dot duan ti kurojnè sesbèn?!?!?!?!....sa keq......

Ky debat eshte me i ashper ne amerike. Lufta midis te drejtes per te jetuar dhe vdekur. Lufta midis konservatoreve dhe liberaleve.

Ceshtja, te pakten per mua, s'eshte aq mbi vdekjen dinjitoze apo te induktuar(apo quaje c'te duash), ceshtja qendron tek shperdorimi i resursave mjekesore per njerez klinikisht te vdekur. Pyes veten sesa njerez mund te ishin shpetuar ne vendet e botes te trete, te katert apo te botes shqipetare me resursat qe i jane vene ne sherbim gjate 17 vjeteve te fundit.

Mjekesia eshte shpetim te gjallesh dhe jo gjendje vegjetative te vdekurish.

Qenkemi pothuajse në një mendje, të paktën këtu se në blog më shkruajnë krejt të kundërtën.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).