“Fshesë” në Athinën e zbrazur

“Fshesë” në Athinën e zbrazur
Në fund të korrikut do të jetë e mundshme “një ndërhyrje masive” e Policisë Greke në kryeqytetin helen për t’u transportuar emigrantët klandestinë në “qendrat e pritjes”, sipas ministrit alternativ të brendshëm, K. Markojanakis, i cili ka paralajmëruar edhe një konflikt të hapur me anarkistët në vijim, po qe se do të ketë reagime nga ana e tyre...
Ardi Stefa
Ministri i brendshëm alternativ, Kriatos Markojanakis ka paralajmëruar “spastrime masive” nëpër lagjet e Athinës, në mënyrë që të gjithë ata emigrantë klandestinë që do të kapen të çohen në “qendrat e pritjes”, të cilat po krijohen gjatë kësaj kohe. Zoti Markojanakis, i cili është edhe përgjegjësi për rendin publik të Greqisë, ka komunikuar se në fund të korrikut, olicia greke do të ketë mundësinë që të fillojë operacione masive për përballimin e problemit të krijuar nga emigrantët klandestinë, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Zoti Markojanakis ka folur me hollësi edhe për vendet e qendrat e pritjes, si edhe ër superstrukturën e atyre vendeve që do të “mikpresin” klandestinët, deri në kohën kur kërkesa e tyre për azil politik të miratohet ose jo, në mënyrë që të deportohen. Ministri ka deklaruar se janë siguruar fondet e nevojshme që të jetojnë e të mbahen emigrantët klandestinë në kushte njerëzore.
Një vjeshtë e “nxehtë”?...
Duhet theksuar se fjalët e zotit Markojanakis paralajmërojnë edhe një vjeshtë shumë të “nxehtë” përsa i përket problemit tjetër që ka policia, konfliktit të hapur me anarshistët. Duke qenë se deklaratat e ministrit të brendshëm, P. Pavlopulos, tregojnë se qeveria dëshiron fillimisht që të mbyllë një front, atë të emigracionit klandestin, e më pas të merret me anarshistët, në qytetet kryesore greke, Athinë, Selanik, Patra, etj, të cilët përfitojnë nga azili që kanë universitetet dhe pas çdo konflikti ngujohen atje.
Qeveria mohon krijimin e “kampeve të përqëndrimit të klandestinëve”
Ministri i shtypit të Greqisë, E. Andonaros, ka hedhur poshtë kritikat që i bëhen qeverisë nga e Majta dhe organizatat antiraciste, në lidhje me krijimin e “kampeve të përqëndrimit të emigrantëve klandestinë”!
Ministri Andonaros ka theksuar se toleranca e qytetarëve ka kapur kulmin, ashtu sikundër edhe mundësia ekonomike greke për të mbajtur këtë numër kaq të madh klandestinësh.
Ministri grek ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që i bëhen qeverisë, se me krijimin e qendrave të tilla të pritjes së klandestinëve, kthehen në kujtesën e njerëzve kujtime e mbresa të epokave të tjera. “Do të ruhen e respektohen të gjitha të drejtat e njeriut, edhe për klandestinën, ashtu si ruhen e respektohen për të gjithë njerëzit e tjerë”,- ka theksuar ai.
Sipas ministrit të shtypit, “çështja nuk është vetëm e Greqisë, por është një çështje shumë e mprehtë e në nivel europian. Greqia është nën një trysni shumë të madhe emigracioni, disanaloge përsa i përket madhësisë së vendit dhe mundësisë së mabjtjes të një numri gjithnjë e në rritje të emigrantëve klandestinë!”.

Drejt krijimit të ministrisë së emigracionit
Lideri i opozitës socialiste, J. Papandreu në një intervistë të tijën paraqet akset kryesore të politikës së tij për emigracionin klandestin. Veçohet përballimi i përgjithshëm nga një ministri e posaçme, me shërbime të specializuara...
J. Papandreu në një intervistë të tijën paraqet boshtet kryesore të politikës që do të ndjekë për të rikthyer ndjenjën e sigurisë për jetën, lirinë, pasurinë publike e private tek qytetarët grekë.
Zoti Papandreu ka theksuar se PASOK-u ka një plan të përcaktuar e të qartë për përballimin e fenomenit, i cili garanton se emigranti në Greqi, refugjati politik, do të kontribuojë në mënyrë krijuese në zhvillimin, mirëqenien, kulturën dhe prezencën e vendit në arenën ndërkombëtare.
Zoti Papandreu ka paraqitur projektin e tij me tetë pika:
1- Tolerancë zero ndaj emigracionit të paligjshëm. Objektivi është 0% emigrantë klandestinë.
2- Përforcimi i ruajtjes së kufijve. Kërkesa të vazhdueshme për marrjen e fondeve të tjera shtesë e më të mëdha nga BE për këtë qëllim.
3- Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe dhe atyre ndërshtetërore, dhe veçanërisht zbatimi i Protokollit të Riatdhesimit të Klandestinëve në Turqi prej nga hyjnë.
4- Krijimi e zbatimi i një politike të përbashkët humanitare të BE për një ndarje të barabartë të refugjatëve politikë. Duke marrë analogjikisht të gjitha shtetet anëtare të BE dhe jo vetëm vendet kufitare.
5- Riqartësimi i politikës greke kundrejt refugjatëve- një vlerësim i shpejtë i të gjithëve atyre që kanë të drejtën e përfitimit të strehimit politik dhe cilët janë jo të ligjshëm që duhet të riatdhesohen.
6- Integrimi i emigrantëve të ligjshëm në shoqërinë greke me politika serioze në arsim, luftimin e punës së zezë, dhënien e nënshtetësisë, veçanërisht të rinjve që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve.
7- Krijimin e zbatimin e një politike të qartë për afrimin e fuqisë së aftë për punë në ato sektorë, ku ka nevojë për punë sezonale, apo nevoja permanente. Përballimi i përgjithshëm i gjithë kësaj situate do të bëhet nga një ministri e posaçme për emigracionin që do të ketë shërbime të specializuara dhe punonjës po ashtu të specializuar.
8- Programe të posaçme të rindërtimit të qyteteve, lagjeve, veçanërisht të atyre që janë getoizuar, me investime publike, një politikë sistematike të strehimit të emigrantëve dhe garantimin e bashkëjetesës paqësore dhe të tolerancës sociale.
Kritika të ashpra qeverisë

Në pesëvjeçarin e fundit politika e Demokracisë së Re për emigracionin, refugjatin politik, emigracionin klandestin ishte e mangët dhe inekzistente, thotë zoti Papandreu. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë politikë për ata që kërkojnë strehim politik, duke sjellë si rezultat që të gjenden në një zonë gri, mijëra e mijëra njerëz, të cilët vërtiten nëpër qytetet dhe portet greke dhe hyjnë e dalin nëpër burgje e rajone policie.
Sipas zotit Papandreu qeveria nuk ka asnjë politikë të integrimit të emigrantëve të ligjshëm në shoqërinë greke, duke sjellë si rezultat izolimin e brezit të dytë të emigrantëve, të cilët, të vetmin atdhe që njohin, është Greqia”...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).