FLETË DITARI 8 (Shqipëri 2009)

FLETË DITARI 8 (Shqipëri 2009)
Nga Arbër Shtëmbari

Athinë.
Hap sytë. Me dyshim. Jashtë një megafon lëshon mesazhe të zhurmshme në një gjuhë që s’më thotë asgjë. Psherëtij. Duhet të kem fjetur gjatë. Kam fjetur keq. Kam parë ëndrra të frikshme, me ushtarë, me persekutime dhe lehje qensh. Ndihem ende shumë i lodhur pas udhëtimit Tiranë-Athinë. A ndoshta ndihem i lodhur, sepse kam fjetur gjatë?! Mbështes jastëkun kundër kokës së krevatit. Me përtesë. Shoh përreth. Përballë. Varur në mur, një flamur shqiptar. Sigurohem. Përkrah, mbi komodinë, një telefon, ca karta telefonike, ca monedha...një shënim “Celsat i ke mbi tavolinë. Nëse del, mbyll dyer e dritare...”

Bëj një dush. Përgjumem sërish nën ujin e ngrohtë. Uji duket sikur rrëmben prej trupit cdo kujtim të atyre orëve në doganë, i transporton me vete dhe i shpie në një botë të errët dhe të nëndheshme. Mbyll rubinetin i sigurtë që urrejtja është larg prej meje. Fshij me pëllëmbë cipën e avullit mbi pasqyrë. Por imazhi është ende i turbullt. Vishem, eci këmbëzbathur mbi pllakat e ftohta, të bardha, i plogësht ngulem për disa minuta në kolltukun para televizorit. Ndërroj kanalet. Asgjë interesante. Greqishtja më duket si një grumbull fjalësh anonime. Identifikoj omegat, pitë, dhe sigmat.

Dal në ballkon. Zhurmë. Dielli është ngulur majë qiellit. Poshtë, me siguri kokat zjejnë si furrik. Para syve, si prej një kati të katërt, panorama shtrihet deri larg. Ja Athina. Në fakt, përshtypja e parë, të shtyn më shumë të thuash “ja Tirana”. Ndërtime pafund. Beton pa fund. Konglomerat materiesh, arkitekturash, mbizotëron e bardha, që tek tuk shthurret nga një gri tymrash ndotjeje. Ah, paska një pemë në atë kodrën atje. Pa pasur kohë të gjej një të dytë, vërej që ka një ballkon në të majtë ngjitur me tonin, por paska dhe një tjetër në të djathtë në të cilin një plakë greke vegjeton në heshtje duke parë qiellin. Një kryq i artë i shndërrin në gjoks. E përshëndes me kokë. Ajo mjaftohet me një mbyllje të paqme sysh. Sakaq, një vajzë e re del, komunikon me të në greqisht duke i folur fare pranë veshit, plaka nuk luan, më pas vajza i merr filxhanin e kafesë mbi tavolinë dhe duke zhbllokuar rrotat e karrikes së plakës, e kthen dhe futen brenda. “Paska qenë e paralizuar. Nga mesi e poshtë. Kishte një kafe mbi tavolinë.”

(...)

Dal jashtë. Rruga ngjitet e zbret dhe vapa nuk i lehtëson gjërat. Eci për dy tri orë. Marr një bulevard, futem në një rrugë, përshkoj një rrugicë, dal në një rrugicë tjetër, një rrugë, sërish një bulevard. Duket sikur qyteti nuk ka fund. Trotuaret janë të shtruar mirë, po kështu dhe rrugët, por pastërtia lë shumë për të dëshiruar. Shëtitja bëhet vërtet e bezdisshme për shkak të vapës. Kërkoj hije. S’ka. Trotuareve lulëzojnë portokalle të egra një metroshe që i bëjnë hije vetëm këpucëve. Kush është ky idiot që ka mbjellur portokalle të egra një metroshe buzë trotuareve? Këtu s’është hera e parë që ka diell. Kërkoj një park. Kam nevojë të pushoj, e të shënoj dicka në ditar. Lagjet në Athinë, ndryshojnë shumë nga njëra tjetra, pak a shumë i kupton limitet e një lagjeje greke (sinonim “të pasurish”)dhe një lagjeje emigrantësh (sinonim “të varfrish”), madje kam përshtypjen se kalova në një lagje të tërë shqiptarësh dhe pak më tutje në një lagje të tërë afrikanësh...kjo e fundit më përngjau me një farë getoje.

(...)

Jam ulur në stolin e një parku. Në fakt, parqe ka plot. Dhe pemët janë më të larta se portokallet një metër e ca. Pyes veten sa parqe ka në Tiranë? Një, parku Rinia (quhet park ky?), dy parku i liqenit, tre...tre...parku i Dajtit, por Dajti s’është tamam në qytet...kështu që, më shkon në mendje lulishtja para parlamentit...jo! Dy! Në gjithë kryeqytetin tonë, ka vetëm një park, dhe një gjysëm park. Për të ardhur keq. Por ta lëmë Tiranën për një cast me gjithë rrëmujën e saj. Jam në Athinë. Në fakt, ndoshta do zhgënjej më shumë se një për ata që presin që unë ti përshkruaj grekët si njerëz me brirë, me veshë të gjatë dhe me bisht. Në rrugë sheh popull. Masë. Popull si kudo. Me sa duket grekun “shqiptar-ngrënës” nuk e gjen tjetër përvecse në kufi apo në institucione. Por sapo e kalon atë brez vampirësh, hyn në brendësi të jetës greke, që s’është aspak e ndryshme nga ajo e jona. Dy popuj fqinjë. Kaq të ngjashëm. Grekët janë si ne. Ne jemi si grekët. Sa pranë, por sa larg. Diferanca, rrënja e problemit që krijon diferencat, s’është tjetër gjë përvecse disnivelit ekonomik që si rrjedhojë sjell detyrimin për një vizë burokrate që prodhon mentalitete raciste.

Në fytyrat greke lexohen po ato shprehi që mund ti lexohen cdo shqiptari në Shqipëri. Një nuancë e vogël. Grekët e Athinës, si qytetarë të një metropoli europian, në krahasim me ata që pash fshatrave të Greqisë, kanë marrë hijen e Konsumatorit tipik europian. Është ajo fytyra-maskë pa asnjë lloj ekspresioni që e sheh duke nxituar në rrugë, që e sheh duke u përtypur në metro, duke lexuar gazetën falas që shpërndahet në stacione e që më pas zbret për tu zhdukur në turmën shumë ngjyrëshe...Konsumatori europian është një klishe që përsëritet, është dikush që gdhihet nga zilja e celularit, që konsumon pa ditur c’ha dhe që fle pa ëndrra. Njeriu-robot që mbjell cdo sistem kapitalist. Njeriu-masë. Ndërkohë që në Shqipërinë tonë të vogël arrin ende të identifikosh njerëzit, filanët jetojnë në këtë qytet, ja fistekët në atë lagje, ka një lloj thjeshtësie të mrekullueshme që fatkeqësisht Europa përpiqet ta përkthej si primitivizëm e ta përpunojë si pjesë e programeve të saj multikulturaliste. Ne sot jemi cfarë ata kanë humbur. Kanë nostalgji për të dikurshmen e tyre.

Me gjithë vorbullën e groteskut që ka përfshirë shumë prej nesh, si pasojë e ndryshimit të sistemeve dhe konfuzionit të vlerave, tek ne gjen në masë ende Njerëz, njerëz që e jetojnë Pasionin. Burimi i këtij Pasioni merr fillesa në atë institucion që riprodhon vlerat që na bëjnë ne të ndihemi shqiptarë, në Familjen Shqiptare, ky monument gjigand brenda shtepive te vogla te parafabrikuara në beton të ftohtë që të mirëpret me krahë të ngrohtë që të përqafojnë, të përkëdhelin, të llastojnë, me atë “të keqen nëna, të keqen mami, të keqen babi, të keqen motra”, njerëzit janë gati të mbartin të keqen tënde për të të dhuruar prehje, dashuri; tek ne, edhe pse ashtu përmes asaj përdhosjeje urbane dhe varfërie të theksuar, gjen ende Njerëz, të vërtetë, që ulen rreth e përqark e ngrenë dolli për shëndet, që tokojnë gotat derisa i thyejnë e më pas sherrosen e mbajnë mëri, gjen Njerëz që bëjnë dashuri e jo që thjeshtë qihen, gjen ende njerëz që bëjnë fëmijë e jo vecse riprodhohen, njerëz që japin jetën për dashurinë e të tjerë që janë gati të theren për nder, njerëz që ndahen me dhimbje aspak për lojë, tek ne gjen ende Njerëz, jo thjeshtë konsumatorë, këta frymorë të rëndomë që hanë dhe dhjesin ushqime pa shije, plastikë transgjenike të mbërthyer në kuticka supermarketesh, tek ne ka ende Tek Jani, Tek Uranija, Tek Kasapi që pas banakut përpiqet të ta hedhë, dhe ti që ankohesh “ma hiq atë kockën icik po deshe”, ...e c’nuk ka tek ne që se ka bota, në vend të anonimit që i dëgjon vec kthimin e celsit kur hyn e kur del, ke Shpresën përballë , që vjen të pijë kafen në mëngjes e më pas të hedh filxhanë, “i ka dal cunit një rrugë, shoh një pasqyrë”, po ke djalin e saj të vogël që thërret me sa ka në kokë shokët nga ballkoni e që mua më ngre nervat, por ja që të gjithë kemi thërritur ashtu, kemi vrapuar nëpër pluhur me gjunjtë gjithë gjak, kemi sharë nga robtë Xhelalin që na cau topin e kemi thyer xhama dritaresh në dy prill.............as dy ditë në Athinë...po se c’kam një mall për Shqipërinë! Besoj pas dhjetë vjetësh a më tepër do kem edhe më tepër mall. Kemi hyrë në rrugën e zhvillimeve globale, kam shumë frikë se të gjitha këto shqiptarizmat që ca i duam e ca i urrejmë, do të humbasin. Utopike. Sikur të mund të ruanim thelbin tonë, duke përqafuar mekanizmat e zhvillimit europian. Utopike...kam shumë mall......idealizoj........

(...)

Eci. Ky qytet s’më ngjit. Mungon esenca në këtë qytet, vecantia, origjinalja...le ta provoj ta gjej në Akropol, tek gurët, jo tek komercializmi turistik. Marr një taksi. Taksia kushtoi lirë për distancën që bëmë. Pagova katër euro për goxha rrugë. Tre mijë lekë të vjetra nga 21-shi tek Muzeu Kombëtar! Eci sërish. Lagja Plaka. Nuset arvanitase që u plakën duke pritur burrat luftëtarë. Plakë gjorat që grekët i shndërruan në pllaka! Ngjitem. Turistë kudo. Si dele budallaqe që humbadisin dyqaneve plot rranglla e pastaj zënë e cirren ku është guida. Rrugicave rrëshket një tren i kuq me ca fytyra idiote përsipër që bëjnë fotografi. Pres biletën. Hyj. Eci. Ndalem. Akropoli, sa madhështor! Besoj se këtu diku endet esenca e shpirtit grek, e filozofisë, e demokracisë athinase, por që për fat të keq, këto virtyte janë zbehur, si pasojë, ndoshta, dhe e krizës së rëndë ekonomike që e ka mbërthyer vendin.

Kthehem. Taksi sërish. Tek shoferi dyshoj fort, s’gabohem, është shqiptar. “Për ku o vlla?”, “për ca ke ardhur në Greqi?”, “Ke të afërm?!”, “Andej rri, c’do në Greqi, ne po na qihet nëna këtu”...

Hip e zbrit nëpër rrugë, asgjë mbresëlënëse në qytet, si rruga e Kavajës, si rruga e Durrësit, të tilla ka Athina plot. Ndoshta dikush që e njeh më mirë qytetin do më këshillonte c’të vizitoja. Por, mezi më pritet të kthehem në Tiranë. Nuk ndihem rehat. Moment.

(...)

Shumë vapë. Jam veshur në mënyrë krejt të papërshtatshme për vapën që bën. Jeans, t-shirt, atlete. Temperatura kërkon më lirshmëri. Hyj në një dyqan. I flas shitëses në anglisht. Ajo thërret një Svetllana, dhe Svetllana, një bukuroshe bjonde, vjen duke buzëqeshur. Anglishtja e saj ka një theks të fuqishëm sllav, rus a bullgar. Blej këmishën më të lirë në të gjithë dyqanin. Më vjen për të qeshur teksa e provoj. Është një këmishë tip havajane, me ca palma dhe ca varka. Paguaj. Përshëndes Svetlanën. Dal jashtë. Pa bërë as dhjetë hapa, dreqi e mori, harrova të blej një palë pantallona të shkurtra. Kur, një kinez një metër e gjysëm, me nje cantë dy metra që ngrihej kalapic pas shpinës së tij, më afrohet me një tezgë të improvizuar që e mban përpara. Kinezi duket si kioskë ambulante. Si dreqin i mban gjithë ato gjëra?! Ndër të tjera, kinezi shiste shapka. Një palë shapka blu me gisht. Pa një pa dy ja blej, marr shapkat dhe vazhdoj rrugën, por 50 metra tutje del një kinez tjetër që përpiqet të më shes një orë dore. Përpjekja e tij vazhdoi, derisa i thash në shqip dicka jo të këndshme, por që ai e “kuptoi”.

(...)

(Mbrëmje. Për darkë diku)

Jam ulur në një restorant të vogël me tre bashkëkombas. Nardi është nga Fieri, më saktë nga një fshat i Fierit, Gëzimi është nga, sic thotë ai me shaka, nga Qyteti Stalin, kurse Petriti, apo sic e thërriste shkurt e dashura e tij angleze ‘Titi, është nga Erseka. Janë të tre punëtorë, dy punojnë në një zdrukthtari, i treti punon në një firmë që sharron dhe përgatit trungje pemësh. Kanë mbi dhjetë vjet në Greqi dhe sot e kësaj dite gjenden pa letra. “Po ca letrash o Arbër? Po s’bëhet fjalë fare!” thotë Nardi. “Letrat duhen ripërtërirë cdo gjashtë muaj. Na grinë nga lekët avokatët. Prandaj s’bënë dot lekë në Greqi, se këtu një thes me lekë të ikin vetëm për procedura. Për të marr lejen e qëndrimit 5 vjecare duhet të paguash 900 evro, për atë nje vjecare duhet të paguash 150 evro.”. Titi qesh. “Atë një vjecaren, e bukura është, se ta japin pasi i ka përfunduar afati.”. Kamarieri, një bullgar, mik i cunave, na shërben qetësisht duke na e shtruar tavolinën plot e përplot. “Ju boft mir” na thotë në shqip bullgari. “E kemi shok të mirë këtë bullgarin. Madje, këtu ka shumë shqiptarë që janë martuar me bullgare, ka goca të mira plot si ato. Janë dhe të bukura. E mori një Marsel një Sofie dhe e coi në Kucovë, bën dasëm shqiptarce, u habit familja e saj,se edhe traditat si ne i kishin”. (Hodha një vështrim nga palmat e këmishës havajene, e më shkoi në mendje shitësja bukuroshe Svetlana.) “Po me greke ka që janë martuar?” “Po ka, ka, por ne shqiptarët tek gocat shqiptare shohim. Janë të bukura shqiptaret, jo përthecka të zeza si këto greket. Me shqiptaret merresh vesh. Një gjuhë, një gjak. Sado të të dojë grekja, s’merresh vesh me këto. U martua një shoku ynë me një greke, e griu ajo, po ja ha të gjitha lekët, po luan mendsh ai budallai”.

Pyes: “Po grekët si sillen me ju?”
“Shih o Arbër, këta janë si ne ore, se budallenj gjen dhe në Shqipëri, apo jo? Ja po të them rastin tim. Kur erdha në Athinë unë atëherë, s’gjeja punë, edhe vajta tek kjo firma që sharron trungjet. Po unë kisha punuar në Shqipëri në mobiljeri, e njihja drurin, kurse ai pronari grek kishte një egjiptian që s’ja kishte haberin. Ju futa unë punës, bam e bam, punoja tre herë më fort se arabi, e përzuri greku atë direkt, ty tha, do të mbaj ty më tha. Ma vuri dhe emrin Anastas, këta tallnin bythën me mua duke më thënë o Anastas gjithë ditën, po greku ma shtoi edhe rrogën, më jepte më shumë se cu jepte dhe grekërve të tjerë. Se ja bëja unë punën tamam. Vinte dreka, piqnim nga një pulë për person, hanim dhe pinim me grekun. Ishte babaxhan. Ai më gjeti dhe shtëpinë. Por, mua më ndodhi një fatkeqësi, mu sëmur babai dhe mu desh të kthehesha në Shqipëri, kur kam ikur, naaa kokrrën e lotit greku, mu lut e mu lut qëndro”. Nardi apo ndryshe Jani ndërhyn: “Kurse unë punoj në zdrukthtari. Ja dhe ne kështu me sharra ishim. Madje, (më tregon dorën) i sheh këta dy gishtat ti, po punoja një ditë, kur fap, mi mori sharra dy gishta mi hodhi tutje, gjaku iku curk. Kisha një koleg grek, pa gjakun ai, u zverdh, u bë dyll, po i binte të fikët. Unë një ti gjetur gishtat, ashtu me tallash i futa në xhep, grisa kanatieren, e lidha në dorë, mora urgjencën telefon mezi mezi dhe dola jashtë. Erdhi shpejt urgjenca se kishim dhe spitalin afër, këta kujtuan se mos ishtë sëmurur ky greku, kur më panë mua ata me dorë të prerë, luajtën mendsh, si paska qëndruar në këmbë. Gishtat lëviznin në xhep si bisht zhapili, nga nervat e prerë. Më morën në makinë të urgjencës edhe mua edhe grekun. Do ti që bëra mirë që mora gishtat me vete, tak një operacion, sec më futën në gishtërinj ca shufra platini platini thoshin ata, u lidhën gishtat për bukuri.” “Janë bërë të këqinj grekët se dhe ka rënë evroja fare. Ishin mirë me dhraminë dikur, tani ka hyrë dhe shumë emigracioni afrikan, zezakë, se shqiptarët dhe e kanë kapur veten. Madje, në Athinë artizanët më të mirë i ke shqiptarë. Ca janë këta që merren me duru-aluminin, ndërtimet, mobileritë, i ke pronarë shqiptarë tani. Dhe i mbajnë cmimet shtrenjtë shqiptarët.”.

I tregoj ngjarjen në doganë. Ata rrudhin buzët.
“Ashtu është. Madje s’ke parë gjë hic ti. Po s’ke parë ti ti bëjnë rreshtore 20 burrave e ti hyjnë në dajak si me qenë kafshë. As kafsha s’trajtohet ashtu. E kape në gabim, ktheje, pse e keqtrajton. Po ca lesh Evrope janë këta?! S’ke parë ti alamet burri që ja kërciti greku në grusht turinjve në sy të gruas e të fëmijëve vetëm e vetëm se u fut keq në rradhë. Po janë më të ndjeshëm andej nga kufiri ata, plus ata policët cuna të rinj, ja lëri një shkop gome në dorë atyre ti dhe thuaji bjeri shqiptarit, janë cuna të rinj, s’logjikojnë. Kanë rrahur për vdekje kushedi sa shqiptarë vetëm për gallatë.”
Gëzimi, (Jani dhe ky), është i martuar, ka lindur dy fëmijë në Greqi, në Athinë.
“Që thua ti, fëmijët që lindin në Greqi me prindër të huaj, s’bëhen grekë. Kështu e ka ligji. Si të integrohen ata? Kur të bëhen fëmijët 18 vjec, imagjino ti, të lindur këtu, gjithë jetën e tyre këtu, shkollën e punën e familjet, do ju duhet të shkojnë në Shqipëri, të marrin nënshtetësinë shqiptare, të marrin vizë greke në ambasadë pa të rikthehen në Greqi”.

Tre miqtë e kanë marr shtruar biseden, sikur mezi prisnin që dikush ti dëgjonte. Biseda është e qetë dhe pa mllefe, sipas tyre grekët janë të mirë, por është shteti grek ai që injekton racizmin tek grekët, e ja ku këta bëhen të këqinj, plus dhe mediat gjithashtu bëjnë të tyren. Por, keqardhja më e madhe e tyre qëndron në dobësinë e shtetit tonë dhe mosinteresimin për të marrë në mbrojtje bijtë e tij.

13 Komente

Konsumatori europian është një klishe që përsëritet, është dikush që gdhihet nga zilja e celularit, që konsumon pa ditur c’ha dhe që fle pa ëndrra. Njeriu-robot që mbjell cdo sistem kapitalist. Njeriu-masë. Ndërkohë që në Shqipërinë tonë të vogël arrin ende të identifikosh njerëzit, filanët jetojnë në këtë qytet, ja fistekët në atë lagje, ka një lloj thjeshtësie të mrekullueshme që fatkeqësisht Europa përpiqet ta përkthej si primitivizëm e ta përpunojë si pjesë e programeve të saj multikulturaliste. Ne sot jemi cfarë ata kanë humbur. Kanë nostalgji për të dikurshmen e tyre.

sh. dakord

 

... sipas tyre grekët janë të mirë, por është shteti grek ai që injekton racizmin tek grekët, e ja ku këta bëhen të këqinj, plus dhe mediat gjithashtu bëjnë të tyren. Por, keqardhja më e madhe e tyre qëndron në dobësinë e shtetit tonë ...

shqiptaret dhe problemi i tyre me shtetin/shtetet vazhdon ...

 

5*

"Kinezi duket si kioskë ambulante. Si dreqin i mban gjithë ato gjëra?!"

asgjë mbresëlënëse në qytet.

Ky qytet s'me ngjit!

Mezi pres te kthehem ne Tirane.

 

Pike per pike te njejtat ndjesi qe kam pasur dhe une, kur shkova ne Athine. Nje rremuje totale, jo ndonje pasterti kushedi ce, por neper lagje, kishte ca lulishte te vockla, si tek ne, njehere e nje kohe. I vetmi cast, kur e ndjeva qe isha ne Athine, ishte kur vajta ne Akropol dhe ne Lukavito. Si nje det i bardhe pa fund dukej qyteti nga lart. Per fat te mire, te afermit e mi atje jane integruar mire, sidomos me te rinjte, qe kane mbaruar dhe fakultetet atje dhe punojne ne profesionet e tyre.

Megjithate, sa erdha ne TR, sikur me erdhi shpirti ne vend. smiley

E kam kohen me "krek", por ket nuk mund t'a lija. Dhe nuk u pendova fare.

Do te shkruhemi me shume me vone; per tani doja vetem me kujtu faktin interesant qe zonat kufitare (interface) midis vendeve qe ndryshojne mes tyre (nacionalitet, grup etnik, pasuri, sistem, mendesi) shquhen per racizem, perbuzje te popullit tjeter, kapadaillek bosh, ekstremizem etj, kur i krahason me "brendesine e vendit". Vezhgimi eshte i sakte fare, dhe e kam pare edhe gjetke, ne vende te europes qe as qe krahasohen me gerqine.

Arber, 5!

Ti je shume i qarte ...shume shume i qarte . Kjo te ben qe Ju me thjeshtesine e te shprehurit ben qe  shpesh here te "te mblidhen kotka ose "lemshe" ne gryke e ne sy" . Ti po i ben nje sherbim shume te madh atdhetarise dhe te qenit Shqiptar .

Ndryshe nga ndyresite "letrare" te lloit te klinikes se Cekes qe kane dale " me shumice " dhe bejne analiza per thiken kur perdorej "guri ne vend te metalit "   dhe pjeses qe perpiqen te gjejne "argumente " Ligjore ne thellesi te ujrave detare. 

Shume faleminderit ! Nuk ka cmim per keto prurje ! 

Falem !

Nuk te ndjek dot kur ngatarrohesh me kapitalizmin dhe europianizmin (problemi im)..megjithate, kjo ishte pjesë shumë e bukur (po aq e bukur sa trageti ne kthim smiley . Falmnd Arber qe i ndan.

Konfuzion sentimental. Asgje e rende. Ju falenderoj per komentet.  

me thene te drejten edhe mua me pelqeu, mgjs vende vende rreshket ne absolutizmat e zakonshem (per efekt?). arber, eshte edhe ceshtje periudhe (emocionale) (pervecse momenti) - ndoshta gjerat/qytetet ne siklet ty te duken pa identitet, pa autenticitet, pa diversitet. mendimet te rrjedhin shpejt, ti vizaton me ndjenje, por i beson teper pershtypjes tende te pare dhe, serish, i shet me marifet paragjykimet si vrojtime. te intervistuarit i sjell bukur, mgjs gjithmone meshkuj smiley - the missing women are everywhere.

nejse. flm per momentet estetike, momentet e mendimit, edhe per rreshkitjet (pa ngrit vetllen per keto rrezik s'me ngjiste aq shume leximi).

dhe meqe me kujtove ngjashmerine dhe ndryshimin (mund ta zgjeroje edhe pak ate a-ne e diferances), s'di ne e ke pare filmin 'Z' nga costa-gavras, nese jo shikoje patjeter, e ke dhe ne frongjisht.

ps: sa shpejt leviz mes dashurise dhe urrejtjes smiley. je pak i rrezikshem.

 

 tek ne gjen ende Njerëz, jo thjeshtë konsumatorë, këta frymorë të rëndomë që hanë dhe dhjesin ushqime pa shije, plastikë transgjenike të mbërthyer në kuticka supermarketesh, tek ne ka ende Tek Jani, Tek Uranija, Tek Kasapi 

 

I gjithe ky paragraf sec ka nje paralel te tmerrshem me kete:

Peshtyj mbi sensacionet e pertej detit
Mbi "yjte" e "superyjte" e gjithe c'jane
Te gjithe ata bashke dinjitetin
E nje are me grure s'e kane.

Well, edhe e ka, edhe s'e ka. Kjo ideja qe c'vlera gjen te shoqeria e sinqerte njerezore (dmth socialiste, njeriu i ri etj etj), kapitalistet nuk i blejne dot kurre edhe pse i kane florinjte me grushta, eshte hedhur qe tek romani Dasma e ndoshta me heret.

Ka nje gje ne gjithe shtjellimin e Arbrit: ai eshte perceptues, eshte i huaj, eshte nje alien ne nje tjeter realitet. Eshte e padiskutueshme qe edhe ne botet e huaja ka NJerez, jo thjesht konsumatore kaucuku. Puna eshte se ata njerez perceptuesi nuk i njeh, nuk eshte mes tyre, ata shkrihen me masen kaucukngrenese. Arbri aty nuk po thote nje te vertete absolute dhe "objektive"; por ai eshte i vertete sa me s'ka me veten e vet. Dhe eshte pikerisht kjo qe ne na intereson. Sepse ne jemi "Arber" qe po shkojme ne gerqi; arbri per ne eshte si kamera montuar ne ate makinen qe eksploroi Marsin dhe ne shohim me syte e tij... qe me cdo gjase do ishin edhe tanet, po te ishim ne ne vend te tij.

E ke parasysh kur thone "shume te ftofet kta gjermonet"... etj etj.

Tani une me kete shpjegim jam shume dakord.  Edhe qe secili nga ne eshte ndjere keshtu te pakten njehere, edhe kete e pranoj.  Mund ta kem gabim une, po nuk me duket se ideja del shume e qarte. Sidoqofte kjo eshte si "nje pike uje ne oqean" (po te te kujtohet nga e kam huajtur shprehjen).

I vetmi "problem" (si pike uji ne oqean vertet smiley ) qe une kam me pjsen e persiatjeve mbi gerqine eshte se mos ka nje thyerje ne forme ne krahasim me pjesen tjeter te shkrimit. Mbase e shef nje here Arber kur te jete shkruar e gjihte pjesa; mbase eshte kot kjo qe them, por sidoqofte, beje nje "quality control" sa per merak, qe thone.

 Me pelqeu. Do doja me shume pershkrime te gjerave rreth e qark, e me pak reflektime smiley

Mgjth, edhe une si tropi, do kisha shume deshire qe te dinim pikeveshtrimin e femrave te emigruara atje. Mendon se do jete e mundshme?

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).