FLETE DITARI 7 (SHQIPERI 2009)

FLETE DITARI 7 (SHQIPERI 2009)
nga Arber Shtembari

(...)
Kemi hyrë në tokën greke. Pas pritjes disa orëshe në doganën greke, lodhja lexohet në fytyrat e të gjithëve. Shoferi ka zberthyer kollaren, ndihmësi i tij fle. Dvd’të e Portokallisë kanë zëvendësuar njëri tjetrin, skecet po përsëriten deri në mërzi, por askush duket se e ka vënë re këtë derisa një zonjë plakë ndërhyn duke zgjuar shoferin e dytë “aman o vëlla, na e ndërro këtë se e pamë njëherë”. Dikush nga fundi thërret me sa ka në kokë “o shef na vë ndonjë këngë shqiptare”. Shoferi kontrollon me shikim nga pasqyra e brendshme personin që thirri nga fundi i autobuzit dhe i bën shenjë me dorë që të vijë përpara. Është një zotëri tek të tridhjetat, flokët të rëna pak, me këmishë me kuadrata, pantallona jeans Diesel dhe një palë Nike Air të bardha. Shoferi i thotë me zë të ulët “do ta vë atë këngën shqiptare, por përse bërtet nga fundi autobuzit? E? Ti e sheh që ka njerëz që flenë?”. Udhëtari s’di c’ti thotë përvecse “po hajt mo se un katnor jam”. Shoferët ja plasin të qeshurit. I thonë të iki të ulet në vendin e tij. Teksa udhëtari kthehet, shoferi belbëzon dicka me vete, dicka që ngjason me “eh o Zot i madh”. Ndërkohë që ndihmësi nxjerr një bllok të madh të mbushur me cd dhe vendos një album të Majas. Se kisha dëgjuar më parë. Kënga fillon me një klarinetë të pastër, melodike, për të pasuar më pas me timbrin lab të këngëtares “C’janë ato sorkadhe në majën e shkëmbit? Janë vashat e Sulit, dritë i japin vendit...”...Në autobus bie heshtja. Klarineta duket sikur ka mbërthyer në një përqafim cdo zemër, sikur ka prekur plagët që dhembin. Bashkëudhëtarit tim i shkasin lot mbi mollëza. Duke fshirë lotët me pëllëmbë kthehet nga unë e më thotë: “Kam lënë prindërit, gruan e kalamajtë vetëm në shtëpi. Jetojnë me pensionin e plakut. Ata nga unë i mbajnë sytë. Kam dy vajza, janë të vogla, i kam të dyja të sëmura...” më shpjegon se ato kishin lindur me një deformim fizik dhe se ishte kthyer në Shqipëri vetëm për një javë ,pasi e madhja i operohej. Kirurgu i kishte kërkuar 9 milion lekë (të vjetra) për operacionin. Kishte ardhur ti sillte lekët kirurgut në Tiranë dhe ishte nisur prapë për Greqi...

Vështroj jashtë. Më dridhen duart, ndaj shtrëngoj grushtat, më dridhen buzët, ndaj shtrëngoj dhëmbët. Ngjarja në doganën greke humbet cdo kuptim përballë realitetit tonë të brendshëm. Mendimet konfuzohen. Para syve më shfaqjen një i diplomuar kirurg shqiptar dhe një ushtar injorant grek. Po cili vlen më tepër?

Melodia e Majës infiltrohet ngadalë, kohët ngatërrohen, personazhet shkalafiten, vitet luajnë numrash, diku nga 1800 "vashat suliote hidhen nga shkëmbi një nga një me rradhë veshur e stolisur aman me fustane të bardhë-o, me fustane të bardhë-o...”, në 2009 dy vajza të mitura të sëmura që hidhen në greminat e korrupsionit...turq me callma e me jatagan, mjekë që bëjnë biznes mjerimin tonë, ushtarë grekë që dhunojnë pa shkak...fle.

Një dorë më shkund lehtë në sup. “Do zbresim”. Autobuzi ul shpejtësinë, shoferi kthen timonin dhe ne ndalemi në parkingun e një restoranti diku pranë një fshati grek. Pronari grek del tek dera restorantit dhe i jep të njohur shoferit, ndërkohë që pasagjerët zbresin njëri pas tjetrit. Marr dicka për të pirë dhe dal në parking. Përreth gjithcka duket kaq shqiptare që nga arkitektura e shtëpive e deri tek ngjyra e bimëve. Fshati grek në krah të rrugës më solli në mendje skenat e fshatit tek “Zonja nga qyteti”. Thjesht dhe bukur. Rruga dhe pse e dëmtuar kishte dicka fisnike, pastërtinë. Tabelat dhe pse të vjetra qëndronin drejt. Trungjet e ullinjve dhe plepave ishin të lyer me gëlqere të bardhë. Catitë tjegulla kuqe të shtëpive dukeshin sikur capiteshin njëra mbi tjetrën duke ju ngjitur një faqeje kodre. Shtëpitë renditeshin bukur duke respektuar lartësitë përkatëse. Tutje, ulur kërbisht, dy pleq grek shisnin raki dhe vaj ulliri anë rrugës. “E sheh atë kryqëzimin atje? Ja atje vijnë presin ndonjë taksi ata që i bien nga malet” më thotë bashkëudhëtari im. “Po kur i kapin c’ndodh?”. Bashkëudhëtari qesh. “Po c’ndodh? Formalitet o vëlla, formalitet! I fusin në ca kamionë hekuri të mbyllur ku s’merr dot as frymë, i ngjeshin aty si sardele, i heqin dhe një dru që të mos i shkoj më mëndja të vijnë në Greqi, dhe pastaj ja dorëzojnë atyre të doganës sonë. Andej pastaj ka avaze të tjera...”

Rinisemi. Në sfond Bujar Qamili.
Udhëtojmë përmes një qyteze greke. Është mbasdite. Autobuzi shkon ngadalë. Njerëzit shëtisin të qetë trotuareve, të tjerë janë ulur në lokalet buzë rrugës. Autobuzi ynë i bardhë kontraston me vështrimet e grekërve. Autobuzin e shqiptarëve me sa duket e njohin të gjithë. Shqiponja e vogël në targën AL duket sikur bezdis. Por, ja, tek tuk, sheh një fytyrë të qeshur, të lumtur, gati në ekstazë, duke na e bërë me dorë. “Ej o shqipe!!!” thërrasin nga jashtë. Janë ca punëtorë shqiptarë që ngarkojnë një kamion me gurë. Përshëndetjet e tyre vëllazore sikur na japin krahë. Ecim përpara e shohim sërish duar që na përshëndesin, o sa shumë duar! Atmosfera në autobus ndizet, shoferi ngre volumin, “Ah Pranvera Pranvera zoti moj te bekofte, ah Pranvera Pranvera emni mos tu harrofte”, e harrojmë për një cast ku jemi, shoferi flak tutje kollaren, zbërthen këmishën, shton shpejtësinë sërish, parakalojmë një, dy, tri, katër vetura greke, një e pestë po reziston, shoferi i bie burisë, i bie sërish dhe sërish, vetura greke hap rrugën, në autobuz plas gazi, duket si autobus dasmorësh që po shkojnë për hajeng.

(...)
Ka rënë mbrëmja. Autobuzi sapo u ndal në Larisa. Disa bashkëudhëtarë zbresin. Poshtë, malli lexohet në fytyrat e familjarëve të tyre që i presin, dhe pa zbritur mirë ja ku rroken, përqafohen, puthen, zihen kush e kush do të mbajë cantat, gjyshi merr nipcen në krah, vajza i shtrëngon dorën të fejuarit, një nënë na përshendet me dorë.

Udhëtojmë, kemi hyrë në një autostradë, moderne, e pajisur me të gjitha aksesorët, herë pas herë hyjmë në tynele që janë sipas standarteve europiane, “kanë rrugë grekët, jo si ato tonat. Rrugët tona sa i shtrojnë për 6 muaj i ke copë.” thotë ndihmës shoferi. Shoferi ja pret “Po është gjynaf mër, autobuzi ri fringo, s’kena as dy muaj që e kemi blerë, kam shkuar e kam marrë vetë në Gjermani, po është krim ta futësh autobuzin në ato rrugë, ja e patë vetë atë që të con për Kapshticë. Edhe të mendosh që atë rrugë, sa ka ajo, as një vit që e kanë shtru, është bo gunga gunga. Po si si vjen turp këtyre tanëve? Po ajo është rruga kryesore. Kanë 20 vjet emigrantët e shkretë që e marrin atë rrugë, ja, po ashtu e gjejnë. Po sikur, vetëm për hir të tyre, për atë gjakun e tyre, ti kishin lënë pa shtruar të gjitha rrugët, e vetëm atë rrugë ta kishin bo tamam”.

Ndërkohë, disa sedile më mbrapa, katër burra, seriozë, i janë shtruar një bisede po aq serioze, mbi Enverin, Berishën dhe Ramën. Nuk dëgjohet mirë se kush flet për kë, por i pari tha, “Ai është burrë i shkëlqyer. Burrë shteti, jo shkërdhat. Ka ndërtuar Shqipërinë ore. E mori të shkatërruar dhe e bëri lule. ”. I dyti ja ktheu “C’thua more? E zgjodhi populli. E nxori Shqipërinë nga balta, nga errësira dhe hajdutllëku. Shih ku jemi”. I treti ja priti “S’ka për të pas Shqipëria asnjëherë lider si ai. Populli atë do, se është i ndershëm dhe punon.”. I katerti s'foli.

(...)
Disa pasagjerë zbritën në Lamia. Autobuzi ka ndalur në një shesh pushimi anë rrugës. Kemi mbi 12 orë udhëtim. 12 orë. Të gjithë janë të lodhur. Hyjmë në restorant të porositim dicka. Bëj ti flas anglisht zonjushës në banak, ajo buzëqesh e më thotë ëmbël “Hë ma thuaj shqip, se anglisht s’di unë”. Blej dicka. Ulem jashtë. Në tavolinë vijnë ulen dhe disa të tjerë. Bisedojmë pa dorashka. Pas kaq orësh udhëtim, të panjohurit bashkëudhëtarë të duket sikur i njeh prej vitesh. E ndërsa tregojnë jetën e tyre, të duket sikur lexon kronika të zeza gazetash.

(...)
Kemi edhe dy orë rrugë. Mesnatë. C’është ky udhëtim kaq i gjatë?! Bashkëudhëtari në sedilen përkrah më thotë që s’ndihet mirë. Është zverdhur. Pa pasur kohë ti them kërkoji një qese shoferit, ai fillon e shtron tapetin me c’ti mbaj stomaku. Automatikisht pasagjerët e tjerë armiqësohen ndaj tij. Një grua shumë tonëshe i thotë “Po ca burri je ti mër?”, një grua tjetër ja pret “YYY, yyyh burri langaraq”. Shoferi ndal autobuzin “Po ca bo mër vëlla, po e dhive fare, s’kërkoje dot një qese ti? Si me qen fëmi’ dy vjec mër bab!”. Adoleshenti në sedilen para kthehet dhe me një shqipe me theks grek që kërkonte urgjentisht përkthyes shton “O file, salcicja restoranti përtok”.

Zbresim. Bashkëudhëtarit tim i zgjasin një kovë dhe një leckë. “Shpejt icik se s’kena kohë, ka tre orë që po pret vëllai mu” i thotë një pasagjer tjetër. I shkreti, fillon i mbledh të vjellurat me duar, i hedh në një qese, pastaj e shkon tapetin me leckën me ujë. Kur të tjerët hipën, hapa një shishe ujë dhe ja dhash për të larë duart. “Epo kjo punë ore, unë jam i sëmuri, kurse këtyre u dhëmb.”

(...)
Arrijmë në Athinë. Katër herë ma tha një pasagjer se ku do ndalej autobuzi, por shqiptimi i tij është i pakuptueshëm. Ndihmës shoferi ma shkruan vendin ku do ndalojmë. Ja dërgoj me sms miqve të mi. Edhe pak, ja mbërritëm. Jemi në Athinë. Është ora 1 e gjysëm e natës. Zbresim në heshtje. Miqtë e mi ende nuk kanë ardhur. Përpara syve të mi, një shesh i shkretë, i pisët, i errët, një nga ata sheshe që të nxjerr mallin e Parkut diku në vitet ’90. Shumë pranë agjencisë shqiptare të autobuzëve, një rajon i madh policie. Përpara dy tri roje bisedojnë duke pirë cigare. Ja dhe miqtë e mi erdhën. Takohemi me mall. “Welcome në Grefuck” më thotë njëri prej tyre duke qeshur. Hipim në makinë, nisemi.

(...vazhdon...)

27 Komente

Ne skemi pune tjeter me ditarin tend do merremi smiley

Nice job! Presim me padurim tjetrin. smiley

“O file, salcicja restoranti përtok”.

O sa kom qesh, me nxorre gjumin mer malukat, ta paca  borxh. Edhe sa rruge kemi se u bona telef. Dhe mua me duket TR-NY e gjate!!!! Paska keq e me keq. Nuk qenkam fort larg.

 Edhe une, me padurim. Sikur po udhetoj vete nepermjet teje smiley

as, ta paca borxh, me zuri autobusi duke te lexuar smiley

Hera e fundit ne autobus (pertej nje aventure teper te shkurter ne unazen e Tiranes) u bera telef.  Humba goxha peisazh te Toskanes se koka nen sedilje.  Ama u mbajta, jo si ai burreci smiley.  Ne kthim mora trenin ama smiley.

Paske zbrit te stacioni trenit smiley

aty dhe tabelat e lokaleve jane shqip, prandaj te ka kujtuar parkun...(sa embel tingellon fierakcja dhe gjuha e beratit ne ato lagje...) smiley

Stacioni i trenit ishte jo larg. Ja po perfundoj edhe pjesen e 8 per te dal tek fierakcja. aventura vazhdon smiley 

qyq mi none, qyq! smiley  E di mire jeten e emigranteve si ne Itali si ne Greqi, por sa here degjogj peripecite e tyre gjithnje habitem;me duken te pabesueshme.

 

salcicja sto restoranti... me to skordha... smiley

o mallohrinaqi/ mu potises farmaqi... smiley

Arber, keshille krejt asnjeanese: mos u ngut me mbaru sa me shpejt prej kerkeses dhe suksesit. Ne ktu jemi. Si sot, si per dy jave. Pjeset duhet te ruajne te njejtin koncentrim ne ingredientet pikante. Deri tani kane qene me ereza per se mbari, dhe kjo eshte nje fare "mallkimi" per pjeset qe vijojne, ngaqe duhet rujt ngarkesa.

FLM!

bar miu me pikatore emo smiley.  Gjej mer nje keng tjeter se vec me ket mbete smiley.

as, mos degjo emon se e ka zakon ate pune ai, shkru nje pjese sot e nje llaf mot smiley

Ne pritje te vazhdimit ... smiley

smiley

meta pa pune. s'ka mo peshk per ca ore...  (na u bo addiction ajq'...) smiley

 

Me keto flete ditari po marrim vesh qe qenkemi qenie jashtetokesore!Ne ndryshim nga njerezit e tjere ne flasim me ze te larte,ankohemi kunder qeverise ne fuqi dhe bejme te paberen, vjellim pas nje udhetimi 20 oresh!!!

Ore te marrsha per anglezet!Ata as nuk flasin me komshiun(bile nuk e njohin fare komshiun) dhe jo me te ngrejne zerin dhe jam i sigurte qe nuk i ze makina fare.Jane te jashtezakonshem jo si ne qe na ze makina dhe flasim me komshinjte apo edhe shkojme ne shtepite e tyre dhe pime kafe!!!Jazek na qofte dhe per kete duhet marre shembulli anglez i Arberit!

Hajde flete Ditari hajde!

Sa per dijeni Arber disa episode qe ti i cileson Made in Albania sapo me ndodhen ne SHBA.

Sot shkova te blej dicka qe kushtonte 15$.I zgjata cashieres 20$ dhe me tha qe nuk kishte 5$ kusur dhe pranonin vetem Cash( uaaaaaaaaa vetem ne Shqiperi duhet ndodhin keto thashe pasi lexova pjesen 6,por ja qe ka edhe ketu).Ok,shkova tek nje lokal ngjitur dhe i them cashires "Te lutem ke te ma thyesh kete 20$"

Cashierja nje zezake rreth te 30-ave po pertypte nje camcakiz dhe ma ktheu pa piken e njerezillekut:Tani e mbylla arken prit kur te vije ndonje bleres dhe ta hap arken dhe pastaj te shoh nese kam apo jo.Natyrisht qe po pertypte camcakiz kur me foli.

Bleresi tjeter erdhi pas nja 5 min dhe zezakja me morri 20$ dhe me ktheu nje 10$ dhe dy 5$ me nje pamje qe tregonte tamam percmim.Kush jeton ne SHBA ne qytete te medha jam i sigurte qe ka nje episod te ngjashem ne cdo 1 muaj.

Tjeter, po udhetoja nga Boston ne NYC nja 10 vjet te shkuara dhe isha hera e pare qe shkoja ne NYC.Autobusi ishte me i paster se ai qe pershkuan ti,po ce do te kur u fut ne NYC i ra nga lagja e zezakeve.Shikoja ato shtepi kllira me njerez te palare qe rrinin tek dera dhe thosha me vete: "Ky eshte NYC i famshem qe kam pare ne TV"?

Por edhe une si ti e shihja kete NYC nga dritarja e autobusit, sepse kur zbrita ne qytet dhe shkova ne Manhattan pashe nje tjeter NY ate qe kemi pare ne ne TV.Ja qe pamja nga dritarja ndonese eshte realitet te genjen ne perfundime.

Se dyti,mesa shoh ne rrefenjat e tua ti krahason kohen tone ne te Enverit.Distanca kohore ka bere qe asaj kohe ti mbahet mend rregulli dhe qetesia publike,por te harrohen pritjet e gjata ne autobusa,sakrificat per te prere nje bilete autobusi,mungesa e kultures ne peshtyrjet ne toke,apo tek mosrespektimi i ndalimit te duhanit ne vende publike.Kam pare vete mjeke qe vizitonin pacientet ne cigare ne goje ne Korce,Elbasan dhe Tirane plus autobusat plot zhul dhe pa asnje ajrosje ku te gjithe pinin duhan.Pastaj kultura reflektohet tek banjat publike qe po ti mbash mend ne Tirane apo edhe ne Korce ishin per faqe te zeze.Shtoji keto me raftet e dyqaneve te boshatisura dhe njerezit qe vishnin pantallona te arnuara kam te drejte te them:Mos ardhte kurre ajo kohe!

Nese ben krahasimin e Pogradecit me Ohrin sot dhe te del se Ohri eshte nja 5 vjet para,ta them une se ne kohen e Enverit Ohri ka qene 50 vjet para Pogradecit.

Kaq per sot.

bobo qenke rende fare me enverin ti 

E verteta mund te mos te pelqeje, por nese ke fakte me kundeshto me fakte dhe jo me pershkrime jo reale ,nen tymin e hashashit.

hahahhaha "nen tymin e hashashit" e madhe kjo!!! ej, po cila eshte e verteta qe ti propozon?  

Te verteten ta kam thene ne paragrafin e fundit.Lexoje mire si ka qene koha e Enverit.

ok e lexova. Po c'lidhje ka enveri me temen? sot ka probleme qe kerkojne marrje pergjegjesish dhe zgjidhje. ti thua e ka fajin enveri. ok, por sot a na jep zgjidhje enveri sipas teje?  

Arber te pergezoj . Kete vere e hoqa vete ne kurriz dy here ate rruge. E di, me solle ca ndjenja melankolie me perzjeve, me bere per te qare e per te uleritur. Kur u ktheva e urreva veten qe kisha qene dy here ne toke te tyre. E urreva sepse e pashe radhen ne Kapshtice, e pashe vuajtjen shqiptare, e pashe lodhjen, marazin, e pashe edhe ankthin, edhe nofullat kur shtrengohen edhe grushtet kur djersije, edhe te gjitha. i urreva sepse une me nje karte pune ''press'' me percollen si ministre dhe po me te njejten mendesi me futen ndersa bashkekombasit tane po digjeshin nga vapa ne dogane. Si nuk kemi shtet? Po te mundja asnjehere nuk do ta zija ne emer shtetin fqinj Greqine, ky emer sec me peshtjellon gjykimin, me neverit e me kall daten. Une nuk e kuptoj se perse fqinjet tane na urrejne kaq shume? Pse brex pas brezi kane trasheguar urrejtjen ndaj nesh . Prej vitesh kam krijuar nje antipati per ate popull saqe edhe emrin po ta shqiptoj me duket se i kam si mallkim. E dini si trajtohen shqiptaret ne burgjet greke? Ndonje nazist dilte edhe shpirtmire ndaj cifuteve dhe e kemi parasush ''listen e Shindlerit'' por shqiptaret ne ato institucione po kajojne jo me pak se nazistet ne kampet e perqendrimit. Nje mike dikur me tha se eshte mallkim te njohesh dike te keq. Po po! eshte mallkim qe ne i kemi ata komshinj. edhe emri me neveritet ti permend! Po te kish shtet, po shtet, Shqiperia ne kufi nuk do te kish shume standarte per shtetas te ndryshem. Nuk do te kish as racizem ne burg, nuk do te kish as  padrejtesi ne ndaj shqiptareve ne gjykatat greke. Nuk do te kish as ''burgime te perjetshme'' per shperndares te vegjel droge. Nuk do te kish as diferencime kaq te medha midis emigranteve tane dhe vendasve, ne cdo aspekt te jetes. Nuk do te kish ndryshim midis nje punetori shqiptar , i cili merr dy here me pak page se ai grek per te njejten pune. Po ne nuk kemi shtet qe te na perfaqesoje, qe te na mbroje kur kemi te drejte, e kur na shkelen te drejtat! Ne jemi nje popull i cili aspiron te hyje ne BE por qe me keta ''shtetare''dhe ''komshinj'' eshte e veshtire. Arber, teksa te lexoja nje ndjenje lemontie me perfshiu, sepse mu duk vetja kaq e vogel, kaq e pavlere para atij, ushtarit, para mjekut kasap, dhe para botes. Kush do te ulerije fort per te gjitha padrejtesite qe u behen shqiptareve ne gjykata ne burgje, ne shkolla, ne rruge, ne pune, dhe ku ne shtetin fqinj, i cili  vetem vella smund te jete me mua. po ju cmendim keni, i beni dot vellexer greket?

Ata i bene maqesoniasit te fshinin anen greke te kufirit.

Dhe moren nje bojkot nga popullsia maqedonase.Fatkeqesisht shqiptaret kete e shohin me syze partiake dhe  kombetare.Ne kete kontekst, dyshoj se do te shkruaje te njejtin reportazh migjenian,nese ne pushtet do te ishte Rama.

Ne problemin ne fjale,nje bojkot i mallrave greke do te ishte nje gje me mend,si hap i pare.Nuk eshte nevoja per bojkot shteteror,por secili nese ka nje mall grek dhe te nje shteti tjeter le te zgjedhe mallin e shtetit tjeter.Ky eshte i mire si hap i pare.

Greket kuptojne vetem forcen.Edhe Turqise ja kane friken se ka nja 20 milione ushtare dhe jo se duan tja dine per shtetin e tyre.Po keshtu edhe Amerikes.Ndersa per vendet e vogla te BE ja u kane nevojen dhe nuk duan vetot e tyre,kur akordohen ndihmat financiare per Greqine.Me sllavet jane vellezer shpirterore.Ne ,me vjen keq nuk biem ne asnje nga keto kategori dhe shteti shqiptar nuk mund te beje me shume se protesta verbale,qe sja var njeri,pasi nuk ka asgje ne dore as veto te BE as ushtri disa milioneshe.E hidhur por ky eshte realiteti kushdo qofte ne krye Berisha apo Rama.Ata bejne si trima me shqiptaret,maqedonasit apo bullgaret.

Fatkeqesisht ne nuk kemi as ndergjegjen kombetare as forcen ne anen tone.

Arberi shkrim i mire po ka nevoje per  shume regullime. Besoj duhet t'i kethesh pas ca kohesh, i ke pare gjerat me ndjenja te lodhura te merzitura ...etj. Ps ti veme ca fakte me ne rregull: rruga Korce - Kapshtice eshte rruga me mire e shtruar ne Shqiperi. Ka gati 10 vjet qe eshte shtruar dhe s'ka levizur fare duket sikur eshte shtruar 1-muaj para dhe mund te them eshte shume me mire se shume rruge ne Greqi .

Greqia s'ka asnje autostrade te perfunduar dhe keto qe jane jane 2 kalime andej 2 ketej pa emergency lane. Ajo kryesorja Athine-Selanik perfundon ne Lamia si ajo e Pogradecit. Beharin e kaluar kam udhetur gati 200 km per te pare hotel ne kete autostrade i thencin dhe si perfundim u dorezuam dhe "fjetem" ne makine ne xhepat e rruges per nja 2-3 ore. Pas gjysem ore udhetim me ne fund u shfaq hotel por s'na flihej, ishte zbardhur. Kesaj i thua standart evropian, o Arber?

Me ne fund s'mund te le pa thene dicka pa thene dhe per Korcen. Perreth pazarit mund te duket remuje e plehra, por te gjithe pazaret keshtu jane pak a shume kudo ne bote. Korca si urbanistike eshte model ne Shqiperi pothuajse te gjitha ndertimet e reja jane bere me planimetri. Plehrat pastrohen me mire se kudo ne Shqiperi. Kazane plehrash si te rinj shikon vetem ne Korce.

Kanë 20 vjet emigrantët e shkretë që e marrin atë rrugë, ja, po ashtu e gjejnë.

...

Ndërkohë, disa sedile më mbrapa, katër burra, seriozë, i janë shtruar një bisede po aq serioze, mbi Enverin, Berishën dhe Ramën.

Bukur përshkrimet, faleminderit për prurjet.

Kush lexon meriton nje bravo !

Kush shkruar meriton  dy bravo !

 

Ditaret me pelqejne , eshte bote e fshehur , ku ne gjejme nje pjese tonen aty.

Ke pak manine ti zmadhosh gjerat  po hajt mo pranohet , TI VLEN , pjeset ku  ka fjalor banal  mund ti besh me **** mos na e sill bruto ndodhine.

Dhe Korcen mos na e shaj se nje qytet kemi sic duhet , dhe pazari kot nuk quhet pazar se ka rremuje .

 

P.S Do vdisja i lumtur nese nje dite  greket do mbanin rradhe ose do paguanin nga 3 mije euro me marre nje vize ne Shqiperi , a ka zot apo jo  na e ploteso ket deshire  !

 

arbo, here tjeter ditaret te vijne te shoqeruara me fotografi te firmosura nga te fotografuarit, dhe te skanuara me pas nga ty. Fotografi te rruges se kapshtices, fotografi te doganes, fotografi te rryshfetit, fotografi te te vjelles, te haleve, te pogradecit kaq te bukur e kaq te zhvilluar, te autostrades greke, dhe te vetvetes duke shkrepur aparatin. Ndryshe nuk te besojme, ti je ketu per te shtremberuar realitetin. natyrisht qe eshte keshtu, ti nuk po sheh aspak ate qe duam ne te shohesh!

Nje tersi mbresash nga nje udhetim . Te fresketa , impresionuese , te duket sikur je personazh i udhetimit.

 Vazhdoi as ....vazhdoi dhe na i sill. Por jam me emin. Te eshte ritur bara e pergjegjesise sepse cilesia e te meparshmeve duhet ruajtur me shume pasi u ambientuam dhe presim vetem " llagar"! Dikujt i tingellojne si kronika te zeza , ...ka qe edhe u tingellojne ne avaze te ndryshme .  

Po nga komentuesit me intelidjentja  mu lexua nje qe shkruante ...se kishte vajtur ne Amerike ..smiley dhe me e bukur thote ne Shqip nje fraze , qe te dhjefsha mu ne shqipen qe njohim .

'''''Sot shkova te blej dicka qe kushtonte 15$.I zgjata cashieres 20$ dhe me tha qe nuk kishte 5$ kusur dhe pranonin vetem Cash... smiley Sikur 20$ nuk eshte cash-hhhhahahahihihihoho smiley 

Dhe me e bukura eshte se thote ne fund ...vazhdon ....qe me silogjizmin e frazes me siper perkthehet ne SHQIP "Lajmeroni ambulancen dhe beni gati nje shtrat ne spital per tu kuruar menderisht "

smiley  i keq je, Ziko! t'rre kush te thote ndryshe. Por Arberi ama, e di ate fjalen qe "nga cdo gurmaz, del nje avaz".... baza e demokracise... athinase... kjo smiley

Shtembari, YOU ROCK me ket rradhe shkrimesh deri tani. Ky eshte mendimi im shqeto, pa lamashlliqe ose "mendim unik" te organizates baze, dhe prape gjej rastin te te inkurajoj, gje per te cilen as pres miratime, dhe as qe besoj se do te demtoj ty ne ndonje fare menyre (c'jane kto gomarlleqe - qe kur u dashka rrudh goja per te shpreh pelqimin dhe inkurajimin!?) Dhe jam i bind qe lexuesit, te cileve arti yt u flet drejt e ne gjongul, sikunder rasti im, jane sadisfaksioni me i mire per ty, si dhe per cdo autor qe shkrun ketu. Ne e bejme kete gje per pasion & hobby, pare nuk paguan PPU-ja, as ne i paguajme PPU-se. Une kurre nuk do ta kursej levdaten, kur nje gje e jotja me pelqen. Dhe s'du te me futet njeri si xhol ne pelqesat e mia, ashtu sic nuk i futem "xhol-she" askujt qe nuk e pelqen.

Kur te mbarosh ciklin, ose ta keshe sjelle ne nje faze permbyllese, dhe atehere ndoshta mund te kaloj ne detaje dhe gjera teknike. Tani per tani, thjesht po metabolizoj dhe po pelqej (= enjoy) cfare po shoh.

FLM!

Plehrat pastrohen me mire se kudo ne Shqiperi. Kazane plehrash si te rinj shikon vetem ne Korce..... na kenoqe Zarbe ! smiley

Nga me te bukurat qe kam lexuar ndonjehere tek PPU qe mund te mbyllet me :

"Bleni nga Kazanet e Stavrit . Kontraktoni me ne dhe magjia eshte gati !"

Per cfare do lloj arsyeje do te shmangesha nga nje udhetim ne Athine . Por ti Arber shkon dhe na sjell pikerisht ate ndjenje qe sa here largohemi nga Shqiperia na mblidhet si nje lyth vreri jo vetm ne gjoks po kudo ne mendje. I kam lexuar me vemendje te gjitha fletet e ditarit arber dhe te pergexoj. Te pergezoj per stilin e rrjedhshem te te rrefyerit, te prozes tende. Per ndjenjen dhe sinqeritetin qe perdor, per mekanizmin e cliruar nga komplekset ne ecjen tende lettrare.ke noten 5

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).