FJALA

FJALA


Leart Kola

Për besimtarë e ateistë FJALA përgjatë gjithë historisë që njeh njerëzimi është treguesi i akteve dhe veprimeve, ashtu sikurse vetë idetë që mund të ndërtohen e trasmetohen ekskluzivisht mes fjalëve.
Revolucionet janë gjithmonë produkt i fjalëve të menduara që më pas materializohen në ide e vihen në jetë logjistikisht nga masat të cilat tashmë e kanë përqafuar idenë që u përcoll nga fjala. Çdo sistem rri në këmbë për hir të saj, e gjithashtu shkatërrohet për hir të saj, pra nëse do të donim të ndërtonim një sistem krejt tjetër atëherë fillesat do t’i kemi domosdoshmërisht aty ku nisin idetë pra nga FJALA. 

Për ta futur në një kontekst me politikën, e sigurisht me historinë shqiptare, do të shohim rëndësinë që ajo ka pasur në zhvillimin tonë. Rilindasit e përdorën fjalën pikërisht për të ngritur mitin që do të mund t’i dërgonte shqiptarët drejt një lufte për liri. Nëpërmjet fjalës së tyre arritëm të kishim të përcaktuar një identitet të domosdoshëm për përkufizimin jo vetëm të territorit, por dhe të individëve brenda këtij territori, dhe përcaktimit të tyre si subjekte politike. Kjo ishte dhe arsyeja pse lufta e vërtetë nuk ndodhte dosmodoshmërisht nëpër male, por pikërisht kishte të bënte me lëvrimin e gjuhës shqipe në fillim të shekullit të shkuar.

Më pas, me ardhjen e komunizmit në Shqipëri FJALA mori forcë ekzekutive. Fjalimet e Enverit ishin padyshim programe konkrete ekonomike, sociale, kulturore apo politike. Asgjë nuk ndodhte jashtë fjalës që proklamohej në kohëgjatësinë e një fjalimi. E ky sigurisht që nuk ishte një fenomen shqiptar, por mbarëbotëror. Nëse ka patur një kohë kur FJALA kishte formë ekzekutive ajo ka qenë koha e luftës së ftohtë. Pikërisht për këtë arsye është quajtur kështu.

Murin e Berlinit nuk e hodhi efekti domino i gurëve apo vareve të gjermano-lindorëve, por fjala e thënë vite më parë pikërisht aty ku ky mur po nëpërmjet FJALËS u themelua, pra në MOSKË.

Me rënien e murit të Berlinit dhe me vendosjen e një sistemi politik liberal shoqëruar ekonomikisht nga një sistem kapitalist FJALA nisi të njohë inflacionin e parë. Kjo sepse tashmë rregullat e lojës ishin të parapërcaktuara, pra nuk kishte më dy palë në debat, kështu që fjala s’kish ku të vazhdonte të kishte rëndësinë e saj. Kishte vetëm një sistem që monologonte, e sigurisht që monologu nëse e zhveshim nga aspekti artistik i spektaklit, mbetet një formë boshe ose dëshpëruese duke qenë se i drejtohet vetes pavarësisht prezencës së publikut. Kjo është pak a shumë ajo që ndodh globalisht sot në politikë. Ata (pra politikanët) e shohin proçesin e votimit dhe gjithë proçeset politike si një pjesëmarrje e domosdoshme në një salle teatri ku vetë ata monologojnë brenda së njëjtës pikëpamje të së njëjtës klasë, e për pasojë publikut i mbetet veç të duartrokasë.

Me mbarimin e luftës së ftohtë faktikisht nuk fitoi “e mira” kundër “të keqes” apo “liria” kundër “terrorit”, përkundrazi ajo luftë ishte garancia e një zgjedhjeje, garancia që ndryshimi të ishte konkret e racional, e për këtë arsye FJALA kishte shumë peshë, se mund të kthente situatat përmbys. Fundi i asaj lufte (pavarësisht se kush do të fitonte) ishte vetëm fillimi i një utopie. Pra gjatë luftës së ftohtë nuk pati një utopi kundër një lirie, ishin dy sisteme të ndryshme në konkurim me njëri-tjetrin, me teknikat dhe politikat e tyre. Pra me gjuhën e sotme liberale do të quhej “pluralizem”, e pas kësaj beteje, na u garantua ajo që sot është utopia më e thellë që historia njerëzore ka njohur. Sot jetojmë utopinë ekonomiko-politike të atij sistemi që fitoi. Për këtë arsye FJALA e humbi rëndesën si pasojë e humbjes së pluralizmit dhe fillimit të utopisë post ‘90.

Në këto kushte politika filloi t’i jepte fjalës ngjyrimin artistik që ka nevojë një monolog, duke e vendosur në qëndër të vëmendjes jo më ndryshimet sociale-ekonomike dhe politike tek individi, por vetëm aspektin emocional të tij. Si në një sallë teatri, sondazhet dhe pyetësorët që organizohen në botën e “lirë” gati përditë nuk kanë asnjëherë pyetjen “në çfarë bote do të jetosh?” por vetëm pyetjen “çfarë do të doje të ndryshoje në jetën/qytetin tënd?”.

KUJDES pra politika dhe ekonomia tashmë është përcaktuar. Ajo çka mbetet si liri është brenda kontekstit, pra brenda këtij teatri ku ne krijojmë iluzionin e zgjedhjes: ti nga këto dy gjëra që i ofroj po UNË, kë do të zgjidhje? Në këtë kontekst rëndësia e fjalës dhe përdorja e saj nga njerëzit për të shprehur mendimin politik është absolutisht inekzistente për sa kohë luajmë me fjalë tashmë të përdorura nga pushteti. Duke ia hequr rëndësinë fjalës, duke ia mohuar idenë, pushteti del i zhveshur nga subjektet politike që mund të vendosin për ndryshimin e “trupës së aktorëve”, dhe e katandis spektatorin që të zgjedhë mes atyre aktorëve që luajnë këtë teater nëse pëlqejnë njërin apo tjetrin. 

Për këte aryse ajo që po ndodh sot në Shqipëri mes akuzash si MAFIA-TERROR-KURVAR-HAJDUT etj. është qesharake sepse ndodh brenda një konteksti të paracaktuar. Këtu sigurisht ne ende kemi fatin e një lloj origjinaliteti provincial dhe vulgar që “bota e lirë perëndimore” e ka zhdukur prej kohësh, e ndoshta është më i ndjeshëm (tamam si ai teatri i fshatit ku duke qenë se aktorët janë amatorë dhe ndodh në një qymez, vëzhguesit i duket vetja më i përfshirë). Nga amatorizmi i politikës mendon se fare mirë mund të ishe dhe ti aty, në atë skenë, por KAQ, sepse më shumë se KAQ, nuk mundesh kurrsesi t’i faturosh këtij skenari të zbehtë. 

Pale po të shohësh dhe inflancionimin tragjiko-provincial që në kufijtë e absurdit ndodh përditë në Shqipëri. Imagjinoni që një hajdut futet në shtëpi, ju e kapni duke vjedhur, e pasi keni bërtitur “hajduti! Hajduti!” më pas keni idenë gjeniale që të negocioni me të. Çuditërisht këto ditë Rama e ka akuzuar për mafioz dhe hajdut Berishën, por përsëri kërkon po nga ky mafioz që të hapë kutitë. Ndërkaq Berisha ka thënë për Ramën se është punisto-mafioz (edhe më e rëndë kjo), e më pas thotë që opozita (pra mafiozët e punistët) të futen në parlament!!! Beketi do të ishte shkrirë me një situatë të tillë.

Fare mirë mund të jemi subjekte teatri apo koncerti, por kurrsesi nuk mund të klasifikohemi si subjekte politike, e aq më pak vendi kur rrimë nuk mund të quhet “qytet” sepse s’ka qytet që funksionon jashtë politikës pasi qyteti është prodhim i saj.

Sot jetojmë në një epokë ku domosdoshmërisht duhet të kërkojmë kthimin e të drejtës së rëndësisë të FJALES, të drejtën e NDRYSHIMIT, te drejtën e artikulimit të IDEVE. Jemi të marrë peng sepse vërtet kemi të drejtë fjale, por na e kanë zhvleftësuar FJALËN, e gjithçka fillon prej saj.

Fjalët e pa menduara, e të thëna pa deshirën për të ndryshuar diçka nuk çojnë kurrë në parajsë thote Shakespeare, e askush nuk mund t’ua mohojë njerëzve të drejtën për të ëndërruar më të mirën e për të shprehur idetë nëpërmjet fjalëve që duhet të trajtohen me kujdes, si të qenë gurë të çmuar. Askush nuk ka të drejtë të mbysë imagjinaten dhe deshirat e askujt, lufta e vertetë është mes nesh këndej që duam të ndryshojmë të gjithë trupën e aktorëve në skenë, ndërkohë që ata na kërkojnë vetëm që të zgjedhim dikë mes aktorëve e të rishohim per të njëqindtën herë të njëjtën shfaqje.

Në këto kushte hapja, mbyllja apo djegia e kutive është vetëm një akt simbolik, një krizë menaxheriale e cila i ndodh diktaturës së kapitalizmit alla shqiptar. Një opozitë që e merr veten seriozisht nuk do t’i kërkonte një hajduti të tregonte xhepat, por do ta fuste hajdutin në burg. Çdo kërkesë tjetër ngjan me monologun e trishtë të një aktori që performon në sallën e zbrazur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).