Fitorja që e ka emrin MAQO

Fitorja që e ka emrin MAQO

Armir Shkurti

Maqo fitoi zgjedhjet për kryetar i PS! Ndonjë mbase mund të rrudhë buzët e të më tregojë shifrat, duke më thënë se rivali i Ramës as 7 % të votave socialiste nuk arriti të marrë. Por e ftoj këdo që para se të ngatërrohet me numra dhe përqindje bën mirë – siç përdoret rëndom në zhargonin politik –ta lexojë rezultatin. Nga sa vota mori zoti Lakrori nëpër qarqe? Nga njëqind a dyqind ? Pa kujtohuni nga sa socialistë kishte në debatet që çifti Rama – Lakrori interpretuan nëpër Shqipëri? Nga njëqind a dyqind! Pra ky zotëri, me programin dhe alternativën që kishte, ka bërë për vete gjithë sallën. Dhe kjo vetëm brenda një muaji. Po sikur Maqoja të kish patur shumë më tepër kohë, ta zëmë 3 muaj? Po një vit? Edhe vetë zoti Rama nuk arriti ta thyente me të parën ish kryetarin Nano 4 vjet më parë. Pastaj koha bëri të sajën. Sidoqoftë, kjo është me hamendje, se nga debati kemi dëgjuar gjithë-gjithë nga pesë a gjashtë fjali ku kandidati i ri i mëshonte bashkimit të së majtës. Mbase ka thënë dhe plot gjëra të tjera të mençura, por kaseta montohej dhe vinte gati që nga PS. Unë besoj se një kandidat kaq serioz, ashtu edhe si rivali i tij, kryetari i rizgjedhur që e ka një projekt të madh për vendin, do të këmbëngulë që të vërë në jetë projektin e tij të madh për bashkimin e së majtës dhe marrjen e kreut të partisë socialiste.

Pa ia hyrë ende shifrave, le të shohim edhe një faqe tjetër të medaljes së fitores së Maqos. Deri sot një muaj ky emër thuajse qe fshirë nga kujtesa e vet socialistëve, pale ne shqiptarët dhe shqiptaret e tjerë që as na vinte në hatër kjo figurë kaq e çmuar e trëndafilit rozë. Prej më shumë se katër vitesh ky socialist i orëve të para nuk u bë i gjallë në asnjë forum, në asnjë lëvizje, në asnjë tribunë. Mirëpo jo më kot thonë se historia ose i prodhon ose i thërret në kohën e duhur heronjtë e saj. As Ben Blushi dhe as Ben Malaj nuk patën guximin të dalin ballaz me kryetarin “në detyrë” pasi e kishin të sigurt se po të kandidonte ai humbja për ta do të qe matematikisht e garantuar. Po Maqo, budalla ishte që nuk e kuptonte se Edi e mbyste me numra? Jo! Ai ishte socialist! Nëse të gjithë figurat e partisë së tij do të bojkotonin kandidimin, në këtë atmosferë bojkoti të parlamentit, kjo nuk do binte në sy për mirë. Nëse dy Benat synonin postin e kryetarit, Maqoja synonte mëkëmbjen e partisë, bashkë me kryetarin e vjetër. Dhe kjo është fitorja e vërtetë e Lakrorit. Ai vuri interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak, siç bëri në 91-shin Namik Dokle kur kandidoi për president kundër Ramiz Alisë. Ama ndryshe nga Namiku, ai dëshmoi qartë se në PS ka zëra ndryshe, se secili është fare i lirë të kandidojë e të sfidojë edhe vetë kryetarin e madh. Kështu, fushata e dy kundërshtarëve na mallëngjeu pa masë me dozat e larta të qetësisë, tolerancës, mirëkuptimit dhe demokracisë së brendshme. Edhe Hillari Klinton me Obamën u ngatërruan me shoshoqin në fushatë dhe nxorrën plot të tharta nga goja duke u sulmuar reciprokisht. Ndërsa nga goja e dy babaxhanëve tanë si nuk doli një herë një akuzë! Si nuk qëlloi që të sulmojnë qoftë edhe një pikë të programit të kundërshtarit? Të paktën në televizion nuk i pamë, po edhe me shokë e shoqe që kemi nëpër parti nuk dëgjuam kësoj gjërash.

Le të vijmë tani tek numrat. Pas daljes së rezultateve kishte nga ata që komentuan se ai 6.7 % i socialistëve ka dalë në votim dhe e ka vendosur ashtu votën për t’i thënë Ramës “edhe te Maqo e hedh e ty s’ta jap”. Por kjo bie poshtë menjëherë, sepse, nëse dikush mendon kështu për bazën e PS-së le të kujtojë eksodet masive të vitit të fundit kur një seksion i tërë i LSI-së bënte deklaratë kundër Metës dhe hidhej tek PS dhe të pasnesërmen, një degë e tërë e PS-së ia përplaste Ramës dhe hidhej tek LSI. Tani që socialistët e kanë të qartë se edhe katër vjetë u duhet të fryjnë sytë në pritje se mos vallë në 2013 u bie ndonjë kokërr pushteti nga Perëndia, ata që s’e honepsin Edin nuk e kanë për gjë të shtegëtojnë edhe një herë tek LSI që tani kjo forcë ka marrë tapinë e 20% të pushtetit. Kjo do t’i bënte që të rehatoheshin një herë e mirë vetë e ç’kanë për fis e për farë. Por kjo nuk ndodhi. A thua kjo pjesë janë naivë e besuan se mund të ndryshojnë kryetarin me votë? Jo! Unë mendoj se meqë ata janë aty por votojnë për Maqon, kjo këndohet se vetëm 6 socialistë e treçerek në çdo 100 duan bashkimin e së majtës nën udhëheqjen e liderit që kanë prej katër vitesh në majë të partisë. Pati edhe të tjerë që hodhën dyshim mbi manipulimin e votave, por kuptohet që këta zëra duhet të jenë të yshtur nga PD-ja, se vetëm demokratët janë mësuar të futin duart në kuti. A nuk erdhi e gjithë kjo kokëçarje në opozitën e djeshme, të sotme dhe të katër viteve të ardhshme pikërisht se –siç thotë Edi – ata manipuluan zgjedhjet? E ky njeri që po e mbron me mish e me shpirt votën e shqiptarëve, si mundet të mos jetë garant i votës brenda partisë së tij? Vërtet Maqo nuk shquhet për ndonjë taraf brenda partisë dhe se zor të ketë gjetur aq ithtarë sa të plotësojë gjithë komisionet, ama ata janë brenda familjes dhe në një familje të madhe (sidomos shqiptare) nuk ka shans të ndodhë që t’i hanë hisen vëllait të vogël për të majmur të madhin.

Një paqartësi e vogël më mbeti mua personalisht kur pashë pjesëmarrjen. Afërsisht 2 në çdo 5 anëtarë nuk dolën të dielën të shprehen se kë duan të parë të PS-së. Dhe ky numër përkon afërsisht me numrin e anëtarëve të rinj që kjo parti deklaron se ka shtuar me ardhjen e zotit Rama. Po jo se ka lidhje. Kaq është si numër. Në një farë mënyre merakun ma shuajti një gazetë shqiptare që tregonte se këta që nuk shkuan tek kutitë janë në kurbet. Edhe haet në fakt. Tani që Greqia është në valë të fushatës socialistët shqiptarë duhet të jenë përkrahë vëllezërve të PASOK-ut dhe nuk kanë patur kohë të ndahen dysh e të vijnë edhe këtej edhe andej. Pra, jo siç deshën ta interpretojnë ca që rreth 40% e socialistëve janë kundër Ramës dhe meqë e dinin si buka që hanë se atë nuk e luante topi nga ku ka zënë rrënjë, nuk e prishën terezinë e së dielës të bënin teatro tek kutitë e partisë.

Por kthehemi edhe një herë tek Maqoja për t’i vënë pikë muhabetit. Vërtet ai humbi numrat por fitoi dinjitetin. T’i shkulësh në më pak se një muaj 6.7 përqind të zemrave një kryetari që punon me mish e me gjak për të mbajtur këtë post është më shumë se fitore, më shumë se triumf. Tani mbeten edhe katër vjet sfidë drejt pushtetit dhe nëse sfidanti Lakrori vazhdon me të njëjtën ndershmëri, këmbëngulje dhe vullnet, nuk është çudi që forcën për të cilën ka sakrifikuar ta ngjisë në pushtet. Nga ana tjetër edhe PS është fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve. Tashmë ajo nuk ka më një, por dy figura ku të mbështetet në udhën e mundimshme drejt pushtetit.

Botuar tek Nr.2 i GAZETA

4 Komente

sa kam qeshur me kopertinen smiley

HAHAHAHAAAAAAAHAHHAAAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHAHA

qyqja gruje,  mos qesh kaq fort se do ngaterosh modelin e trikos smiley

hamburger 5usd

birre (voj mo mire) me kanoçe 3 usd

kompleksi i halleve: 1meleon usd

___________________

arkivat e peshkut: priceless smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).