FITORE HISTORIKE (mbi krimin politik)

FITORE HISTORIKE (mbi krimin politik)

nga ARBER SHTEMBARI

Katrahurës së instaluar në Shqipëri që prej rënies së komunizmit, askush nuk po di ti jap një zgjidhje. Pasiguria ka hedhur rrënjët dhe është betonuar tashmë në shpirtrat e shqiptarëve. Shqiptarët janë shndërruar në bunkerë njerëzorë në këto vite të tranzicionit dhe askush nuk po duket të dal nga bunkerët ku jemi (na kanë) mbyllur.

Riciklimi i temave tejet të konsumuara vjen e rivjen sa herë që kjo i shërben njërës apo tjetër forcë politike. Ndoshta ricklimimi i plerave do të ishte një proçes shumë më fisnik sesa ky riciklim politishikues. Ne po paguajmë shtrenjtë për këtë spektakël të shëmtuar.

Kështu, para ca ditësh u riciklua ligji mbi dosjet. Nëse shohim kronologjinë e riciklimit të këtij ligji në parlament, do të vërejmë se ai është parashtruar pikërisht në ato momente kur të tjera çështje kërkonin përgjigje. Në rastin konkret, dosjet rivijnë konkretisht për të mbuluar allishverishet e Bashës me « Korridorin e Shqiptarëve » dhe për ti dhënë një goditje tjetër Prokurorisë.

Askush nuk është në gjendje më të parashikoj lëvizjet politike të kësaj qeverie. Këto masa nuk përkojnë më me programin e saj të shpallur në zgjedhjet e fundit, por këto reagime shpallen për inerci dhe në mënyrë krejt rastësore. Është çështje besueshmërie, që varet nga faktorë të brendshëm (elektorati), por sidomos, paradoksalisht, nga faktori i jashtëm, i huaj. Qeveria i kishte marrë gjithmonë parasysh efektin e ndërhyrjeve të ambasadeve të huaja të akredituara në Shqipëri, asaj amerikane në veçanti. Ajo që ndodhi së fundmi, prodhoi dy momente që kërkojnë vëmendje :

Së pari, ka lindur një luftë e ftohtë midis qeverisë dhe ambasadës amerikane. Amerikanët ndërhyjnë në politikën shqiptare për çështjen e dosjeve. A thua amerikanëve u dhimbsen kaq shumë ish prokurorët e diktaturës ? Jo ! - atyre ky proces dekomunistizimi u intereson të ndodh tek ne, kurse mënyra sesi ky proçes do të zhvillohet u intereson pak. Ajo që u dha si sinjal nga ambasada amerikane nuk kishte lidhje mbi mënyrën sesi do zhvillohet ky proçes në vazhdim pas votimit të ligjit. Ata deshën ti jepnin Berishës sinjalin që amerikanët kanë fushë veprimi maksimalisht të rëndësishme në vendimmarrjen politike në vend. «« hapini dosjet, siç doni ju, por kur të themi ne. » thonë amerikanët, Siç thoshte John Grej « Ne jemi të detyruar tani të jetojmë sikur të ishim të lirë. »

Momenti i dytë është fakti se, si qeveria jonë, si amerikanët, i lidhin argumentet mbi domosdoshmërinë e këtij ligji në emër të vlerave të demokracisë. Berisha deklaroi “ky ligj është nje fitore historike në demokracinë shqiptare […] Shqiptaret do te mund te shohin drejt korridorit te tyre, drejt vlerava të demokracisë, integrimit [..] ».

Nga ana e tij ambasadori Withers, pasi u lodh së shpjeguari/argumentuari rregullat e demokracisë poltikës sonë, tani këto të fundmit, po i përcjell në formë përrallash, dukesh shpresuar që politika jonë ti konsumoj më lehtë. Përralla e tij e fundit mbi krimbin bulimik, bëntë referencë direkte me Berishën, që po “gllabëron” gjithmonë e më shumë institucionet shqiptare.

Në fakt, parashtrimi i nocionit vlera të demokracisë është një tjetër përrallë. Deri dje, për sa kohë politika shqiptare shkonte pas avazit të amerikanëve dhe populli paguante haraçet, nuk kishte asnjë parashtrim vlerash demokracie. Rrisku imoral nuk parashtrohej, pasi politika shqiptare mund të përdhunonte çdo vlerë demokracie publikisht, pasi i kishte shpatullat e ngrohta nga amerikanët.

Kjo tregon qartë që nuk ka politikë shqiptare, por ka treg politik. Dhe kontratat nuk firmosen mes politikës dhe popullit shqiptar, por midis politikës dhe faktorit të jashtëm duke e shpërfillur totalisht qytetarin shqiptar. Politikanët shqiptarë ecin me pulsin e amerikanëve (kjo u pa qartë gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane. Një ankth absurd e grotesk mbërtheu politikën shqiptare pikërisht prej pasigurisë se ç’do të sillte njëri apo tjetri kandidat që do të fitonte.)

Ndërkohë që “the American dream” ka kohë që është errur në Europë, ajo vazhdon të ushqehet në imagjinarin shqiptar. Përplasja e fundit midis qeverisë dhe amerikanëve i shtoi edhe më tepër tym katrahurës shqiptare. Sepse dilema e vërtetë nuk ka të bëj me faktin a duhet të ndërhyjnë amerikanët në punët tonë të brendshme, por me faktin se kur do të ndërhyj administrata shqiptare në zgjidhjen e problemeve në vend, pasi ekzistenca e makinerisë shtetërore është zhdukur tërësisht akoma më tepër me afrimin e zgjedhjeve. Kjo pyetja duket naïve, pasi në vend të shtronim pyetjen në ç’formë duhet të ndërhyj politika në zgjidhjen e probleme në vend, ne shtrojme pyetjen a ekziston shteti tek ne? (rëndomë thuhet “tek ne s’ka shtet”). Nuk ka natyrë kur flitet për Shqipërinë që gabimisht dhe me përbuzje për këtë popull vjen në formë “e kishit hak diktaturën” apo “shqiptarët kështu janë, s’ke ç’ti bësh”.

Cila është zgjidhja? Kur nuk ka asnjë zgjidhje prej politikës, atyre që duhet të përfaqësojnë qytetarët, atëhere angazhimi qytetar duhet të kryhet në mënyre direkte. Duhet reagim qytetar! Pse ? Sepse po dhunohen elemente thelbësore të jetës sonë sociale dhe ekonomike, ndaj ne duhet të bëhemi pjesë e politikës.
Përballë shantazhit që na ofron politika « na zgjidhni ne, me ne vjen zhvillimi, integrimi, dalja nga tranzicioni etj etj » mosbesimi ndaj politikës rritet, sepse politikanë duan të ruajnë monopolin e kësaj fushe duke mos lejuar debatin demokratik. Ne duhet ta transformojmë mosbesimin tonë tek politika, në forcë reflektimi radikal, të shtrojmë pyetje mbi këtë shoqëri që po ndërtohet gabimisht nga shantazhi politik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).